Elton Qyno
Mbi 100 banorë të fshatit, kërkime në dy anët e lumit, Albina Hunçi u gjet 2 km larg vendit të aksidentit
Emigranti Ismet Karaj erdhi nga Greqia. Polumbarët i gjejnë trupin 10 km larg. Foshnja 1-muajsh, jetim
Gjenden të pajetë në ujërat e Shkumbinit dy trupat e bashkëshortëve, të cilët u rrëzuan me automjetin e tyre në lumë dhe më pas rrjedha e fortë rrëmbeu makinën së bashku me dy trupat, të cilët kanë qenë të trullosur nga saltot që automjeti ka bërë. Ismet Karaj, 30 vjeç, dhe shtetasja 19-vjeçare Albina Hunçi janë gjendur në një distancë prej gati 10 kilometrash nga vendi ku makina është rrëzuar në lumë, ndërsa 19-vjeçarja në një distancë prej 2 kilometrash. I pari është gjendur trupi i pajetë i 19-vjeçares, e cila është konstatuar nga disa banorë të zonës në afërsi të fshatit Mirakë, ndërkohë që disa orë më vonë është gjendur dhe trupi i pajetë i bashkëshortit të saj, shtetasit Ismet Karaj. Ky i fundit është gjendur në një distancë prej rreth 10 kilometra në afërsi jtë fshatit Labinot dhe se personat që kanë mundësuar nxjerrjen e tij nga lumi kanë qenë polumbarët, të cilët së bashku me dhjetëra banorë të fshatit Librazhd Katund të Librazhdit, kanë kryer kërkime në të dyja anët e lumit Shkumbin. Çifti Karaj kishte lindur një muaj më parë një fëmijë, që ndryshe nga si u tha dje, foshnja nuk ka qenë në makinë në momentin kur është rrëzuar automjeti në rrugë. Të dy trupat janë transportuar në morgun e qytetit të Elbasanit, ku u është kryer autopsia, ndërkohë që më pas Ismet Karaj dhe Albina Hunçi janë tërhequr nga familjarët e dy familjeve, për t’u përcjellë në banesën e fundit. Gjendja emocionale në të dyja familjet ka qenë tepër e rënduar deri në gjendjen e trupave të pajetë, pasi në dy familjet ishin hapur dyert e mortit, por që mungonin trupat për t’i vajtuar. Familjarët në disa raste akuzuan policinë e Elbasanit për neglizhencë. Përgjatë ditës së djeshme, por edhe ditës së mërkurë, kanë kryer me njerëzit e fshatit kërkime në të dyja anët e bregut të lumit Shkumbin.
Çifti drejt Tiranës
Çifti Karaj ishte nisur drejt Tiranës, kur në tentativë për të shmangur gurët e rënë në rrugë nga faqja e malit, Ismet Karaj ka humbur kontrollin e automjetit duke rënë në lumë. Çifti Karaj kishte një fëmijë njëmuajsh, i cili ndodhet tek prindërit e vajzës. Sipas policisë së Elbasanit, nga rrëzimi të dy udhëtarët kanë marrë fraktura të shumta në trup, për shkak se automjeti i tyre ka bërë disa salto. Ngjarja e rëndë është shënuar paraditen e të mërkurës në aksin rrugor Elbasan – Librazhd, në Urën e Murrashit, ku automjeti me të cilin udhëtonin dy bashkëshortët ra nga ura duke përfunduar 200 m poshtë në ujëra e lumit Shkumbin. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Elbasanit dhe Librazhdit si dhe forca të zjarrfikëses me qëllim nxjerrjen e mjetit nga ujërat e lumit Shkumbin, por si pasojë e reshjeve të shumta, nuk u bë i mundur nxjerrja e mjetit nga ana e këtyre forcave dhe u kërkua ndihmë nga polumbarët. Edhe pas mbërritjes së polumbarëve në vendin e ngjarjes, si pasojë e distancës së madhe nga bregu i lumit si dhe si pasojë e reshjeve të mëdha dhe kushteve atmosferike jo të mira, nuk u bë i mundur nxjerrja e mjetit nga ujërat por u bë identifikimi i targës së mjetit, e cila është AA 655 GB. Pas verifikimit të targës, rezultoi se mjeti i përkiste 30-vjeçarit Ismet Karaj, banues në fshatin Librazhd Katund. Nga deklarimet e marra familjarëve të çiftit, rezulton se dy bashkëshortët ishin nisur drejt Tiranës ku do të kërkonin shtëpi me qera pasi kishin vendosur të jetonin në kryeqytet. Mësohet se dy viktimat Ismet Karaj, 30 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Albina Hunçi, 19 vjeçe, kishin një fëmijë të vogël 1-muajsh.
Karaj erdhi nga Greqia
30-vjeçari Ismet Karaj kishte vendosur të largohej nga emigrimi në Greqi për t’iu bashkuar familjes së tij në Librazhd, ku së bashku me gruan kishin planifikuar që pas rikthimit nga Greqia të nisnin jetën në Tiranë. Për këtë ata kishin vendosur të udhëtonin në drejtim të Tiranës, me qëllim gjetjen e një shtëpi me qera, por që fati nuk ishte me ta, për shkak se të dy bashkëshortët janë gjendur të mbytur në ujërat e lumit Shkumbin. Personi që ka bërë identifikimin e makinës, ka qenë kunati i Ismet Karajt, i cili i ka konfirmuar policisë se mjeti që ndodhej në mes të ujërave të lumit Shkumbin, i përkiste kunatit të tij. Makinën ai e njihte shumë mirë, pasi dy ditë më parë, ai ka qenë së bashku me Ismet Karajn në Elbasan, ku dhe kanë bërë targimin e automjetit me targat e reja. Që në mesditën e djeshme trupat e pajetë të dy bashkëshortëve kanë qenë pjesë e mortit në dy familjet, ndërkohë që ceremonia e varrimit të tyre do të kryhet ditën e sotme.
24 orë
Për rreth 24 orë me radhë dy trupat e pajetë të çiftit Karaj kanë qëndruar në ujërat e lumit Shkumbin, ndërkohë që falë edhe kërkimeve të rreth 100 banorëve të fshatit, është bërë gjetja e trupit të 19-vjeçares dhe më pas bashkëshortit të saj Ismet Karaj.
Punonjësi i një lavazhi mori plumba në trup
Burrel, tentojnë të vrasin hasmin,
plagosin gabimisht adoleshentin
Një 18-vjeçar ka mbetur i plagosur rastësisht dje në qytetin e Burrelit, pasi është qëlluar me armë zjarri. Burime nga policia bëjnë me dije se është plagosur 18-vjeçari Besian Nuzi, punonjës në një lavazh, ndërkohë që në shënjestër të atentatit ka qenë një person tjetër. Menjëherë i plagosuri është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Burrelit, ku po merr edhe ndihmën mjekësore, ndërkohë që policia ka filluar hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sipas burimeve, kanë qenë dy persona që mendohet se kanë qëlluar në drejtim të një personi tjetër, por plumbat kanë marrë 18-vjeçarin, i cili ishte duke punuar në një lavazh shumë afër vendit të krimit. Sipas bluzave të bardha, 18-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që ngjarja në fjalë është konsideruar nga policia si një atentat ndaj një personi tjetër, për shkaqe hasmërie. Gjatë hetimeve të kryera është marrë në pyetje edhe personi që ka qenë objektiv i shënjestrës së autorëve të krimit, por në fakt ai nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë e Burrelit, duke treguar se nuk kishte arritur të shihte asnjë nga personat që qëlluan me armë zjarri, teksa ai ndodhej në rrugë.
Ngjarja, tri ditë më parë përballë Muzeut Kombëtar
Kreu i AKU-së aksidenton me makinë një
kalimtare, policia nis hetimet ndaj Gjergjit
Kreu i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Artan Gjergji, është përfshirë në një aksident në qendër të Tiranës, ku e plagosur ka mbetur një shtetase. Aksidenti mësohet se ka ndodhur tri ditë më parë, por policia e Tiranës ka bërë të ditur lajmin ditën e djeshme. Ngjarja ka ndodhur në qendër të Tiranës përballë Muzeut Kombëtar. Drejtori i AKU-së, Gjergji, po udhëtonte me mjetin e tij me targa TR 5003 T në momentin që ka përplasur shtetasen G. Pëllumbi. Nisur nga kjo situatë, drejtori i AKU-së akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, ndërsa mësohet se po procedohet në gjendje të lirë. Këmbësorja e aksidentuar ka marrë ndërkaq ndihmën shëndetësore të nevojshme dhe se është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku edhe ka marrë ndihmën e shpejtë. Ndërkohë, lidhur me këtë aksident automobilistik është shoqëruar në policinë e Tiranës shtetasi Artan Gjergji, i cili ka deklaruar se ka qenë një pakujdesi e tij, por edhe për shkakun e vetë kalimtares, e cila i ka ndërprerë rrugën, në të cilën ai ishte duke ecur me makinë. Pas marrjes së dëshmisë së Gjergjit dhe vetë të plagosurës, shtetases G. Pëllumbi, është vendosur që ndaj drejtorit të AKU-së hetimet të zhvillohen në gjendje të lirë ndaj, duke mos u marrë asnjë masë sigurimi ndaj tij në gjykatë. Vetë Gjergji ka shfaqur pendesë për aksidentin e kryer, ndërkohë që, sa mësohet pranë bluzave të bardha, ai është paraqitur edhe në spital, ku është interesuar për shëndetin e të dëmtuarës G. Pëllumbi.