Rama “lyp” aleancë me Metën me “shkesinë” e socialistëve evropianë

0
161

gianniPas apelit të Presidentit të PSE Stanishevok, ehde zv.presidenti i PE-së, Gianni Pitella kërkon bashkimin e PS me LSI

 

Socialistët evropianë bëhen “shkes” për të bashkuar Partinë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pas refuzimeve të vazhdueshme nga ana e LSI-së ndaj ftesave të PS-së për tu bashkuar me koalicionin opozitar për zgjedhjet e 23 qershorit, duket se kreysocialisti Rama ka “përfshirë” në strategjinë e tij për bashkimin e së majtës, të majtët evropianë. Kështu vetëm një ditë pas apelit të  Presidentit të Partive Socialiste Europiane Sergei Stanishevok, një tjetër zyrtar i majtë europian, Zv.Presidenti i Parlamentit Europian Giovanni Pitella, ka kërkuar bashkimin e PS-së me LSI-në. Përmes një mesazhi të publikuar në faqen e tij në rrjetin social, ai bën thirrje për “pajtim” mes Ramës dhe Metës, pasi sipas tij, vetëm një qeveri progresiste socialiste mund ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë. “Në emër të të gjithë miqëve të sinqertë të Shqipërisë dhe të Socialistëve Progresistë Shqiptarë, dëshiroj t’u lëshoj një apel miqve të mi: Edi Ramës dhe Ilir Metës. Tani ka arritur momenti, nuk ka më kohë për të humbur, as për popullin shqiptar dhe as për të majtën shqiptare, për Partinë Socialiste apo Lëvizjen Socialiste për Integrim, të bashkohen dhe të fitojnë. Të dy udhëheqësit e këtyre forcave politike duhet të shohin përpara dhe të tejkalojnë hendekun që i mban të veçuar për të mirën e vendit”, tha Pitella.

 

Mesazhi

Duke u shprehur i shqetësuar për humbjen e tretë radhazi të statusit të të vendit kandidat nga Shqipëria, zv.Presidenti i PE-së pohoi rëndësinë që ka për vendin që të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme . Sipas Pitellës ky është momenti, kur kryesocialisti Rama dhe kreu i LSI-së Ilir Meta mund të hapin rrugën për një transformim të jetës politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë.  “Shqipëria ka nevojë për ndryshim, për ndryshim urgjent. PS dhe LSI duhet të qëndrojnë të bashkuara në këto zgjedhje në mënyrë që tu japin mundësinë shqiptarëve, të bëjnë këtë ndryshim të mundshëm, me votën e tyre të lirë. Edi Rama, miku im, i cili ka udhëhequr një modernizim mbresëlënës në Partinë Socialiste dhe ka hartuar një program tejet ambicioz që bën thirrje për një Rilindje Shqiptare, duhet t’i shtrijë dorën publikisht LSI-së, duke marrë kështu përgjegjësinë e atij lideri që të gjithë ne duam të shikojmë tek udhëheqë Shqipërinë”, shkruante ai. Më tej në mesazhin e tij, zyrtari i majtë evropian, duke marrë parasysh edhe kundërshtitë e lindura në bazat socialiste e jo vetëm lidhur me një bashkëpunim të mundshëm mes PS-së dhe LSI-së, deklaroi se çdo socialist progresiv, duhet të inkurajojë dhe të mbështesë Ramën në një veprim të tillë të guximshëm.  “Miku im, Ilir Meta, i cili zgjodhi të ishte pjesë e koalicionit qeverisës për katër vitet e fundit, në përpjekjet e tij për të kontribuar në integrimin e vendit nga brenda Shqipërisë, nuk duhet të refuzojë dorën e shtrirë të PS-së. Ai duhet të marrë përgjegjësinë, që e gjithë e majta shqiptare ka, që të nxjerrë vendin nga kjo krizë, e cila do të thellohet nëse zgjedhjet e 23 qershorit nuk do të sjellin ndonjë alternim politik.  Çdo socialist progresiv që mbështet LSI-në, si një forcë e ndryshimit, duhet të inkurajojë dhe mbështesë Ilir Metën në këtë drejtim”, theksoi Pitella.  Në fund të mesazhit të tij, zv.presidenti i Parlamentit Evropian apelon për një vendim historik që sipas tij do të bashkojë Shqipërinë me Bashkimin Evropian. “Si një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe dy udhëheqësve, unë apeloj personalisht, dhe mbetem me shpresë se koha e shkurtër që ka mbetur në dispozicion, do të përdoret për një vendim të madh historik, për të hapur një kapitull të ri, për të majtën shqiptare dhe Shqipërinë. Bashkimi Evropian ka nevojë për Shqipërinë, dhe Shqipëria ka nevojë për Bashkimin Evropian. Mos e humbisni këtë shans historik”.

 

 

 

Thirrja e Stanishev: LSI dhe PS të bashkëpunojnë

Presidenti i Partive Socialiste Europiane, Sergei Stanisheve bëri thirrje dy ditë më parë në një intervistë për “TCH” për liderin e Partisë Socialiste, Edi Ramën dhe kreun e Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ilir Metën, që të bashkohen për të fituar zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. “Në Kongresin e vitit 2012 ata ishin të dy të ftuar dhe patëm bashkëbisedime mjaft të mira dhe mesazhi që unë u përcolla të dyve në emër të familjes socialiste ishte: Bashkëpunoni! Lini mënjanë ndarjet! Keni një mision të madh për popullin dhe vendin. Besoj se të dy janë të matur dhe me eksperiencë, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, ndaj mendoj se do t’i gjejnë mënyrat për të bashkëpunuar me urtësi dhe qartësi mbi atë që vendi ka nevojë. Kjo është kryesorja, sepse politika nuk është për veten, nuk është për pushtetin, por është për të bërë gjëra për njerëzit; rritje ekonomike, më shumë punë, investime, infrastukrurë, konkurrueshmëri dhe drejtësi sociale…. Ka gjëra që janë më të mëdha se e shkuara, kjo është e ardhmja! Ju keni përgjegjësinë dhe besoj se Edi Rama e kupton këtë. Nëse Partia Socialiste punon së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kjo siguron shanse më të mira për ndryshim më të madh në vend. Problemet individuale, ndasitë, konfliktet, duhet të lihen pas”.

 

Çështja “Meta” dhe kundërshtia e bazës dhe aleatëve

Prej shumë muajsh kreu socialist Edi Rama ka hapur dyert e selisë së PS-së për LSI-në duke kërkuar një bashkëpunim parazgjedhor në kuadër të parlamentareve të 23 qershorit. Nëpërmjet daljeve publike si edhe konferencave në rrjetin social “twitter”, lideri i opozitës ka ftuar Metën që të shkëputet nga koalicioni aktual me mazhorancën, për tu bërë pjesë e “Rilindjes”.  Ftesat e ripërsëritura të kryesocialistit ndaj LSI-së kanë marrë deri më tani një përgjigje negative. Vetë  Meta i pyetur lidhur mbi ftesat e PS-së, ka thënë pak ditë më parë se do të respektojë deri në fund marrëveshjen me PD-në, duke lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit më të djathtën edhe pas 23 qershorit.  “Ne e respektojmë mendimin e cilitdo. Qëndrimet tona kanë qenë publike dhe do të mbeten të tilla. Ne jemi të angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet dhe angazhimet tona në këtë mazhorancë dhe në këtë qeverisje dhe jemi shumë të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike, duke përfshirë këtu natyrisht edhe Partinë Socialiste, për të çuar përpara proceset e integrimit evropian, për të miratuar 2 ligjet dhe rregulloren, aq më tepër që ligji për Gjykatën e Lartë është shumë i rëndësishëm edhe për krijimin e Gjykatës Administrative, që kërkohet edhe nga komuniteti ynë i biznesit, nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga investitorët e huaj”, ka deklaruar Meta, duke  shtuar se do të jetë konventa e LSI-së ajo që do të  përcaktojë koalicionin e ardhshëm zgjedhor.  Po ashtu një tjetër pikë që ndan deri më tani, LSI-në me PS-në janë edhe këdvështrimet për programin “Rilindja Kombëtare”, ku nuk kanë qenë të pakta kritikat e lidershipit të LSI-së, kryesisht ndaj taksës progresive si edhe ndaj premtimeve për punësimin. Nga ana tjetër, përvec dyshimit se cili do të jetër orientimi politik i LSI-së në këto zgjedhje, Ramës i shtohet edhe kundërshtia e një pjese të bazës socialiste si edhe aleatëve tradicionalë për bashkëpunimin e mundshëm me Metën. Një pjesë e mirë e strukturave të PS-së, si në bazë ashtu edhe në qendër, kanë shprehur hapur kundërshtinë e tyre për një aleancë të mundshme me LSI-në, e cila sipas tyre është bashkëfajtore me PD-në për keqqeverisjen e vendit. Ndërkohë edhe aleatët, kryesisht ata tradicionalë të PS-së, nuk kanë nguruar të bëjnë të ditur se opozitës së majtë nuk i duhet të ndërtojë një koalicion me një parti të korruptuar siç është LSI-ja. “Në raport me LSI-në vlerësojmë se ajo është bashkëfajtore me PD për korrupsionin rekord, për 21 janarin, për krizën ekonomike, për dështimin e integrimit. Ajo e PD-së bën që Shqipëria për herë të parë të jetë e fundit në rajon ne procesin e integrimit dhe e para në nivelin papunësisë, varfërisë dhe korrupsionit. Të majtës i duhen votat e të majtëve të mashtruar nga LSI në emër të anti-Nanos apo anti-Ramës dhe jo lidershipi mashtrues”, ka pohuar kreu i PSD-së Skënder Gjinushi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency