Këshilli Bashkiak, Basha: Rama rikthen konfliktin politik

0
171

Blerta Mrishaj

bashaBasha: Qytetarët e refuzuan me votë konfliktin politik në 8 maj 2011, do ta refuzojnë sërish më 23 qershor

 

Punimet

Shkolla hapet vitin e ri akademik

1000 nxënës të Laprakës do ta nisin vitin e ri akademik në një shkollë tërësisht të re dhe moderne. Shkolla “Ahmet Gashi”, e cila po rindërtohet nga Bashkia e Tiranës, do të përfundojë para afateve të përcaktuara. “Sot, afro 20 muaj pas heqjes së kësaj axhende nga tavolina e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe përkushtimit për projektet që preokupojnë jetën e qytetarëve të Tiranës, pavarësisht prej bindjeve të tyre politike, Tirana është shndërruar në një kantier. Shumë prej veprave, si kjo shkollë, janë në punë e sipër. Vepra të tjera madhore presim të nisim së shpejti, ndaj nga kjo pikëpamje, strategjia e rikthimit të konfliktit politik në një moment të tillë nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me Bashkinë e Tiranës, ka të bëjë me 23 qershorin. Më 23 qershor, qytetarët e Tiranës do të duhet të vendosin nëse do t’i rikthehen thithjes së pluhurit, baltosjes dhe mjerimit të konfliktit politik apo do të vazhdojmë përpara me projektet që kemi nisur”, – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

“Qëndrimet e djeshme nuk kanë të bëjnë me Bashkinë e Tiranës, janë vendime politike dhe nga kjo pikëpamje më vjen keq të konstatoj që e vetmja strategji e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës është konflikti politik dhe instrumentalizimi i Bashkisë së Tiranës si pjesë e konfliktit politik”. Kjo është deklarata e kryebashkiaku Lulzim Basha, ardhur pas koalicionit të këshilltarëve të LSI-së me PS-në, duke e konsideruar atë një vendim politik. Për kreun e bashkisë, Basha, rikthimi i konfliktit politik është strategjia e Ramës, por që në asnjë mënyrë nuk do të pengojë punën e Bashkisë së Tiranës. “Për këtë arsye, – u shpreh z. Basha, – bashkia ofron zgjidhje, projekte dhe shërbime, ndërsa ish-kryetari Rama ofron vetëm konflikt politik”. Kryebashkiaku i Tiranës ka shprehur bindjen se ashtu siç qytetarët e refuzuan me votë konfliktin politik në 8 maj 2011, do ta refuzojnë sërish më 23 qershor.

Deklarata

Deklaratat e kreut të bashkisë erdhën gjatë inspektimeve në një prej shkollave të kryeqytetit në Tiranë, shkolla 9-vjeçare “Ahmet Gashi”, e cila në vitin e ri akademik pret 1 mijë nxënës. Gjatë inspektimit të këtyre punimeve, kryebashkiaku i është përgjigjur interesimit të medias, lidhur edhe me bashkimin e votave në Këshillin Bashkiak mes LSI-së dhe PS-së si dhe ndikimit që do të ketë ky koalicion i ri në realizimin e projekteve në interes të qytetarëve. “Bashkia e Tiranës mbetet e përkushtuar dhe e vendosur, ka të gjitha kapacitetet dhe të gjitha instrumentet për të vazhduar me të gjitha projektet që ne kemi shpalosur përpara qytetarëve dhe unë qëndroj garant për ekzekutimin e tyre. Lëvizja apo qëndrimet e djeshme nuk kanë të bëjnë me Bashkinë e Tiranës. Ju e shikoni qartë se ato vijnë pas vendimit të Parlamentit të hënën mbrëma, pra janë vendime thjesht politike. Nga kjo pikëpamje, më vjen keq të konstatoj përsëri se e vetmja strategji e ish-kryetarit të bashkisë, në raport me Bashkinë e Tiranës dhe qytetin e qytetarët e Tiranës është strategjia e konfliktit politik, e instrumentalizimit të Bashkisë së Tiranës, si një arenë e konfliktit politik”, – theksoi z. Basha. Kryebashkiaku i Tiranës ka shprehur bindjen se ashtu siç qytetarët e refuzuan me votë konfliktin politik në 8 maj 2011, do ta refuzojnë sërish më 23 qershor.

Replika

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të opozitës, Edi Rama, i cili përmes rrjetit social Twitter, theksoi se shumica e majtë në Këshillin Bashkiak do të mbrojë qytetarët e Tiranës nga planet klienteliste, abuzimet dhe vjedhjet në bashki. “E paska harruar zërin e qytetarëve që flasin përmes Këshillit Bashkiak, po s’ka faj, s’ka bërë asgjë dhe i trembet zërit të shumicës në këshill. Tanimë shumica do mbrojë qytetarët e Tiranës e jo vetëm nga planet klienteliste, inaugurimet sa për televizion, abuzimet e vjedhjet në bashki e qarqe”, – shkruan Rama në Twitter. Kryebashkiaku Basha reagoi sërish pas publikimit të liderit të opozitës në rrjetin social, duke theksuar se Bashkia e Tiranës është në shërbim të qytetarëve dhe jo të luftës politike. “Ish-kryetari Rama është kujtuar vonë për zërin e qytetarëve. Bashkia sot ofron zgjidhje, projekte dhe shërbime”, – deklaroi Basha. Ndërkaq, përfaqësues të PS-së dhe LSI-së pritet të dorëzojnë kërkesën e shkarkimit të kryetarit të këshillit, Kosovrasti. Pas votimit në Kuvend që pasoi me shkarkimin nga posti i anëtarit të KQZ-së të përfaqësuesit të LSI-së, Ilirjan Muho, këshilltarët e LSI-së në Bashkinë e Tiranës zhvilluan dje një mbledhje, e cila, sipas tyre, synon të vendosë balancën në pushtetin vendor.

 

 

Brenda 10 ditësh

Dalipi kërkon drejtimin e Këshillit Bashkiak

Këshilltarët e PS-së dhe LSI-së në Bashkinë e Tiranës kanë zyrtarizuar kërkesën për dorëheqjen e kryetarit demokrat të Këshillit Bashkiak, Niazi Kosovrasti, duke propozuar si kandidat për këtë post Aldrin Dalipin e PS-së. Dje, në një mbledhje të posaçme, këshilltarët socialistë dhe ata të LSI-së kanë firmosur për shkarkimin e Kosovrastit dhe zgjedhjen e Dalipit, kërkesë që e dorëzuan në Bashkinë e Tiranës. I pranishëm në takim me këshilltarët, deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, ka deklaruar se në këtë mënyrë do të synohet garantimi i votës. “Afirmojmë vullnetin tonë për ta kthyer pushtetin vendor në një kordon sanitar për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të garantuar votën e qytetarëve shqiptarë”, – deklaroi Tahiri. Kreu i këshilltarëve të LSI-së, Shezai Rrokaj, theksoi se ky vendim vjen pas cenimit të KQZ-së, që është institucioni i cili garanton votën. “Ne kemi detyrimin që ta bëjmë këtë kohezion të gjithë së bashku dhe t’i përgjigjemi me një frymë, me një vullnet, me një energji, që vota nuk cenohet, vota është e garantuar”, – deklaroi Rrokaj. Në të njëjtën linjë qendrimi, kreu i këshilltarëve të PS-së, Aldrin Dalipi, deklaroi se aleanca PS-LSI garanton ruajtjen e votës më 23 qershor. “Ne do t’u tregojmë të gjithëve dhe së bashku, si të zgjedhur vendorë të Tiranës, se qëllimin tonë kryesor për t’u shërbyer qytetarëve do ta realizojmë çdo orë, çdo ditë të veprimtarisë sonë, së bashku, PS dhe LSI”, – deklaroi Dalipi. Këshilltarët e PS-së e LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës vendosën bashkëpunimin dy ditë më parë, pak orë pasi Kuvendi shkarkoi anëtarin e LSI-së në KQZ. Bashkëpunimi PS-LSI në nivel vendor është shtrirë në të gjitha bashkitë.