Florenc Drizari
Albana Shtylla: Kushdo në vendin tim do të bënte të njëjtën gjë kur cenohet integriteti, garancia ligjore për ushtrimin e mandatit
Pas dorëheqjes së nënkryetarit të KQZ-së dy ditë më parë, Denar Biba, paraditen e djeshme dha dorëheqjen edhe anëtarja tjetër e propozuar nga Partia Socialiste në komision, Albana Shtylla. Ashtu si homologu i saj, edhe zonja Shtylla tha se dorëheqja vjen për arsye personale dhe nuk ka lidhje me asnjë qëndrim politik, por me ndërhyrjet e politikës në KQZ.
Dorëheqja e anëtarëve të PS-së brenda dy ditësh bëri që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i drejtohej zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë për zëvendësimin e tyre. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, njoftoi zyrtarisht kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçin, për dy vendet e mbetura bosh në KQZ, duke i kërkuar atij zëvendësimin brenda harkut kohor prej 48 orësh, ashtu siç shkruhet në Kodin Zgjedhor, thuhet në deklaratë.
KUVENDI I SHQIPËRISË
“Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pasi administroi dorëheqjet e z. Biba dhe znj. Shtylla, bazuar në pikën 3 të nenit 19 të Kodit Zgjedhor, e cila thotë: “Në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës”, i kërkoi kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Ruçi me shkresë nr. 790, dt. 17.4.2013, që të sjellë, brenda afateve, propozimet e PS-së për zëvendësimin e dy anëtarëve të PS-së në KQZ. Kjo, e bazuar në pikën 2 të nenit 19 të Kodit Zgjedhor, ku thuhet: “…Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin…”, – thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.
ALBANA SHTYLLA
Me anë të një deklarate të bërë për median paraditen e djeshme, anëtarja e KQZ-së, Albana Shtylla, shpjegoi arsyet e dorëheqjes së saj duke vënë theksin tek lëvizjet e fundit në KQZ nga ana e politikës. “Do doja të veçoja nga gjithë ajo deklaratë për dorëheqje që kam paraqitur sot pranë KQZ-së, një moment të cilin e kam vlerësuar të rëndësishëm, personalisht. E kam thënë që zbatimi i ligjit, integriteti profesional dhe paanësia politike më ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës time të gjatë në administratën publike. Në këtë kontekst, kushdo të ishte në vendin tim, do të konstatonte se gjatë ushtrimit të një detyre të caktuar në një funksioni publik, i cenohet integriteti, i cenohet garancia ligjore që është shumë e rëndësishme për ushtrimin e mandatit, do të bënte të njëjtën gjë. I kam gjërat më të rëndësishme e më të shtrenjta, i kam kultivuar si thesare gjatë jetës sime ndaj nuk do dëshiroja që askush e për çfarëdo lloj arsyeje, le të themi të mi cenonin ato në ushtrimin e detyrave të një funksionari publik, siç është dhe rasti i anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
Gjithashtu, Albana Shtylla theksoi se pas betimit në Kuvend, anëtarët e KQZ-së duhet të jenë ta pavarur nga politika, edhe pse propozohen prej saj. “KQZ është institucion i pavarur. Besoj, jeni të mirinformuar dhe dikush që nuk e njihte Kodin Zgjedhor ka mësuar diçka prej tij, që anëtari i KQZ-së, që në momentin që bën betimin dhe konstituohet, është i paanshëm politikisht, pikërisht siç thotë Kodi”, – deklaroi Albana Shtylla.
Takimi me raporterët e Asamblesë Parlamentare të KE-së, Topalli: Humbësi të njohë rezultatin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në takim raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët ndodhen në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit i njohu raporterët me situatën në vend dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Ajo theksoi se shteti ligjor është themelor dhe gjithçka do të bëhet në respekt të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Topalli tha se askush nuk mund të kërcënojë menaxhimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. “Ligji dhe Kodi Zgjedhor është i qartë, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Ky kod është votuar me konsensus të gjerë dhe do të respektohet dhe zbatohet në frymë e në germë. Ne nuk do të lejojmë askënd të shkruajë rezultatin në tavolinë. Humbësi duhet të njohë rezultatin”, – tha Kryetarja e Kuvendit. Zonja Jozefina Topalli siguroi për një vullnet dhe angazhim maksimal të institucioneve shtetërore për një proces zgjedhor të standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.
Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, axhendë e ngjeshur me seancë dhe komisione
Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet paraditen e së enjtes në seancë plenare, ndërkohë që paralel me zhvillimin e seancës është planifikuar edhe mbledhja e dy komisioneve parlamentare. Komisioni për Politikën e Jashtme do të mblidhet në nesër në orën 09:00 me këtë rend të dite: projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes Istisna’a dhe marrëveshjes së agjencisë Istisna’a, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), për financimin e projektit të ndërtimit të Portit të Peshkimit të Durrësit” si dhe për projektligjin e “Ratifikimit të “Marrëveshjes së kredisë së eksportit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Erste Bank der Oesterreichischen Sparkassen AG, për projektin e tatimit elektronik (e-Taxation)”. Po kështu në orën 11:00 pritet të mblidhet Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Në rend të ditës për këtë komision është parashikuar shqyrtimi i propozimit “Për emërimin e një anëtari të Bordit të Komisionerëve të ERE-s”. Mbledhja e këtij komisioni do të zhvillohet tek salla e seancave plenare.
Ambasadori i OSBE-së, Wolfarth: Largohem nga Shqipëria pas zgjedhjeve
Shefi i Prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Volfart, deklaroi dje se pas mbylljes së procesit zgjedhor në Shqipëri do të japë dorëheqjen, nga ky post, për zhvendosur në zyrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë. “Shpresoja që KQZ të punonte me stabilitetin më të madh, siç e ka pasur deri tani. Unë do doja të theksoja se kam respekt për z Biba dhe vendimin e tij. Për mendimin tim ai ka kontribuar ndjeshëm për krijimin e një atmosfere konstruktive për krijimin e në klime teknike për procesin zgjedhor. Përshëndes atë dhe anëtarë të tjerë dhe jam i sigurt se do na marrë malli për të. Dhe unë jam i bindur dhe shpresoj të ketë një të ardhme të mirë profesionale në të ardhmen sepse ai e meriton. Unë jam diplomat gjerman, kam 3 vjet këtu dhe zyra e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, më ka ofruar një post shumë të mirë që asnjë diplomat në fakt nuk do e mohonte dhe unë e kam pranuar dhe se lëvizja bëhet brenda këtij viti. Unë do doja të theksoja se do të rri edhe për zgjedhjet. Ndoshta ka nevojë për një sqarim se ka pasur dhe orientime ç’orinetuese se nuk jam unë që shkruaj raportin e ODIHR, duhet të jetë e qartë për të gjithë që vëzhguesit e ODIHR raportojnë dhe shkruajnë raportin. Ata janë me mandat të caktuar. Kjo është puna e tyre, por do ecë krah për krah me mandatin tonë dhe do jetë në shërbim të popullit shqiptar”-, deklaroi Wolfarth.