Florenc Drizari
Tom Doshi: Votova pro Zaganjorit nga njohja ime personale që kam para se ai të dekretohej nga Presidenti
Braçe për Zaganjorin: Nënshtrim ndaj politikës qëndrimi në detyrën e anëtarit të gjykatësit kushtetues përtej afateve
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votat e mazhorancës tri kandidaturat e Presidentit të Republikës për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, ndërsa opozita abstenoi. Edhe pse në bllok, mazhoranca kishte vendosur më parë t’i miratonte kandidaturat dhe opozita t’i abstenonte ato, nga të dyja radhët pati kundër vota pro dhe kundër kandidaturave. Dekreti i kreut të shtetit për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin, u votua me 76 vota pro, 1 kundër dhe 31 abstenime. Me një votim pothuajse të ngjashëm kaluan edhe dy kandidaturat e tjera për Gjykatën Kushtetuese ku Gani Dizdari mori 73 vota pro, 2 kundër dhe 30 abstenime; dhe Besnik Imeraj u votua me 76 vota pro dhe 31 abstenime dhe 1 kundër.
TOM DOSHI
Gjatë votimit të kandidaturës së Xhezair Zaganjorit deputeti socialist Tom Doshi votoi pro tij, edhe pse deputetët e tjerë opozitarë abstenuan kandidaturën e Nishanit. Në mbylle të votimit, deputeti Doshi tha shkurtimisht para Parlamentit se vota e tij kundër qëndrimit të grupit erdhi për njohje personale mes tij dhe Zaganjorit, para se ky i fundit të dekretohej për postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë nga Nishani. Gjithashtu në mbështetje të figurës së Zaganjorit votuan edhe deputetët Islami, Oketa dhe Prifti. Ndërkaq, një qëndrim kundër kandidaturës së tij mbajti deputeti socialist Erion Braçe.
BRAÇE PËR ZAGANJORIN
Pak kohë pasi votoi kundër dekretit të Presidentit Bujar Nishani për emërimin e Xhezair Zaganjorit si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe nuk mori pjesë në votimin e Gani Dizdarit dhe Besnik Imerajt për Gjykatën Kushtetuese, deputeti socialist Erion Braçe shpjegoi qëndrimin e tij. Sipas deputetit opozitar, qëndrimi në detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese jashtë afatit nga Zaganjori është nënshtrim ndaj politikës dhe për dy figurat e tjera, procesi është antikushtetues. “Votova kundër dekretit te Presidentit Nishani për emërimin në Gjykatën e Lartë të gjykatësit Zaganjori; u largova e nuk votova fare për dy dekretet e tjera për gjykatësit Gani Dizdari e Besnik Ymeraj, sepse: e konsideroj procedurë antikushtetuese arshivimin e dekreteve të Presidentit në Kuvendin e Shqipërisë (pra në mënyrë të përsëritur dekretet e Presidentit Moisiu më parë dhe Topi më pas); e konsideroj nënshtrim ndaj politikës qëndrimin në detyrën e anëtarit të gjykatësit kushtetues përtej afatit kushtetues, Xhezair Zaganjori; e konsideroj shpërblim jashtë çdo merite emërimin në detyrën e Gjykatësit Kushtetues të dy gjyqtareve të tjerë të ekspozuar qartë në kultivimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve të përfshirë në afera korruptive”, – ka shkruar një ditë më parë në profilin e tij në internet, Facebook, deputeti socialist Erion Braçe.
VOTIMI I LIGJEVE
Kuvendi miratoi të hënën me votë, 126 vota pro dhe 1 votë kundër, disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për planifikimin e territorit”, që synojnë rritjen e autoritetit të pushtetit vendor për zhvillimin e planeve zhvillimore urbanistike në territorin e Shqipërisë. Gjithashtu Kuvendi miratoi me 75 vota pro dhe 52 vota kundër projektligjin “Për administratën gjyqësore”, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, që synon të modernizojë dhe konsolidojë administratën gjyqësore në Shqipëri. Opozita që kishte paralajmëruar votën kundër, e kundërshtoi draftin e propozuar nga ministria e Drejtësisë, që sipas saj, është në shkelje të Kushtetutës. Nisma ligjore e qeverisë, që përfshin 57 nene, e hartuar në bashkëpunim me ekspertizën e misionit EURALIUS, bazohet në standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Drafti i jep administratës gjyqësore një status që e mbron dhe e garanton në ushtrimin e veprimtarisë së përditshme si barriera e parë e përplasjes së publikut me gjykatat. Një ligj tjetër që shkaktoi debate në Kuvendin e Shqipërisë ishte edhe miratimi i projektligjit “Për planifikimin e territorit”, që synojnë rritjen e autoritetit të pushtetit vendor për zhvillimin e planeve zhvillimore urbanistike në territorin e Shqipërisë. Ligji i ri krijon mundësinë që për elemente të planifikimit të territorit autoritetet lokale të mos kenë nevojë ose detyrim të paraqitjes të çdo plani, qoftë ai pjesor ose më pak pjesor, tek organet qendrore, siç është Këshilli Kombëtar i Territorit. Ky draft ligjor mori edhe mbështetjen e opozitës në Kuvend.
Topalli: Opozita priti dështimin e Shqipërisë për statusin për të votuar tri ligjet e integrimit
Aludimet e fundit në media për një votim të mundshëm nga Partia Socialistë të ligjeve të integrimit janë komentuar një ditë më parë gjatë seancës parlamentare edhe nga Kryetarja Jozefina Topalli. Në fjalën e saj Topalli u shpreh se PS vendos të votojë tri ligjet e integrimit pasi Shqipëria dështoi në marrjen e statusit të vendit kandidat, pikërisht për mosvotimin e ligjeve, si dhe kur BE e ka bërë të qartë se statusi i kandidatit i përket sesionit tjetër parlamentar. “Urojmë që ta votojnë, sepse tani që do të votojnë edhe tri ligjet, sepse është marrë vesh që statusi nuk do të merret për këtë sesion, por ngelet për sesionin tjetër. Kështu që, besoj se Partia Socialiste do të votojë edhe tri ligjet, sepse është e garantuar që Shqipëria nuk e merr statusin dhe opozita do t’i votojë ligjet. Prisnit të mbaronte afati që Shqipëria të merrte statusin e kandidatit”, – deklaroi një ditë më parë Kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
ZBARDHJE DEBATESH DHE BATUTASH DJE NË PARLAMENT
Sali Berisha: Epoka e Edvinit groposet në mënyrë përfundimtare në Kushtetutën e re të Tiranës. Ajo ishte koha e betonit, e shkatërrimit. A e dini ju se keni deputetët këtu që kanë blerë mandatet me vilën e Dajtit? Jua themi ne… Nuk ka pasur njeri më me fat se unë në jetë dhe këtë jua them hapur. I takoi Sali Berishës ky përjashtim, sepse në vitin ‘95 unë vendosa këtë rregull, këtë ligj dhe sot e kësaj dite ai mbahet mend në memorien e biznesmenëve .
Erion Braçe: Ke qenë President në atë kohë.
Sali Berisha: Isha President me fuqi ekzekutive në atë kohë.
Jozefina Topalli: Gramoz, merre fjalën meqenëse e kishte Ilir Bejtja që po rri në këmbë.
Gramoz Ruçi: Më duket sikur Kryeministri po bëhet gati të ikë, do të shpresoja të rrinte dhe të më dëgjonte. Edhe po të largohej, fjalinë e parë që do të artikuloja do të ishte, gëzuar festën zoti Kryeministër, se është 1 prilli sot.
Sali Berisha: Po ç’punë kam unë me festën tuaj!
Jozefina Topalli: Festa e PS-së ka qenë gjithmonë.
Gramoz Ruçi: Këtë që thashë gëzuar festën do mundohem ta argumentoj jo me fjalët e mia, por me fjalët e tua… 17 brenda 2013 do të përfundoj unazën e madhe të Tiranës. Unazën juglindore të vendit me trajektore Shkodër, Theth, Valbonë, Kukës…
Jozefina Topalli: Hajde e vizitoje Gramoz. Është bërë yll.
Gramoz Ruçi: 18 Jozefinë.
Jozefina Topalli: Je jashtë teme Gramoz, unë po të lejoj, por je jashtë teme.
Gramoz Ruçi: Ujë 24 orë për familjet shqiptare, citoj, në fshat dhe në qytet duke ndërtuar apo rindërtuar mbi 800 ujësjellës.
Jozefina Topalli: 464 ujësjellës.
Gramoz Ruçi; Qeveria premton se furnizimi me ujë do të jetë 70 për qind dhe jo…
Jozefina Topalli: 80 për qind zoti Gramoz. Thuaji Erion Veliajt se ta ka shkruar me gënjeshtra.
Taulant Balla: Po lëre ta dëgjojmë.
Jozefina Topalli: Po është jashtë teme.
Gramoz Ruçi: Të vij tek tema e rendit të ditës se e filloi Kryeministri të ashtuquajturën kushtetutë të Tiranës.
Jozefina Topalli: E ke shfrytëzu kohën jashtë radhe, jashtë teme. Ju lutem përfundojeni, keni 17 minuta që flisni.
Gramoz Ruçi: Jozefinë, katër çështje kam për ato që tha Kryeministri. Kushtetuta e Tiranës, ajo t’u dorëzua nga Edi Rama 6 muaj para zgjedhjeve dhe nuk e miratove.
Jozefina Topalli: 14 ditë e dhe.
Gramoz Ruçi: O Jozefinë, nuk kam punë me juve, kam punë me Kryeministrin, jam ngritur për të.
Jozefina Topalli: Jo mo jo, por s’kam kohë unë tani.
Gramoz Ruçi: Është i zoti vetë ai.
Jozefina Topalli: Jo, kam kohën e rregullores unë.
Sali Berisha: Socialistët, deputetë të Edi Ramës në Parlament, janë deputetë të 1 prillit. Këta nuk kanë vetëm 1 prillin, por 365 ditë këta e kanë 1 prill. Zotëria parafolës, që është nga ata që s’firmos në të bardhë dhe do ikë, deklaroi këtu se kriminaliteti në raport me 2005 është rritur, qytetarë dhe qytetare, kriminaliteti është ulur dy herë….
Jozefina Topalli: Saimir pse rri në fund? Të vjen marre ë, të vjen turp? Të kujtohet baba? U kap kontrabanda ë? Mirë ban që shkon në fund, se njeriu duhet të ketë pak pudore.
Saimir Tahiri: Ta tregoj unë pudoren ty, mos ki merak.
Erion Braçe: Mbylle tani mbylle.
Namik Dokle: Zonja Topalli, problemi është se ai që doja të bëja replikë tani u nis për në shtëpinë e pleqve se atje e ka vendin.
Jozefina Topalli: Namik të ka ik edhe batuta tani.
Namik Dokle: E dyta, është edhe mediokriteti kulminant të flasësh për një vepër pa e lexuar.
Jozefina Topalli: Ku e di ti që s’e ka lexuar?
Namik Dokle: Të lutem shumë mbylle gojën.
Jozefina Topalli: Jo mor Namik…
Namik Dokle: Më lër të mbaroj unë dhe thuaj çfarë të duash ti pastaj. Meqenëse edhe në seancën e kaluar më ka thënë që i ka qejf poezitë, se në fakt edhe për Jozefinën kam shkruar poezi.
Jozefina Topalli: Ti ke shkruajt disa mor Namik, por kujt po ia thu.
Namik Dokle: Po bën ligje, po mashtron, zhytur thellë në korrupsion dhe tashmë gjithkush e di bën hajmi kjo qeveri.
Jozefina Topalli: Namik, 1 prilli është dita e rilindjes. E gëzofshi!
Votimi për dekretet e Presidentit
Për Xhezair Zaganorin si anëtar të Gjykatës së Lartë:
76 vota pro – PD, LSI, Tomë Doshi – PS, Kastriot Islami, Dritan Prifti, Gazmend Oketa
31 abstenim – PS
1 kundër – Erion Braçe
Për Gani Dizdari si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese
73 vota pro, PD, LSI,
2 kundër – Mark Marku PD, Bashkim Fino PS
30 abstenim – PS dhe Enkelejd Alibeaj PD
Për Besnik Imeraj si anëtar të Gjykatës Kushtetuese
76 vota pro – PD, LSI
31 Abstenim – PS, Enkelejd Alibeaj PD
1 kundër – Mark Marku