Atentat para derës vritet balerina në prani të bashkëshortit

0
187

Elton Qyno

sonila-tafa-225x300Sonila Tafa qëllohet me dy plumba, shkak, sherri mes dy grupeve në disko

Policia: Tafa ishte kliente e “Dream City”, festonte me disa miq dhe burrin

 

Një plumb në kokë i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme një balerine, që ndodhej duke festuar së bashku me burrin e saj dhe disa shoqe në diskotekën “Dream City”, që ndodhet pranë mbikalimit të Kamzës. 26-vjeçarja Sonila Tafa (Dervishi), e cila banonte në Tiranë me bashkëshortin e saj, pasi të dy prindërit ishin divorcuar disa vite më parë, është qëlluar me plumba automatiku në orën 03:30 të mëngjesit të së shtunës, teksa ishte duke dalë nga dera e jashtme e diskotekës, së bashku me burrin dhe shoqet e saj. Pikërisht në këtë moment, një breshëri automatiku është dëgjuar nga xhamat e një makine dhe më pas mjeti është larguar me shpejtësi në drejtim ende të paditur. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, mendohet se kanë qenë dy persona që kanë marrë pjesë në krim, të cilët u kanë ngritur pritë në dalje të diskotekës. Në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës, thuhet se autorët të këtij krimi tashmë janë identifikuar, por në fakt, asnjëri prej tyre nuk është arritur të arrestohet deri në mbrëmjen e djeshme. Në vendngjarje janë sekuestruar vetëm gjashtë gëzhoja të automatikut, të cilat janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore, ndërkohë që nga këqyrja e trupit të pajetë të 26-vjeçares, ekspertiza konstatoi se balerina është vrarë me 2 plumba, njërin prej të cilvëe e ka marrë në kokë dhe tjetrin në trup. Gjatë ditës së djeshme, disa prej familjarëve të Sonila Tafës u shprehën se në atentat është plagosur edhe një shtetase tjetër, shoqe me Sonilën, por një gjë të tillë strukturat e policisë nuk e kanë konfirmuar.

Sherri brenda në diskotekë

Viktima Sonila Tafa (Dervishi) kishte përfunduar studimet e larta në Akademinë e Arteve, për balerinë. 26-vjeçarja, sipas burimeve të policisë, nuk ka qenë balerinë në diskotekën “Dream City”, por në këtë klub nate viktima ka qenë si kliente së bashku me bashkëshortin e saj dhe katër vajza të tjera. Pasi kanë qëndruar disa orë nën shoqërinë e tingujve të muzikës, bashkëshorti i Sonila Tafës ka filluar një debat me disa persona të tjerë, të cilët herë pas here ngacmonin gjatë kërcimit gruan e tij, Sonilën, por edhe vajzat e tjera, të cilat nuk ndodheshin vetëm, por të shoqëruara me meshkuj të tjerë. Nisur nga kjo situatë, mes dy tavolinave ka lindur një debat, që më pas është shoqëruar me përplasje fizike mes të pranishmëve. Nisur nga kjo situatë, kanë ndërhyrë rojat e sigurisë të diskotekës, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e konfliktit. Për të lënë të qetë klientët e tjerë, truprojat kanë vendosur të nxjerrin jashtë të dyja palët, me argumentin se ishin persona të padëshirueshëm në diskotekë, pasi krijonin gjendje kaotike dhe shqetësonin klientët e tjerë. Për pasojë të parët që kanë dalë kanë qenë autorët e krimit, të cilët janë larguar me shpejtësi nga diskoteka dhe kanë shkuar të marrin një automatik. Pasi kanë marrë armën e krimit, autorët janë pozicionuar afër daljes së jashtme të diskotekës dhe kanë qëndruar aty në pritje deri në momentin e daljes së bashkëshortit të Sonila Tafës dhe grupit të vajzave, që shoqëronin çiftin. Sapo ata kanë dalë në derën e jashtme, një breshëri automatiku është dëgjuar rreth orës 03:30 në zonë, ku e vdekur në vend ka mbetur shtetasja Sonila Tafa, ndërkohë që mësohet se e plagosur lehtë ka mbetur një shoqe e viktimës, por policia nuk jep asnjë detaj rreth kësaj. Menjëherë autorët janë larguar me makinë në drejtim të paditur, duke mos u arrestuar deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

