Atentati ndaj Kokës së betonit hetim konkurrencës dhe kontratave

0
259

Elton Qyno

policiaLuan Koka, drejtori i “Shkodra Beton”, konflikte me firmat për moslikuidim të parave

Prokuroria urdhëron vënien në përgjim të të dyshuarve. Pronari: Pashë autorin kur qëlloi

 

Plagosja e rëndë e administratorit të kompanisë së ndërtimit “Shkodra Beton”, Luan Koka, ka bërë që policia e Tiranës të përqendrojë hetimet në dy pista kryesore. Oficerët e hetimit flasin se atentati mund të lidhet ngushtë me konkurrencën e kompanisë që drejton i dëmtuari ose për shkak të pazareve të prishura lidhur me marrëveshjet e tregtisë. Nisur nga kjo situatë, për këtë ngjarje në pyetje janë marrë edhe disa persona që kanë pasur kontrata ndërtimi dhe përpunimi betoni me kompaninë “Shkodra Beton”, që administrohet nga i dëmtuari Luan Koka dhe ortaku tjetër i tij, shtetasi Aleksandër Gavaçi. Të gjithë personat e pyetur kanë treguar se nuk kanë pasur konflikte me të dëmtuarin, megjithëse këta persona, sipas policisë dhe prokurorisë së Tiranës, rezultojnë borxhlinj tek kompania e administruar nga Luan Koka. Ndërkohë, për rënien në gjurmë të autorëve të këtij krimi të rëndë Prokuroria e Tiranës ka autorizuar policinë të përgjojë disa persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me krimin e rëndë. Luan Koka, i cili njihet ndryshe dhe me emrin Lulzim Koka, u qëllua me katër plumba në trup teksa po qëndronte në një tavolinë tek lokali “Galaktika”, që ndodhet shumë pranë Gardës së Republikës. Në këtë atentat është plagosur lehtë edhe Refik Rustemi, një efektiv i Gardës, i cili ndodhej në një tavolinë shumë pranë asaj ku ndodhej edhe biznesmeni Luan Koka.

Pronari i lokalit

Pronari i lokalit “Galaktika”, ku ndodhi atentati mafioz ndaj Luan Kokës, është dëshmitari kryesor që ka parë autorin e krimit. Përpara policisë së Tiranës, ai ka treguar se kishte arritur të shquante siluetën e personit që qëlloi me pistoletë, por jo të dallonte me saktësi karakteristikat e fytyrës, për shkak se autori në momentin e qëllimit me armë e kishte gati 80 për qind pjesën e fytyrës të mbuluar. Sipas pronarit të lokalit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga ana e uniformave blu, personi që qëlloi me pistoletë në drejtim të klientëve të tij, ishte rreth 170 cm, me një bluzë të hollë, pak i imët, në qafë mbante një shall. Sipas dëshmisë së pronarit, pikërisht ky person ka qëlluar disa herë me armë dhe se të gjithë klientët në këtë moment janë shtrirë në tokë, ndërkohë që ai ka arritur të ndjekë me sy siluetën e autorit të krimit, i cili me vrap të lehtë është larguar në drejtim të ngushticave të pallatit dhe pastaj u largua me vrap tek pallatet aty pranë, duke marrë në drejtim të Kodrave të Liqenit. Dëshmitarë të tjerë i kanë treguar policisë se autori është larguar në drejtim të pyllit, duke mos u arrestuar, edhe pse janë mbushur plot 24 orë nga kryerja e plagosjes së Luan Kokës.

Dy pistat e hetimit

Dy pistat ku tashmë është përqendruar policia e Tiranës, janë ato të konkurrencës së fortë në biznesin e betonit si dhe prishjes së pazareve në kontratat tregtare. Kohët e fundit kompania e njohur “Shkodra Beton” ka pasur mosmarrëveshje me disa sipërmarrës, të cilët kanë pasur detyrime financiare ndaj kompanisë që administrohej prej të dëmtuarit. Vetë Luan Koka, gjatë kësaj kohe, ka ushtruar presione të vazhdueshme ndaj borxhlinjve, për shkak të moslikuidimit të shumave financiare. Të gjitha këto veprime tashmë janë në skanerin e hetuesve të policisë dhe prokurorisë së Tiranës. Ndërkohë, ata kanë renditur si pistë kryesore edhe atë të një tentative për vrasje, për shkak të konkurrencës, mes firmave të betonit që veprojnë në Tiranë, por jo vetëm. “Shkodra Beton” cilësohet si një kompani e suksesshme në fushën e ndërtimit, ku arrin të lidhë shumë kontrata sipërmarrëse, për shkak edhe të mjeteve logjistike dhe teknikës bashkëkohore që zotëron. Një tjetër pistë është edhe ajo e hakmarrjes, për shkak të problemeve që Koka ka pasur me të vëllain e tij, të cilin ia kanë vrarë disa vite më parë.

Rëndë në spital

Luan Koka ka qëndruar gjatë ditës së djeshme në sallën e reanimacionit në gjendje të rëndë për jetën, për shkak se tre plumba i kanë hyrë në bark, ndërkohë që i katërti i ka prekur shtyllën kurrizore. Sipas mjekëve të spitalit, Koka ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe se bluzat e bardha shprehen skeptikë për biznesmenin.

 

Aksidenti në Peqin

Plagosen tre persona, dy individë rëndë në spital

Tre persona të plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë, është bilanci i një aksidenti automobilistik të regjistruar pasditen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Peqin – Elbasan, ku dy automjete përkatësisht me targa AA 605 EG dhe EL 40 88 B janë përplasur mes tyre dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur shtetasit Dritan Sula dhe Artur Jaho, të cilët janë transportuar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës për marrjen e ndihmës mjekësore. I plagosur ka mbetur një person i tretë, identiteti i të cilit nuk dihet ende,ndërsa ndodhet në spitalin e Elbasanit jashtë rrezikut për jetën. Uniformat blu të mbërritura në vendngjarje kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa dyshohet se shkak është bërë shpejtësia tej normave të lejuara e të dy automjeteve.

 

Trafiku i njerëzve

Wollfarth: Të konfiskohet pasuria e kriminelëve

Policinë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese dhe sociale i pret një ballafaqim më i madh me trafikun e qenieve njerëzore. Sipas kreut të OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, “kriza ekonomike sjell rritjen e këtij trafiku, i cili përbën rrezik për të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës”. Deklarata është bërë në tryezën e rrumbullakët të organizuar për vlerësimin e nivelit aktual të rasteve të trafikimit dhe strategjitë për goditjen e fenomenit. Diskutimet janë përqendruar në goditjen zinxhir të fenomenit, që krahas arrestimit të të implikuarve, të shoqërohen me hetimet dhe konfiskimeve të vendosura nga ky aktivitet kriminal.

 

Gjendet trupi

Vdes nga mbidoza 35-vjeçari nga Vlora

Një i ri i moshës rreth 35 vjeç është gjetur i pajetë nga kalimtarë të rastit në lagjen “10 Korriku” në Vlorë. Sipas të dhënave të para, mësohet se viktima është gjetur në një zonë ku zakonisht rrinë përdorues të lëndëve narkotike. Nga ekspertët dyshohet së i riu ka gjetur vdekjen nga mbidoza. Në vendngjarje është gjetur nga policia një shiringë dhe letër alumini që zakonisht përdoren për heroinën. Viktima është Ardian Bocaj, 35 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”. Trupi i pajetë i tij është dërguar në morgun e spitalit të Vlorës, ku pritet që në ditët në vijim t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore për të mësuar nëse vdekja e tij ka ardhur si rezultat i përdorimit të lëndës narkotike.

 

 

Mark Uka dhe Bashkim Gashi manipulonin matjen e energjisë

Ndërhynin në matësit elektrikë kundrejt

200 mijë lekëve, pranga 2 “punonjësve” të CEZ-it

Dy elektricistë arrinin të bënin ndërhyrje në matësit elektrikë të banesave dhe bizneseve të ndryshme kundrejt shumave të parave që varionin nga 150 deri në 200 mijë lekë të vjetra. Mark Uka dhe Bashkim Gashi, dy ish-punonjës të kompanisë CEZ, e kanë kryer këtë aktivitet kriminal në mënyrë të përsëritur, duke arritur të kryejnë manipulimin e matjes së energjisë elektrike. Për pasojë, nga kjo ndërhyrje bizneset dhe banorët të shtëpive të ndryshme arrinin të paguanin më pak energji elektrike, nga sa kishin harxhuar. Një skemë e tillë është zbuluar shumë shpejt nga ana e drejtuesve të CEZ-it, të cilët kanë bërë denoncimin në policinë e Tiranës. Pas hetimeve të kryera është arritur të bëhet lokalizimi i dy elektricistëve, të cilët pasi janë mbajtur në vëzhgim nga ana e policisë, është bërë ndërhyrja duke i arrestuar në kushtet e flagrancës. Sipas policisë së Tiranës, dy të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke u prezantuar si inspektorë të kompanisë CEZ Shpërndarje, detyrë të cilën e kanë ushtruar deri në korrik të vitit 2012, u kërkonin dhe u merrnin qytetarëve të ndryshëm shumën nga 15 mijë deri në 20 mijë lekë të rinj, për të bërë të mundur ndërhyrje të paligjshme në aparatet matëse të energjisë elektrike pranë banesave të tyre, në mënyrë që shuma që do paguhej të ishte më e ulët se vlera e konsumit real. Këtë veprim autorët e kanë kryer në disa raste dhe në mënyrë të përsëritur gjatë dy viteve të fundit. Autorët u kapën në flagrancë në zonën e Kombinatit, ku në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan mjete pune për ndërhyrje në sistemin energjetik dhe një sasi lekësh e përfituar nga veprimtaria e paligjshme. Ndërkaq, vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe personave të tjerë që dyshohen se mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency