Florenc Drizari
Vangjush Dako propozon të votohet në shkollën jopublike “Rilindja”, Lleshi: Propagandë e hapur
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të zhvillojë dy testime për numërimin elektronik të votave në Qarkun e Fierit. Testi i parë pritet të mbahet në datën 13 prill dhe i dyti 15 ditë para zgjedhjeve. Për zhvillimin e testit të parë do të përdoren 6000 fletë votimi të cilat pritet të vijnë në ditët në vijim, ndërkohë që përfaqësuesit e partive politike në vend hodhën dyshimet e tyre për zhvillimin e këtij procesi.
Projektvendimi “Për miratimin e procedurave që do të ndiqen për plotësimin e fletëve të votimit (fletë votimi test), që do të përdoren gjatë testimit paraprak të sistemit elektronik të numërimit të votave” në Fier, u miratua me konsensus nga anëtarët e KQZ-së një ditë më parë në komision. Sipas këtij vendimi sasia e fletëve të votimit të cilat do të plotësohen dhe më pas do të numërohen në testin e parë do të jetë 6000 copë. Sipas këtij projekti, për të simuluar procesin e votimit, do të përzgjidhen grup-mosha të ndryshme zgjedhësish, si student, zgjedhës që votojnë për herë të parë dhe zgjedhës të moshës së tretë e të tjerë.
Duke folur në emër të Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, kërkoj që për dy partitë e mëdha, PD dhe PS, KQZ të sigurojë një sasi paraprake fletësh votimi për të “kolauduar” votimin elektronik. “I vetmi shqetësim duke mbajtur parasysh këtë qëllim të projekt-aktit, mbetet fakti i kërkesës sime dhe i përfaqësuesve politik për t’u pajisur me një sasi të caktuar fletësh votimi në mënyrë që dhe ne të testojnë paraprakisht me mjetet tona, mos harroni që jemi aktorë shumë të rëndësishëm në këtë proces. Unë do të doja një sasi prej 600-700 fletësh për panelin politik. Ta testojmë dhe këto ndryshime përkatësi t’ja paraqesim administratës për të marrë dhe feedback-un përkatës”, – tha Gjoncaj. Ndërkohë, përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti preferoi që pjesën e fletëve të kërkuara për të, t’ia japë opozitës. “Pjesën time për partitë, unë ia jap Gencit”, tha – Kosovrasti. Nga ana e saj, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi mbështeti propozimin e përfaqësuesit të Partisë Socialiste dhe e la të hapur mundësinë për të bashkëpunuar me administratën lidhur me marrjen e 300 fletëve votimi.
VOTIMI NË AMBIENTE PRIVATE
Votimi në ambientet private më 23 qershor riktheu debatet mes anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesve të partive politike në komision. Kryetarja e KQZ-së u shpreh se nga kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako është propozuar për votimin në një ambient privat, që mban emrin “Rilindje” dhe kjo sipas zonjës Lleshi, përbën propagandë të pastër elektorale. “Shkolla Jopublike ‘Rilindja’. Kjo është fushatë e hapur në ditën e votimit”, – tha Lleshi.
Projektvendimin “Për miratimin e disa qendrave të votimit në ndërtesa private, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23.6.2013”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga 132 qendra votimi që përmbante propozimi, miratoi me Konsensus 96 qendra votimi në ndërtesa private për Qarkun e Shkodrës, Kukësit, Dibrës, Lezhës dhe Durrësit. KQZ vendosi që të bëhet verifikim i mëtejshëm për 36 qendra votimi, të propozuara për tu vendosur në ndërtesa private. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti kërkoi shpjegime dhe verifikime për propozimet e dërguara nga kryebashkiaku u Durrësit Vangjush Dako, lidhur me vendndodhjen e qendrave të votimit në ambientet private. “Nga 111 deri në 132, do të kërkoja për të gjitha këto qendra që janë hapur të reja në ambiente private, çfarë argumentesh ka sjellë kryetari i Bashkisë Durrës. Kërkoj informacione nga kryetari i Bashkisë lidhur me hapjen e qendrave të reja dhe qendrat e ndërruara. Arsyet se përse qendrat janë ndërruar nga një ambient privat, në një tjetër ambient privat”, – deklaroi Niazi Kosovrasti. Ndërkohë edhe përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj kërkoi informacione dhe verifikimi të disa qendrave votimi kryesisht në veri të vendit. Sipas tij, krerët vendorë kanë sjellë informacione për qendra votimi në ambiente private, ndërkohë që në komunat dhe bashkitë e tyre ka ambiente publike të përshtatshme për zhvillimin e procesit zgjedhor.
Teknologjia në zgjedhje, numri i madh i partive vë në pikëpyetje procesin
Numri i lartë i partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, rrezikon aplikimin e teknologjisë për numërimin elektronik të votave në Qarkun e Fierit. Vendimi i marrë nga KQZ-ja disa ditë më parë për caktimin e jo më shumë se 42 partive politike në fletën e votimit për këtë qark, duket se vë në rrezik aplikimin e teknologjisë për numërimin elektronik, për vetë faktin se dy partitë e mëdha deklarojnë një pjesëmarrjeje sa më të gjerë të subjekteve në koalicionet e tyre. Në tavolinën e anëtarëve të KQZ-së ka qenë edhe një variant tjetër me 66 parti të renditura në fletën e votimit, por që ky u kundërshtua nga përfaqësuesit politik në komision me argumentin se ngushtohen germat e subjekteve zgjedhore dhe bëhen më pak të identifikueshme për zgjedhësit. Edhe pse listat zyrtare për 2013-ën për dy koalicionet e PD-së dhe PS-së nuk janë bërë ende zyrtare, vetëm numri i partive që janë rreshtuar në kampin e majtë shënon në 33 parti. Sipas përfaqësuesve të kompanisë së përzgjedhur nga KQZ-ja për aplikimin e teknologjisë në Fier, INDRA, në variantin e miratuar më tetë mars, nëse kalohet numri i 42 partive në fletën e votimit, skanerët nuk mund të bëjnë leximin e vullnetit të shprehur nga qytetarët.
Mazhoranca propozon ulje të tarifave celulare
Mazhoranca propozon nismën të re për uljen e mëtejshme të tarifave për telefoninë në vend. Qeveria ka paraqitur rezolutën për uljen e mëtejshme të tarifave të komunikimeve elektronike në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Deputeti Osman Metalla prezantoi para kolegëve të tij një listë me disa kërkesa për autoritetin e komunikimeve elektronike dhe postare të cilat ndër të tjera synojnë që të përmirësojnë edhe disa aspekte të tjera në këtë sektor. Të angazhohet vazhdimisht në uljen e tarifave të mëtejshme të ofruara në tregun e komunikimeve elektronike. Të vazhdoj të angazhohet në administrimin me efektivitet të spektrit të frekuencave; të vazhdoj të angazhohet në zbatimin e politikave nxitëse për një penetrim më të madh të telefonisë fikse. Të vazhdojë të angazhohet në kuadrin e tregut postar, në analizat e tregut. Kjo rezolutë nuk është kundërshtuar prej opozitës ndërkohë që do të hidhet në votim gjatë mbledhjes së ardhshme të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.
Mazhoranca miraton e vetme tek Lligjet ndryshimet për Kodin Civil, largohet opozita
Lëvizjet e fundit politike lidhur me aleancat parazgjedhore nuk kanë kaluar pa debate në Komisionin e Ligjeve, edhe pse axhenda e rendit të ditës nuk kishte lidhje me to. Mazhoranca në Komisionin e Ligjeve miratoi e vetme ndryshimet në Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Civile, dy ligje këto që kërkojnë 84 vota. Socialistët shprehën në mbledhje gatishmërinë për të ndërhyrë në paketën e amendimeve të Ministrisë së Drejtësisë, por për shkak të kryesisë që do të vendoste për aleancën me LSI-në, u larguan nga komisioni. Ky moment dhe aleanca e re PS-LSI nuk kaluan pa ironi nga deputetët e djathtë, të cilët vijuan të vetëm shqyrtimin e dy kodeve. Propozimet për ndryshimet e sjella për këto kode nga ministri Eduard Halimi u cilësuan si pjesë e paketës së eficencës në sistemin e drejtësisë. Sipas Halimit, me këto ndryshime parashikohet që testamenti i trashëgimisë nuk do të jetë në regjistrin elektronik të noterëve, por në një regjistër të veçantë. Ndryshimet parashikojnë ndër të tjera se gjykatat nuk do të lëshojnë më vendime për dëshmi trashëgimie, pasi ky tagër do t’u kalojë noterëve, duke reduktuar koston financiare dhe kohore. Gjithashtu Komisioni i Ligjeve pritet ti rikthehet sërish shqyrtimit të kodeve ditën e mërkurë. Në axhendë janë edhe dy drafte të tjera të ardhura nga qeveria, si: projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar” (2 iniciativa). Projektligji “Për disa shtesa ne ligjin nr. 9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar”. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9584, datë 17.7.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj””.