Peshkatarët Telefonata: Po mbytemi, na shpëtoni, ndodhemi në det të hapur, në rrezik

0
171

Elton Qyno

peshkataretDy helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, kërkime për 13 orë. Asnjë gjurmë për Gëzim Bashllarin dhe Fatmir Ismailin

Të afërmit: Kërkimet nisën tri orë me vonesë, kontakti i fundit me dy peshkatarët, në mesditën e djeshme

 

“Po mbytemi, na shpëtoni, jemi në det të hapur”. Këto kanë qenë fjalët e fundit të njërit prej dy peshkatarëve amatorë Gëzim Bashllari dhe Fatmir Ismaili, të cilët me një gomone kanë dalë në orët e mëngjesit për të peshkuar në gjirin e Vlorës. Mirëpo për shkak të dallgëzimit të fortë dhe kohës së keqe, mjeti lundrues është shpuar dhe për pasojë, dy shtetasit Gëzim Bashllari dhe Fatmir Ismaili kanë mbetur në fatin e rrymave detare, të cilat i kanë shtyrë në thellësi të detit, përtej ishullit të Sazanit. Alarmi për zhdukjen është dhënë rreth orës 05:00 të mëngjesit, ndërkohë që sipas pretendimeve të familjarëve, kërkimet nga ana e policisë bregdetare dhe forcave të flotës ushtarake kanë nisur në orën 08:00. Në kërkime janë angazhuar dy helikopterë, njëri i Ministrisë së Brendshme dhe tjetri i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që në koordinatat ku është zhdukur gomonia me dy peshkatarët amatorë, ka shkuar dhe një anije ushtarake A-05, e cila ka kryer kontrolle në zonë, por që nuk është bërë e mundur gjetja e dy të rinjve. Kërkimet për gjetjen e tyre janë bërë përgjatë gjithë ditës së djeshme, ndërkohë që pas 13 orë verifikime nga ajri dhe nga deti, në mbrëmje janë pezulluar kërkimet për shkak të errësirës tepër të madhe. Pritet që kërkimet të rifillojnë në orët e para të mëngjesit, në disa zona më në thellësi të vendit ku u raportua alarmi SOS i dy peshkatarëve.

Nëna e peshkatarit

Violeta Bashllari, nëna e të zhdukurit Gëzim Bashllari, ka qenë e para që ka dhënë alarmin për mbytjen e dy peshkatarëve. Sipas Violetës, ka qenë djali i saj, Gëzimi, ai që e ka marrë në telefon në orët e para të mëngjesit dhe se kërkonte ndihmë, pasi ishte në rrezik për t’u mbytur. “Gomonia e tyre është përplasur nga dallgët dhe është shpuar, tani ata ndodhen mbi gomonen e mbushur me ujë dhe nuk dimë se çfarë kanë bërë. Unë kam njoftuar policinë dhe më pas këta njoftuan kapitenerinë, por kërkimet kanë nisur gati tri orë me vonesë. Kërkimet duhet të kryhen në thellësi, pasi në bregdet, duke filluar nga laguna e Nartës e deri në Zvërnec, nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë për dy djemtë”, – është shprehur Violeta Bashllari. Kjo e fundit ka shtuar se i kërkon ndihmë Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme që të marrin masa të menjëhershme për shpëtimin e dy djemve, pasi ata ndodhen në det të hapur mbi një gomone të shpuar. Sipas specialistëve të policisë së Vlorës, Gëzim Bashllari dhe Fatmir Ismaili kanë dalë në det me gomonen e tyre për të peshkuar, pasi tashmë është hequr ligji për moratoriumin e skafeve dhe për pasojë çdo qytetar i Vlorës mund të dalë në det me mjete lundruese.

Vëllai i Ismailit

Familjarët e dy peshkatarëve kanë qëndruar përgjatë gjithës ditës së djeshme dhe orëve të natës në ankth, pasi që nga orët e mesditës ata nuk kana mundur të kenë asnjë kontakt me dy personat e humbur në det. Vëllai i Fatmir Ismailit, Besnik Ismaili, deklaroi se është e pamundur që gomonia të jetë në zonën ku po kërkohet nga forcat e ushtrisë, pasi nëse do të ndodheshin pranë Portit të Vlorës, peshkatarët do të kishin dalë me not në breg. Ismaili bëri të ditur se kishte komunikuar për herë të fundit me vëllain e tij rreth orës 13:15 dhe sipas tij, të rinjtë janë në det të hapur dhe presin ndihmë. “Kam kontaktuar për herë të fundit në orën 13:15. Nuk zgjati shumë biseda sepse u shkëput linja. Janë nisur me një gomone të vogël. Janë përplasur dhe është çarë pjesa e poshtme e gomones. Nuk quhet më mjet lundrues, ajo që kërkojnë është thjesht një tubolar që mban dy djem sipër. Kërkimet të bëhen në det të hapur se rryma andej i ka çuar. Helikopteri ka kaluar në gji, atje kemi kërkuar dhe vetë. Në port të Vlorës dhe Petrolifera nuk ka asgjë, sepse po të ishin aty do kishin dalë me not. Kemi patrulluar dhe vetë nuk ka asgjë. Mundësia e vetme është në det të hapur ose drejt Malit të Zi. Herën e fundit ai më tha se ishte rreth 5 milje larg Sazanit, e shikoj Sazanin ballë përballë më ka thënë. Telefoni aktualisht tregon se nuk ka valë”, – është shprehur Besnik Ismaili.

Tabela

Në orën 6:50 kërkohet ndihmë
Në orën 7:00 u nis anija A-05
Ora 07:35 anija ndodhet në Kepin e Gjuhëzës
Ora 07: 50 ndodhet 2,5 milje në veri të Sazanit
Ora 12:55 u ngrit helikopteri Cougar
Ora 14: 20 u ngrit AB 205
Ora 16:15 u nis anija R 217 nga Pashalimani
Ora 16:35 pasi u furnizua u nis AB 205, bëhet gati për nisje helikopteri Cougar

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency