Sonja Caka
Policia: Ndue Kolçi ishte i dehur e i gjakosur në momentin e shoqërimit, u vetëvar me rripin e pantallonave. Nis hetimi dhe inspektimet për zbardhjen e ngjarjes
Vetëvaret në ambientet e komisariatit nr. 3 një efektiv i policisë private. Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e vdekjes së 50-vjeçarit, ndërsa mësohet se edhe SHKB ka nisur verifikimin për gjetjen e përgjegjësive për këtë rast të rëndë të ndodhur brenda një ambienti shoqërimi. Sipas burimeve policore, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:00 në të gdhirë të ditës së djeshme, përkatësisht vetëm 10 minuta pasi polici që ruante ambientet e shoqërimit i kishte dhënë një cigare për të pirë, pas kërkesës së vetë viktimës. Nga të dhënat e para të policisë mësohet se viktima Ndue Kolçi ishte gjetur në Laprakë, në tokë, dhe i gjakosur, rreth orës 21:00 të së mërkurës, pas një sinjalizimi në sallën operative. Me vete i ishte gjetur edhe një pistoletë, që pas verifikimit rezultoi lodër. Policia bëri me dije se Kolçi nuk kishte dhënë shpjegime se çfarë i kishte ndodhur që ndodhej në atë gjendje, ndërsa për pistoletën lodër, e argumentonte se e mbante vetë. Po të njëjtat burime bënë me dije se Kolçi ishte dërguar në Spitalin Ushtarak, ku kishte marrë mjekim për plagët, ndërsa nga informacionet që u morën në vendngjarje u mësua se ishte rrëzuar për shkak të gjendjes së dehur. Policia sqaron se Kolçi ishte vendosur në sallën e pritjes dhe jo në ambientet e shoqërimit, për shkak të gjendjes që ishte dhe ishte mbajtur në vëzhgim derisa ishte qetësuar. Megjithatë, edhe pse i ishte nënshtruar kontrollit, ku iu gjet dhe arma lodër, policët e ambienteve të shoqërimit nuk i kishin hequr atij rripin e pantallonave, të cilin do e përdorte më vonë për vetëvarjen. Trupi i pajetë i 50-vjeçarit u dërgua në morgun e Tiranës për bërjen e autopsisë, ndërsa mësohet se SHKB-ja nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Reagimi zyrtar i policisë
Policia e kryeqytetit ka sqaruar zyrtarisht ngjarjen e vetëvarjes së 50-vjeçarit Ndue Kolçi në ambientet e komisariatit nr. 3 në Tiranë. “Sot rreth orës 03:40, është gjendur i vetëvarur shtetasi i shoqëruar në ambientet e pritjes së komisariatit të policisë nr. 3 Tiranë Ndue Kolçi, 50 vjeç, me banim në Tiranë”. Policia sqaron se ky shtetas është gjetur i shtrirë në rrugë dhe i gjakosur në gjendje të dehur. Ai është shoqëruar në komisarit për verifikime. “Shërbimet e Policisë së këtij komisariati, pas marrjes së një informacioni se në qendër të Laprakës gjendet i shtrirë dhe i gjakosur një shtetas, menjëherë ka shkuar një Patrullë e Policisë, e cila i kanë dhënë ndihmën e parë duke e dërguar atë në Spital Ushtarak. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, shtetasi Ndue Kolçi është shoqëruar në ambientet e pritjes së komisariatit, pasi ishte në gjendje të dehur dhe me vete i është gjetur një pistoletë (ku pas verifikimeve nuk ishte armë zjarri). Shoqërimi është kryer, me qëllim për verifikime të mëtejshme nëse ky shtetas, ishte i dëmtuar nga një vepër penale apo autor i saj”, thuhet në deklaratën e policisë. Viktima dyshohet se është vetëvarur duke përdorur rripin e pantallonave në ambientet e pritjes së komisariatit. Strukturat e kompetente janë duke kryer hetime të mëtejshme për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Po sipas policisë, “përgjatë qëndrimit në ambientet e pritjes në komisariat, nga oficeri i policisë, janë kryer procedurat standarde të mbikëqyrjes së tij, por duhet të theksojmë se në këto ambiente, lejohet që një shtetas të mbajë sende personale si: celular, syza, orë, unaza, lidhëset e këpucëve, rripi i pantallonave etj, heqja e të cilave nga Policia do të përbënte shkelje të lirive dhe të drejta të njeriut”.
