Gëzim Saliu
Marrëveshja me LSI-në dhe formula e bashkëpunimit pritet të sjellin debate mes PS-së dhe aleatëve të saj
Në fillim të javës së ardhshme pritet të zhvillohet tryeza e radhës mes PS-së dhe aleatëve të saj, ku do të vendoset përfundimisht formula e bashkëpunimit mes partive që do të bëjnë pjesë në koalicionin e majtë. Zhvillimet e fundit politike, kryesisht aleanca PS-LSI, si edhe kërkesat e të vegjëlve të majtë për t’u përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë të partisë më të madhe opozitare, pritet të sjellin debate të forta mes palëve.
Takimi
Pas tryezës së fundit të zhvilluar me aleatët e koalicionit opozitar, ku kryesocialisti Rama paraqiti draft-formulën e bashkëpunimit mes PS-së dhe forcave të majta, në takimin e fillimjavës pritet që krerët e partive të vogla të mblidhen e të firmosin marrëveshjet e bashkëpunimit para dhe pas elektoral, të cilat do të përvijohen me marrëveshjet dypalëshe mes forcës më të madhe opozitare dhe secilës parti që do të marrë pjesë në koalicionin e majtë. Por në këtë pikë pritet të ketë përplasje mes Ramës dhe aleatëve të tij, ku sërish krerët e partive të vogla, kryesisht ato të drejtuara nga aleatët tradicionalë të socialistëve, do të këmbëngulin në kërkesën e tyre për përfshirjen e emrit në listat e kandidatëve të PS-së. Nga ana tjetër, edhe në rast se kreu socialist do të hedhë poshtë këtë kërkesë, aleatët e majtë, sipas burimeve pranë këtyre partive, kanë përpiluar një sërë propozimesh specifike lidhur me formulën e bashkëpunimit, kryesisht propozime të cilat kërkojnë më shumë transparencë dhe meritokraci. Po ashtu, një tjetër mundësi në këtë kontekst, mbetet edhe largimi i tyre nga koalicioni i majtë, për t’u bërë pjesë e një poli të mundshëm të tretë. Ndërkohë, një tjetër çështje “e nxehtë” që pritet të jetë në qendër të diskutimit në tryezën e Ramës me krerët e 34 partive të koalicionit të majtë, është marrëveshja e fundit e arritur mes PS-së dhe LSI-së. Një pjesë e mirë e aleatëve të forcës më të madhe opozitare kanë shprehur hapur kritikën lidhur me këtë bashkëpunim. Kundërshtitë e aleatëve lidhen kryesisht me ngjarjet e ndodhura në demonstratën e opozitës më 21 janar si edhe për faktin se ata e cilësojnë LSI-në si forcën që “tradhtoi” të majtën dhe bashkëpunoi me PD-në për interesa pragmatiste. Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, bëri të ditur dje në një takim me strukturat e kësaj partie në Gjirokastër se për koalicionin parazgjedhor që Partia Socialiste bëri me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ka rezerva të mëdha. “Duhet të pyeteshin dhe partitë aleate. Koalicionet janë si kameleonët, që ndryshojnë ngjyrën sipas stinëve. Nuk mund të harrohet 21 janari”, – tha Milo. Ndërkohë, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, mbetet kundërshtari kryesor nga krerët e partive të majtë sa i përket aleancës më të re mes PS-së dhe LSI-së. “PSD është e bindur se asnjë shqiptar i ndershëm, asnjë i majtë nuk mund të mashtrohet me nga kjo lojë e LSI-së dhe nuk mund të gabojë më ta japë votën për LSI-në, që më pas të përdoret kundër tyre”, – ka pohuar ai. Tri javë më parë, kreu socialist mblodhi krerët e partive të vogla, aleate të PS-së, të cilave u paraqiti projekt-platformën për bashkëpunimin elektoral dhe paselektoral. Kjo draft-marrëveshje parashikon formulën sipas së cilës shifra minimale për kontribut në qeverisjen në rang qarku shkon nga marrja e 500 votave deri në 1000, ndërsa për pushtetin qendror dhe atë lokal lista fillon nga 5000 vota deri në 10.000 vota
Formula
Në rang qarku partitë aleate duhet të marrin 500 deri në 1000 vota
Në pushtetin qendror partitë aleate duhet të marrin nga 5000 deri në 10.000 vota
Ministri
Për të marrë drejtimin e një ministrie, aleatët duhet të sigurojnë 20 mijë vota
PBDNJ: Ftesa nga të dyja kampet, së shpejti marrim vendimin
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të dalë së shpejti me një qëndrim për aleancën e mundshme parazgjedhore. Kreu i kësaj partie, Vangjel Dule, nga Korça ka bërë të ditur dje se ka marrë ftesë nga të dyja forcat e mëdha politike, PS e PD, dhe kryesia e partisë së tij është duke i marrë ato në shqyrtim. “PBDNJ ka marrë ftesë bashkëpunimi nga të dyja kampet e mëdha politike. Së shpejti do të jemi në pozitat që t’i komunikojmë opinionit publik edhe qëndrimin tonë përfundimtar”, – tha Dule. Për sa i përket votimit të tri ligjeve, Dule ka garantuar se partia që ai drejton, do t’i votojë ato sapo të mbërrijnë në Parlament, pavarësisht nga qëndrimi i partive të tjera. “Pavarësisht se çfarë do të bëjnë forcat e tjera politike, PS apo çfarëdo force tjetër, në çdo moment që do të vijnë ligjet që lidhen me procesin e integrimit në proces votimi në Parlament nuk do të ketë as më të voglin hezitim votë pozitive”, – deklaroi Dule. Lidhur me incidentin e një dite më parë në Komisionin e Jashtëm, për rezolutën çame dhe largimin nga komisioni, Dule është shprehur se forca që ai drejton nuk do të bjerë pre e askujt që ka për qëllim, sipas tij, që jetën politike ta kthejë në rrugaçëri politike.
Përplasja
Vorpsi: Rama manipuloi 21 janarin. Kreu i PS-së: E gjora ime Laura, do të të shpëtoj pas 23 qershorit
Konferenca në Elbasan, Rama: Programi nuk lëviz asnjë presje, Blushi: Bashkimi, i domosdoshëm
Gëzim Saliu
Demonstrata e 21 janarit është rikthyer sërish në qendër të debatit politik mes PS-së dhe PD-së. Ndikuar edhe nga marrëveshja e fundit mes forcës më të madhe opozitare me LSI-në, kanë rinisur sërish përplasjen mes tyre. Siç ndodhi edhe pak javë më parë, kreu socialist Edi Rama ka replikuar me zëdhënësen e PD-së, e cila më parë nëpërmjet një deklarate për shtyp se me qëndrimin e tij të fundit, kryesocialisti bëri të ditur se demonstrata e 21 janarit nuk kishte në qendër të saj moralin, por pragmatizmin politik. “Dy ditët e fundit, Edi Rama e dëshmoi fare qartë me sqarimin e detyruar që nxitoi të bënte për 21 janarin, se puçi i dështuar i 21 janarit nuk është për të një çështje drejtësie, parimi apo morali, por është vetëm një çështje politike, pjesë e strategjisë së tij. Ai provoi edhe një herë se pasi dështoi në marrjen e pushtetit me dhunë, dështoi totalisht dhe në manipulimin e neveritshëm të tij. Faktoi se shamia në surrat nga familjarët e viktimave nuk do t’i shqitet ndonjëherë atij, gjersa drejtësia shqiptare të thotë fjalën e saj për të si një organizator të dhunës për pushtet në të cilën humbën jetën katër viktima të sjella prej tij për të përmbysur qeverinë me dhunë. Me deklaratën e tij të djeshme ai u faktoi haptas shqiptareve se i vetmi manipulator i kësaj ngjarjeje fatkeqe është Edi Rama”, – u shpreh Vorpsi. Ndërkohë, nga Elbasani, gjatë prezantimit të programit të PS-së, lidershipi socialist i është përgjigjur zëdhënëses së PD-së jo me pak ironi, duke theksuar: “Sot e gjora ime Laura doli për të qarë në emër të urdhëruesve të vrasësve të 21 janarit, për 21 janarin. Unë do t’i thosha nga këtu, mos u mërzit Laura, 23 qershori do t’i hapë rrugë drejtësisë për 21 janari, por do të të shpëtojë edhe ty, edhe Partinë Demokratike nga përgjegjësi më i madh i 21 janarit”.
Konferenca
Partia Socialiste prezantoi dje në qytetin e Elbasanit programin e saj “Për një rilindje shqiptare”, ku kryesocialisti Rama siguroi mbështetësit e PS-së se aleanca parazgjedhore me LSI-në do të bëjë të mundur mbrojtjen e votës më 23 qershor. Lideri i opozitës tha se koalicioni opozitar do të forcohet edhe më tej, ndërsa nënvizoi se zotimet dhe parimet e programit të PS-së nuk do të lëvizin asnjë presje. “Sot jemi koalicion më i madh, bashkimi ynë me LSI ka ndryshuar vetëm një gjë. Sot vota e fitores sonë është më e mbrojtur nga vjedhja, ndërsa Saliu dhe familja e tij janë më të vetmuar në humbjen e tyre. Por koalicioni ynë do të jetë më i madh deri ditën kur do të regjistrohet për të hyrë në zgjedhje”, – u shpreh Rama. Më tej në fjalën e tij, lideri i opozitës ftoi qytetarët të votojnë për PS-në, pasi, siç tha ai, socialistët do të rilindin shpresën dhe dinjitetin e çdo personi. “Ne nuk do të bëjmë mrekullia, por ne do ta rilindim Shqipërinë. Kujt fjala rilindje i duket si një blasfemi, këtu bëhet fjalë për të rilindur shpresën, duke rilindur dinjitetin e çdo personi. Ndryshimi mes nesh dhe atyre është se për ata qytetarët janë zgjedhës, për ne socialistët qytetarët janë njerëz”, – u shpreh Rama. Ndërkohë, deputeti socialist Ben Blushi, i cili kryeson listën e deputetëve të PS-së në Elbasan, theksoi se bashkimi me LSI-në ishte i domosdoshëm. “E majta është bashkuar. Të gjithë atyre që mendojnë se kjo ishte një gjë jo shumë e nevojshme apo për disa e panevojshme, unë u them se ishte e nevojshme, ndoshta e domosdoshme. E shkuara nuk ka pse të na mbajë më peng. Duke u bashkuar do jemi më shumë, më të fortë dhe sigurisht fitues”, – tha Blushi.
Koalicioni PS-LSI, Ayala në Tiranë, takim me Ramën e Metën
Pas vizitës së zëvendëspresidentit të parë të Parlamentit Evropian, Gianni Pittella, ditën e sotme viziton Tiranën, sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala. Në kuadër të marrëveshjes së fundit mes PS-së dhe LSI-së, Ayala pritet të zhvillojë takime të ndara me kreun e PS-së, Edi Rama, dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, pritet të takohen në orën 09:30 dhe më pas pritet edhe një konferencë e përbashkët për mediat. Më pas, në orën 10:30, është parashikuar takimi me kryetarin e PS-së, Edi Rama, në selinë rozë.