Ançeloti mohon gjithçka, por Runi mund t’i jetë premtuar PSG-së

0
157

Përgatiti Altin Vorpsi

ancelotiTrajneri i PSG-së, Karlo Ançeloti, pretendon se është e pamundur që klubi i tij të blejë sulmuesin e Mançester Junajtidit

 

 

Të bindur për forcën e skuadrës, që në këtë edicion të Champions-it u eliminua pas dy ndeshjesh si e barabartë me Barcelonën, sheikët e Parisit po planifikojnë një investim gjigant në merkaton e verës në afrim, në mënyrë që të jenë favoritë për suksesin në Evropë që në vitin e ardhshëm. Megjithatë, nuk do të ndiqet strategjia e mëparshme e rinovimit të pothuajse të gjithë skuadrës, pasi me shumë yje tashmë në ekip, do të kërkohen vetëm ata 2-3 yje që mund të përmirësojmë me të vërtetë Parisin.

 

Mediat britanike

Sipas tabloidit britanik “Daily Mail”, këtë të martë, parisienët kanë identifikuar si përforcimin e tyre perfekt Uejn Runin. I lënë në stol në disa ndeshje të rëndësishme në këtë sezon, Runi do të preferonte një përvojë të re jashtë Anglisë, pa pretenduar një pagë më të lartë.

 

Gati për gjithçka

Për kartonin e tij sheikët janë të gatshëm të paguajnë deri në 50 milionë euro, çka do të përbënte një marrëveshje fitimprurëse edhe për Junajtidin. “Djajtë” mund të heqin dorë edhe nga një tjetër yll. PSG është e interesuar edhe për një tjetër futbollist të Fergusonit, portugezin Nani.

 

Ançeloti: Më i miri, por PSG s’e blen dot

Trajneri i PSG-së, Karlo Ançeloti pretendon se është e pamundur që klubi i tij të blejë sulmuesin e Mançester Junajtidit, Uejn Runi. Edhe pse në ditët e fundit ka pasur spekulime për të ardhmen e 27-vjeçarit, trajneri i parisienëve nuk e sheh që një gjë e tillë të ndodhë realisht. “Uejn Runi është një prej sulmuesve më të mirë në botë. Mendoj se është e pamundur që PSG ta blejë atë. Ai është një idhull te Mançester Junajtid”, – u shpreh trajneri italian i PSG-së.

 

Leonardo: Lojtarët e mëdhenj i marrim, nëse na paraqitet rasti

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe drejtori sportiv, Leonardo, i cili njëkohësisht u ka hapur rrugën tentativave për të blerë futbollistë të njohur francezë. “Nuk kemi bërë asnjëherë një ofertë për Kristiano Ronaldon, por nuk kam dëgjuar asnjë gjë për Runin apo Kavanin gjithashtu. Nuk përjashtoj mundësinë e blerjeve të mëdha, por vetëm nëse shfaqet rasti i duhur. Më pëlqen ideja që të sjell këtu lojtarë të mëdhenj francezë. Nuk po flas detyrimisht për Benzemanë, por ndoshta për Nasrinë, Riberinë apo Kabajenë. Por nuk di të them nëse është e arritshme dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me ta”, – shpjegoi drejtuesi i PSG-së.

 

 

 

Talenti

Milani, Interi, Reali kërkojnë Kondogbian

Milani dhe Interi kalojnë Realin në luftën për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Seviljes, Gofri Kondogbia, një prej futbollistëve më shpresëdhënës të moshës së tij. 19-vjeçari francez, i cili i është këshilluar Realit prej qendërmbrojtësit Rafael Varan, ka bindur drejtuesit madrilenë për potencialin e tij. Megjithatë, një burim i brendshëm tha të martën për të përditshmen sportive “AS” se ndërsa Reali ka ofruar tetë milionë euro, dy skuadrat milaneze kanë përmirësuar sakaq ofertën e tyre. Sipas këtij burimi, Milani është i pari në listën e blerësve potencialë, pasi ka ofruar për lojtarin 12 milionë euro neto. Nga ana e tij, Interi ka paraqitur një ofertë prej 10 milionë eurosh, plus 30% të vlerës së futbollistit, në një shitje tjetër që mund të ndodhë në të ardhmen. Një prej futbollistëve më të vlerësuar të Seviljes, 19-vjeçari ka me klubin e tij aktual një klauzolë shitje të fiksuar në 20 milionë euro.

