Një herë e një kohë ishte vendbanimi i qindra minatorëve gjermanë, të cilët kërkonin fatin në shkretëtirën e Namibisë. Por, thuajse 100 vjet pasi arriti kulmin e lulëzimit dhe zhvillimit, Kolmanskopi është kthyer sot në një qytezë fantazmë që dita-ditës po përpihet nga rëra. Fotografë dhe turistë kureshtarë mblidhen për të parë ish-shtëpitë gjermane teksa zhyten pak nga pak në shkretëtirë. Qyteza u ndërtua dhe u braktis brenda 40 vitesh, ndërsa për dekada të tëra u la në harresë në mes të shkretëtirës. Shtëpitë, dikur hijerënda, me kalimin e kohës u shkatërruan nga era ndërsa dunat dalëngadalë po i mbushin ato me rërë. Në vitin 1980, kompania “De Beers” ndërtoi një muze për të ruajtur një pjesë të historisë së Kolmanskopit. Tani turistët vijnë për të parë ndërtesat e rikonstruktuara e për të shëtitur midis shtëpive të braktisura. Kolmanskopi u themelua në fillim të viteve 1900, kur u zbuluan diamante mbi sipërfaqen e shkretëtirë.