Thaçi: Marrëveshje historike

0
181

marreveshjqaPërfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se negociatat kanë përfunduar, tekstit i janë vënë inicialet nga të dy kryeministrat.

“Dua t’i uroj të dy për vendosmërinë dhe guximin që kanë pasur gjatë këtyre muajve. është e rëndësishme që ajo që po shohim tani është një hap më larg nga e kaluara dhe për të dy një hap më afër Evropës”, – u ka thënë Ashton gazetarëve në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me të dalë nga takimi, marrëveshjen e ka cilësuar si historike. “Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e Baroneshës Ashton. Kjo marrëveshje është nënshkruar inicialisht mes dy kryeministrave të dy shteteve me garancinë e Baroneshës Ashton”.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial”. “Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona dhe popujve tanë, prandaj jam i kënaqur që gjendem sot këtu në Bruksel me Baroneshën Ashton dhe kryeministrin Daçiç, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e të dy vendeve tona, të ardhmen evropiane”. “Jemi të vetëdijshëm se do të ketë njerëz edhe në Kosovë edhe në Serbi që nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje por kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për rajonin dhe për Bashkimin Evropian”. “Jemi të vendosur që ta zbatojmë në praktikë këtë marrëveshje në ditët e ardhshme, që do të bëjmë marrëveshjen për implementimin. Do të thotë deri më 26 prill ne do të kemi edhe draftin përfundimtar për implementim dhe aktorët implementues, institucionet e Republikës së Kosovës, EULEX-in, NATO-n, dhe një rol lehtësues të Serbisë”, – ka thënë kryeministri i Kosovës.

 

Daçiç: Serbia nuk e ka pranuar sot këtë marrëveshje

Mediat serbe citojnë Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, të ketë thënë se “Serbia nuk e ka pranuar sot këtë marrëveshje”. “Unë i kam vënë inicialet në tekstin e propozuar, për pranimin ose refuzimin e të cilit të dyja palët do të deklarohen gjatë ditëve në vazhdim”, – ka thënë Daçiç, duke shtuar se ky tekst sot është gjithsesi më i përshtatshëm seç kanë qenë propozimet e deritashme.

Bashkësia e komunave serbe do të ketë autorizime të mëdha, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e komandantit, përkatësisht ajo do ta propozojë komandantin rajonal të policisë; do të ketë përbërje serbe në sistemin e drejtësisë, do të ketë një përfaqësi të gjykatës së qarkut në veri të Mitrovicë”.

“Selia e bashkësisë do të jetë në veri të Mitrovicës, do ta ketë pronën e vet, xhirollogarinë e vet, kuvendin, presidentin, nënpresidentin dhe këshillin, si një formë qeverie. Do të ketë mbikëqyrje të plotë dhe autoritet ekzekutiv kur bëhet fjalë për arsimin, shëndetësinë, kulturën, planifikimin hapësinor”, – ka thënë Daçiç. Teksti nuk është publikuar zyrtarisht ende, por është përfolur se ai përmban 15 pika. Prej tyre, pika e 14 ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, e për të cilën pikë Daçiç ka thënë se janë marrë parasysh kërkesat e palës serbe për të penguar një anëtarësim të tillë. Por, zoti Thaçi është përgjigjur duke thënë se Serbia gjithmonë ka deklaruar fitore, edhe në qershor të viti 1999, edhe në takimet e Vjenës.

 

 

 

 

Berisha: Kapitull i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve

Marrëveshje historike e ka quajtur kreu i qeverisë, Berisha, atë të nënshkruar ditën e djeshme në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. “Sot (dje), në Bruksel, pas negociatash serioze u arrit marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton dhe mbështetjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për procesin. Kjo marrëveshje historike përbën një arritje madhore, tejet të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Marrëveshja e Brukselit ka një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin tonë, për paqen, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal dhe evropian. Marrëveshja e sotme hap një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajonin tonë, në përpjekjet e tyre për një të ardhme të përbashkët evropiane. Me këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare përshëndes vendosmërinë, kurajën, vizionin e të dyja palëve, të dy kryeministrave Thaçi dhe Daçiç, për arritjen e saj. Përshëndes Baroneshën Ashton për ndërmjetësimin e aftë, të durueshëm dhe të suksesshëm, si dhe mbështetjen e mikut tonë të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që bënë të mundur këtë arritje historike për Kosovën, Serbinë dhe rajonin tonë”, – shkruan Berisha.

 

Rama: Krenar për Kosovën, fitoi luftën për paqen

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar në rrjetin “Twitter” pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Ai u shpreh krenar për Kosovën, duke vlerësuar edhe Serbinë për këtë hap të rëndësishëm. “Krenar për Kosovën që falë një lidershipi vizionar fitoi luftën dhe paqen me dinjitetin më të madh! Më në fund dhe Serbia bëri gjënë e duhur”, – shkruante kreu i PS-së, Edi Rama.