Tregimi Vila e gjarpërinjve

0
222

1 prill Edvard Munch  anxiety-1894Lazër Stani

E verdhë dyllë, Loreta Gjonpali ngjiti shkallët e drunjta që të nxirrnin në katin e tretë, aty ku ishte dhoma e saj, e strukur nën çati. Kur po ngjiste shkallët, nuk e ktheu kryet as majtas, as djathtas, nuk kqyri në kuzhinë, ku e ëma, Tringa, po kruante fundin e një tenxhereje dhe as dalloi në sallonin e ndjenjes gjyshin Gjon që po lexonte një gazetë të vjetër. U lëshua në shtratin e saj të parregulluar dhe ngjeshi fytyrën pas jastëkut, që iu duk i lagësht dhe i athët, sikur kundërmonte aromën e një djerse të huaj, të panjohur për të. Nuk i shqitej nga mendja gjarpri që pa kur po ngjiste shkallët e vilës së vjetër katërkatëshe, të cilën pushteti e ri e kishte shndërruar në zyra të administratës së qytetit. Gjarpri po zbriste ngadalë shkallët, duke u lakuar me mundim e duke e mbajtur kokën trekëndëshe lart, në përgjim. Vështrimin e kishte të lig, të poshtër dhe mjaft të egër. Të paktën këtë mendoi Loreta Gjonpali, duke rikujtuar atë vështrim që i futi të dridhurat. Ajo qe vonuar duke shqyrtuar një dosje me llogari taksash që nuk i përputheshin shifrat. Kishte thyer kokën në atë dosje, por nuk po e gjente gabimin, edhe pse i kaloi me dhjetëra herë nëpër duar ato fletë të zverdhura, të mbushura me numra të shkruar me kujdes, nga një dorë e zellshme nëpunësi. Shefi i pati thënë se në këtë dosje gjendeshin disa llogari të falsifikuara tridhjetë vjet më parë nga një kompani matrapaze peshkimi, që për shumë vjet kishte mashtruar shtetin, duke mos paguar tatimin mbi fitimin.

“Ne duhet të zbulojmë mashtrimin e kësaj kompanie dhe të çojmë në gjyq trashëgimtarët e saj. Ajo kompani ka mashtruar shtetin për njëzet vjet dhe ne duhet të vendosim nderin e shtetit ne vend, duhet të hakmerremi”, tha shefi, duke ia përplasur në tavolinë turrën e madhe të dosjeve.

Loreta si nëpunëse e re e administratës, duhej ta zgjidhte me sukses këtë çështje, ose përndryshe, karriera e saj në administratë vihej në dyshim. Dhe një dështim në muajin e parë të punës, nuk do të mund të ndreqej kurrë. Dosja e dështimit do ta ndiqte pas si një mallkim, nga një zyrë në tjetrën, nga një shef personeli te tjetri. Askush nuk do ta qaste më në administratë, aq më tepër që edhe gjyshi i saj Gjoni, mbahej mend për skandalin e bujshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Me dekret të presidentit, i qe hequr titulli i gjeneralit. Gjenerali i çgraduar nuk e pranoi kurrë shpërdorimin e postit, ose “abuzimin seksual me gratë e vartësve”, siç qe shkruar asokohe në shtyp, por presidenti me dekretin e tij e shndërroi në kopshtar të rëndomtë, aq sa njerëzia gojëligë e thërret edhe sot e kësaj dite “Gjenerali i luleve”. E vërtetë është se ai, pas hapjes së kufirit me Greqinë, hapi një magazinë të madhe lulesh dhe shiste lule greke. Lulet holandeze nuk i qaste në magazinën e tij. “Nuk i meritojnë lulet e Evropës këta derra”, thoshte, pa e përcaktuar se kush ishin derrat të cilëve ai u shiste lule. Po gjindja, që ia njihte huqet gjeneralit, e dinte se kur ai fliste për derrat, e kishte fjalën për burrat e shtetit.

