Sonja Caka
Qirjako: Janë regjistruar rreth 200.000 pasuri në zonat urbane dhe janë në proces konsultimi nëpërmjet afishimit publik rreth 300.000 pasuri të tjera
Brenda qershorit përfundon regjistrimi dhe afishimi publik i gjithë pronave në ZRPP, ndërkohë që ky proces i jep fund dixhitalizimit të gjithë pronave në vend. Krijimi i Regjistrit dixhital solli mjaft lehtësira në regjistrimin e një prone, e cila nga 45 ditë në fillim, brenda muajit qershor do të përfundojë në dy ditë, ndërkohë që nuk ka vetëm reduktim kohe, por edhe të kostove financiare dhe një transparencë më të madhe në proces. Gjithashtu, vitin që kaloi është prezantuar si një histori suksesi shërbimi më i ri i portalit “One Stop Shop” te noteri, i cili kufizon komunikimin direkt të qytetarëve më punonjësit e ZVRPP-ve, si edhe redukton hapat dhe kohën e nevojshme për përfundimin e një transaksioni të pasurive të paluajtshme.
Renditja
Shqipëria klasifikohet si vendi i parë në Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, që ka projektuar dhe zhvilluar Sistemin e Kompjuterizuar të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Vlerësimi pozitiv është bërë në konferencën vjetore të Bankës Botërore “Për tokën dhe varfërinë”, e mbajtur në selinë e Bankës Botërore në Uashington DC, në datat 8 – 11 prill, 2013. Gjatë kësaj konference, në të cilën merrte pjesë edhe një përfaqësi e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), znj. Rumyana Tonchovska dhe znj. Kathrine Kelm, eksperte të Bankës Botërore dhe pjesë e ekipit të Bankës për Projektin LAMP, prezantuan studimin për “Kontributin e Teknologjisë së Informacionit për Përmirësimin e Administrimit të Pronësisë në Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore”. Pikërisht në këtë prezantim u theksua se, “në Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, Shqipëria është vendi i parë që ka projektuar dhe zhvilluar Sistemin e Kompjuterizuar të Regjistrimit, bazuar në këtë standard ndërkombëtar të ISO-s”. Sistemi i Kompjuterizuar i Regjistrimit të Pasurive në Shqipëri (ALBSReP) tashmë është instaluar dhe është operativ në 5 ZVRPP si në, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Shkodër. Brenda qershorit 2013, ky sistem do të instalohet edhe në 5 ZVRPP të tjera (Laç, Lezhë, Lushnjë, Vlorë dhe Korçë) duke mbuluar kështu 10 ZVRPP-të më të mëdha të cilat përfaqësojnë rreth 80 për qind të tregut të pasurive të paluajtshme. Shqipëria është një nga tre vende të rajonit (së bashku me Rusinë dhe Ukrainën) që ka zbatuar sistemit e gjurmimit online të të dhënave, i cili mundëson që qytetaret të ndjekin online procesimin e aplikimeve të tyre brenda afateve ligjore, duke kufizuar mundësitë e korrupsionit. Gjithashtu, sipas kryeregjistruesit Arben Qirjako, në këtë konference është prezantuar si një histori suksesi shërbimi më i ri i portalit “One Stop Shop” te noteri, i cili kufizon komunikimin direkt të qytetarëve më punonjësit e ZVRPP-ve, si edhe redukton hapat dhe kohën e nevojshme për përfundimin e një transaksioni të pasurive të paluajtshme.
Objektivat
Përpos vlerësimeve pozitive, që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë, objektiv tjetër i rëndësishëm i ZRPP-së është përfundimi i regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme në të gjithë territorin e vendit brenda vitit 2013. Në përmbushje të këtij objektivi, falë edhe instalimit të një prej sistemeve më të mira kompjuterike të regjistrimit të pasurisë në rajon, vetëm vitin fundit, vetëm nga Projekti LAMP i Bankës Botërore, janë regjistruar rreth 200.000 pasuri në zonat urbane dhe janë në proces konsultimi nëpërmjet afishimit publik rreth 300.000 pasuri të tjera, regjistrimi i të cilave përfundon brenda qershorit 2013. E gjithë kjo reformë në ZRPP, sikurse krijimi i një Regjistrit Dixhital për Pronat, ka qenë dhe është në funksion të krijimit të lehtësirave për qytetarët, duke ua bërë më të lehtë regjistrimin e pronave. Kështu, nëpërmjet zbritjes së kohës së regjistrimit, nga 47 ditë që ishte në vitin 2005, në 9 ditë që është sot, shkon deri në 2 ditë brenda vitit 2013. Gjithashtu, nëpërmjet zvogëlimit të kostove financiare, shkohet deri në përgjysmimin e tyre, ndërsa përfitohet një transparencë më të madhe.
Gjirokastër
Vranë të moshuarin në tentativë vjedhjeje, gjykata i lë në burg
Gjykata e Gjirokastrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për dy të dyshuarit e akuzuar për vrasjen e ndodhur në fundjavë në Vodhinë të Dropullit, përkatësisht për shtetasit Adrian Qopekaj dhe Dashamir Kamo. Para gjykatës, organi i akuzës paraqiti dje provat që disponon dhe që provojnë implikimin dhe autorësinë e dy të arrestuarve në këtë krim të rëndë, ndërsa kërkoi nga gjykata lënien në burg të tyre, duke u lënë mundësinë për hetime të mëtejshme. Pavarësisht mohimit të akuzës nga ana e të akuzuarve, gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke lënë në burg dy të akuzuarit për vrasjen e të moshuarit, Qopekaj e Kamo. Sipas akuzës, dy personat nën hetim kishin hyrë për të vjedhur në shtëpinë të 78-vjeçarit Pandeli Magllara, por u diktuan prej tij duke sjellë përballjen me të, në përpjekje për të mbrojtur pronën. Në momentin që kanë hyrë brenda i ka dëgjuar i zoti i banesës, i cili ka shkuar në tualet ku kishte dëgjuar zhurmën. Në momentin që i zoti i banesës ka shkuar në tualet, është ndeshur me dy të arrestuarit që ishin futur nga dritarja, të cilët i kanë përplasur kokën në lavaman dhe për pasojë i zoti i banesës shtetasi Pandeli Magllara ka humbur jetën. Më pas, bashkëshortja e tij Evanthia Magllara, kur ka dëgjuar zhurmë ka shkuar menjëherë në katin e dytë të banesës për të mësuar çfarë kishte ndodhur, por është goditur me sende të forta në kokë nga dy grabitësit, të cilët më pas e kanë lidhur dhe i kanë zënë gojën me plasmas që të mos bërtiste.