Prindërit e divorcuar

Pas kryerjes së ekspertizës mjekoligjore, trupi i pajetë i balerinës Sonila Tafa është çuar në banesën e babait të saj, që ndodhet shumë afër me poliklinikën nr. 10, tek Shkolla e Bashkuar. Sipas banorëve të zonës, dy prindërit e 26-vjeçares janë divorcuar disa vite më parë dhe Sonila kishte zgjedhur të banonte me nënën e saj. Ndërkohë, motrën tjetër e kishte marrë babai, Riza Tafa. Pikërisht ky i fundit kishte hapur dyert e shtëpisë së tij, për të pritur njerëzit për ngushëllime, ndërkohë që motra e saj dhe babai, i kanë qëndruar për gjatë gjithë kohës mbi kokë Sonila Tafës, derisa arkivoli me këtë të fundit ka dalë nga pragu i shtëpisë për t’u përcjellë më pas në varrezat e Tufinës. Gjendja në familjen Tafa ka qenë tepër e rënduar, për shkak edhe të moshës tepër të re të Sonilës. Kjo e fundit kishte pak vite që ishte martuar dhe nga sa mësohet bashkëjetonte me burrin e saj, i cili, fatmirësisht, në këtë atentat, nuk ka marrë asnjë lëndim nga plumbat e nxjerrë nga automatiku.

 

Shumë persona kritikojnë në faqen e Facebook-ut klubin e njohur

Kritika për masat e sigurisë, reagon “Dream City”

Ishim “OK”, fundjavën tjetër nisim ahengun në disko

Lidhur me ngjarjen e rëndë të vrasjes së 26-vjeçares në dyert e diskotekës, ka reaguar edhe administrata e “Dream City”, e cila ka njoftuar se për shkak të këtij rasti të rëndë, ka anuluar të gjitha aktivitetet, duke i rifilluar ato në fundjavën tjetër. Në reagimin e bërë në rrjetin social Facebook, “Dream City” shmang përgjegjësinë nga vetja, duke pohuar se tashmë këtë ngjarje ua ka lënë organeve të rendit me qëllim investigimin e ngjarjen në fjalë.“Si pasojë e një ngjarjeje të rëndë që ka ndodhur jashtë ambienteve të godinës së “Dream City” dhe për shkak të hetimeve që po kryen nga organet e ruajtjes së rendit si dhe organet hetimore, eventi i organizuar për mbrëmjen e shtunë është anuluar. Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj mbi situatën e krijuar duam t’ju informojmë gjithashtu që programi i “Dream City” do të vazhdojë rrjedhën normale duke nisur nga fundjava e ardhshme”-thuhen në publikimin e Facebook-ut. Pas këtij publikimi shumë komente fyese dhe ofenduese kanë shkuar në adresën të klubit të natës, ku shumë persona kanë kritikuar mungesën e sigurisë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të kësaj diskoteke. Për më tepër njerëzit i ka acaruar më shumë fakti se “Dream City”, pas kësaj vrasjeje, njofton njerëzit për anulimin e festës për ditën e shtunë, dhe rifillimin e ahengut të tërbuar në ditët e fundjavës së ardhshme. Nisur nga kjo situatë, në faqen e Facebook të “Dream City”, është publikuar një njoftim tjetër në të cilën thuhet: “Të nderuar miq, në respekt të peshës së rëndë të kësaj situate, do t’ju luteshim që komentet tuaja të jenë më të moderuara dhe të mos i japim ushqim urrejtjes mes njëri-tjetrit, pavarësisht përkatësisë krahinore apo diferencave të tjera. Për sa i përket përgjegjësisë së “Dream City” në këtë ngjarje të rëndë, duam t’ju sigurojmë që janë respektuar në mënyrë maksimale të gjitha rregullat dhe standardet nga stafi i sigurisë. Në mënyrë të menjëhershme, situata e krijuar brenda ambienteve është menaxhuar me profesionalizëm dhe personat në fjalë janë larguar jashtë ambienteve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur jashtë ambienteve të “Dream City”, aty ku stafi i sigurisë nuk mund të ndërhyjë, pasi nuk e lejon ligji një gjë të tillë si dhe pa lënë kohën e duhur për të njoftuar organet e rendit publik, për të menaxhuar këtë situate që u përshkallëzua në mënyrë të pa parashikueshme. Ju lutemi që të na mbështesni me mirëkuptimin tuaj”, – thuhet në njoftimin e publikuar në rrjetin social Facebook.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency