Koalicioni paraelektoral Rama firmos me 43 parti, Meta, Gjinushi dhe Milo në marrëveshje dypalëshe me PS-në

0
149

Gëzim Saliu

psDilemat e vetme në koalicionin e majtë mbeten Aleanca Kuq e Zi dhe PBDNJ

 

Partia Socialiste firmos marrëveshjen paraelektorale me 43 parti të koalicionit opozitar, të cilat që nga dje u bënë zyrtarisht pjesë e koalicionit opozitar. Kreu i PLD-së Spartak Ngjela, ai i PSV 91 Petro Koçi dhe kryetari i PSM-së Gjergj Koja dhe përfaqësues të tjerë të partive të nivelit të dytë ishin ata që nënshkruan marrëveshjen mesditën e djeshme në selinë rozë me kreun socialist Edi Rama. Ndërkohë, në takim nuk morën pjesë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, ai i Partisë Social-Demokrate Skënder Gjinushi dhe kryetari i Demokracisë Sociale Paskal Milo, të cilët ndryshe nga 43 krerët e partive të vogla të koalicionit të majtë, do të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe me Partinë Socialiste.

 

Marrëveshja

43 parti kanë firmosur marrëveshjen për bashkëpunim me PS-në në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Në takim krerët e partive të vogla nuk kanë pasur pretendime për të qenë pjesë e listave zgjedhore, pasi ato do të kandidojnë nën siglën e tyre. Kreu i Partisë PSV’91, Petro Koçi, në përfundim të takimit me kryesocialistin Rama, bëri publike se marrëveshja përmban detyrime të partisë për të respektuar besnikërinë e votës dhe detyrimet pas rezultatit zgjedhor, teksa shtoi se kushti i vetëm është rotacioni politik. “Ky dokument nuk përmban kërkesa specifike të partive në raport me PS-në, por është baza për regjistrimin e këtij koalicioni në KQZ. Marrëveshja është ajo që kemi miratuar më parë, kushti kryesor është rotacioni politik, të tjera lidhen me vendime specifike por s’kanë lidhje mbi parimet e ndërtimit të koalicionit”, – theksoi Koçi. Ndërsa kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, deklaroi se do të kandidojë nën siglën e partisë së tij. “Unë nuk kam ardhur për të bërë kërkesë për të hyrë në PS. Unë jam me partinë time dhe do dal deputet”, – tha Ngjela. Në kohën kur afati përfundimtar për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është data 23 prill, dilemat e vetme në koalicionin e majtë mbeten Aleanca Kuq e Zi dhe PBDNJ. Kjo e fundit megjithëse ka mbështetur PS-në në konfliktin për KQZ-në, ku anëtari i propozuar nga kjo forcë ka ngrirë marrëdhënien me institucionin më të lartë zgjedhor pas dorëheqjeve të anëtarëve të propozuar nga PS, mbetet ende në mëdyshje nëse do të bashkohet me të majtën apo të djathtën. Vangjel Dule ka vënë si kusht për pjesëmarrjen e tij në dy koalicionet e mëdha, mos prezencën në to të AK-së dhe PDIU-së. Shanset që AK-ja të përfshihet në kampin e majtë janë reale e ndërsa në kahun tjetër mundësia duket e pamundur. Në këtë formë PBDNJ duket larg aleancës me Partinë Socialiste dhe shumë pranë rikthimit në të djathtën. Nga ana tjetër, AK e cila deri më tani ka qenë kritike ndaj dy forcave më të mëdha, ka dy mundësi, është ftuar në vijimësi nga kreu socialist Edi Rama për t’u përfshirë në koalicionin e majtë. Madje, javën e fundit, kryesocialisti dha edhe një ultimatum ndaj forcës së drejtuar nga Kreshnik Spahiu, duke pohuar: “AK duhet të presim ca ditë ta kuptojmë, është Saliu pa PD apo një forcë opozitare. Duhet të vendoset mes këtij koalicioni apo pushtetit dhe jo për të çoroditur shqiptarët me spazma morale dhe nacionaliste duke dizenjuar një profil që nuk ka të bëjë me profilin që na duhet”. Në rast se AK nuk pranon të bashkëpunojë me PS-në, ajo mund të dalë e vetme në zgjedhje ose të bashkohet me FRD-në e Bamir Topit, një aleancë kjo që po përflitet shumë kohët e fundit.

