Opozitë e dhunës dhe e kaosit institucional

0
169

Nga Halil Rama

 

kaosiNgjitja e të inkriminuarve deri në institucione qendrore të një rëndësie të veçantë, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, anëtar i të cilit arriti të zgjidhej Ilirian Muho, përbën një precedent të rrezikshëm për ekzistencën e vetë shtetit. Rasti i Ilirian Muhos, i cili arriti të mashtronte deri edhe ligjvënësin shqiptar, duke fshehur në CV-në e tij përfshirjen në aferën kriminale të lirimit të një krimineli të njohur në kohën kur ishte prokuror i Fierit, para së gjithash dikton nevojën e pastrimit të institucioneve nga të inkriminuarit.

Parë në këtë këndvështrim, opinioni publik ka mbështetur veprimin energjik të mazhorancës parlamentare për shkarkimin e Muhos nga pozicioni i anëtarit të KQZ-së para nisjes zyrtarisht të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Ndryshe, ky proces do të ishte i kompromentuar që në nisje. Nisur edhe nga përvoja e hidhur e keqmenaxhimit të proceseve zgjedhore nga KQZ-të e harkut kohor ‘97-2003, për zgjedhjet e 23 qershorit palët në proces me të drejtë vendimmarrje duhet t’i kushtonin vëmendjen maksimale dërgimit në këtë institucion të ekspertëve më të mirë dhe njëkohësisht me CV-në e duhur. Por rasti i Ilirian Muhos e komprementoi rëndë atë, si institucioni që do të certifikonte rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Kurrsesi nuk mund të pretendohej një ekspertizë dhe verdikt ligjor në këtë proces nga një anëtar i KQZ-së, i cili siç është bërë e ditur tashmë për opinionin publik, në kundërshtim me kërkesat e nenit 515 të Kodit të Procedurës Penale, ka liruar Aleksandër Kuqon në mënyrë të kundërligjshme, duke vonuar procesin ndaj tij. Për këtë fakt prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe propozoi shkarkimin nga detyra të Ilirian Muhos, kërkesë që u pranua më vonë nga Presidenti i Republikës.

Por edhe pas publikimit të këtyre fakteve tejet të rënda, ndërsa pritej reflektimi i subjektit politik që e kishte propozuar Muhon për anëtar të KQZ-së, ndodhi e kundërta. Thuajse të gjithë deputetët e opozitës së sotme, të koalicionit demode PS-LSI, në një seancë maratonë të Kuvendit u vunë në mbrojtje të Muhos, duke tentuar kapjen e KQZ-së nga elementë të inkriminuar, me synimin për t’i përdorur në funksion të manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve në favor të tyre.

Ky synim u duk fare qartë edhe nga keqpërdorimi prej lidershipit socialist i një grupi të rinjsh, të cilët në emër të Forumit Rinor Eurosocialist u bënë protagonistë të një maskarade të pashembullt, siç qe pseudoprotesta para pallatit ku banon deputeti Kastriot Islami. Një protestë bastardësh kundër një njeriu të lirë që tentoi të votonte për largimin e një të inkriminuari nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Organizime të tilla reflektojnë para së gjithash urrejtjen dhe hakmarrjen primitive të kreut të PS-së ndaj atyre që s’i binden logjikës së tij absurde dhe që në emër të të drejtave dhe lirive njerëzore guxojnë t’i kundërvihen me qëndrime e veprime ligjore. Brenda këtij kuadri duhet parë edhe vota e disa deputeteve të PS-së që bashkë me mazhorancën mundësuan largimin e një elementi të inkriminuar nga KQZ-ja. Veprim ligjor ky, edhe si reagim ndaj subjektit që me propozimin e Ilirian Muhos për anëtar të KQZ-së kishte mashtruar, jo vetëm ata, por të gjitha strukturat parlamentare deri në votimin pro tij në seancën plenare të Kuvendit. Deri këtu gjithçka duhet parë në funksion të normalitetit të procesit zgjedhor që sapo ka nisur.

Ndërsa zhvillimet tejet negative të mëpastajme, me dorëheqje të paargumentuara të dy anëtarëve të KQZ-së, përfaqësues të PS-së, të iniciuara dhe të dirigjuara nga lidershipi opozitar, nuk janë aspak normale. Duke bllokuar institucionin përgjegjës për organizimin dhe menaxhimin e procesit zgjedhor, opozita nuk bën gjë tjetër veç tentativës për ta zhytur vendin në kaos. Atë që s’e arriti dot me bojkotin e stërzgjatur, me grevë urie e protestë të dhunshme, lidershipi opozitar po tenton ta realizojë nëpërmjet mbështetjes së elementëve të inkriminuar në institucionet qendrore.

Pas rikonfirmimit të mazhorancës aktuale, dy herë radhazi, si në votimin e ministrave të rinj (pas largimit të LSI-së në mënyrë arbitrare nga qeverisja) dhe në rastin e shkarkimit të Ilirian Muhos nga KQZ-ja, opozita duket se po kalon në veprime e qëndrime absurde kundër rendit demokratik në një shtet me demokraci të konsoliduar.

Këto veprime e qëndrime janë reflektim i bindjes në disfatën e thellë që e pret lidershipin opozitar më 23 qershor, kur sovrani do ta ndëshkojë me votën e tij të lirë për bllokimin që i bëri procesit të integrimit evropian të vendit, duke sjellë pasoja të pallogaritshme. Kësisoj, opozita po vetidentifikohet si një opozitë e dhunës dhe e kaosit institucional.