Kategoria Superiore, për fituesen dhe “ngelëset” nuk ka më dilema

0
3313

 

Altin Vorpsi

 

skenderbeuSkënderbeu i afrohet titullit të tretë radhazi, pasi mundi dje Besën, 2-0. Ndërkohë, në fund Shkumbini, Luftëtari, Tomori dhe Apolonia kanë “prerë” biletën për në Kategorinë e Parë

 

Takimet e javës së 22-të të Kategorisë Superiore kanë forcuar edhe më shumë bindjet e skuadrave që ndodhen “në skajet” e tabelës së klasifikimit. Kryesuesit e saj, Skënderbeu, me fitoren që morën dje, kanë thelluar edhe më shumë diferencën me ndjekëset. Ndërkohë, katër skuadrat e fundit kanë koleksionuar barazime dhe humbje. Këto rezultate pothuajse i kanë nisur drejt Kategorisë së Parë.

 

Kampionët

Skënderbeu përballej me Besën pas dy ndeshjesh zhgënjyese. Kështu, triumfi 2-0, me gola të Souzës dhe Fagut, merr vlera edhe morale, përveçse bën që kuqebardhët ta prekin titullin e tretë radhazi në Shqipëri. Pas barazimit 1-1 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë me Bylisin, skuadra kampione në fuqi u mund 1-0 në “Qemal Stafa” nga Tirana, por për të ka vlejtur “e treta e vërteta”. Duke ditur se kishte nevojë urgjente për reflektim, në të kundërt mund të kompromentohej edhe kreu, skuadra korçare është paraqitur ndryshe para rreth 6 mijë tifozëve juglindorë. Pa e nënvlerësuar aspak Besën, që ka treguar rritje të konsiderueshme në lojën e saj, e shoqëruar edhe me rezultate pozitive (edhe pse verdhezinjtë bëjnë pjesë në zonën e kuqe të mbijetesës), kuqebardhët e kanë pasur një sy dhe një vesh nga gjysmëfinalja e kupës, të mesjavës së ardhshme me Bylisin. Kavajasit donin të përsërisin atë që bënë në Vlorë, por kjo ishte në dorën e juglindorëve, ndaj të cilëve ishin vënë edhe ultimatume nga presidenti Takaj për të bërë kthesë të menjëhershme. Në të kundërt ndëshkimet ishin gati. Josa e kishte konsideruar kyçe në rrugën drejt titullit kampion këtë sfidë, pasi i druhej vijimit të “rënies së lirë” të dy ndeshjeve të shkuara. Për të, fitorja e Skënderbeut ishte më e rëndësishme sesa rrëshqitja e kundërshtarëve. 3 pikët në javën e 22-të e bëjnë thuajse punë të kryer fitimin e titullit, por gjithashtu shërbejnë edhe si rritje e moralit për ndeshjen e kupës. Ndërkohë që sa i përket kavajasve ato vinin nga një formë mjaft të mirë. Besa vinte në këtë takim pas 3 fitoreve dhe një barazimi me Flamurtarin. Si rrallëherë në këtë kampionat, Daiu e kishte të plotë grupin për transfertën bardhekuqe, ku pjesë e grupit qenë edhe Poçi, Mihani, Emihazeri, por as kjo nuk vlejti, sepse verdhezinjtë u kthyen duarbosh nga qyteti juglindor, duke iu gëzuar barazimit të Shkumbinit në Fier, pa i pasur tepër të kompromentuara shanset e mbijetesës.

 

“Ngelëset”

Të premten, Luftëtari dhe Tomori nisën shkëputjen e madhe, ndërkohë që dje e përfunduan atë Apolonia dhe Shkumbini. Fierakët, edhe pse kanë rënë matematikisht një kategori më poshtë, kanë dëshmuar kësaj here se nuk do të falin asnjë. Duke pritur në Fier një skuadër që rrezikon seriozisht të njëjtin fat, ndoshta kishte menduar ta merrte atë me vete që këtë javë. Shkumbini s’e ka gjetur shtruar në “Loni Papuçiu”, përkundrazi, ka dalë së andejmi me një barazim pa shumë vlera për nevojat jetike që ka për pikë, çka e dërgon atë edhe më tepër drejt Kategorisë së Parë. Fati e kishte sjellë që Shkumbini ta luante njërën prej transfertave të mbetura të këtij kampionati në një situatë të tillë, ndaj një kundërshtari pa asnjë objektiv, me shpresa të shuara përfundimisht, por kjo ka dhënë efektin e kundërt. Goli i Dushkut, realizuar në fund të pjesës së parë, është barazuar nga Sekseni në minutën e 83-të, por jo sa për t’u rregulluar punë peqinasve, që janë praktikisht në të Parën, edhe pse jo ende matematikisht.