Rama: “Kam frikë nga vota e Kosovarëve”

0
203

Konferenca në Kosovë

rqamaKreu i PS: Kundër nacionalizmave. Vetëvendosja bojkoton: Bashkimi me Metën, tradhti

 “Berishën në Kosovë e ngatërrojnë me Skënderbeun, Koalicioni PS-LSI rruga e vetme për marrëdhëniet me ju”

“Shpresoj të mos vini për të votuar në Shqipëri me 23 qershor”, batutë të bukur gjeti Edi Rama për të mbyllur një takim të sforcuar në Prishtinë, ku kishte vajtur me misionin e tij tashmë të pamundur për t’u bërë i pranueshëm në Kosovë. E mbylli takimin e tij me 40 vetë, duke shprehur frikë. Pse i druhet Rama votës së kosovarëve. Sigurisht, ata nuk do të votojnë në këto zgjedhje, por pavarësisht kësaj, Rama e di se nuk e gëzon pëlqimin e tyre. Në fakt e nisi me mirësjellje, me përvujtëni takimin në Prishtinë. E pabesueshme për të gjithë ata që e dinë se sjellja e Ramës është krejt larg të qënit normale. Por në fund , kujdesi i tepruar e la, dhe ai nxorri në skenë portretin e tij të vërtetë. “Shpresoj te mos vini për të votuar në Shqipëri me 23 qershor”, dhe iu drejtuar atyre të prënishmëve që supozohet se kanë shkuar aty me dëshirën e tyre, pra që mund të kenë ndonjëfarë simpatie për z.Rama. Por ai ka sërish frikë. Në fakt, si elektoralo-fob që është e shpreh kudo. Ka frikë nga vota e të rinjve, ka frikë nga vota e kosovarëve, ka frikë nga vota në përgjithësi. Pastaj doli se kishte vajtur atje jo vetëm për të rigjeneruar figurën e tij dhe të PS-së, pasi tashmë dihet se ai është një anemik në raportet me Kosovën dhe me rajonin në përgjithësi, por dhe për t’iu thënë prishtinalinjve në sy të vërtetën për Sali Berishën, se kush është ai.  “Sali Berisha nuk është Skenderbeu, se shpesh e ngatërroni me të”, shpalli Edi Rama duke bërë që të gjithë ata që e panë live në ekrane këtë shoë, të pulisnin fort qepallat për zbulimin e madh. Si kështu more, nuk qenkërka Sali Berisha, Skenderbeu! Nuk mbarojnë këtu zbulesat. Rama e pa vetë dhe e tregoi faqe botës. “Mirë bëri që e bëri Sali Berisha rrugën e kombit, ne nuk kemi qënë kundër”, tha ai. Por shtoi se pjesa kosovare e rrugës së kombit, qenka më e mirë, me më shumë standarte.  Në fakt, është e njëjta kompani që e ka bërë rrugën, kompani që zbaton të njëjtat standarte kudo ku punon. Po nuk pati asnjë moment përzierje apo sekëlldie kur tha se nuk ka qënë kundër rrugës. Të pafundme janë akuzat e tij për rrugën. E ka quajtur të panevojshme, shpenzim të tepërt, një investim që nuk ia vlen, një projekt që nuk sjell fitim, etj, etj. Ka zhurmuar PS-ja me vite kundër kësaj rruge, dhe ai vetë ka qënë në krye të kësaj propaganda. Sot, na del se paska qënë gjithnjë pro-rrugës. Lista e cudirave është e gjatë. Më shumë do të habitemi me këtë kandidat të pashoq për kryeministër, i cili tani ka filluar të bëjë edhe toën-hall si të kryeministrit, dhe në fund ankohet se PD e kopjon atë.

 

Takimi

Nga ana tjetwr, kreu socialist Rama ka theksuar se PS është kundër nacionalizmave të cilët të çojnë drejt destabilitetit në rajon. “Shqipëria nuk mund të predikojë fandatazëm e vjetër të nacionalizmit. Shqipëria është faktor stabiliteti në rajon. Pikërisht se pati politikë të jashtme në harmoni me BE dhe SHBA gjithnjë në mbrojte të Kosovës por kurrë e nxituar në sulm ndaj Serbisë cështja nuk u pa si nacionaliste terriitoresh, si e tillë s’do ishte zgjidhur kurrë dhe s’do kishte marrë mbështetjen e BE”, tha Rama.

 

Kundërshtia e VV

Qëndrimi i PS-së për nacionalizmin dhe kryesisht aleanca e fundit me LSI-në, kanë qenë dy ndër arsyet kryesore që partia e drejtuar nga Albin Kurti, Vetëvendosja, të refuzojë ftesen e kreut të PS-së, Edi Rama për të marrë pjesë në konferencën “Shqipëria, Kosova dhe Rajoni pas 23 Qershorit”. “Lëvizja Vetëvendosje! përmes një komunikimi publik të kohës, ka bërë të ditur qëndrimin e saj për çka ndodhi në Protestën e 21 janarit 2011 në Tiranë, pas vrasjes së katër protestuesve. Aso kohe theksonim, siç theksojmë ende edhe sot se në institucionet e shtetit shqiptar zakonisht i shohim partitë pa popull kurse me 21 janar e pamë popullin pa parti, të zemëruar me pozitën dhe të braktisur nga opozita. Ajo demonstratë tregoi hendekun midis qytetarëve të pakënaqur dhe qeveritarëve të vetëkënaqur, por edhe konfirmoi hendekun tjetër midis popullit dhe opozitës.  Në këtë frymë edhe qëndrimi më i fundit i Partisë Socialiste të Shqipërisë për koalicionin e ardhshëm është i papajtueshëm me vetë atë çka protesta shenjoi. Koalicionet që zbusin apo mënjanojnë këtë frymë nuk janë në shërbim të kombit shqiptar i cili është më i varfëri dhe me papunësinë me të lartë në Evropë përderisa i ka politikanët më të pasur se gjithë kolegët e tyre në Evropë krahasuar me buxhetin e shteteve përkatëse”, thuhej në deklaratën e Vetëvendosjes, ku shtohej se edhe qëndrimi lidhur me nacionalizmin përbën një tjetër pikë ndarjeje mes kësaj force dhe PS-së. “Ne jemi të shqetësuar nga retorika që po përdoret diku për arsye elektorale, diku për arsye ideologjike e cila njëson nacionalizmin me konservatizmin, anakronizmin e prapambetjen duke deklaruar madje se nacionalizmi është primitivizëm. Është e udhës të theksojmë se nuk ekziston “një nacionalizëm”,të cilin të mund ta përdorësh si vend grumbullimi për etiketime negative”. Lidhur me këtë bojkot,  Rama tha se Koalicioni PS-LSI është rruga e vetme për marrëdhëniet me Kosovën. “Albini ka bojkotuar gjithë botën dhe nuk mërzitem. Si intelektual mund të bëjë vetëm gamie të vogla dhe jo të mëdha”.

 

Pangalos: Shqipëria nuk na e ka nevojën

“Shqipëria nuk na e ka nevojën”, kështu shkruan në analizën e tij ish-zëvendëskryeministri dhe ministër i të gjitha qeverive greke të PASOK, Teodoros Pangalos në gazetën “To Vima” e së dielës. Duke iu referuar ngjarjes së vitit 2006, kur pas fitores së Shqipërisë ndaj Greqisë në futboll, pasoi dhuna dhe thirrjet antishqiptare të tipit “Shqiptar, shqiptar, grek nuk bëhesh kurrë!”, Pangalos bën një krahasim të ekonomive aktuale greke dhe shqiptare. Ish zëvendëskryeministri grek i referohet për këtë, një raporti sekret të shërbimit inteligjent amerikan, me të dhëna për ekonomitë e dy vendeve.  “Është e natyrshme që 1 milion shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi donin të festonin fitoren e ekipit të tyre të futbollit në pjesë të ndryshme të Athinës dhe në qytete të tjera, ku u rrahën dhe më pas u arrestuan nga policia. Përse po e kujtoj këtë? Sepse na ra në dorë një raport sekret nga CIA amerikane, me titull “Krahasimi i ekonomive””, u shpreh Pangalos. Më tej ai theksoi se,:  “Papunësia në Greqi arrin 24% dhe vendi është i 172-ti në botë, ndërkohë që Shqipëria shënon vetëm 13% të papunë dhe është në vendin e 133. Investimet në kapital fiks në Greqi janë 10% të PBB, ndërsa në Shqipëri arrijnë 25% të PBB. Shqipëria ka një defiçit buxhetor vjetor -3.3%, ndërsa Greqia lufton që të qëndrojë në -9.5% dhe këtë vit lëviz në deri -15%. Borxhi i Shqipërisë është 60% i PBB ndërsa ai i Greqisë 161% i PBB. Shqipëria është në vendin e 47 në botë për borxhin, ndërsa Greqia në vendin e 3-të”, vëren politikani i lartë grek, referuar raportit në fjalë.  Pangalos e mbyll duke thënë: “Shqipëria po i plotëson të gjitha kushtet formale për të hyrë në euro. Ajo ushtron një politikë sistematike e të pavarur për t’u afruar me BE dhe nëse e doni ta them me fjalë të tjera “as që na e ka nevojën fare. Eshtë e vështirë tani të këndoni të njëjtën këngë shoviniste me mospërfillje si në vitin 2006, “Shqiptar, shqiptar, grek nuk mund të bëhesh kurrë””, përfundoi ai.

 

Rama në Petrelë: Kthejmë shkollat në qendra komunitare

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka prezantuar të rinjve të Petrelës, kapitullin për rininë, pjesë e programit “Për një Rilindje Shqiptare”. Kryesocialisti Rama theksoi rëndësinë që do t’i japë qeverisja socialiste reformimit të sistemit arsimor.  “Ne jemi të vendosur që t’i rikthejmë shkollat në qendra komunitare. Ne jemi të vendosur që t’ua kthejmë investimet prindërve tuaj, që sakrifikojnë shumë për ‘ju çuar juve në shkollë. Por njëkohësisht t’ju rikthejmë juve, në fund të këtij rrugëtimi, investimin e energjive kohës dhe të mundit tuaj për tu pasuruar me dije”, u shpreh kryetari i PS-së. Po ashtu një rëndësi të veçantë Rama i kushtoi dhe detajeve të reformimit të sistemit arsimor, pas zgjedhjeve të qershorit. “Ne jemi të vendosur që t’i kthejmë shkollat në qendra komunitare; t’ua kthejmë investimet prindërve tuaj që sakrifikojnë shumë për t’u çuar juve në shkollë, por njëkohësisht t?u kthejmë juve në fund të këtij udhëtimi investimin e energjive, kohës dhe mundit tuaj”- tha Rama. Kreu i PS-së është ndaluar edhe te mundësia që duhet t’iu jepet të rinjve që jetojnë në fshat, që nëpërmjet punës me tokën të fitojnë dhe të rrisin mirëqenien e tyre. “Toka sot nuk i jep njerëzve që jetojnë në fshat mundësinë që të krijojnë mirëqenie. Ne duam që toka ta bëjë këtë, ashtu siç e bën në të gjitha vendet e Europës, ku nuk ekzistojnë më fshatarët e varfër. Toka është një pasuri e madhe që mund të prodhojë pasuri të mjaftueshme për njerëzit që jetojnë në fshat dhe mund të garantojë vazhdimësinë e një jete normale për gjeneratat e reja të fshatit”, deklaroi Rama.

 

Ndryshon qëndrim për LSI, Milo: Sfidë të mundim Berishën

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo në konferencën e forumit rinor të partisë që ai drejton deklaroi se sfida e opozitës është të çlirojë Shqipërinë nga Berisha. Sipas Milos, partia në pushtet e ka shndërruar korrupsionin në institucion.  “Kemi një mision historik për të realizuar, të shkulim me rrënjë njëherë e mirë regjimin neo-komunist në pushtet dhe dishepullin më të zellshëm dhe më besnik të metodave e të politikave makiaveliste që ka njohur historia postkomuniste në Shqipëri. Atdheu ynë i dashur duhet të çlirohet nga Sali Berisha.”- u shpreh Milo.  Kreu i PDS-së theksoi se ndonëse shqiptarët e kanë kuptuar se rotacioni politik është domosdoshmëri, misioni i opozitës nuk ka për të qenë i lehtë, pasi partia në pushtet përdor të gjitha metodat për të mos e lëshuar atë.  “Opozita duhet të organizojë mbrojtjen e votës së lirë. Kërkesa për të ndryshuar anëtarë të veçantë të KQZ-së me pretekste e sofizma ligjore është vetëm maja e ajsbergut e asaj që mendohet e synohet për të manipuluar zgjedhjet nga zyra kryeministrore. Opozita duhet të kundërshtojë ekspertë ndërkombëtarë, ose të dërguar të posaçëm të institucioneve si OSBE-ja që janë kompromentuar hapur në favor të PD-së në zgjedhjet e kaluara”, u shpreh kreu i PSD-së. Më tej ai e vuri theksin edhe në politikat arsimore të munguara dhe ato të punësimit të të rinjve, të cilët sipas tij përballen me papunësi ekstreme në Shqipëri.