 

 

Majko: KQZ, në krizë politike

Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko akuzoi PD-në si forcën politike që po shkakton krizë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Duke folur nga Korça pas takimit me strukturat e partisë, Majko tha se shkarkimi i anëtarit të LSI me kërkesë të mazhorancës nga ky komision solli situatën në të cilën ai ndodhet. Sipas deputetit socialist dorëheqja e dy anëtarëve të PS, erdhi si reagim ndaj veprimit të PD-së. “Kriza në KQZ nuk është një krizë teknike por politike, ndaj për këtë arsye PS ka nisur punën për zgjedhjet dhe do mbrojë votën nga manipulimi”, – tha Majko.

 

PS, Dade: Berisha prishi marrëdhëniet me partnerët strategjikë

Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, deklaroi dje se kreu i qeverisë Sali Berisha ka dështuar në marrëdhëniet me partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe ka dobësuar profilin e vendit. “Me mëndjengushtësisë e tij politike po asgjëson dita-ditës hapësirat për dialog dhe bashkëpunim politik. Sali Berisha dështoi me Kosovën, jo vetëm që nuk e ndihmoi procesin e njohjes së mëtejshme të shtetit të pavarur, por e vuri në rrezik këtë proces për shkak të retorikës së nacionalizmit primitiv, pas së cilës rreket të fshehë dështimet e njëpasnjëshme që po rrënojnë vendin. Koston e papërgjegjshmërisë së tij e paguajnë shqiptarët dhe Shqipëria përkundrejt rajonit e Evropës. Sali Berisha zbehu rolin e Shqipërisë si partner serioz i botës demokratike, i Shteteve të Bashkuara dhe i Bashkimit Evropian, të cilët shprehën shqetësime serioze se kjo retorikë primitive përbënte kërcënim për klimën e bashkëpunimit dhe stabilitetit demokratik rajonal”, – tha Dade.

 

KiE: Mosvotimi i tri ligjeve, shqetësues, zgjedhjet të arrijnë standardet

Dy bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jonathan Evans nga Mbretëria e Bashkuar dhe Grigore Petrenco nga Moldavia, mbyllën dje vizitën e tyre në Tiranë. Në një konferencë për shtyp, ata kanë bërë me dije konkluzionet e vizitës së tyre faktmbledhëse në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhshme. Jonathan Evans gjatë fjalës së tij u shpreh se misioni i tyre ishte të mblidhnin fakte për zgjedhjet, të cilat, siç shtoi ai duhet të jenë të lira e të ndershme. “Shqipëria iu nënshtrua procesit monitorues roli ynë është të vlerësojmë nëse Shqipëria është e aftë të përmbushë standardet në zgjedhje. Të gjitha partitë kanë obligim ndaj popullit të realizojnë zgjedhje të lira e të ndershme në qershor të këtij viti”, – tha ai. Ndërsa lidhur me situatën e krijuar në KQZ, Evans nxiti palët politike të zgjidhin çrregullimin në funksionimin e këtij institucioni, që sipas tij duhet të jetë i pavarur. “Nuk na takon ne të merremi me rrethanat që kanë çuar në këtë problem, partitë presin nga ne rolin e arbitrit, por ne shohim situatën nuk është e kënaqshme është shqetësuese, i takon politikës shqiptare të bëjë zgjidhjet e duhura”. Nga ana tjetër raporteri Evans shprehu shqetësimin e tij për mosvotimin e 3 ligjeve të integrimit. “Ndryshimet legjislative nuk kanë bërë asnjë progres, rregullorja e Kuvendit, ligji për gjykatën e Lartë dhe ligji i administratës civile nuk janë miratuar ende, kjo shqetësuese. Është frustruese kur mendon që palët ishin shumë afër marrëveshjes. Ne presim progres në forcimin e gjyqësorit dhe luftës ndaj korrupsionit”, – tha Evans. Ndërsa bashkëraportuesi nga Moldavia, Grigore Petrenco tha se KiE nuk imponon qëndrimet e saj, dhe se vizita e tyre kishte për të vëzhguar situatën në vend dhe jo për të gjykuar. “Ne jemi këtu jo për të imponuar qëndrimet tona dhe jo për të gjykuar. Ne vijmë këtu për të vëzhguar dhe në bazë takimeve që bëjmë hartojmë një raport që i dërgohet Këshillit të Evropës”, – theksoi Petrenco. Dy bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jonathan Evans nga Mbretëria e Bashkuar dhe Grigore Petrenco nga Moldavia u takuan dje edhe me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, ndërsa më herët kanë zhvilluar takime me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministrin Sali Berisha, kryetarin e PS-së, Edi Rama, ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, dhe me disa nga komisionet parlamentare.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency