Sonja Caka
Gjykata: Çetina Borova mashtroi Florenc Tolulin, fillimisht duke e joshur për bashkëndërtues dhe më pas duke bërë kontratë për shitjen e një shtëpie të shitur më parë
Një njohje e përbashkët, dëshira për të investuar paratë e përfituara nga një shitje prone dhe përfundimi, humbja e gjithçkaje dhe të kuptuarit se ke rënë pre e një mashtrimi. 400 mijë euro të humbura dhe një person i dënuar vetëm 14 vjet. Ky ka qenë përfundimi i betejës ligjore, ndërsa paratë e të dëmtuarit nuk kanë shpresa të kthehen një ditë. Kjo ngjarje ka për protagonist një ndërtuese pallatesh në Tiranë, Durrës dhe Sarandë dhe një shtetas që donte të behej investitor në fushën e ndërtimit. E pandehura e akuzuar për mashtrim është Çetina Zajmi Borova, ndërsa i dëmtuari në shumën e 400 mijë eurove është Florenc Toluli. Por, ajo që e bën edhe më të rëndë situatën për të dëmtuarin është mohimi që i bën e pandehura përmes familjarëve dhe avokatëve të saj shumës totale, duke pretenduar se i detyrohet Tolulit vetëm 159 mijë euro. Ndërkohë që derdhjet bankare dhe dokumentet para noteres tregojnë të kundërtën, pra provojnë qartësisht skemën e mashtrimit me pasoja mjaft të rënda të përdorur nga e pandehura. Por jo vetëm, pasi ajo do të fuste në telashe edhe disa persona të tjerë, blerës të apartamenteve të saj, duke i shitur të dëmtuarit Toluli banesat e tyre në sipërfaqe rreth 400 m katror në kryeqytet. Pas marrjes në pyetje të tyre, ata kanë paraqitur të gjithë dokumentacionin se janë blerës të mëparshëm të këtyre pronave dhe dispononin edhe dokumentet përkatëse. Në përfundim të shqyrtimit të provave, gjykata e shpalli fajtore për mashtrim me pasoja mjaft të rëndë të pandehurën, duke e dënuar me 14 vjet burg.
Mashtrimi
Referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës, e pandehura Çetina Zajmi, në cilësinë e administratores së shoqërisë “Marius 2005” sh.p.k gjatë viteve 2003-2007 është marrë me biznes në fushën e ndërtimit të pallateve në rrethet Tiranë, Durrës dhe Sarandë. Në lidhje me ndërtimet në qytetin e Sarandës, për shkak të disa problemeve në fushën e dokumentacionit për pallatet e projektuara, dhe në kuadër të aksioneve për prishjen e ndërtimeve pa leje, si dhe duke u konsideruar të tilla objektet e ndërtuara nga e pandehura, janë prishur disa pallate të sapofilluara në këtë qytet dhe si rezultat pozita financiare e të pandehurës Çetina Zajmi është përkeqësuar. Gjatë kësaj kohe, para ndërhyrjes për prishjen e objekteve të të pandehurës në qytetin e Sarandës, ajo është njohur me kallëzuesin, të dëmtuarin Lorenc Toluli, njohje e cila është formalizuar duke krijuar marrëdhënie pune ndërmjet tyre, e në vijim në vitin 2009 e pandehura dhe kallëzuesi kanë nënshkruar kontratën e porosisë nr. 2120 rep dhe 466/2 kol të lidhur para noteres Frida Muçmata. Në këtë kontratë palët kanë rënë dakord që sipërmarrësi firma “Marius 2005” sh.p.k, pra e pandehura Çetina Zajmi të ndërtojë për llogari të porositësit Lorenc Toluli një apartament me nr.16 shk.1 sipërfaqe totale 400 m2, kundrejt një vlere prej 400 mijë euro. Siç rezulton nga aktet, dëshmia e të dëmtuarit Lorenc Toluli, i cili shpjegon se shuma është dhënë në periudha të ndryshme ku një pjesë e saj është xhiruar në bankë, ndërsa pjesa tjetër është dorëzuar në dorë, si dhe e pandehura në deklarimin e dhënë para policisë gjyqësore që pranon vetëm shumën prej 190 mijë euro të marrë nga i dëmtuari, kjo shumë eurosh do jepej për banesën që do ndërtohej mbi katin e tetë të një pallati të ndërtuar e të përfunduar në vitin 2005. Nga hetimi ka rezultuar se pas marrjes së premtimit për një ndërtim të tillë, pas disa kohësh kallëzuesi Lorenc Toluli ka shkuar të shohë ecurinë e ndërtimit të banesës së tij dhe ka konstatuar se ndërtimi ka qenë në fazën përmbyllëse për pjesën e pretenduar. I pandehuri në dëshminë e tij deklaron se në kohën që ka shkuar për të parë apartamentin, ka konstatuar se në sipërfaqen që i kishte blerë të pandehurës banonin dy persona të tjerë dhe nga kërkesa e kallëzuesit ata kanë paraqitur kontratat që kishin lidhur me të pandehurën Çetina Zajmi si përfaqësuese e firmës “Marius 2005” sh.p.k. Nga provat e administruara provohet se banesa e pretenduar si e blerë nga i dëmtuari Toluli dhe që u është shitur edhe dy shtetasve të tjerë nga ana e të pandehurës, është ndërtim i paligjshëm, i vendosur mbi katin e tetë të një pallati 2+8, i cili ka përfunduar së ndërtuari në vitin 2005. Po kështu, sipërfaqet e shitura këtyre shtetasve nuk janë të planimetrisë se pallatit të ndërtuar nga e pandehura Çetina Zajmi dhe se planimetria e apartamentit e cila i është bashkëngjitur kontratës së lidhur pranë noteres Frida Muçmata, jo vetëm që nuk i përgjigjet sipërfaqes prej 400 m2 të pasqyruar në kontratë, por edhe si planimetri ajo nuk i përgjigjet sipërfaqes në terren. Për të gjitha këto veprime të kryera nga e pandehura Çetina (Nezaqet) Zajmi (Borova), u regjistrua procedimi penal dhe u akuzua dhe dënua me 14 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal, në dëm të shtetasit Lorenc Toluli.
Dëshmia
Toluli: Si më mashtroi ndërtuesja dhe më mori 400 mijë euro
Pas konstatimit të mashtrimit, i dëmtuari Lorenc Toluli ka bërë kallëzim penal dhe ka dëshmuar me detaje njohjen dhe gjithë ecurinë e marrëdhënieve mes tij dhe të pandehurës. ”Unë të pandehurën e njoh me emrin Nezaqet Zajmi ose Borova më pas ndërroi emrin dhe e vuri Çetina. E kam njohur nga një kushërira ime në vitin 2008, rreth muajit dhjetor. Ma ka prezantuar kushërira dhe në atë periudhë kohe unë kisha shitur një biznesin tim që kisha në autostradë, servis për 600 mijë euro, shume e cila ka kaluar në bankë. Gjatë bisedës me të afërmen time se çfarë do të bëja në ta ardhmen, diskutuam që të merresha me ndërtim dhe ajo më tha që njoh Nezaqetin dhe jemi takuar në një lokal. Pas takimit me Nezaqetin, biseduam rreth kësaj fushe. Ajo ndërtonte në Tiranë dhe Sarandë. Në dhjetor ka ndodhur kjo bisedë dhe më tha që po ndërtoj në Sarandë për momentin dhe nja dy pallate në Tiranë. Kam shkuar në Sarandë me të pandehurën dhe Farukun që shoqëronte Nezaqetin për të parë ndërtimin. Ndërtimi ishte karabina në momentin që kemi shkuar ne për ta parë. Nuk më pëlqeu pozicioni. Ajo në atë kohë tha që po ndërtoj edhe në Dhërmi dhe ne shkuam për të parë tokën që kishte në Dhërmi. Në Dhërmi ishte tokë akoma, nuk kishte filluar të ndërtohej. Aty ramë dakord që unë të merrja 400 metra ndërtim kundrejt vlerës 200 mijë euro. Bëmë një kontratë bashkëpunimi dhe ramë dakord për këtë sipërfaqe, dhe më ka kërkuar 10 mijë euro kapar për këtë ndërtim që do të fillonte në shkurt – mars. Nezaqeti do të merrte lejen në shkurt. Ja dhashë 10 mijë euro kapar kesh në dorë, pa dokument dhe pa dëshmitarë. E lamë që në janar të bënim kontratën. Në janar u lidh kontrata dhe atë ditë që kemi bërë kontratën, kemi kaluar 190 mijë euro në bankë, në datën 19.1.2009. Por, ndërtimi nuk po fillonte dhe unë i kërkova sërish paratë. Më tha nuk i kam lekët, i kam në investim në Tiranë dhe Sarandë. Pasi replikuam më tha se do më jepte një apartament në Rr.Fadil Rada, nr 1 me sipërfaqe 400 metra katrorë, por donte dhe 200 mijë euro të tjera. Vajta me zonjën dhe pashë në katin e fundit të një pallati në këtë rrugë një sipërfaqe ndërtimi që e kishte ndërtuar për djalin e vajzën dhe jetonte vetëm. Pashë një sipërfaqe prej 400 metra dhe një verandë. I kam dhënë një shumë prej 140 mijë euro që të merrja këtë sipërfaqe e pas dy ditësh i kam dhënë dhe 60 mijë euro. Kemi shkuar dhe lidhëm kontratën e porosisë me fjalët e Nezaqetit se në janar do të jap çelësat dhe do nxjerr dhe hipotekën. Në kontratë është nënshkruar dhe shuma që është marrë”. Më pas, dëshmitari tregon se ndërtuesja ka fikur telefonin ndërsa sipërfaqja i ka rezultuar e shitur te persona të tjerë.
Padia ndaj bashkëshortit
Dhunë sistematike gruas dhe vajzës, u kërkon të mbulohen me ferexhe
Nuk duroi dot dhunën sistematike ndaj saj dhe vajzës dhe mbi të gjitha kërkesën për t’u mbuluar me ferexhe dhe për këtë arsye iu drejtua policisë dhe më pas gjykatës me një kërkesë për urdhër mbrojtjeje. Kjo është historia e një gruaje të re me dy fëmijë, e cila i ka thënë stop dhunës, por jo vetëm, por edhe kërkesës absurde të të shoqit që të mbulohet me shami kur të dalë nga dera e shtëpisë. Dje ka qenë seanca e marrjes në shqyrtim të kërkesës së gruas me inicialet M. D., ndërsa javën e ardhshme gjykata do të vendosë për kërkesën e saj dhe perimetrit të cilit nuk duhet t’i afrohet i shoqi familjes së tij. “Bashkëshorti im më dhunon mua dhe vajzën time të mitur, ai kërkon që ne të mbulohemi dhe nuk na lejon të frekuentojmë ambiente publike pa lejen e tij”, – rrëfen ajo në padinë e depozituar në gjykatë, ndërsa kërkon që për të dhe të bijën vetëm 11 vjeçe të lëshohet menjëherë urdhri i mbrojtjes. Më tej në padi rrëfen edhe momentin deciziv kur ajo u tha stop këtyre momenteve të dhunshme. Ka qenë pikërisht festa e 7 Marsit, kur vajza doli për t’i blerë lule mësueses pa lejen e të atit. Gruaja pretendon në gjykatë se së bashku me të bijën dhunohen nga kryefamiljari me argumentin se ato duhet të mbulohen me ferexhe.