Risia e PD-së për 2013-ën, ekip i ri për fitoren e zgjedhjeve

0
316

Florenc Drizari

berishaNë grupin e PD-së shfaqen emra zëvendësministrash dhe Këshilltarë pranë Kryeministrit

 

Partitë politike kanë shtuar tonet e fushatës si dhe intensitetin e takimeve me elektoratin edhe pse duhen më shumë se 2 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Një rëndësi të veçantë në prezantimet e strategjive elektorale nga subjektet politike duket se kanë marrë edhe ekipet që do të përballen publikisht gjatë gjithë fushatës zgjedhore, emrat e kandidatëve të rinj dhe  pikat kyçe të programeve. Aktualisht mes dy partive të mëdha PD dhe PS, është duke u zhvilluar një debat e gjerë për punësimin dhe sistemin e taksimit në vend. Mazhoranca premton krijimin e 250 mijë vend pune, ndërsa opozita 300 mijë të tilla. Ndërkohë që taksa e sheshtë e aplikuar nga Partia Demokratike përgjatë këtyre viteve të qeverisjes së saj, kundërshtohet nga socialistët të cilët propozojnë ndryshimin e sistemit duke aplikuar taksën progresive.

EKIPI I PD

Përzgjedhja e ekipeve të fushatës pritet të jetë përcaktues për të bërë diferencën në vota për zgjedhjet e 23 qershorit. Partia Demokratike duket se i është rikthyer strategjisë së saj të ndjekur që në vitin 2005, e cila i rezultoi e suksesshme me krijimin e KOP-it, duke bërë pjesë të skuadrës përveç politikanëve të sprovuar me një karriere të gjatë në PD, edhe emra specialistësh që vijnë nga radhët e administratës publike, kryesisht zëvendësministra, këshilltar pranë Kryeministrit si dhe individë nga bota akademike. Po ti referohemi konventës së fundit që mbajti dy ditë më parë Partia Demokratike në Pallatin e Kongreseve, gjysma e folësve nuk i pjesës së ekzekutivit (anëtarë të Këshillit të Ministrave) dhe as deputetë të PD-së. Në konventën e Partisë Demokratike për  punësimin, përveç kryeparlamentares Jozefina Topalli, kryebashkiakut të Tiranës Lulzim Bashës, kreut të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, si dhe të 5 ministrave, Bode, Bregu, Olldashi, Tafaj dhe Pollo, spikatën emrat e nënkryetares së bashkisë Jorida Tabaku, të zv. Ministrit të Ekonomisë, Eno Bozdo, Këshilltarit pranë Kryeministrit Bardhyl Musai, drejtoreshës së AIDA-s Eneida Guria dhe Enkeleida Sallakut, anëtare e PD-së në Këshillin Bashkiak, të cilët fonë në emër të mazhorancës duke prezantuar pika kyçe të programit për katër vitet e ardhshme. Ndërkaq, edhe pse është bërë e modës që disa nga figurat kryesore, imazhi i së cilëve shfaqet më shumë në publik në kohë fushatë, të gjenden në listat për deputet të partisë që i promovon, është herët për të aluduar për një listë të saktë edhe për faktin se partitë politike kanë afat për të dorëzimin e tyre në fund të prillit.

TAKSA E SHESHTË

Debati për taksat pritet të jetë boshti kryesor mes të cilave forcat politike do të përballen gjatë dhe ashpër në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Përpos taksës së sheshtë të aplikuar nga qeverisja e djathtë në këto vite, vjen propozimi i socialistëve me taksën progresive. Opozita kërkon ndryshimin në tërësi të modelit të taksimit në vend, ndërkohë që kjo është cilësuar si shumë e rrezikshme nga përfaqësues të ekzekutivit. Vetë kryeministri Berisha e ka cilësuar taksën progresive si aplikimin e taksës së Marksit, e cila sipas tij, dëmton rëndë biznesin dhe është një model që i ka ikur koha.

 


 

Lista e Folësve në Konventën e PD-së për Punësimin

Jozefina Topalli – kryetare  e Kuvendit
Lulzim Basha – kryetar i Bashkisë së Tiranës
Astrit Patozi – kryetar i grupit parlamentar të PD-së
Sokol Olldashi – ministër i Transporteve
Majlinda Bregu – ministre e Integrimit
Ridvan Bode – ministër i Financave
Aldo Bumçi – ministër i Kulturës
Genc Pollo – ministër për Teknologjinë dhe Inovacionin
Myqerem Tafaj – ministër i Arsimit
Florjon Mima – deputeti i PD-së
Jorida Tabaku – Nënkryetare e Bashkisë Tiranë
Eno Bozdo – zv. Ministër i Ekonomisë
Eneida Guria – Drejtoreshë e AIDA-s
Enkelejda Sallaku – anëtare e PD-së në Këshillin Bashkiak, Tiranë
Bardhyl Musai – Këshilltar i Kryeministrit
Benet Beci – Drejtor i FSHZH-së
Rudina Mita – Mësuese

 

 

 

Komiteti i Orientimit të Politikave i vitit 2005

Komiteti i Orientimit të Politikave, i njohur si KOP, u krijua në fillim të vitit 2005-së si një grupim teknikësh e profesionistësh të fushave të ndryshme. Qëllimi ishte që pjesëmarrësit e KOP-it të përpunonin e përpilonin platforma e strategji për t’ia propozuar organizmit politik pranë të cilit u atashua, konkretisht PD-së, si programe elektorale apo qeverisjeje. Komiteti i Orientimit të Politikave ishte i përbërë nga 40 ekspertë të fushave të ndryshme, shumë prej tyre të shkolluar dhe trajnuar në universitetet më të mira të botës dhe më një përvojë të gjatë në institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare. Disa prej tyre si Lulëzim Basha, Majlinda Bregu, Florion Mima, Selami Xhepa, Aldo Bumçi apo Myqerem Tafaj ende sot janë figura të rëndësishme të PD-së. Disa prej emrave të KOP-it janë larguar nga politika dhe një pjesë tjetër i janë bashkuar fraksioneve të ndryshme politike.

 

 

Kryeministri Berisha
 “Angazhimi ynë për punësimin është solemn, total dhe u garantoj ju se do bëj gjithçka që këtë të drejtë themelore të njeriut ta gëzojë shumica e shqiptarëve. Ju garantoj se 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e punësimit dhe të rrogave më të larta për ju dhe mbarë shqiptarët. Ne që premtuam 160 mije vende pune dhe realizuam 200 mijë. A nuk kemi të drejtë të premtojmë sot 250 mijë vende pune”,

 

Lulzim Basha

Një kryebashkiak nuk mund të bëjë gjithçka, por jam përpjekur të bëj maksimumin për krijimin e vendeve të reja të punës. Ish-kryetari nuk ishte i interesuar në këtë drejtim. Ai kishte një tjetër punë, si kryetar PS-je, ku prioritet kryesor nuk ishin interesat tuaja, por lufta politike për strategjinë elektorale. Ne besojmë se qytetarët janë të parët, shqiptarët janë të paret, ju jeni të parët

Jozefina Topalli

Projektet tona të infrastrukturës po punësojnë 58 mijë shqiptare në vit. Papunësia është ulur. Shqipëria po lulëzon falë reformave. Taksa e sheshtë po fut më shumë lekë në xhepat e shqiptarëve. Forbes e ka quajtur taksën tonë të sheshtë një model për pjesën tjetër të botës. Sot rezultatet flasin vetë

Astrit Patozi

Me PD-në nuk ka mëdyshje, ne jemi të përcaktuar për uljen e taksave, për më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve, për të hapur vende pune dhe mbi të gjitha për paga përherë e më të larta, sepse ne jemi ndryshimi, përpara. Rama votoi kundër 220 mijë shqiptarëve, por ne e përmbushëm misionin, nuk do të ketë më tatim për 220 mijë shqiptarë, të ardhurat do të shkojnë vetëm për familjet e tyre

Ridvan Bode
Edi Rama është një taksarritës i pandreqshëm dhe një mace e zezë për biznesin. Sa herë që Rama ka pushtetin në duar, ai bën rritje progresive të taksave, duke regjistruar rekordet më të mëdha që një pushtetar ka pasur ndonjëherë në rritjen e taksave për punonjësit, rrogëtarët dhe familjet në nevojë.

 

Kuvendi mblidhet në seancë plenare, në axhendë dekretet e Presidentit dhe privatizime

Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet paraditen e së hënës rreth orës 10:00 në seancë plenare, ndërkohë që në axhendë pritet të jenë dekretet e Presidentit të Republikës Bujar Nishanit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Projektligje të tjera që do të shqyrtohen në seancën e së hënës do të jenë edhe projektligji për Administratën Gjyqësore, projektligji për një ndryshim për kontratën mes ministrisë së Ekonomisë projektimin e projektit të Hidrocentralit të lumit Devoll si dhe nisma e qeverisë për disa shtesa dhe ndryshime për planifikimin e territorit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency