7 milionë euro për bulevardin dhe lumin e Tiranës, vendos sot Këshilli Bashkiak

0
179

Blerta Mrishaj

keshilliKryebashkiaku Basha kthehet nga Katari, konfirmohet financimi

Në axhendë, sot në mbledhje do të diskutohen 6 vendime

 

 

Granti prej 7 milionë eurosh dhënë nga Emiri i Katarit pritet të marrë miratimin sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. E vendosur e para në rendin e ditës, bashkia kërkon të bëjë të mundur çeljen e fondit për të hapur fazën e parë të punimeve. Sakaq, burime zyrtare brenda bashkisë bëjnë të ditur se ka mbërritur në Tiranë kryebashkiaku Lulzim Basha pas një udhëtimi të kryer dy ditë më parë në Katar. Gjatë qëndrimit atje, Basha është takuar me krerë të lartë të shtetit, teksa ka siguruar edhe një herë tjetër mbështetjen për vazhdimin e projekteve të bashkisë.

Vendimet

Zyrtarisht, pika e parë e vendosur për diskutim është çelja e grantit për nisjen e punimeve për zgjerimin e bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës. Qeveria e Katarit ka ofruar një grant prej 7 milionë eurosh për financimin e këtij projekti që mban firmën e studios “Grimshaw Architects” LLP, e cila fitoi konkursin ndërkombëtar. Në projektvendimin e propozuar nga Bashkia e Tiranës, përcaktohen detyrimet financiare që rrjedhin nga ky grant. Bashkia do të ketë për detyrim lehtësimin e procedurave dhe praktikave që do të aplikohen gjatë zbatimit të projektit. Po kështu duhet të mbulojë të gjitha taksat direkte dhe indirekte, si dhe taksat doganore që aplikohen sipas legjislacionit shqiptar. Po kështu, bashkia do të përzgjedhë supervizorin për mbikëqyrjen e punimeve të këtij projekti deri në realizimin e tij. Në mbledhjen e sotme bashkia ka nisur një tjetër vendim për përcaktimin e kritereve dhe procedurat për kriteret e përzgjedhjes së bankës së nivelit të dytë, e cila do të lëvrojë fondin prej 1 milion eurosh. Nga ky fond do të përfitojnë të gjithë të rinjtë deri në 35 vjeç që duan të hapin një biznes. Sot gjithashtu këshilli do të diskutojë edhe katër projektvendime të tjera si: projektvendimi për “Miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2014-2016”; “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 8, datë 12.10.2011 për “Miratimin e Strukturës organizative të aparatit të Bashkisë së Tiranës” (i ndryshuar)”; “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 17, datë 28.2.2013 mbi “Politikën e decentralizimit të disa kompetencave ligjore pranë organeve të njësive bashkiake të Tiranës si dhe një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 20, datë 30.4.2007 “Për kalimin e disa kompetencave njësive bashkiake dhe një ndryshim në numrin e punonjësve të njësive bashkiake dhe Drejtorisë së Përgjithshme nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit” (i ndryshuar)”; “Miratim dhënie ambienti në përdorim Shoqatës Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar “Shpresa për Jetën”, me destinacion për qendër sociale”.

Votimi

Por ajo çka pritet me interes në këtë mbledhje është votimi, ku sigurisht me ndryshimet e fundit të koalicionit qeveritar, largimi i LSI-së drejt PS-së, mund të sjellë rrjedhje votash apo mosvotim nga ana e anëtarëve të kësaj force në Këshill Bashkiak. Gjithçka mbetet për t’u parë gjatë mbledhjes së sotme.

 

 

1 milion euro

Për të rinjtë që hapin biznes nën 35 vjeç

Të rinjtë nën 35 vjeç që hapin biznes, do të mund të përfitojnë garanci për dhënie mikrokredie dhe kredie për biznesin e vogël dhe të mesëm. Bashkia e Tiranës ka përgatitur projektvendimin që do t’i paraqitet për miratim Këshillit Bashkiak, duke hapur kështu konkursin për përzgjedhjen e bankave të nivelit të dytë. Fondi i Garancisë është një skemë, e cila do të ndihmojë të rinjtë nën 35 vjeç që hapin ndërmarrje të vogla apo të mesme. Përmes fondit bashkia hyn garante për kreditim të bizneseve të suksesshëm, të vogël dhe të mesëm në kryeqytet. Muaj më parë, gjatë konsultimeve me qytetarët për projektbuxhetin 2013, kryebashkiaku Lulzim Basha qe shprehur: “Për të nxitur këto institucione kreditimi që të shohin projektet e të rinjve ne i vëmë në dispozicion këtë fond garancie, i cili do menaxhohet me transparencë të plotë. Detyra e këtij fondi është të vëmë ritëm të shpejtë dhe të kreditojë ndërmarrje të reja të nisura nga rinia e kryeqytetit”. Në këtë mënyrë synohet të krijohen 1 mijë, 2 mijë apo 3 mijë biznese të reja të suksesshme, që punësojnë 4 mijë, 6 mijë, 8 mijë apo 10 mijë të rinj.

 

Ministria e Shëndetësisë

Dorëhiqet Pipero, kthehet mjek tek Infektivi në QSUT

Pëllumb Pipero, drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, ka paraqitur dje dorëheqjen. Në një letër të hapur, Pipero ka sqaruar arsyet e marrjes së këtij vendimi, duke theksuar se nuk e cilëson veten si viktimë të prishjes së koalicionit PD-LSI. Ai thekson se dorëheqja e tij nga detyra vjen në kohën e duhur, duke shtuar se do të vijojë të punojë në profesionin e tij si mjek në QSUT. “Unë sot (dje), në mirëkuptim të plotë me ministrin e ri të Shëndetësisë, mjekun e njohur dhe mikun tim dr. Halim Kosova, vendosa të jap dorëheqjen nga një përgjegjësi që më dha kënaqësinë dhe përgjegjësinë t’u shërbej më mirë qytetarëve, por edhe të bashkëpunoj me ju. Me këtë rast i uroj dr. Halimit suksese, duke i premtuar se edhe jashtë ekipit të tij unë vazhdoj ta ndiej veten pjesë të ekipit. Duke mos e konsideruar veten si “viktimë” të prishjes së një koalicioni deri tani shumë funksionues, të përligjur e të suksesshëm, por ndoshta jo të natyrshëm, e vlerësoj dorëheqjen time si një akt më se normal, që vjen në kohën e duhur dhe njëkohësisht më krijon mundësinë dhe me jep privilegjin të vazhdoj t’u shërbej qytetarëve si mjek në shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT dhe studentëve si pedagog. Dëshiroj të falënderoj dy ministrat shumë të suksesshëm paraardhës të Shëndetësisë, z. Vasili dhe z. Tavo, me të cilët kam punuar e ndarë përgjegjësitë e zbatimit të një reforme bashkëkohore në shëndetësi. Gjej rastin të falënderoj stafin e mrekullueshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe dhjetëra e mijëra bluzat e bardha në mbarë vendin për kontributin e tyre të çmuar në shërbim të qytetarëve. Më lejoni që përmes jush të falënderoj qytetarët shqiptarë për mirëkuptimin e tyre, por edhe t’ju kërkoj ndjesë për ndonjë problem që nuk kemi mundur t’jua zgjidhim në kohën e duhur. Gjithashtu falënderoj qeverinë shqiptare dhe në veçanti Kryeministrin Berisha, të cilët e konsideruan sektorin e shëndetësisë prioritet, dhe pa kujdesin e të cilëve shëndetësia shqiptare nuk do kishte arritur standardet e sotme, shume prej të cilave të krahasueshme me vendet e zhvilluara evropiane”, – shkruan Pipero.