 

Gjesti

E dashura e Ronaldos refuzon të grisë fanellën e Mesit

E dashura e Kristiano Ronaldos, fotomodelja Irina Shaik, ka refuzuar mundësinë të hakmerret ndaj rivalit më të egër të partnerit të saj. Gjatë një feste të organizuar në Greqi nga “MTV”, një gazetar vendas i ka ofruar asaj mundësinë të presë me gërshërë fanellën e Barcelonës të Lionel Mesit, por fotomodelja ruse është treguar mjaft korrekte, duke e refuzuar një mundësi të tillë, për të shmangur që një veprim i tillë, ndonëse humoristik, të krijonte tensione të panevojshme në Spanjë, ku rivaliteti mes Realit të Ronaldos dhe Barcelonës së Mesit ka arritur tone shumë të ndezura në këto vite të fundit.

 

Brazil

Nejmari habit Barçën: Nuk më intereson ky klub

Një deklaratë e orëve të fundit ka ndryshuar plotësisht situatën për transferimin e sulmuesit brazilian Nejmar në radhët e Barcelonës. Futbollisti këtë radhë është shfaqur krejtësisht kundër idesë së kalimit në radhët e katalanasve, edhe pse kjo lëvizje përflitet prej kohësh. “Barcelona nuk më intereson. Mund të jetë një klub i madh, por unë ndihem mirë te Santosi. Nuk dua të largohem nga këtu. Jam i lumtur dhe nuk e kam të nevojshme të shkoj në Evropë”, – janë fjalët e sulmuesit të publikuara në shumë faqe interneti sportive në Brazil dhe që kanë bërë shumë bujë në Spanjë, ku pritet me padurim transferimi i tij në radhët e katalanasve. Fjalët e Nejmarit bien në kundërshtim me ato që ka thënë pak ditë më parë një prej përfaqësuesve të tij, Andre Kuri, i cili kishte bërë të qartë se lojtari ishte shumë afër katalanasve, për shkak të interesimit të këtyre të fundit. “Barcelona ka një interes të madh për Nejmarin, ai është në krye të listës së preferencave të kësaj skuadre dhe e di një gjë të tillë. Kur ai të vendosë të largohet nga Santosi, do të jemi të përgatitur”, – ishin fjalët e menaxherit, por që tani janë përgënjeshtruar në mënyrë të bujshme nga lojtari që ka hedhur dyshime për të ardhmen e tij.

 

 

 

Sulmi

Hënse: Do të shohim nëse Platini do të ndëshkojë miqtë e vet

Presidenti i Bajernit të Mynihut, Uli Hënes, i ka bërë thirrje Mishel Platini të tregojë se rregullat që janë vendosur për Fair Play Financiar (FPF) nuk janë kot dhe se klubet e mëdha që i shkelin ato duhen ndëshkuar. “Nëse Platini dëshiron të respektojë fjalën e dhënë, atëherë duhet që në vitet e ardhshme të përjashtojë nga Liga e Kampioneve dy klube të mëdha që të tregojë forcën. Tani ai po i përdor këto rregulla për të larguar një skuadër që nuk ka peshë, Malagën”, tha drejtuesi i Bajernit duke iu referuar implementimit të kësaj rregulloreje dhe faktit që skuadra spanjolle është dënuar me mospjesëmarrjen në sezonin e ardhshëm në Kupat e Evropës pasi ka thyer rregullat e vendosura nga UEFA mbi shpenzime më të larta se fitimet e klubit. Sipas shumë ekspertëve, shembulli i Malagas është përdorur vetëm për t’i mbyllur gojën njerëzve, pasi Platini nuk dëshiron të dënojë klube të tjera të mëdha të cilat bëjnë shkelje edhe më të bujshme se ato të sheikut që zotëron klubin spanjoll. “Jam kureshtar të shoh se si do të veprohet me klubet që shkelin në mënyrë të vazhdueshme këtë rregullore. Do të ndjek me vëmendje se si do të veprojë Platini me miqtë e tij në Paris, Milano apo Angli me Mançester Sitin, në një klub apo një tjetër ku borxhet kanë shkuar në treçerek miliardi euro”, shtoi Hënes. Batuta e drejtuesit gjerman i referohet sidomos faktit se Loren Platini, djali i presidentit të UEFA-s, kohët e fundit është punësuar nga “Qatar Sports Investments”, kompania që ka në pronësi PSG. Klubi parisien ka filluar të nënshkruajë kontrata të dyshimta për të mbuluar shpenzimet absurde të dy viteve të fundit, duke i cilësuara ato paravepruese për të anashkaluar në këtë mënyrë rregulloren e FPF.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency