Altin Vorpsi
Në Korçë, Skënderbeu barazoi me Teutën pa gola
Kukësi bën goleadë ndaj Shkumbinit
Në Korçë dhe Vlorë luheshin sfida mjaft interesante. Skënderbeu priti ekipin e Teutës që ashtu siç parashikohej diti t’i përballonte mirë sulmet e kampionëve të Shqipërisë. Ndërkohë, nga ky barazim nuk përfitoi dot ekipi i Flamurtarit. Prej kohësh në kërkim të vendit të dytë, djemtë e Ernest Gjokës “u penguan” nga Besa. Ekipi kavajas la Vlorën me një pikë, çka do të thotë shumë për moralin e një skuadre që lufton për të mos rënë një kategori më poshtë.
Në Korçë
Skënderbeu i Mirel Josës ishte dje përballë një testi shumë të vështirë. Siç dihet fare mirë, Teuta, me mbrojtjen e saj, i ka hapur shumë probleme çdo ekipi. Këtu nuk bën përjashtim edhe skuadra që pas pak do të shpallet kampione. Skënderbeu në fushën e vet prodhoi lojë, por nuk mundi që të çante mbrojtjen durrsake. Gjatë këtij takimi vendasit arritën që të godisnin edhe shtyllën me anë të Pero Pejiçit. Sa u përket miqve, ata arritën që të ngacmonin disa herë Skënderbeun. Madje, në pjesën e dytë të lojës ishte Tahiri që barazoi “shtyllat”.
Në Vlorë
Me bindjen se Teuta nuk do të merrte shumë pikë në Korçë, Flamurtari i Ernest Gjokës luajti dje një takim delikat përballë Besës. Ashtu si në kryendeshjen e kësaj jave, nuk ndodhi asgjë edhe në Vlorë. Flamurtari vendas, që lufton për vendin e dytë, ndau nga një pikë me Besën, që nga ana e saj gjendet në mes të luftës për të mos rënë nga kategoria.
Kukësi bën goleadë
Debutuesit në Superiore shohin përpara, në ndjekje të skuadrave të kreut. Edhe pse e shijojnë për herë të parë në historinë e tyre elitën e futbollit tonë, verilindorët e Cungut aspirojnë për vendin e dytë, përmes të cilit mendojnë se mund të kapin Evropën. Në këtë javë kanë dhënë një tjetër provë domethënëse se çfarë janë në gjendje të bëjnë, me “manitën” e fiksuar ndaj peqinasve. Pa mëshirë për Shkumbinin, që pas humbjes së radhës përfshihet qartësisht në zonën e rrezikut, formacioni i Cungut i është falur kryesisht serbit Popoviç. Ka qenë pikërisht ky sulmues ai që ka realizuar një tripletë në pjesën e parë, duke mbyllur praktikisht gjithçka sa i takon fatit të kësaj sfide. Në pjesën e dytë e kanë shënuar emrin e tyre në listën e golashënuesve edhe mesfushori Manuka, që kishte zënë vendin e Biskupit në këtë ndeshje, dhe Malindi, duke i dhënë një goditje fatale dhe tepër të rëndë Shkumbinit, në rënie të lirë drejt një kategorie më poshtë. Tashmë verilindorët mbeten në korsinë e duhur për të kapur zonën evropiane. Një destinacion ky i mundshëm edhe përmes një rruge tjetër, Kupës së Shqipërisë, ku kuksianët janë gjysmëfinalistë ndaj Laçit. Bardhekaltrit e kanë shpërdoruar ndoshta mundësinë e fundit për t’i rritur valencat e qëndrimit në Superiore, me ndonjë pikë në këtë transfertë, kur dihet se e shohin veten me 16 pikë në vendin e 12-të, praktikisht në katërshen e skuadrave që bien direkt një kategori më poshtë, ndërkohë që janë bërë rregullisht të thyeshëm edhe në ndeshjet brenda, ku kanë pasur fuqinë kryesore në të shkuarën.
Java e 20-të, Superiorja
Dje
LUFTËTARI – BYLISI 1-1
Golat: Fonseka 30′ / Gerxho 44′
APOLONIA – LAÇI 1-1
Golat: Ribaj 40′ / Buljan 14′
KUKËSI – SHKUMBINI 5-1
Golat: Popoviç 6′, 9′, 43′, Manuka 63′, Malindi 85′ / Gjata 86′
SKËNDERBEU – TEUTA 0-0
FLAMURTARI – BESA 0-0
Sot
VLLAZNIA – TOMORI 17:00
KASTRIOTI – TIRANA 14:00
Renditja Nd. Pikë
1 Skënderbeu 20 49
2 Teuta 20 38
3 Kukësi 20 36
4 Flamurtari 19 35
5 Vllaznia 19 29
6 Tirana 19 29
7 Laçi 20 28
8 Kastrioti 19 28
9 Bylisi 20 26
10 Besa 19 23
11 Luftëtari 20 18
12 Shkumbini 20 16
13 Tomori 19 9
14 Apolonia 20 9
Bullgari
Vajushi shënon dy herë
Armando Vajushi ka “fotokopjuar” bashkëqytetarin e vet, Hamdi Salihi, që dy ditë më parë do të realizonte një dopietë personale për skuadrën e vet kineze, duke evituar humbjen “in extremis”. Fjala është për Armando Vajushin, që një ditë më pas ka realizuar dy herë në fitoren e kampionatit bullgar, Liteks Lovech-Botev Vratsa 5-1. Në fakt kanë qenë miqtë, ata që kanë kaluar në avantazh që në minutën e 4-t, kur Atanasov ka shënuar në portën e Liteksit. Gjithsesi, nuk kalojnë më tepër se 2 minuta që Milanov të barazonte për vendësit, duke u pasuar më tej nga sulmuesi shqiptar Armando Vajushi. Ish-sulmuesi i Vllaznisë e ka ngritur rezultatin në 2-1 në minutën e 31-të. Për Liteksin kanë shënuar më tej edhe Isa me Silva, para se talenti shkodran të përmbyllte gjithcka, duke vulosur fitoren 5-1 të të tijve në minutën e 65-të. Me këtë dopietë, Vajushi ngjitet në kuotën e 9 golave në kampionatin bullgar, duke dëshmuar se është vërtet një sulmues i spikatur. Kjo ecuri pozitive te Liteksi i ka mundësuar atij edhe përfshirjen në kombëtaren kuqezi, si pjesë e planeve të De Biazit për këtë fushatë eliminatoresh, por edhe për vijimësinë.
Kategoria e Parë
Partizani barazon në Pogradec
Dje u luajtën ndeshjet e javës së 22-të të Kategorisë së Parë, ku Lushnja vazhdon të fitojë, ndërsa Partizani edhe pse barazon pa gola në transfertë me Pogradecin, i shkëputet dhe një pikë rivalëve, që gabojnë në sfidat e tyre. Kjo javë nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në krye, me përjashtimin se e kanë ndalur hapin sërish Mamurrasi dhe Pogradeci. Po ashtu është konfirmuar si kryegolashënues i kësaj kategorie Mikel Canka, që në minutën e 81-të ka shënuar ndaj Ilirisë dhe u ka dhënë lushnjarëve 3 pikët e radhës. Në ndeshjet e tjera luhej më së shumti për mbijetesë. Mamurrasi kishte në dorë jo pak fate të Kamzës, që po përpiqet t’i largohet fundit, duke qenë në fakt e suksesshme javët e fundit. Kështu ka bërë edhe në sfidën e djeshme, duke fituar 3-2 në Mamaurras. Vendësit duket se tashmë e kanë humbur orientimin, edhe për shkak se nuk kanë një trajner për të qenë pas largimit të Sinan Bardhit.
Zhgënjimi i radhës i pukjanëve në shtëpi, ku duket se i kanë hapur krahun Elbasanit mik, që ka nevojë jetike për pikë. Dhe i ka marrë këto të fundit të plota, falë fitores 2-1 në këtë transfertë, si rrallëherë në këto dy vitet e fundit. Himara-Besëlidhja ishte një duel mes dy ekipeve që tentojnë t’i largohen zonës së rrezikut. Dy herë kanë shënuar vendësit me Zdravkovic dhe Dhramin, për t’u hequr çdo lloj mundësie e shprese lezhjanëve, që fundosen më keq. Gramshi, i detyruar të luajë në fushë asnjanëse, e priti në Cërrik Naftëtarin e vendit të fundit, duke e mundur minimalisht dhe duke i dhënë ndoshta goditjen përfundimtare skuadrës kuçovare drejt një kategorie më poshtë. Burreli ka bërë autokritikën e duhur para tifozëve të vet, pasi ka mundur 1-0 sarandjotët e Butrintit. Velipojakët luajtën në kryeqytet ndaj bluve, të dalë jashtë objektivave madhorë që kishin, rikthimin në Superiore, ndaj edhe arritën të sigurojnë një pikë, falë barazimit të bardhë. Pas kësaj jave, Lushnja vazhdon të kryesojë bindshëm, teksa tashmë nuk bëhet më fjalë për ngjitjen në elitë, por edhe vendin e parë duket se e ka të sigurt. Ndërsa Partizani duket se do ta shoqërojë, pasi Mamurrasi, Pogradeci e Tërbuni, po bëjnë shumë gabime e po i hapin rrugë të kuqve që të rikthehen në Superligë pas pesë sezonesh.
Kategoria e Parë / Java 23
Pogradeci-Partizani 0-0
Iliria-Lushnja 0-1
Himara-Besëlidhja 2-0
Gramshi-Naftëtari 1-0
Mamurrasi-Kamza 2-3
Dinamo-Ada 0-0
Burreli-Butrinti 1-0
Tërbuni-Elbasani 1-2
Renditja Nd. Pikë
1 Lushnja 22 53
2 Partizani 22 43
3 Mamurrasi 22 39
4 Pogradeci 22 38
5 Tërbuni 22 36
6 Iliria 22 32
7 Butrinti 22 28
8 Dinamo 22 27
9 Burreli 22 27
10 Gramshi 22 27
11 Himara 22 26
12 Ada 22 23
13 Besëlidhja 22 22
14 Elbasani 22 22
15 Kamza 22 22
16 Naftëtari 22 17