Pukë
Vrau fqinjin, arrestohet 32-vjeçari Çoku
Policia e Pukës ka vënë në pranga një 32-vjeçar, banues në fshatin Gojan i Madh të rrethit Pukë, pasi ishte shpallur në kërkim, për veprën penale “Vrasje me dashje”, ngjarje kjo e ndodhur në nëntor të vitit të kaluar. Burime zyrtare nga policía e Shkodrës bëjnë të ditur se kapja dhe arrestimi i shtetasit të shumëkërkuar, Palok Çoku, u bë e mundur në fshatin Gjadër Lezhë. Sipas policisë, 32-vjeçari Çoku dyshohet se keqtrajtoi dhe vrau fqinjin e tij, Dodë Prenga, 51 vjeç. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 8 nëntorit të 2012-s, në vendin e quajtur Gjethbajë në fshatin Gojan të Pukës. Sipas policisë, që prej mbrëmjes së krimit, 32-vjeçari Çoku fshihej në vende të ndryshme, ndërsa gjatë natës së të enjtes është arrestuar në një zonë të pabanuar. Dyshohet se vrasja e Dode Prengës në kullotë erdhi pas konfliktit për territoret e mbledhjes së predhave të shpërthyera pranë reparteve ushtarake në Gjegjan të Pukës. Prej vitesh banorët bënin kërkime për mbetjet e pas trazirave të vitit 1997 dhe pasi i mblidhnin këto hekurishte, i shisnin për skrap.
Tepelenë
Identifikohet si Arget Shehu, trupi i pajetë i gjetur në lumin e Vjosës
Policia e qytetit jugor të Tepelenës ka zbardhur identitetin e një kufome të gjetur më herët në lumin Vjosë. Sipas burimeve policore lokale, kufoma i përket shtetasit Argent Shehu, zhdukja e të cilit ishte denoncuar rreth një javë më parë nga familjarët. Burimet shtojnë se kufoma e 23-vjeçarit është identifikuar nga motra e tij, në morgun e spitalit të qytetit. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se trupi i pajetë i 23-vjeçarit u gjet nga disa fëmijë dhe menjëherë u nis nga puna për identifikimin e tij. Policia po heton për zbardhjen e vdekjes së 23-vjeçarit.
Tiranë
Vjedhja e kazinosë, arrestohet 27-vjeçari Brako
Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 27-vjeçari, i dyshuar si autori i vjedhjes së një kazinoje në kryeqytet. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se falë një pune operative disa mujore u bë e mundur të vihet në pranga Erion Brako, 27 vjeç, banues ne Tiranë, i ndaluar për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë” e kryer në bashkëpunim. Sipas burime policore, 27-vjeçari dyshohet se ka realizuar vjedhjen me dhunë dhe nën kërcënimin e armës te kazinoja “Admiral”, ngjarje e ndodhur në rrugën “Ferit Xhajko”, më datë 29 dhjetor 2012. Për këtë person kishte një urdhër ndalimi nga organi i akuzës së kryeqytetit, ndërsa materialet hetimore ju kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.
Greqi
Trafiku i fëmijëve, kapen dy gra dhe një burrë duke kaluar drejt Greqisë 5 fëmijë romë
Policia greke ka ndaluar në kufi dy gra, shoferin e automjetit dhe pesë fëmijë, këta të fundit me lidhje gjaku mes tyre dhe të komunitetit rom, të cilët po udhëtonin drejt shtetit fqinj të Greqisë. Sipas burimeve, mësohet se kjo makinë kishte tentuar të kalonte ilegalisht kufirin shqiptaro-grek. Mjeti drejtohej nga një shtetas shqiptar 55 vjeç, ndërsa në makinë mësohet se ndodheshin 1 burrë, 2 gra dhe 5 fëmijë të moshës 2-8 vjeç, këta të fundit të komunitetit rom dhe pa asnjë lidhje gjaku me të rriturit. Policia greke e ka pikasur mjetin në Kallpaq, pranë Kakavijës. Mësohet se mjeti kishte kaluar nga kufiri i gjelbër, ndërsa në Janinë i priste një tjetër person. Po sipas të njëjtave burime, shtetasit shqiptarë kishin kaluar nga kufiri i gjelbër, ndërsa në Kallpaq i priste një bashkëkombas i tyre. Sipas policisë, dyshohet se dy gratë dhe drejtuesi i automjetit kanë lidhje me një rrjet trafikimi, ndërsa po kërkohet bashkëpunim me homologët shqiptarë për identifikimin e 5 fëmijëve.