Bashkia, për romët strehim e shkollim në Breg të Lumit

0
175

Blerta Mrishaj

tabakuNënkryetarja Tabaku: Është një nismë e qëndrueshme, që ne më në fund po ofrojmë arsimimin dhe strehimin për këtë komunitet, i cili ka pasur shumë vështirësi në integrim

 

 

Pranë Bregut të Lumit, në një prej zonave të Tiranës me numrin më të lartë të komunitetit rom, do të nisë ndërtimi i banesave sociale dhe një shkollë. Falë një projekti të Bashkisë së Tiranës me Bashkimin Evropian, do të bëhet i mundur arsimimi dhe strehimi për këtë komunitet, i cili ka pasur shumë vështirësi në integrim. Lajmi është dhënë nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, dje në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, gjatë panairit artizan mbajtur në rrugën “Murat Toptani”.

Projekti

Në këtë panair, artizanë romë dhe nga rajone të ndryshme të vendit do të prezantojnë punimet e tyre, si shprehje e traditave dhe kulturës së këtij komuniteti. Në ceremoninë e hapjes së këtij panairi, zv.kryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, ka lançuar nismën e përbashkët me BE-në për rikualifikimin urban të dy zonave të populluara nga komuniteti rom në njësitë bashkiake 4 dhe 8. Pjesë e rikualifikimit është edhe ndërtimi i banesave sociale për këtë komunitet dhe një shkollë të integruar me kopshte dhe çerdhe. “Ne, bashkërisht me Delegacionin e Bashkimit Evropian, kemi një projekt i cili së shpejti fillon të zbatohet, rehabilitimi dhe rikualifikimi urban i dy blloqeve në njësinë nr. 4 dhe 8, ku pjesa më e madhe e përfituesve dhe banorëve janë pikërisht nga komuniteti rom. Kësaj zone, të cilën unë e kam parë personalisht (pranë Bregut të Lumit) do t’i shtohet një shkollë që është tërësisht e dedikuar për komunitetin rom, do t’i shtohen banesa sociale, totalisht për komunitetin rom dhe kjo krahas përpjekjeve që Bashkia e Tiranës ka në mënyrë të vazhdueshme për mbështetjen e këtij komuniteti. Është një nismë e qëndrueshme, që ne më në fund po ofrojmë arsimimin dhe strehimin për këtë komunitet, i cili ka pasur shumë vështirësi në integrim”, – u shpreh znj. Tabaku.

Romët

Komunitetet rome në periferi të Tiranës vuajnë prej vitesh nga një papunësi dhe varfëri ekstreme, ndërsa ndihma e shoqërisë për ta duket shumë e largët. Shumica e fëmijëve dhe të rriturve deri në 30 vjeç nuk dinë shkrim dhe lexim. Ata braktisin shkollën, sepse punojnë për të mbijetuar. Punësimi i fëmijëve romë është një dukuri masive. Mbi 80 për qind e romëve jetojnë duke shitur mbetje të riciklueshme metalike dhe plastike. Pjesa dërrmues e romëve janë të papunë, por e duan punën; janë të pashkollë, por e duan shkollën; janë pa profesione, por rrethanat e vështira i shtyjnë vetëm drejt luftës për mbijetesë. Bashkia e Tiranës ka filluar dy vitet e fundit të ndihmojë diçka për të lehtësuar hallet pa mbarim të komunitetit rom. Bashkia ka hapur një zyrë për mbrojtjen e pakicave dhe kundër diskriminimit të tyre. Vetë romët universitarë kanë hyrë në administratën e bashkisë së kryeqytetit, po hartojnë projekte zhvillimi për komunitetin e tyre. Vetëm në Tiranë jetojnë mbi 12 mijë romë në Yzberisht, Allias, Laprakë, Shkozë dhe periferi të tjera të mjera. Informacione të pjesshme jozyrtare vlerësojnë se rreth 25 për qind të banorëve romë nuk janë të regjistruar në gjendjen civile. Në regjistrimin e fundit të popullsisë, përfaqësues të komunitetit rom besojnë se janë regjistruar vetëm një pjesë e vogël e tyre. Janë regjistruar vetëm 8 mijë romë, ndërsa mendohet jozyrtarisht se ata janë rreth 7-8 herë më shumë se aq. Zgjidhja e këtyre halleve është sfida kryesore e çdo administrate.

 

8 prill

Dita Ndërkombëtare e Romëve

Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë rome, traditave dhe kulturës ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale. Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin për sfidat me të cilat përballen komunitetet romë në gjithë botën. Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë mbajtur në prill të vitit 1971.

 

 

Projektet

Shoqatat: Problem destinacioni i fondeve

Dje, në ditën ndërkombëtare të tyre, organizatat shqiptare të romëve kërkuan që të përfaqësohen në Parlament dhe në institucionet vendimmarrëse, si dhe të bëhet transparencë se ku zhduken fondet e huaja dhe shqiptare, që ndahen për nevojat e komuniteteve të tyre të varfra. “Shumë deputetë shkojnë në barakat e tyre një herë në 4 vjet për të kërkuar vota, por pastaj i braktisin krejtësisht votuesit e tyre romë”, – thanë ata. Kryetari i Unionit të Romëve të Shqipërisë, Skënder Veliu, tha se “në Parlament asnjëherë nuk ka deputet rom që të flasë për të drejtat e tyre dhe kjo çështje asnjëherë nuk diskutohet as nga deputetët e tjerë”. Nga ana tjetër, ai thotë se ka dyshime të shumta për keqpërdorimin e fondeve miliona euro që ndahen nga Bashkimi Evropian dhe shteti shqiptar e që nuk mbërrijnë kurrë tek të romët e varfër. Edhe pse ka mbi 20 shoqata rome dhe dhjetëra të tjera jorome që merren me ta, komuniteti rom jeton në një varfëri të thellë, me mungesa të mëdha ushqimore dhe shëndetësore, ndërsa pjesa dërrmuese e romëve kanë mbetur prej 4 brezash, nga stërgjyshi e deri tek nipat, pa shkollë, pa punë, pa strehim.

 

 

BE

Sequi: Po përjashtohen nga jeta sociale

Romët në Shqipëri rrojnë në kushte të vështira që i përjashtojnë nga jeta sociale. Në Javën Botërore të Romëve, kreu i Delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, tha se ky komuniteti do ta fitojë këtë betejë vetëm kur të gjitha institucionet dhe shoqëria të respektojë të drejtat e tyre. “Një pjesë e madhe e romëve jetojnë në kushte nënnjerëzoren. Kushtet e vështira bëjnë që ata të ndjehen të përjashtuar. Përjashtimi social duhet të luftohet dhe kjo luftë do të fitohet kur të respektohen të drejtat e njeriut. Romët janë një komunitet nga më të përfshirët në axhendën e Bashkimit Evropian dhe ata po mbështeten vazhdimisht me fonde, për të ndjekur shkollat dhe të integrohen në shoqëri me të drejta të barabarta”, – tha Ettore Sequi, ambasador i BE-së. Kryetari i Unionit të Romëve, Skënder Veliu, foli edhe për arsimimin e tyre, pasi të paktën 40 për qind e fëmijëve romë braktisnin shkollat. “Dikur, në vitet e para të demokracisë, 92 për qind ishte braktisja nga shkolla, sot ne renditemi gati 42 për qind sipas statistikave që disponojmë”, – tha Skënder Veliu, kryetar i Unionit të Romëve. Për të ekspozuar vlerat kulturore të këtij komuniteti, në Tiranë u mbajt edhe një panair me punime artizanale. Ky mëngjes ishte ndryshe edhe për Elvirën, nënë e tre fëmijëve. Por më pas, gjatë ditës ajo thotë se do të vazhdojë ritualin e përhershëm të lypjes që të sigurojë ushqim. Organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut renditën edhe probleme të tjera me të cilat përballet komuniteti rom. Shumë nga ta nuk kanë një banesë të sigurt, por jetojnë në çadra. Ndërsa mosregjistrimi i tyre në regjistrin e gjendjes civile i privon ata nga e drejta për të përfituar shërbime mjekësore dhe arsimore.