Sonja Caka
Viktima është vjehrri i kryemyftiut Boriçi, autori i dyshuar, një person me probleme mendore. Vrasja e Shemsi Muçës, fillimisht u dyshua për vetëvrasje
Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar për vrasjen e 86-vjeçarit të therur dy ditë më parë në xhaminë e Dushkut në Lushnje. Policia e Lushnjes ka vënë në pranga 38-vjeçarin Arjan Alla, i cili rezulton të jetë një person me probleme mendore. Sipas policisë, vrasja ka ndodhur pas një sherri mes viktimës dhe autorit Alla. Fillimisht u dyshua për një vetëvrasje, por kanë qenë disa detaje shtesë të ardhura nga autopsia dhe disa dëshmi që kanë drejtuar hetimet në pistën e vrasjes dhe duke rrëzuar atë të vetëvrasjes. Për këtë arsye, policia e Fierit ka shoqëruar 7 persona, ndërsa ka gjetur edhe armën e ftohtë me të cilën është kryer krimi. Bëhet fjalë për një biçak, i cili është çuar për ekspertizë dhe pritet që të zbulohen në të gjurmët e autorit të krimit të ndodhur brenda një vendi të shenjtë. Fillimisht u dyshua për një vrasje të ndodhur për hakmarrje ndaj dhëndërrit të viktimës, kryemyftiut të Lushnjes, Tomorr Boriçi, por tashmë do të jetë dëshmia e autorit të dyshuar Alla që do sqarojë edhe motivet e vrasjes së të moshuarit. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur banorët e Dushkut dhe krejt zonës përreth.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e dy ditëve më parë brenda në ambjentet e xhamisë së Dushkut në Lushnje. Besmitari Muça kishte shkuar rreth orës 15:30 në xhami dhe është gjetur disa orë më vonë me thikë në fyt. Policia raporton se viktima ishte goditur edhe në trup, kurse sipër kraharorit ishte vendosur ora dhe unaza. Kryemyftiu i Lushnjes Tomor Boriçi, i cili është edhe dhëndri i viktimës, ka deklaruar se vrasja është goditje edhe për xhaminë. Një ditë pas krimit të rëndë, policia ka identifikuar si autor Arjan Allën, 38 vjeç, i cili dyshohet se krimin e ka kryer pas një sherri me të moshuarin. Dëshmitari i parë në vendin e ngjarjes ishte një tjetër besimtar që po shkonte të falej në xhami, Xhelo Beqiri. Ai ka deklaruar për policinë se kishte parë të parë të largohej me vrap nga xhamia një person në moshë të re. Pasi gjeti të mbuluar me gjak bashkëfshatarin e tij, Beqiri lajmëroi fillimisht kryemyftiun dhe ky i fundit policinë. Fillimisht ngjarja u klasifikuar si vetëvrasje, ndërsa pas autopsisë dhe disa dëshmive të rëndësishme, hetimet janë përqëndruar në pistën e vrasjes.
Konfliktet
Disa përplasje shumëvjecare mes kryemyftiut të Lushnjes dhe disa besimtarëve kanë shënuar një konflikt të hapur për çështjen e xhamisë së Dushkut. Besimtarët e kanë akuzuar hapur kryemyftiun për dyshime në financime, mbi të gjitha për ndërtimin e xhamisë ku ndodhi vrasja. Madje, kryemyftiu Tomorr Boriçi edhe është dhunuar nga persona ende të paidentifikuar, ndërsa për shkak të këtyre përplasjeve ka hedhur dyshime se vjehrrin e tij e kanë vrarë dhe nuk është vetëvrarë.
Antimafia
Krimet e Rënda hetojnë pasurinë e Hoxhës, i njohur me nofkën “Arroganti”
Pas operacionit të disa ditëve më parë, ku shtatë persona u vunë në pranga për kryerje të aktivitetit kriminal në prostitucion dhe drogë, Krimet e Rënda kanë nisur hetimin e pasurisë së vendosur në Shqipëri për shkak të këtij aktiviteti. Në sitën e Krimeve të Rënda, në bazë të ligjit “Antimafia” do të kalojë pronat e shtatë të arrestuarve, si dhe ato të kapos së tyre, Oliver Alias Dritan Hoxha i njohur me disa pseudonime, por që për autoritetet e drejtësisë italiane njihej si “Arroganti”. Kjo nofkë, sipas dosjes hetimore, i është vënë për shkak të sjelljes së tij karshi rivalëve të trafikut dhe dhunës që ushtronte ndaj vartësve. Nga grupi hetimor bëhet me dije se janë të gjithë të rinj, por në fakt super-ekspertë në shfrytëzimin për prostitucion dhe trafikun e narkotikëve, kryesisht të heroinës dhe kokainës. Madje, edhe mjaft të pasur në para, nëse është e vërtetë ajo që ka treguar e dashura e kapos Dritan hoxha, Matilda Boja, 22 vjeçe, e njohur me pseudonimin Gogla dhe e arrestuar në Varese. I dashuri i saj Dritan Hoxha, 32 vjeç, i njohur me nofkën “Arroganti” ose “Tani”, “Toni”, “Robi”,”Majkol/Mika/Majku” ose “Diploma”,, sipas Matildës, kishte blerë tri apartamente në Durrës në Shqipëri, një ndërmarrje bujqësore dhe një fshat turistik. Nën urdhërat e “Arrogantit”, sipas hetimeve italiane, kanë qenë 34 persona, të cilët tashmë janë arrestuar në 6 shtete të Evropës dhe rezulton që kanë lidhje gjaku e shoqërore me njëri-tjetrin. Kjo lidhje familjare, ka bërë që rrjeti kriminal të funksionojë për disa vite në Itali, Holandë, Belgjikë, Francë. Zvicër e Spanjë, ku të ardhurat e këtij krimi mendohet se janë investuar në Shqipëri nga vëllezërit Hoxha nga Librazhdi. Kjo pasuri, tashmë i është nënshtruar hetimit nga Prokuroria për Krime të Rënda në bazë të ligjit Antimafia. Në gjurmët e këtij trafiku ndërkombëtar, sipas hetimeve, drejtësia italiane ka rënë rastësisht, pas arrestimit të një shtetase rumune, e cila ishte shfrytëzuar për prostitucion. Ajo ka pranuar të tregojë rrjetin e prostitucionit të drejtuar nga Oliver Alias, Dritan Hoxha, që më pas hetuesit kanë zbuluar rrjetin e sofistikuar të kokainës, heroinë dhe ekstazit në vendet e BE-së. Për llogari të këtij grupi, janë arrestuar 34 persona. 7 janë arrestuar në Shqipëri dhe 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, 12 persona janë arrestuar në Itali, 6 të tjerë në Belgjikë, 3 në Zvicër dhe një në Spanjë e një në Holandë. Edhe pas arrestimit të Dritan Hoxhës, nga burgu i Milanos, ka arritur të drejtojë trafikun deri në momentin e arrestimit të të gjithë grupit më 10 prill në disa vende të Evropës me ndihmën e Prokurorisë për Krime të Rënda, Eurojustit dhe Europolit.
Dibër
Vrau dy policë në Itali, arrestohet Aleks Lica
Një 43-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Dibrës, pasi për të ka ardhur një mandat arrest ndërkombëtar nga Italia, si i akuzuar për vrasjen e dy policëve në Frosinone. Uniformat blu kanë vënë në pranga 43-vjeçarin Aleks Lica, i cili u arrestua në orët e vona të mbrëmjes së të premtes në komunën Shupenzë të Dibrës, në kuadër të operacionit të koduar “Cereneçi”. Tashmë do të jetë Gjykata e Dibrës ajo që do të vendosë mbi kërkesën e palës italiane për ekstradimin e tij drejt shtetit fqinj të Italisë. Organi i akuzës do të paraqesë para gjykatës provat e ardhura nga pala italiane, ku provohet akuza e vrasjes së dy policëve në Frosinone të Italisë. Do të jetë gjykata e Dibrës ajo që do të vendosë në bazë të dosjes së ardhur nga Italia nëse do të pranojë ose jo ekstradimin. Ndërkohë, pritet që sot 43-vjeçari Lica të dalë para Gjykatës për t’iu caktuar masa 40 ditore deri në përfundim të procedurave të ekstradimit.