Ideologji apo aleancë

0
177

alenaca“PD paraqet shenja të së majtës, ndërkohë që duhen veprimtari ideologjike të djathta, të shkoqura pa ekuivokë”. Kështu shkruhej në një koment, në një të përditshme. Në cilin vend të Evropës kemi sot një parti me ideologji, qartazi të majtë apo të djathtë? Në një krizë globale, e majta dhe e djathta po e shikojnë strategjinë ekonomike dhe politike të shkëputur nga ideologjitë. Në Amerikë, në 100 vitet e fundit, presidentët kanë shkapërcyer në politika sa të majta, aq edhe të djathta.

Po humbasin, nga dita në ditë, formatet klasike të ideologjisë së majtë dhe të djathtë. Polet e treta po spostojnë partitë drejt qendrës së djathtë, apo qendrës së majtë. Ndërkohë, kriza ka rinxjerrë ekstremitetet politike. Kur prek ekstremitete,t ke humbur ekuilibrat, pikërisht ideologjikë. Këtu na lind pyetja: “Është rënia e besueshmërisë ndaj partive, që ka sjellë rënien e besueshmërisë së ideologjive, apo është shkërmoqja e ideologjive, ajo që po ul besueshmërinë e partive?

Ideologjitë kanë lulëzuar në shekullin e XVIII, me revolucionin francez, ndërsa demokracia dhe institucionet demokratike, shumë më përpara. Me një logjikë të natyrshme, në një të ardhme, do të kapërcehen formatet me bazë ideologjike, ashtu siç janë tejkaluar shumë e shumë formacione politike. Fakti, që nuk ekzistojnë më parti me ideologji të pastra, të shkoqura, apo të mirëfillta, tregon rënien e potencës ideologjike. Me një logjikë të thjeshtë, rënia e potencës ideologjike, do të sjellë, siç aktualisht po ndodh, rënien e potencës partiake.

“Rasti i aleancës, lehtësisht të përthithur, mes LSI-së dhe PD-së, është prova më e thjeshtë se si ideologjitë nuk luajnë tashmë, as edhe një rol në jetën politike të partive tona”, – vazhdonte artikulli. Por, në momentet ekstreme, merren masa ekstreme. Në Evropë, asnjë forcë politike nuk është në gjendje, të marrë mbi 50% të votave, për të formuar qeverinë. Rrjedhimisht, është e pamundur që një forcë, të fitojë pa aleatë, qoftë edhe të kundërt ideologjikisht. Është një bashkëjetesë e detyruar e forcave të kundërta politike, por që do të sjellë detyrimisht ndryshime të formateve ideologjike. Në momente bashkëqeverisje, detyrimisht do të shkrihen diferencat, qoftë edhe ekstremitetet. Edhe në Shqipëri, ky fenomen ka filluar me zgjedhjet e 2005-ës, dhe me gjasa do të jetë një fenomen edhe i këtyre zgjedhjeve. Asnjë forcë nuk do të mund të qeverisë e vetme, pa aleatin kundërshtar ideologjik.

Analistët hodhën idenë që, propozimi i fundit i Berishës, për t’i dhënë të drejtën e votimit edhe 16-vjeçarëve do t’i shkonte fare mirë një lideri të majtë. Edhe zgjerimi i aleancave apo gjithëpërshirja do t’i shkonte shumë për shtat një lideri të majtë, por në Shqipëri, edhe në Evropë, po rezulton një tendencë e djathtë (Berluskoni i zgjat dorën e bashkëpunimit dhe stabilitetit kundërshtarit Bersani; Merkeli në Gjermani realizoi koalicionin qeverisës me bazë të gjerë).

Në Shqipëri, ishte Berisha i cili i zgjati dorën LSI-së pas zgjedhjeve të 2009-ës për një bashkëqeverisje. Të gjitha janë figura të djathta. Në të kundërt, përballë tyre rezultojnë figura të majta mohuese. Bersani refuzon ende Berluskonin, për një bashkëqeverisje; Rama ishte mohues kategorik, deri shumë pak kohë përpara me LSI-në. Ai deklaron, në fillim, për Bamir Topin, që është i djathtë, prandaj nuk mund të bëj koalicion, paçka se kur iu rrezikuan kalkulimet politike, e hodhi kërkesën për bashkëpunim edhe për Topin, apo Aleancën Kuq e Zi, por shumë më vonë.

Pjesë e gjithëpërfshirjes majtiste, domosdoshmërisht është edhe dialogu. Në fakt, mosdialogimi ka rezultuar handikapi më serioz i figurës qendrore aktuale të majtë, për të cilën është shigjetuar, si nga faktorët e jashtëm, ashtu edhe nga ata të brendshëm. Gjithëpërfshirja majtiste nënkupton, pa dyshim, fleksibilitetin në aleanca, ku për çudi të majtët në Shqipëri, por edhe më gjerë, po rezultojnë mjaft të ngurtë.

Në fakt, të djathtët, në menaxhimin e aleancave po shkëlqejnë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, Gjermani, Angli. Berisha, i superkritikuari, pikërisht për largimin nga PD-ja të figurave qendrore të ‘92-shit, sot po rikthen gati krejt atë plejadë. Aleatët aktualë të PD-së janë në listat e saj zgjedhore. A është një përllogaritje, në përputhje me sistemin zgjedhor, për të thithur sa më shumë vota? Por, kjo është pjesë e lojës politike.

Rama mban një qëndrim krejt opozitar. Ai po luan njëmijë zhonglerizma me aleatët aktualë, të cilët po i luten të futen, në listën e tij. Rama luan, si macja me miun, me mijëra kushte, “në bazë të votave, përqindja e pjesëmarrjes në qeveri”, duke ua bërë të paqartë aleatëve qëndrimin.

Sot, kërkohen ndryshime radikale modelesh politike, shumë larg ideologjizmave. Dëgjojmë zëra analistësh, apo qytetarësh që kërkojnë më shumë parlamentarizëm dhe më pak qeverizëm apo më pak partitizëm, të mbyllur, dhe më shumë pjesëmarrje qytetare etj.

Ka ndikim kriza ideologjike, në krizën ekonomike? Kjo është një temë shumë e gjatë dhe sigurisht e diskutueshme. Kjo krizë, është konsideruar kriza e bankave, partive por, edhe e sistemeve, apo ideologjive. Një nga arsyet, që kapitalizmi zbehu format klasike, është depërtimi i shërbimeve sociale (tipike e majtë) dhe përpjekjes për të forcuar shtetin dhe ndërhyrjen e tij. Problemi serioz lindi, kur nuk u gjetën mekanizmat mbrojtës, ndaj informalitetit që gërreu, si sistemin socialist, ashtu edhe atë kapitalist, duke i futur në krizë.

Megjithatë, kriza ka shkaktuar, deri tani, manifestime gjithsesi paqësore, në Spanjë, Portugali, për të arritur në zgjedhjet e papritura në Itali, duke nxjerrë përfundimin: “njerëzit nuk besojnë më, në sistemin e përfaqësimit, ashtu siç është konceptuar, por kërkojnë një thyerje radikale të këtij modeli”. Sistemi i vjetër, në Itali, u konsiderua thjesht një status quo, ndërsa komedianin Grillo, çereku i votuesve italianë (24%), u shfaq si një alternativë më e bukur, se kjo status quo.

Ende, analizat ndalen në aritmetikën elektorale, edhe mbi qeveri-shmëritë. Por, është shumë më e rëndësishme që të shihet problem, në gjenezë, të asaj çka po ndodh, jo vetëm në Itali, por në të gjithë Evropën.

Si fillim, ishte Greqia që manifestoi, pas votimit, doza fragmentimi në parlament, dhe njëkohësisht ringjalljen e ekstremizmave. Italia po ndjek, në mënyrë të rrezikshme, këto hapa, duke kërcënuar të destabilizojë ekuilibrin e brishtë financiar, të arritur nga eurozona. Për momentin, Portugalia dhe Irlanda po shkojnë drejt kësaj rruge.

Konkluzionet: “Në vendet me krizë, partitë po centrohen, ndërkohë që po lulëzojnë ekstremet. Në Greqi, Agimi i Artë ishte një shoqatë, e cila u shndërrua në parti dhe menjëherë morri një përqindje shumë të lartë, në zgjedhje. Një komedian, shndërrohet në karizmatikun apo populistin, që thith në Itali 24% të votave. Kjo tendencë, drejt shoqatave, apo komedianëve, po prish themelet e partitizmit dhe ideologjizmit, ku mbështetet. Krizat sjellin përmbysje sistemesh. Format e bashkëpunimit politik janë jashtë ideologjizmave.

Pikërisht, kjo zbehje e formave klasike ideologjike, e majtë, e djathtë, po lëkund edhe sistemin kapitalist. Është një cikël historik i pashmangshëm, ashtu siç kanë përfunduar shumë sisteme të mëparshme. Janë momente vërtet kritike por, që analistët po falënderojnë faktin, që gjithçka po kalon paqësisht, prandaj të gjithë po e trajtojnë, në mënyrë shumë të kujdesshme. Të gjitha revoltat popullore kanë ardhur, si pasojë e krizave dhe varfërisë.

Manifestimet kanë qenë me ndjesi të dyfishtë, nacionaliste (bashkim), dhe shkatërruese, që prekin përsëri ekstremet politike. Lëvizjet ekstreme politike nxjerrin pa dyshim edhe liderë ekstremistë. Kryeministri spanjoll shpreson që, lutjet të dëgjohen, pasi nëse gjërat nuk sistemohen, në kohë dhe nëse nuk këmbëngulet për rigjenerim, mund të lerë vendin e tij të paqeverisshëm, ku do të fitojë shprehja “të shpëtojë, kush të mundet”. Në këtë sfond, rrezikojnë të dalin njerëzit, apo liderët oportunistë, apo jo të duhur, për të ndezur njerëzit. Atëherë mund të jetë shumë vonë.