Lamtumira e fundit e “Zonjës së Hekurt” Berisha: Reformat e saj, frymëzim për mbarë botën

0
169

berishaKreu i qeverisë mori pjesë në ceremoninë zyrtare funebre të përcjelljes për në banesën e fundit të ish-Kryeministres britanike Margaret Thatcher, ku pjesëmarrës ishin edhe Kryeministri Cameron, por edhe personalitete të tjerë botërorë

 

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, mori dje pjesë në ceremoninë e lamtumirës së “Zonjës së Hekurt”, ish-Kryeministres britanike Margaret Thatcher ditën e djeshme në Londër. Kryeministri shprehu vlerësimet më të larta për figurën e zonjës Thatcher dhe tha se ajo dhe të gjitha reformat e saj do të mbeten gjatë si burim frymëzimi për vendet e tjera. Në këtë pikë, zoti Berisha nënvizoi se edhe qeveria shqiptare ka ndërmarrë të njëjtat masa, duke përfshirë këtu edhe përgjysmimin e taksave. “Margaret Thatcher është Kryeministrja e parë në historinë e këtij vendi, por Kryeministrja e cila sot u përcoll në banesën e fundit për të lënë pas një trashëgimi “Thatcher”-izmi që nuk vdes kurrë. Me besimin e saj tek individi i lirë, tregu i lirë, ekonominë britanike që po rrokullisej, e shndërroi në njërën nga ekonomitë më të fuqishme të botës. Këto reforma ishin një frymëzim i madh për forca politike të tjera në mbarë botën. Ajo që është specifike, “Thatcher”-izmi, konservatorizmi i Lady Thatcher-it u përqafua me po aq vendosmëri nga laburistët anglezë më pas dhe konkretisht nga Tony Blair, por edhe nga qendra e majtë në shumë vende të Evropës dhe të botës”, – nënvizoi lideri i qeverisë shqiptare. Me nderimet më të larta, për figurën e saj, kreu i ekzekutivit pohoi se reformat e zbatuara nga partia e saj ishin të suksesshme dhe në vijimësi të tyre edhe mazhoranca shqiptare ka implementuar disa të tilla. Berisha foli edhe për doktrinën që quhet e “Thatcher”-izmit, si një doktrinë që bazohet në iniciativën e lirë dhe lirinë e tregut. “Ajo që është për tu theksuar se “Thatcher”-izmi si doktrinë bazohet kryekëput në iniciativën e lirë të individit dhe lirinë e tregut, në Shqipëri ka gjetur një nga shtretërit e saj të ngrohtë. I nisëm të frymëzuar prej saj reformat e mëdha. Ekipet tona asokohe për të mësuar kishin destinacion Britaninë e Madhe dhe modelin e saj. Ato reforma bënë që ekonomia shqiptare të transformohej me shpejtësinë më të madhe, nga ekonomia më kolektiviste e planetit në ekonominë ndër më private të Evropës dhe të botës, ku 80% e GDP-së vinte nga sektori privat. Thatcher në një nga akte e saj madhore përgjysmoi taksat për qytetarët e Britanisë së Madhe. Këtë ka bërë edhe qeveria shqiptare në këto dy mandate”, – u shpreh në përfundim të ceremonisë Berisha. Duke kujtuar një nga takimet e tij më Zonjën e Hekurt, lideri i qeverisë nënvizoi se ajo kishte shfaqur interes të madh për popullin e Kosovës. “Shqiptarët dhe të gjithë kombet e tjera të shtypura të asaj kohe, kishin tek Thatcher, një personalitet të jashtëzakonshëm, shumë shpresëdhënës për kauzën e tyre të drejtë. E kam theksuar edhe herë tjetër, që në takimin tonë të parë, kur unë kisha gjithsej 3 apo 4 muaj në politikë, në suitën e hotelit ku më priti, pas përshëndetjes së zakonshme do të me drejtohej me një gjallërinë që e karakterizonte: “Më thuaj mua, si po i masakron vëllezërit tuaj në Kosovë, kasapi i Ballkanit”. Ajo, për arsye që tashmë dihen, një votë mosbesimi në grupin e saj, e dorëzoi detyrën e Kryeministrit, por historia e Ballkanit me Margaret Thatcher në 10 Downing Street, do të kishte qenë absolutisht tjetër”, – bëri me dije shefi i qeverisë në prononcimin e tij për mediat, pas përfundimit të ceremonisë. Në nderim të saj, në ceremoninë funebre, e cila nisi me meshën e mbajtur në Katedralen e Shën Palit morën pjesë personalitete të shquara botërore, përfshirë elitën mbretërore, Mbretëresha Elizabeth, bashkëshorti i saj, Princi Philip, Kryeministri David Cameron dhe kabineti i tij, anëtaret e Dhomës se Komunave dhe Dhomës se Lordëve, ish-kryeministra të Mbretërisë së Bashkuar, kryetare shtetesh, kryeministra, kryetarë parlamentesh nga mbarë bota, si dhe mijëra qytetarë që kishin mbushur rrugët e Londrës, për të përcjellë kortezhin. Pas meshës, në pritjen e dhënë për pjesëmarrësit, Kryeministri Berisha takoi dhe bisedoi shkurtimisht me Kryeministrin Cameron, Sekretarin Hague, Kryeministrin e Polonisë Tusk, Kryeministrin e Kanadasë Stephen Harper, Kryeministrin e Hungarisë Orban dhe shumë kryetarë shtetesh dhe kryeministra të vendeve tjera.

 

 

Lesi: LDK vendos të dielën për koalicionin

Kreu i Lidhjes Demokristiane, Nikollë Lesi, deklaroi dje se forca politike që ai drejton do të mbledhë të dielën kryesinë e saj dhe të gjitha strukturat e saj, për të marrë edhe vendimin në lidhje me koalicionin që do të bëjë për zgjedhjet e 23 qershorit. Në një takim që ai ka pasur dje në qytetin e Lezhës, zoti Lesi ka shprehur sigurinë e tij për të pasur një karrige deputeti në sallën e Parlamentit shqiptar dhe ka deklaruar se ai do t’i përfaqësojë denjësisht të gjithë lezhjanët. “Ditën e diel do të mblidhet kryesia për të vendosur se me kë do të krijojë koalicion parazgjedhor. Do të rikthehem patjetër deputeti juaj pas 23 qershorit”, – tha kryetari i LDK-së. Javën e kaluar Lesi ishte në një vizitë në selisë e Partisë Socialiste. Ai pati një takim me kryesocialistin Rama dhe në përfundim të takimit deklaroi se kishte pasur një ftesë zyrtare nga ana e tij, për të qenë pjesë e koalicionit opozitar. Por ai nuk u shpreh për detaje të mëtejshme dhe gjithashtu deklaroi se do të ketë një përgjigje së shpejti për Partinë Socialiste.

 

Bogdani: Deklaratat e Ramës, trillime për infrastrukturën

Menjëherë pas deklaratave të kryetarit të PS-së, Edi Rama, në qytetin e Peshkopisë lidhur me gjendjen e rrugëve në Shqipëri, ka reaguar Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Gerti Bogdani. Në një deklaratë për median deputeti demokrat deklaroi: “Sot, z. Rama ka arritur një nivel të paprecedentë në serinë e llangosjes dhe sajesave që prodhon nga salloni mavi. Në botën e z. Rama, infrastruktura ka degraduar!” Sipas Bogdanit qytetarët janë të ndërgjegjshëm se rrugët janë në gjendje më të mirë se kurrë dhe se 1300 shkolla të reja dhe të rikonstruktuara 400 spitale dhe qendra ambulatore të reja dhe rikonstruktuara, dhe infrastruktura sot është më mirë se asnjëherë më parë. Gerti Bogdani nënvizoi se Rama gënjeu kur tha se “për të ardhur këtu m’u desh një kohë e gjatë”. Sipas tij koha e udhëtimit nga Tirana në Peshkopi jo vetëm është shkurtuar një orë, por tashmë ka përfunduar edhe gjysma e Rrugës së Arbrit e cila do ta bëjë distancën Tiranë – Peshkopi vetëm një orë udhëtim. “Gjithsej, ne kemi asfaltuar 10.000 km rrugë që e kanë shkurtuar kohën e udhëtimit nga Tirana në pjesët e tjera të Shqipërisë, nga 1.5 deri në 3 herë. Z. Rama pretendon se kjo nuk është e mundur, dhe ai mund të jetë një matuf dy metrosh, por kjo s’do të thotë se venat e tij nuk mjaftojnë për të bërë xhiron e botës. Zotit Rama mund t’i jetë dashur një kohë kaq e gjatë për të shkuar në Peshkopi, sepse ka ndaluar rrugës për të bërë ciu-ciu”, – tha ligjvënësi i selisë blu. Bogdani në përfundim të deklaratës së tij ka ashpërsuar më tej gjuhën dhe ka lëshuar një lum akuzash për kryetarin e PS-së. “Z. Rama sot theu edhe rekordin e tij personal duke bërë shpikjen më të madhe të njerëzimit. Ai shpiku makinën e kohës dhe udhëtoi poshtë e lartë e lartë e poshtë nga viti 1432 e deri më sot, kur foli për regjistrimin e pronave. Në fakt, e vetmja gjë ende e paregjistruar sot në Shqipëri është fantazia e tij e sallonit mavi. Z. Rama është një mace e zezë për biznesin, investimet e huaja dhe zhvillimin e vendit”, përfundon deklarata”, – përfundoi Bogdani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency