“Derbi i Italisë”, ja 11 takimet më të paharrueshme mes tyre

0
196

Marrë nga “eurosport.com”

Boniperti-juventus-inter-9-1 (1)Të shtunën në drekë do të shohim njërën prej sfidave më historike të Serisë A: Juventus-Inter, që siç njihet ndryshe është “Derbi i Italisë”. Edhe një herë jemi munduar që të krijojmë një klasifikim të ndeshjeve që kanë bërë historinë e këtij takimi, ku përballë njëri-tjetrit do të jenë dy prej ekipeve që rivalizojnë gati gjithmonë për titullin kampion

 

 

11- JUVENTUS-INTER 9-1 (10 qershor 1961)

Këtë sfidë e rendisim të fundit, pasi takimi në fjalë është luajtur mes dy skuadrave që kishin një diferencë të madhe. Praktikisht, ky ishte një takim fals. Ky sukses i madh i Juventusit shpjegohet vetëm me faktin se ndeshja në fjalë ishte një ripërsëritje e takimit që në program do të luhej në javën e 11-të. Në fakt Juve-Inter e 16 shkurtit u ndërpre, pasi në fushë u futën disa tifozë. Pas asaj çka ndodhi, Federata Italiane e Futbollit në fillim i dha suksesin në tavolinë Interit dhe më pas u ndikua dhe u bind nga bardhezinjtë që takimi të riluhej një ditë para javës së fundit të Serisë A. Tani për tani është e kotë të tregojmë edhe “meritat” e Umberto Anjelit (Umberto Agnelli) që ishte president i Juventusit dhe njëkohësit drejtonte edhe Federatën Italiane të Futbollit. Kështu, Interi, në shenjë proteste, u paraqit me ekipin e të rinjve. Me këtë fakt shpjegohet edhe rezultati i thellë. Gjithsesi, ajo çka është më interesante është fakti se pikërisht në atë ndeshje debutoi me gol (realizoi një penallti) zikaltri, që ishte vetëm 18 vjeç, Sandro Macola (Sandro Mazzola). Ndërkohë, nga ana tjetër, ai takim ishte i fundit për një legjendë të Juventusit, Xhampiero Boniperti (Giampiero Boniperti). Në minutën e 90-të ky i fundit mori këpucët në dorë dhe ia dorëzoi magazinierit të stadiumit duke i thënë: “Mbaji ti, unë nuk do t’i vesh më”. Në moshën 33-vjeçare, lojtari në fjalë mori një vendim prej kampioni.

 

10 – JUVENTUS-INTER 6-2 (17 janar 1932)

Kjo ishte një ndeshje e vërtetë. Juventusi ishte ekipi që do të fitonte pesë tituj (në Serinë A) radhazi. Në 1932-shin lojtarët bardhezinj ishin “autorët” spektakolarë që shkruan faqet e para të lavdishme të historisë së Juventusit. Madje, ai ekip edhe revolucionarizoi edhe futbollin italian. Këtë madhështi të torinezëve Interi e vuajti shumë, pasi në fushë u mposht në çdo aspekt. Më 17 janar të 1932-shit ishin deçizivë të përhershmit: Ferrari dhe Orsi (të dy realizuan pesë gola). Në atë sezon, zikaltrit humbën plot dhjetë ndeshje, kështu që nuk u renditën në zonat e larta të klasifikimit.

 

9 – INTER-JUVENTUS 4-0 (17 nëntor 1935)

Kjo ishte një sfidë legjendare. Një sfidë në të cilën Ambroziana e Xhuzepe Meacës (Giuseppe Meazza) ishte aq e fuqishme saqë kishin mundësi që t’i “prisnin” këmbët Juventusit të madh, ekipit që kishte fituar pesë herë radhazi “scudetto”-n. Në këtë takim ylli i vetëm ishte vetëm Meaca. Ai shënoi tre nga katër golat në impiantin “Arena di Milano”. Meaca, që gjithmonë bënte flokët me brilantinën e famshme të kohës, në fund të sezonit do të shpallej golashënuesi më i mirë i kampionatit me 25 gola. Ndërkohë që në fund të sezonit, si për ironi të fatit, titulli nuk u shkoi zikaltërve. Dominimin e bardhezinjve e prishi Bolonja.

 

8 – JUVENTUS-INTER 1-3 (29 nëntor 2003)

Në vendin e shtatë rendisim një ndeshje që mund t’u kujtohet shumë mirë lexuesve. Flasim për një fitore shumë të rëndësishme të Interit (që në fund të sezonit nuk iu gëzua titullit kampion). Juventusi, kampion i Italisë në fuqi, priti zikaltrit, që nuk fitonin përballë “Zonjës së Vjetër” prej 6 vitesh (për herë të fundit kishin triumfuar më 4 janar të 1998-ës), në “Delle Alpi”. Zikaltrit vinin pas një fillimi negativ të sezonit, çka shkaktoi edhe shkarkimin e teknikut Hektor Kuper (Hector Cuper). Në atë takim, në stolin milanez, debutoi Zakeroni (Alberto Zaccheroni). Ndërkohë, për sa u përket parashikimeve të gjithë i besonin ekipit të Lipit. Por ja që skuadra e tij u kap “mat” nga dygolëshi i “të përhershmit” Hulio Kruz dhe nga “shigjeta” e Obafemi Martinsit. Ndërkohë, në fund të atij kampionati që të dyja ekipet dolën kokulur. Juventusi e mbylli sezonin në vendin e tretë, ndërsa Interi me shumë fat mori vendin e katërt. Atë vit titulli i shkoi Milanit.

 

7 – JUVENTUS-INTER 4-2 (28 tetor 1990)

Kjo ishte një ndeshje që shënoi një epokë të re. Një epokë që nuk ishte shumë madhështore për “Zonjën e Vjetër”. Zikaltrit stërviteshin nga një “ish” si Xhovani Trapatoni (Giovanni Trapattoni), që ndihej gjithmonë e më keq në “centrifugën” zikaltër. Ndërsa nga ana tjetër, Juventusi ishte një ekip që nisi me entuziazmin e një tekniku të ri si Maifredi. Kjo është edhe ndeshja e parë që është luajtur në “Delle Alpi”. Atë ditë në Torino të gjithë festuan triumfin bardhezi në fund të një takimi mjaft të bukur ku vendasit kaluan në fillim në epërsi me Roberto Baxhon (realizoi nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit) dhe më pas shënuan edhe me anë të Kaziragit (Casiraghi), Skilaçit (Schillaci) dhe D’Agostinit (D’Agostini). Ndërsa për zikaltrit shënoi Mateusi (Matthaeus) dhe Klinsmani (Klinsmann). Atë vit Interi i gjermanëve humbi kështu ndaj Juves së Baxhos. Skuadra zikaltër nuk triumfoi në Serinë A dhe Trapatoni u rikthye tek dashuria e vjetër, Juventusi.

 

6- JUVENTUS-INTER 1-3 (3 nëntor 2012)

3 nëntori i 2012-ës është dita kur “Juventus Stadium” ra në këmbët e Interit. “Fortesa” e re e Juventusit ishte vendi i duhur për rivalët historikë për t’i shkaktuar humbjen e parë “Zonjës së Vjetër” pas plot 49 rezultatesh pozitive në Serinë A. Përpos këtij fakti kjo ishte humbja e parë e Juves në stadiumin e vet të ri. Kështu, Interi ia doli që t’u shkaktonte jo pak dhimbje bardhezinjve. Për zikaltrit ky rezultat ishte një arritje e madhe. Një gjë e tillë kuptohet edhe nga vetë tekniku Stramaçoni që dy ditë më parë tha: “Sfida që fituam në Torino përballë Juventusit ishte një nga ato që nuk do t’i harroj kurrë”. Ndërkohë, edhe fjalët e Antonio Kontes pas humbjes ishin mjaft të qarta: “Për fat të keq humbëm pikërisht kundër Interit”.

 

5 – INTER-JUVENTUS 4-0 (11 nëntor 1979)

Edhe pse asnjëherë nuk i kanë vënë emrin e tij ndonjë stadiumi (siç bënë me Meacën), Spilo Altobeli (u shpall edhe kampion bote me Italianë) ka ditur që të marrë duartrokitje në një klasike si Inter-Juve. Në San Siro arbitronte legjendari Mikeloti (Michelotti) dhe gjithçka u vendos nga bomberi zikaltër që shënoi një dygolësh në 5 minutat e para të ndeshjes. Interi i Berselinit (Bersellini) mundi Juventusin e Trapatonit që ishte shpallur tri herë kampione e Italisë në ato vite. Kësaj radhe, ndryshe nga më parë, gjithçka përfundoi bukur për Interin. Altobeli mbylli sezonin me 15 gola të shënuar dhe Interi i tij u rikthye tek suksesi pas nëntë vitesh “agjërim”. Në fund të atij sezoni Interi numëronte 12 kampionate të fituara.

 

4 – JUVENTUS-INTER 3-0 (23 prill 1972)

Kjo ka qenë një sfidë historike. Themi kështu, pasi pikërisht në këtë sfidë ka lindur edhe triumfi i parë i Bonipertit si drejtues. Një vit më parë nisi shumë keq projekti bardhezi ku u afruan lojtarë të rinj: drejtori sportiv, Italo Alodi (Italo Allodi) mori në Torino lojtarë si Kausio (Causio), Kukuredu (Cuccureddu), Spinosi dhe Betega (Bettega), por vdekja e parakohshme e Armando Pikit (Armando Picchi) që ishte caktuar si trajner ishte si një rrufe në qiell të hapur për torinezët. Por në sezonin 1971-72, fati kaloi nga bardhezinjtë. Në pankinë ishte xhaxhai i Zemanit, çekosllovaku Vykpalek (Cestmir Vycpalek). Pas barazimit me Mantovën, fitorja e kampionatit nga ana e bardhezinjve dukej si e pamundur. Por me tripletën e Kausios, Interi, kampioni i Italisë, u përmbys dhe Juventusi bëri më pas një fund kampionati spektakolar. Po në atë sezon, Torino që ishte pretendent për titull, humbi me Milanin dhe Kaljarin, ndërkohë që mori vetëm një pikë me ekipin që përfundoi në Serinë B, Vareze. Kështu, Juventusi përfundoi duke fituar për të 14-ën herë “scudetto”-n apo siç njihet më mirë Kampionatin Italian. Ky triumf tek bardhezinjtë mungonte prej pesë vitesh. Bëhet fjalë për titullin që “parapriu” disa të tjerë radhazi.

 

3 – INTER-JUVENTUS 2-2 (9 mars 2002)

Kjo ishte një ndeshje spektakolare me një fund mjaft të bukur. Interi, e para e klasifikimit, priti Juventusin e Lipit që në ato momente dukej jashtë “loje”. Pas gjashtë minutash ishte pikërisht Klarens Zidorf (edhe pse nuk shkonte mirë me Hektor Kuperin bëri një ndeshje mjaft të mirë) që kaloi Interin në epërsi. Më pas në minutën e 13-të erdhi edhe barazimi i Trezegesë, që në fund të ndeshjes dëmtohet. Pak minuta më parë për arsye dëmtimi kishte lënë katërkëndëshin e blertë edhe Lilian Turam. E megjithatë, në minutën e 81-të, Igor Tudor, që rikthehej pas tre muajve në fushë, kaloi Juventusin në avantazh. Në pamje të parë dukej si një nga ato takime të mrekullueshme për Juven që për fatin e saj të keq nuk kishte bërë llogaritë më Zidorfin. Lojtari nga Holanda pikërisht në minutën e 91-të mposhti Bufonin, duke kthyer baraspeshën në fushë. Takimi u mbyll 2-2, por “fitoren” morale në shtëpi e mori Interi. Për sa i përket fundit të kampionatit, askush prej tifozëve të Interit nuk kërkon ta kujtojë famëkeqin “pesë maj”. Pikërisht në atë ditë Interi u mund nga Lacioja me rezultatin e thellë 4-2. Kështu, zikaltrit, edhe pse ishin vetëm 90 minuta larg titullit, nuk mundën që ta fitonin, pasi u mundën nga një ekip që ishte jashtë çdo lloj objektivi si Lacio.

 

2 – INTER-JUVENTUS 1-2 (22 mars 2008)

Edhe pse nuk ishte një sfidë e madhe, ky takim u ndoq më shumë, për arsye që s’kanë të bëjnë me futbollin. Në 2008-ën Juventusi kthehet në San Siro pas “purgatorit”: bardhezinjtë pas Calciopolit u dënuan dhe luajtën për një sezon në Serinë B. Ndërkohë që vendasit vinin pas triumfit të dytë radhazi në kampionat (njërin kampionat e morën në tavolinë, ndërsa tjetrin në fushë). Nën drejtimin e Roberto Mançinit, Interi luante për të fituar “scudetto”-n. Ndërkohë, në Milano do të takohej me “Zonjën e Vjetër” (ushqente vetëm mllef për kundërshtarin në fjalë) që drejtohej nga Klaudio Ranieri. Në atë ndeshje fituan miqtë, pasi realizuan një gol me Kamoranezin (realizon në pozicion jashtë loje) dhe Trezegenë (i dha një “asit” Burdizo). Ndërkohë që për vendasit realizoi vetëm Manike. Gjithsesi, në fund të kampionatit, gëzuan interistët, ndërkohë që juventinët iu gëzuan faktit që mundën zikaltrit në një sfidë që nuk luhej vetëm për tri pikë.

 

1 – JUVENTUS-INTER 1-0 (26 prill 1998)

Këtë listë e kemi filluar me një ndeshje që ka sjellë shumë polemika dhe po e mbyllim me një takim skandaloz. Në fakt, urrejtja midis zikaltërve dhe bardhezinjve ka filluar pikërisht më 26 prill të 2008-ës, atëherë kur arbitri Çekarini (Ceccarini) bëri një kryevepër për së prapthi, pikërisht në minutën e73-të të takimit. Në fillim kryesori nuk i dha një penallti të pastër Interit (Juliano hodhi në tokë Ronaldon) dhe më pas në sulmin e radhës të Juventusit akordoi një njëmbëdhjetëmetërsh (Taribo Uest ndalon Del Pieron që humb penalltinë). Në ato moment, “Delle Alpi” kthehet në një ferr të vërtetë: Simoni (tekniku) dhe e tërë skuadra e Interit ngrihet në këmbë, ndërsa presidenti Morati për herë të parë hodhi teorinë mbi “varësinë psikologjike”. Gjithsesi, ai takim u vendos në minutën e 21-të, kur Del Piero realizoi golin e vetëm të takimit.

 

Përgatiti Altin Vorpsi