Raporti i KE-së Berisha: Shqipëria, Turqia dhe Polonia, rritje ekonomike në kohë krize

0
253

Ina Jano

rritjeNë sektorin privat jobujqësor vendet e punës u rritën me 1,8% në tremujorin e fundit të 2012-ës dhe me 6.5% si rritje vjetore

Kryeministri: Ata që bëjnë kollagjerin të lexojnë këto raporte


Duke iu referuar raportit të më fundit të bërë publik nga Komisioni Evropian për tremujorin e parë të vitit 2013, Kryeministri veçoi se Shqipëria ishte një nga tre vendet të cilët jo vetëm nuk ishin prekur nga kriza, por përkundrazi kishte pasur rritje ekonomike dhe rritje të nivelit të punësimit. Sipas këtij raporti, kushtet e analizimit kanë qenë të pandryshuara dhe shifrat janë tejet inkurajuese për vendin tonë, ndërsa ai deklaroi se kjo është përgjigja më e mirë që mund tu jepet edhe ankesave dhe deklaratave të opozitës. “Kushtet e tregut të punës qenë të pandryshuara, dhe punësimi u rrit me 0.5%. Ja pra, përgjigja që i jep Komisioni Evropian matematikës të Kosta Barjabës dhe Edi Ramës. Kjo është përgjigja, punësimi në Shqipëri u rrit me 0,5%. Të mos harrojmë se 1% e tregut të punës në Shqipëri është një numër i konsiderueshëm”, – u shpreh Kryeministri. Duke analizuar të gjitha kushtet dhe degët e ekonomisë në vend, lideri i mazhorancës nga mbledhja e përjavshme e qeverisë shtoi se rritja pozitive e Shqipërisë ishte 1.7 për qind. “Karakteristikë e ekonomive me rritje pozitive ishte ulja e ritmeve të rritjes në Turqi dhe Islandë 1,4%, ndërsa në Shqipëri thotë 1.7%, pra rritja pozitive e Shqipërisë ishte 1,7%, kurse Maqedonia, Serbia, mali i Zi, Kroacia patën tkurrje, rënie prej -2%. Së bashku me rritjen pozitive në Turqi, Islandë dhe Shqipëri, në këto tre vende edhe tregu i punës pati përmirësime dhe ishte i stabilizuar. Në Islandë dhe Turqi pati një ulje të lehtë. Ndërsa në Shqipëri mbeti i stabilizuar. Në vende të tjera papunësia u rrit ndjeshëm si në Kroaci, 15. 9% dhe në Serbi 23.9%. Shqipëria pati një ulje të llogarisë rrjedhëse nga minus 13.3 që ishte, zbriti në minus 10.5. Inflacioni në Shqipëri, ishte më i ulët në vitin 2012 (se këto janë të dhënë ta vitit 2012) sesa në vitin 2011. Këta që bëjnë fjalë për inflacion kësaj here ka qenë një zhvillim tjetër pozitiv i ekonomisë shqiptare”, – deklaroi zoti Berisha.

Kryeministri theksoi se Komisioni Evropian hedh poshtë të gjitha mashtrimet dhe gënjeshtrat që shpërndahen çdo ditë, nga opozita, lidhur me shifrat e papunësisë, duke harruar se sot çdo tregues i tregut dhe i ekonomisë është sa kombëtar aq edhe ndërkombëtar. Duke u ndalur në sektorë të veçantë, me shifrat përkatëse, kreu i ekzekutivit vlerësoi se megjithëse mbetet ende një punë e madhe për të bërë, reformat e implementuara e kanë mbrojtur vendin kriza që po rrënon ekonomitë përreth. “Ndaj dhe ne vendosëm paketën e dytë të reformave shumë të rëndësishme, të cilat do të japin efektin e pritshëm nga më së shpejti, tremujorin e 4-t të këtij viti, kurse më të ndjeshëm vitin e ardhshëm”, – tha në këtë kontekst Kryeministri. Ky i fundit si shefi kabinetit qeveritar, pohoi se sipas të gjitha raporteve Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe janë pikërisht këto raporte të cilët duhet që të lexojë dhe opozita. Kryeministri u ndal edh tek shteti më i ri në Evropë, tek Kosova dhe veçoi se edhe ajo ka rritje ekonomike, por jo aq të shëndetshme sa të Shqipërisë. “Ata që bëjnë kollagjerin, bëjnë mirë ti lexojnë këto raporte. Nuk i pëlqejnë por këto janë të vërteta. Më mirë se sa të thonë erdhi Fondi Monetar tek ne, tek mendja e tyre, më kujtojnë një frazë të atit të tyre shpirtëror se “ma thotë kjo rradakja ime se në këtë katërkëndësh ka naftë”. Dhe pastaj i kalonte në hell ata që në atë katërkëndësh nuk gjenin naftë. Edhe ky,tha tani, Fondi Monetar erdhi tek ne, tek opinioni ynë, ekonomisti i shquar që thotë se borxhi duhet të matet nga banka si % e GDP-së”, – përfundoi shefi i mazhorancës.

 

Bashkëbisedim me studentët e Beratit

Kryeministri: Mos lejoni t’ju shajnë vendin tuaj

Kryeministri Sali Berisha deklaroi: “Projekti ynë është Shqipëria një vend evropian dhe i zhvilluar”. Gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Universitetit të Beratit, lideri i qeverisë u shpreh se vendi ynë në 22 vite ka rritje të prodhimit të brendshëm me 11 herë. “Asnjë vend tjetër nuk ka pasur rritje të GDP-së kaq sa Shqipëria”, – theksoi ai. Duke vlerësuar hapjen e Universitetit të Beratit si zhvillimin më pozitiv në historinë moderne të këtij qyteti, kreu i qeverisë tha se, qeveria do të bëj gjithçka për shkollimin më të mirë dhe punësimin e të rinjve. Ai informoi se falë politikave të ndërmarra numri i studentëve ka arritur në 162 mijë, ndërsa në vitin 2005 ishte 52 mijë. Qëllimi ynë, tha ai, është që çdo i ri të provojë veten në universitet. “Mos pranoni në asnjë mënyrë t’jua shajnë vendin tuaj. Gjeneratat para jush kanë në memorie një Shqipëri realisht shumë problematike, kanë në memorie një Shqipëri, ku varfëria në të gjithë zonat verilindore e juglindore ishte në shkallë të paimagjinueshme, një memorie me një sistem që skllavëroi njerëzit. Kjo ishte Shqipëria që kanë në mendje gjeneratat para jush. E them këtë që të mos dëgjoni ata përpara. Por, ju jeni të rinjtë e një vendi anëtar në NATO dhe kjo ju bën ju krenar”, – iu drejtua kryeministri Berisha të rinjve. Lideri i ekzekutivit pohoi se Shqipëria ka arritur disa nga treguesit më themelorë të vendeve të zhvilluara. “Në këtë garë Shqipëria ecën jo pa vështirësi”, – vijoi Kryeministri, duke shtuar se “projekti ynë është, Shqipëria vend evropian dhe i zhvilluar”.

 

 

Përurohet Kozarë-Kuçovë, prioritet ndërtimi i rrjetit të ujitjes

Është përuruar dje në rrethin e Beratit segmenti Kozarë-Kuçovë, një investim prej 163 milionë lekësh. Kreu i qeverisë shqi9ptare në fjalën e mbajtur përpara të gjithë banorëve të zonës të mbledhur premtoi se në mandatin e ardhshëm ndërtimi i rrjetit të ujitjes do të mbetet prioritet. Kryeministri Berisha informoi banorët se fillojnë, gjithashtu, punimet në dy segmentet shtese që ka kërkuar komuniteti i zonës: rikonstruksioni i hyrjes së qytetit të Kuçovës, si dhe rikonstruksioni i aksit Polovinë-Drizë, i cili do të lidhe komunën Perondi me rrugën Kozarë-Kuçovë. “Ne, – u shpreh Kryeministri, – i mbajmë fjalët tona dhe i bëjmë ato realitet. Ne premtuam vite më parë se do të dyfishojmë pensionet e fshatit. Ne i kemi dyfishuar ato dhe do të vazhdojmë t’i rrisim. Ne premtuam se do të subvencionojmë projektet. Katër vitet që shkuan ne kemi subvencionuar 42 mijë projekte në fshat. Ne premtuam se do t’ju ndërtojmë ju infrastrukturën rrugore të njëjtë me lagjet e qyteteve. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë rurale. Ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë rurale që ka mbetur për t’u ndërtuar. Në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në Kozarë, në Berat dhe kudo në Shqipëri rrjetin e ujitjes më modern që ekziston sot në ndonjë vend”. Më tej shefi i mazhorancës pohoi se nismat e qeverisë do të vijojnë edhe në katër vjeçarin e ardhshëm dhe në këtë prizëm ai deklaroi se ajo për akcizën do të hyjë në fuqi dhe do të kalojë në Parlament. “Unë kam kënaqësinë e madhe t’ju jap ju fermerëve të Kozarës, të Beratit dhe të mbarë Shqipërisë lajmin e mirë se qeveria do të vendosë së shpejti të subvencionojë akcizën e naftës për ju. Kjo do të jepet me para në dorë për sipërfaqen që do të mbillni. Ne do të bëjmë gjithçka për suksesin tuaj. Ne do të bëjmë gjithçka që djersa, mundi dhe puna juaj të shndërrohet në begati, të shndërrohet në mirëqenie, të shndërrohet në jetë më të mirë. Qeveria e hoqi TVSH-në për plehrat dhe për kimikatet që ju përdorni. Tani qeveria do t’jua japë ju paratë e TVSH-së për plehrat dhe për kimikatet që përdorni. Ne kemi respekt për firmat, por ajo TVSH kishte si synim të vinte tek ju. Ndaj kemi gjetur skemën t’jua dorëzojmë juve në dorë paratë e TVSH për plehrat dhe kimikatet”, – tha Kryeministri përpara banorëve të zonës. Rruga Kozarë-Kuçovë, 3.82 kilometra, lidh qendrën e komunës Kozarë, me qytetin e Kuçovës. Përfitues nga ky investim janë 25 mijë banorë të komunave Kozare, Kuçovë, Perondi. Kjo rrugë është financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve, me vlerë 163 milionë lekë. Ky investim është pjesë e një ndërhyrjeje të integruar që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po kryen në kuadër të strategjisë rajonale të zhvillimit në qarkun e Beratit. Së bashku me dy rrugët e tjera Grekan-Vlashuk 13.5 kilometra dhe Kozare-Fiershegan 18.1 kilometra, punimet e të cilave janë në zbatim, kjo zonë merr rëndësi, duke u bërë një pikë ku kryqëzohen rrugët që lidhin qarkun e Beratit me atë të Fierit dhe Elbasanit. Në pjesën urbane, rruga ka një gjerësi asfalti prej 5-6 metra dhe është e pajisur me trotuare në të dy krahët dhe është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë sinjalistikën rrugore. Pjesë e këtij investimi ka qenë dhe zgjerimi i urës ekzistuese të Kozarës, që sot është me dy kalime.