Loreta u rrotullua në shtrat, u tkurr duke e ndrydhur barkun, sikur ai gjapri i lig që po zbriste shkallët në atë orë të vonë të pasdites, ta kishte kafshuar në kurriz. Ajo e kyçi derën e zyrës, disa orë pas përfundimit të orarit zyrtar, pothuajse në perëndim të diellit, kur në vilë, përveç portierit, me siguri nuk duhej të kishte frymë njeriu. Kjo duhet të ketë qenë edhe ora e përshtatshme që gjarpri të dalë nga strofka e tij. Loreta mbante mend sytë e tij të ligj, kundërmimin e rëndë që lëshonte në ajër dhe atë vështrimin e tij djallëzor që të bënte të ndjeheshe e pambrojtur. Kur vështrimi i vajzës u kryqëzua me vështrimin e gjarprit (këtë Loreta e mbante mend mirë), ai tërhoqi kokën mënjanë, po vështrimi i tij nuk iu shqit, deri sa kapërceu portën e jashtme, ku portieri i përgjumur dremiste me kryet e lëshuar mbi tavolinë.

Një rrëshqitje nëpër hatulla, një rrëshqitje e ngadaltë që vinte e shurdhët nëpërmjet tavanit e trembi për vdekje. Kërceu nga shtrati dhe zbriti me vrap shkallët, e llahtarisur nga frika.

“Në çati është një gjarpër”, tha e lemerisur dhe u ngjesh pas së ëmës, që ende po merrej me larjen e enëve në lavaman.

E ëma i holloi krahun në qafë, e ngjeshi pas vetes, po nuk i besoi asnjë fjalë nga ato që e bija po i thoshte me ngut, duke iu mbajtur fryma.

“Në këtë shtëpi askush nuk ka parë kurrë një gjarpër”, tha e ëma, Tringa, që po fshinte duart me një pecetë të zhugatur. Po kur Loreta këmbënguli se ajo e dëgjoi zvarritjen e tij në hatulla, që ishte e njëjtë me zvarritjen e gjarprit që ajo pa po atë pasdite duke zbritur në shkallët e vilës ku punonte, Tringa hapi sytë e tmerruar, kqyri rreth e rrotull si për të kërkuar ndihmë, po kur pa se në kuzhinë përveç atyre të dyjave nuk gjendej kush, e mblodhi veten dhe tha: “A të të bëj një çaj kamomili?”

Loretës i erdhi t’i thoshte “çajin e sat ëme!”, po e mbajti veten. E mori të ëmën për dore, e tërhoqi pas vetes në dhomën e pritjes, aty ku gjysh Gjoni vazhdonte të lexonte gazetën e vjetër me lajme të vdekura, si për të sjellë me forcë në kujtesë të shkuarën.

“Pra, ti thua se në shkallët e vilës u ndeshe me një gjarpër”, tha Tringa duke e theksuar fjalën “gjarpër” që t’i tërhiqte mendjen të vjehrrit. Po Gjenerali i luleve vazhdonte të lexonte gazetën, pa e vrarë mendjen se çfarë përrallisnin dy femrat. Kërkonte midis faqeve të zverdhura dëshmitë e tri grave të botuara në shtyp, dëshmi skandaloze, që i shkatërruan karrierën ushtarake. Kur gazetarët i patën zënë pritë te dera e Ministrisë, pyetjeve të tyre të shumta, u pati dhënë një përgjigje të vetme: “Nuk merrem me dëshmi kurvash!” Kjo fjali e vetme qe bërë titulli kryesor i gjithë gazetave të nesërme. Skandali mori përmasa kombëtare, organizatat e grave protestuan te presidenti, të kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Popullit. Një organizatë feministe që drejtohej nga një psikologe shtypi, doli me dhjetëra postera me fotografinë e gjeneralit, të cilat gratë i shkelën më këmbë në mënyrë demonstrative në festën e 8 Marsit. Gjenerali papritmas ia krisi të qeshurit dhe ngriti kryet nga gazeta.

Dy gratë rrinin të ngjeshura pranë njëra-tjetrës, të mbërthyera nga ankthi. Gjenerali vazhdoi të shkoklitej së qeshuri. I kishte hipur një gaz i madh, i papërmbajtshëm, një tallje e pandreqshme me atë mendimin e tij të atëhershëm për të vrarë veten. “Të vrasësh veten për dokrra kurvash, ama gjeneral që ishe!” mërmëriti me vete, duke u shkundur nga ajo dalldi që e kishte pushtuar.

“Më bëni një kafe të fortë”, tha gjenerali duke u drejtuar nga dy femrat. Nënë e bijë nuk luajtën vendit. Të kruspullosura nga ankthi ato qëndronin si të ngrira. Gjenerali ktheu kryet nga ato, kruajti qepallat nën syze që të qartësonte shikimin dhe mbeti shtangur nga fytyrat e tyre të zbehta prej fantazmash.

“Çfarë ka ndodhur?” tha dhe u ngrit në këmbë e eci drejt tyre. Atëkohë, Loreta u shkëput nga trupi i së ëmës, ngriti syti nga gjyshi dhe i tha se atë pasdite në shkallët e vilës ishte ndeshur me një gjarpër të tmerrshëm. I gjatë dy metra, xhepa-xhepa, me kokë shpatuke, me një gjuhë të zezë që e lëpinte pas buzëve të verdha dhe më sytë e tmerrshëm, që asaj i ishin dukur të njohur, sepse ajo mund të betohej, edhe diku tjetër e kishte hasur atë vështrim të lig. Dhe, sikur të mos mjaftonte takimi me gjarprin në shkallët e vilës, ajo dëgjoi nga dhoma e saj zhurmën e shurdhët të rrëshqitjes së një gjarpri nëpër hatullat e çatisë, kur shkoi lart të çlodhej e të merrte veten. Gjenerali i dëgjoi i përqendruar rrëfimet e mbesës, shkoi te tryeza e madhe, mori një cigare dhe e ndezi, diçka tha për një ftohje të vjetër në shpatull që po i acarohej sërish, kujtoi të birin që vdiq para tetë vjetësh në një aksident ajror gjatë një stërvitjeje ushtarake, tha se gjithmonë, gjarpërinjtë kishin jetuar kulaç në shtëpitë dhe gjokset e njerëzve. Loreta nuk e mori vesh se ku e kishte fjalën gjenerali, po ajo tha se ishte e tmerruar, kishte frikë të shkonte të nesërmen në zyrë, madje nuk ia mbante të ngjitej në katin e tretë në dhomën e saj, se gjarpri, ajo qe e bindur, ishte aty, i fshehur në çati dhe natën mund të zbriste e të futej ne dhomën e saj.

“O zot, tha Tringa duke u ngritur, gjarpërinjtë e shtëpisë janë të bekuar, po të ka keq shtati kur i shikon”. Ajo doli në kuzhinë që t’i përgatiste kafenë e hidhur gjeneralit. Ndërsa përziente kafenë në xhezve, Tringa kujtoi me dhjetëra histori me gjarpërinjtë e shtëpive, që nëpër mote, sipas pleqve, kishin bërë punën e rojtarit. Askush në anët e tyre nuk i vriste gjarpërinjtë e shtëpisë. Madje gjyshi i saj Ndoka, bujk i vjetër, që e njihte tokën si trupin e vet, thoshte se është gjynah të vrasësh një gjarpër, se ata, gjarpërinjtë, e pastronin tokën, shfarosnin minjtë dhe dëmtarët e tjerë të bimëve. Nga njëra anë, ajo i besonte gjyshit të saj të urtë, po nga ana tjetër, nuk e dinte origjinën e asaj shprehjes që grumbullonte të gjithë urrejtjen e tmerrshme: “T’ia shtypësh kokën si gjarprit”. I vu përpara kafenë gjeneralit dhe qëndroi në këmbë, me duar të kryqëzuara mbi bark.

“E ke nga lodhja”, tha gjenerali, duke iu drejtuar Loretës. “E ke nga lodhja. Kur je e dërrmuar të shtihen figura të frikshme. Ty të është shfaqur gjarpri, po e ke thjesht nga lodhja”. E përkëdheli mbesën duke ia rrëshqitur gishtërinjtë mbi flokët e saj të dendur dhe rrufiti kafenë, sikur po kthente një gotë me fund, ashtu shpejt e shpejt, në këmbë, në banakun e lokalit.

Pas këtyre fjalëve, askush nuk i zuri më në gojë historitë me gjarpërinj. Loreta megjithatë nuk guxoi të flinte në dhomën e saj, në katin e tretë, po fjeti me të ëmën, në dhomën e dikurshme të prindërve të saj, ku fotografia e të atit, e varur në mur prej shumë vjetësh, dukej se do ta mbronte nga e keqja.

Të nesërmen Loreta shkoi në zyrë si zakonisht, u përshëndet me portierin që po shënonte diçka në një bllok të zhubravitur, ngjiti shkallët, duke zgjedhur vendin ku shkelte, sikur gjithandej të gjendeshin gjarpërinj duke u zvarritur dhe u ngjit në zyrën e saj, ku kolegia e saj kishte hapur dritaren krah më krah. Kur Loreta hyri në zyrë, shoqja e zyrës, një grua rreth të dyzetave, e pamartuar dhe tekanjoze, tha se zyra kundërmonte një duhmë të rëndë kafshësh dhe pati hapur dritaren që të ajrosej.

“Ka dhjetë vjet që punoj në këtë zyrë dhe kurrë nuk kam ndjerë një duhmë të tillë të keqe”, tha ajo, duke kqyrur me dyshim kolegen e re. Loreta nuk i ktheu përgjigje, ndezi kompjuterin e saj, hapi raftin dhe nxori togun e dosjeve të vjetra dhe u bë gati të fillonte punën. Me bisht të syrit ndiqte lëvizjet e nervozuara të koleges që shprehnin hapur pakënaqësi dhe nervozizëm. Loreta u përpoq të gjente fillin e llogarive të ngatërruara dhe të përpunonte të dhënat në kompjuter. Po për dreq, nuk mbante mend se ku e kishte lënë punën një ditë më parë; të gjitha dosjet i dukeshin njëherë të shqyrtuara dhe prapë i dukeshin të panjohura, aq sa ajo nuk po e gjente fillin. I shtyu dosjet grumbull në tryezë dhe ngriti kokën. Edhe kolegia po qëndronte e shpërqenduar para kompjuterit, me fytyrën të rrasur midis pëllëmbëve, pa zënë punë me dorë.

“A zbresim të pijmë nga një kafe”, i tha Loreta koleges së saj, duke e ftuar për herë të parë pas shumë muajve pune të përbashkët, në të njëjtën zyrë. Kur e patën caktuar në atë zyrë, atë e pati trembur fytyra e pakënaqur e koleges, që nuk e fshehu përbuzjen që në orën e parë të punës. “Përpiqu ta bësh vetë punën tënde”, e pati paralajmëruar. “Nuk kam kohë t’u mësoj zanatin çupkave, që pastaj bëjnë karrierë nëpër ministrira”.

Nëpunësja përballë, me emrin bimor “Florë”, zgurdulloi sytë nën xhamin e hollë të gjyzlykëve dhe tha se edhe asaj nuk i punohej dhe se një parandjenjë e keqe po e gërryente në fund të barkut. “Zot, nuk kam ndonjë nga ato sëmundjet e këqija të grave!”, tha dhe u ngrit, duke marrë pallton që e varte në një komo të thjeshtë dërrase të kapur pas murit. Zbritën të dyja bashkë në kafenenë e Vilës që gjendej në bodrum. Kafeneja ishte e mbushur plot me nëpunës të rangjeve të ndryshme, të rinj dhe të vjetër, që pinin kafe dhe cigare, pothuajse në heshtje të plotë. Fytyrat e nëpunësve ishin të pakuptueshme si dosjet që shqyrtonin, si urdhrat e shefit të madh, që shpërndaheshin me shpejtësi nga një zyrë në tjetrën, nga një kat në tjetrin, duke u bërë gjithnjë e më të pakuptueshme dhe të frikshme deri sa pushtonin vilën e stërmadhe qosh më qosh, duke tkurrur dhe bërë të pazëshëm nëpunësit. Kushedi sa herë, ata nëpunës i kishin mallkuar tregtarët e mëdhenj të qytetit që e ndërtuan këtë vilë për motrën e bukur të mbretit në vitet tridhjetë, ditën e celebrimit të saj me një princ bukurosh.

Flora, si nëpunëse e vjetër e me përvojë, gjeti në tryezë të vogël në gjysmëerrësirë, ndërsa Loreta u afrua te banaku dhe porositi dy kafe me qumësht. Banakierja, një esmere që krihej vazhdimisht me gishta, i buzëqeshi ëmbël, i shkeli syrin djallëzisht dhe i bëri gati porosinë. Matanë, në errësirë, një burrë kollitej vazhdimisht, sikur donte të nxirrte nga fyti një lëngatë të vjetër. “Ky dreq ta shpif!”, tha Flora. “Ka njëzet vjet që kollitet kështu e nuk vizitohet kurrë te doktorët”.

Pinin kafe në heshtje, duke iu bashkuar turmës tjetër të nëpunësve, që gjithashtu thithnin cigaret dhe hurbatnin kafet, duke shkëmbyer ndonjë fjalë në të rrallë, sa për të thënë. Loreta e kuptoi se diçka nuk shkonte, se vila ishte gdhirë e paralizuar, se nëpunësve nuk u punohej, se diçka ose kishte ndodhur, ose pritej të ndodhte.

“Ajo duhmë në zyrë?! Kurrë nuk e pata gjetur zyrën të mbushur me duhmë sperme”, tha me përçmim Flora, duke kqyrur diku në errësirë, sikur diku në qoshet e errëta gjendej fajtori.

“Po ia këput kot”, ia ktheu Loreta e nxehur. “Dhe mos guxo më kurrë të flasësh kështu me mua!”.

Flora rrufiti e qetë kafenë e saj dhe i kërkoi një cigare një kolegu të një kati më lart. Ai i zgjati paketën, duke i bërë shenjë që t`i merrte edhe Loretës një cigare.

“Askujt nuk iu punoka sot”, tha nëpunësi i katit të tretë pa iu drejtuar askujt. Loreta ndezi cigaren, e thithi me forcë, si për të shuar me atë tym nervat që po i pëlcisnin nga inati. Nuk e duronte kolegen e saj dhe sa më shumë që kalonte koha, bindej se ajo ishte një femër shpirtligë, aq shpirtligë sa nuk e honepsnin as burrat. Thuhej se kurrë nuk pati një të dashur në këtë institucion. Madje qarkullonin fjalë se ajo na paskësh thënë se më mirë e linte t’i thahej mes këmbëve, se t’ua jepte këtyre horrave.

Loreta fiku cigaren në tavull dhe i bëri shenjë koleges të ktheheshin në zyrë. Kur po ngjitnin shkallët, Flora i tha koleges me një intimitet të pabesueshëm se ishte e shqetësuar. Tha se shefit të madh ia kishin bërë gropën ca maskarenj të regjur që punonin një kat sipër tyre dhe se shefit të ri nuk i dihej. Me siguri që do të nxirrte nga puna disa prej nëpunësve të vjetër, që tashmë i quanin si jashtë kohe. Dhe atë do ta flaknin me siguri, se fundja kush do të merrte përsipër ta mbronte. Nuk kishte asnjë mik. Kur u futën në zyrë, Flora shpërtheu në të qara, dridhej dhe dëneste kujshëm, aq sa të këpuste shpirtin.

Loreta ndjehej e zhgënjyer nga vetvetja. Ja, kishin punuar bashkë në një zyrë dhe as që kishte marrë mundimin ta njihte. Madje e pati urryer në heshtje, nuk e duronte dot, po ç’të bënte. I duhej të priste rastin kur atë mund ta ngrinin në përgjegjësi, duke e caktuar në një zyrë tjetër, ose të paktën do ta zbrisnin në përgjegjësi, po prapë do ta dërgonin në një zyrë tjetër. I erdhi të hante veten. I shkoi pranë koleges, i hodhi duart në qafë dhe u përpoq ta qetësonte, duke i thënë fjalë shpresëdhënëse, fjalë të ngrohta sigurie, po Flora, tashmë e fishkur, nuk donte t’ia dinte. Dëneste papushim dhe brinjët e saj lëshonin një kërcëllimë metalike, të trishtuar. Pjesën tjetër të ditës e kaluan në heshtje. Flora shfletonte papushim një dosje, duke u kthyer prapë në fillim, pastaj hapte internetin, kontrollonte postën elektronike, mallkonte një shoqe në Paris që as sot nuk i kishte kthyer përgjigje, ndërsa Loreta përpiqej pa sukses të gjente shkeljet në regjistrat e vjetër të llogarive. Kur mbaroi orari zyrtar, Flora mblodhi plaçkat e saj, u pa në pasqyrë, u ngjiti buzëve një të kuq të lehtë trendafilash të egër dhe doli, duke i kujtuar koleges se tashmë dita e punës kishte mbaruar. Por, Loreta e përqendruar në regjistrat me llogari mashtruese, llogariste në kompjuter shkeljet që nuk i dilnin dhe ia niste sërish punës nga e para. Tha me vete të punonte edhe nja dy orë, se përndryshe nuk do t’ia dilte të evidentonte shkeljet dhe pastaj çfarë do t’i raportonte shefit në fundjavë, se dosjet janë në rregull?! Me siguri që do ta përzinte duke ulëritur nga zyra dhe do ta shpallte një nëpunëse të dështuar të vilës. U përqendrua prapë mbi formularët e një dosjeje të vjetër dhe kërkoi t’i verifikonte shifrat nga e para. Vonë, kur muzgu u ngjesh pas dritares, ajo u përmend se duhej ta ndërpriste punën dhe të kthehej në shtëpi. Mblodhi shpejt e shpejt rraqet e saj, u futi një shkriftim flokëve me gishta, mori çantën e vogël dhe doli nga zyra duke e përplasur derën me forcë pas vetes. Por nuk kishte bërë as dhjetë hapa, kur nga shkallët e katit të tretë dëgjoi rrëshqitjen e frikshme dhe një si fishkëllimë paralajmëruese. Ktheu kokën dhe mbeti e shtangur për disa çaste. Nga shkallët e katit të tretë po zbriste një gjarpër vigan, me xhepa të verdhë në nënbarkëse dhe me xhepa të zinj në kurriz, me kokën shpatuke dhe të gjerë sa një shuplakë dore. Nuk ishte ai i djeshmi. Për këtë qe e sigurtë. Gjarpri nxirrte herë pas here jashtë gjuhën e kuqe flakë dhe sikur fishkëllente përmes dhëmbëve. Një bri i kthyer mbi kokë e bënte edhe më të tmerrshëm. Vajza ia dha vrapit teposhtë shkallëve e bindur se përbindëshi po e ndiqte. Doli fluturimthi nga porta e jashtme, duke përplasur portën metalike që lëshoi një rropamë të tmerrshme aq sa e trembi për vdekje portierin që gjithnjë dremiste mbasditeve. Kur mbërrit në shtëpi, u përplas me të ëmën në sallon dhe e lëshuan këmbët.

“Qyqja, zemër, ç’ke ?!!” i tha e ëma e tmerruar kur pa fytyrën e çartur të së bijës. “Gjarpri!” tha ajo dhe u lëshua pa frymë në dysheme. E ëma e ngriti shpejt e shpejt, i lagu ballin me ujë, e shkundi nga krahët që të përmendej. Kur Loreta erdhi në vete, kqyri rreth e rrotull e frikësuar, shtrëngoi fort dorën e së ëmës dhe mbështeti kryet e drobitur në prehërin e gjysh Gjonit.

Ndërsa e ëma përziente një qetësues në një gotë, Loreta hapi sytë sërish dhe tha pa iu drejtuar askujt: “Nuk shkel më në vilë, nuk shkel më aty, ta di se vdes për bukë!”. Gjysh Gjoni dhe Tringa përpiqeshin ta qetësonin, i thoshnin se ato fanitje i kishte nga lodhja. “Nga stresi”, shtonin duke huazuar fjalë nga emisionet televizive.

E shtrirë në divan, e kalamendur, me sy gjysmë të mbyllur, Loreta vazhdonte të ndiqte fragmente bisedash që bëheshin ndërmjet gjyshit të saj, gjeneralit dhe nënës, që shpërthente nëpërmjet lotëve: “Do të kemi probleme me këtë vajzë! Nuk di të ndajë realitetin nga fantazia” dhe gjeneralin që shtonte: “Punë e madhe; do t’u shesim bashkë lule greke këtyre horrave, do t’u shesim sa t’i dendim!”