20 urbanë të rinj për Kombinat – Kinostudio

0
198

Blerta Mrishaj

urbanDeri në fund të vitit, operatori do të sjellë edhe 16 autobusë të rinj, duke e çuar numrin e përgjithshëm të mjeteve në shërbim të udhëtarëve të linjës Kombinat – Kinostudio në 36

 

Linja Kombinat – Kinostudio nis vendosjen e 20 autobusëve të rinj. Bashkia e Tiranës ka përzgjedhur operatorin e ri që do të ofrojë shërbimin me autobus me kapacitet secili prej 100 vendesh, që do t’u vihen në shërbim qytetarëve, menjëherë sapo të përfundojnë procedurat e licencimit. Deri në fund të vitit, operatori do të sjellë edhe 16 autobusë të rinj, duke e çuar numrin e përgjithshëm të mjeteve në shërbim të udhëtarëve të linjës Kombinat – Kinostudio në 36.

Vendosja

Në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës sqarohet se pas vendosjes së autobusëve të rinj, bazuar edhe në kontratën e nënshkruar, do të ketë edhe një orar, ku përcaktohet se gjatë stinës së verës nga ora 5:00 deri në orën 24:00 dhe gjatë dimrit nga ora 5:30 deri në orën 23:00. “Bashkia e Tiranës do t’u ofrojë udhëtarëve që përdorin transportin publik të linjës Kombinat – Kinostudio, një shërbim të ri me standarde të larta, duke i dhënë përfundimisht fund një trashëgimie të hidhur të transportit në këtë linjë”, – thuhet në njoftimin zyrtar të bashkisë.

Linja

Linja Kombinat – Kinostudio është e vetmja linjë e transportit qytetas e paprivatizuar dhe e vetmja që ofron shërbimin më të dobët për kryeqytetasit. Një pjesë e xhamave të autobusëve janë të thyer, dyshemeja e tyre është e çarë vende-vende dhe karriget në gjendjen më të keqe të mundshme. Pluhuri është gjithashtu shoqërues i udhëtimit të qytetarëve. Ky ka qenë një prej shqetësimeve të evidentuara edhe nga qytetarët. Ndërkohë, një problem tjetër i kësaj linje është mosdhënia e pagave për punonjësit. Janë mbi 200 të punësuar, të cilët nuk kanë marrë pagesën mujore prej 5 muajsh. Linja e autobusëve Kombinat – Kinostudio është nën administrimin e Bashkisë Tiranë dhe është e vetmja linjë e transportit urban në Tiranë me kapital shtetëror. Kjo linjë ka 19 stacione të miratuara me vendimin e Bashkisë së Tiranës. Numri mesatar i mjeteve në punë në ditë është rreth 20 autobusë.

Situata

Linja Kombinat – Kinostudio për shumë qytetarë shkakton stres, ku përveç gjendjes tejet të amortizuar të autobusëve, shtohet edhe vonesa në stacione, ku duket se janë kthyer në normalitet, pra ka raste që qytetarët presin edhe 20 minuta në stacion, tashmë nuk ndalojnë fare. Të shqetësuar nga kjo situatë, në një debat me drejtues të autobusëve është nënkuptuar se ata nuk ndalojnë, pasi shumica e njerëzve është e pajisur me abone. Autobusët e Kinostudio – Kombinatit janë relikte shëtitëse të pasviteve ‘90. Dikur ishin fizarmonikat e bardha me të kuqe si dhe Saviemat, teksa tani rezistojnë ende portokallinjtë. Është ora që legjendat të ruhen në muze, ndërsa sipas udhëtarëve, për të moshuarit dhe fëmijët dhe banorët e dy lagjeve më të njohura të Tiranës të gjallojë e qeshura e modernitetit të lëvizjes në transportin publik, të paktën në cilësinë e lartë të teknologjisë kineze.

 

 

Kodi Penal

Fyerjet në Facebook dhe forume për gay-t e lesbiket do të dënohen dy vjet

Fyerjet në Facebook apo komentet online apo shkrime fyese në media ndaj komunitetit LGBT tashmë përbëjnë vepër penale që dënohet me burg! Është pjesë e ndryshimeve të Kodit Penal, të mbështetura dhe nga qeveria. Ja disa pjesë të këtyre ndryshimeve që pritet të votohen në Parlament: “Neni 119/a shpërndarja e materialeve raciste, homofobike ose ksenofobike nëpërmjet sistemeve të teknologjisë së informacionit e komunikimit. Ofrimi në publik ose shpërndarja e qëllimshme publikut, nëpërmjet sistemeve të teknologjisë së informacionit e komunikimit, e materialeve me përmbajtje raciste, homofobike ose ksenofobike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”. Ndërsa neni 119/b ndryshohet si më poshtë vijon thuhet: “Fyerja me motive raciste, homofobike ose ksenofobike nëpërmjet sistemeve të teknologjisë së informacionit e komunikimit. Fyerja e qëllimshme publike, nëpërmjet sistemeve të teknologjisë së informacionit e komunikimit, që i bëhet një personi, për shkak të përkatësie etnike, kombësisë, racës, fesë ose orientimit seksual përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”.