Sonja Caka
Banorët: Hera e shtatë që po na vidhnin, u detyruam të ruanim çdo natë shtëpitë. Autori Kapllanaj: E vrava se donte të më vidhte banesën
Fshati Ngreçie në Mallakastër kishte pësuar rrëshqitje nga shirat, banorët ruanin me radhë banesat e njëri-tjetrit. Dyshohet të kenë qenë 4 persona, kufoma ende në morgun e qytetit
Një javë nga vrasja e ndodhur në Dropull të Sipërm në Gjirokastër, ku i zoti i shtëpisë vritet nga hajdutët, e kundërta ka ndodhur në një fshat të Mallakastrës, ku i zoti i shtëpisë ka vrarë një nga 4 hajdutët që kishin shkuar për ta grabitur. Situata gati e njëjtë edhe në fshatin Ngracie të këtij rrethi, ku autori i krimit ka qenë roje i banesave të fshatit, njëra e tija dhe të tjerat të bashkëfshatarëve. Hajdutët, duke e ditur se banesat kanë qenë të braktisura, por ndoshta pa pasur dijeni se ato ruheshin çdo natë nga një prej banorëve të fshatit, kanë shkuar në orët e mesnatës për të vjedhur. Por, ata janë diktuar në kohë nga Ylli Kapllanaj, i cili kishte radhën për të ruajtur banesat, dhe pas përleshjes mes tyre, ai i ka qëlluar duke shkaktuar vdekjen e njërit prej tyre. Kapllanaj ka lajmëruar menjëherë policinë për ngjarjen, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe në mënyrë paralele, ka nisur kërkimet për 3 personat e tjerë, ndërsa grupi hetimor ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe shoqërimin për në komisariatin e Fierit të autorit të ngjarjes. Ylli Kapllanaj ka deklaruar se kanë qenë 4 personat që kishin shkuar për të vjedhur banesat, tre prej të cilave kanë mundur t’ia mbathin pasi kanë dëgjuar të shtënat. 47-vjeçari ka deklaruar se qëlloi ndaj hajdutëve se kishin shkuar t’i vidhnin në banesë. “E vrava se donte të më vidhte banesën” mësohet të ketë rrëfyer para policisë Kapllanaj, ndërsa mësohet nga banorët e fshatit se banesa e tij vidhej për herë të shtatë.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Ngracie në zonën e Mallakastrës. Ka qenë ora 01:00 e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme kur janë dëgjuar të shtëna armësh, nga ku për pasojë ka mbetur i vdekur një persona. Ka qenë vetë autori që ka njoftuar policinë, e cila ja ka behur me shpejtësi në vendngjarje. Ylli Kapllanaj ka qenë duke ruajtur banesat e fshatit të tij, pasi kishte radhën e rojës, kur ka diktuar katër persona që kanë shkuar për të vjedhur. I gjendur i vetëm përballë 4 personave, mësohet se mes tyre ka pasur një përleshje dhe pistoleta e përdorur për vrasjen të ketë qenë e hajdutëve. Kapllanaj ka mundur t’u marrë armën, duke qëlluar për vdekje njërin prej tyre. Më pas, i tronditur për çfarë ka ndodhur, Kapllanaj ka lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur në fshat, ndërkohë që ka bërë këqyrjen e vendit ku ndodhi ngjarja, grupe të tjera kanë nisur krehjen e zonës me qëllim kapjen e 3 personave të tjerë. Ndërkohë, policia bën me dije se viktima ndodhet në morgun e qytetit të Fierit në pritje të identifikimit, ndërsa Kapllanaj ka shpjeguar me hollësi për policinë situatën e orëve të mesnatës.
Situata
Një muaj më parë, për shkak të shirave të shumtë, në fshatin Ngarcie të Mallakastrës kanë ndodhur rrëshkitje të dherave, ndërsa 15 shtëpi u shkatërruan si pasojë e shembjes së tokës. Duke qenë se banorët u evakuuan, çdo natë me radhë ata bënin rojë në fshat, duke ruajtur banesat e njëri-tjetrit. Shkak ishin bëra vjedhjet e shpeshta të banesave në këtë fshat. Banorët kishin njoftuar edhe policinë për këto vjedhje, por përgjatë gjithë kësaj kohe nuk kishte pasur një emër autori si të dyshuar. Të gjendur përballë një situate të tillë, banorët e fshatit kishin vendosur t’i ruanin vetë banesat dhe të kapnin autorët e këtyre vjedhjeve. Mbrëmjen e 19 prillit deri në mëngjesin e datës 20 prill i takonte Ylli Kapllanajt për të ruajtur banesat e braktisura në fshat. Duket, edhe hajdutët, të cilët dyshohet të jenë nga zona pranë këtij fshati dhe që kanë njohur terrenin dhe kanë pasur dijeni për faktin se banesat ishin të braktisura, kanë shkuar për të vjedhur në fshat. Dyshohet se kanë qenë të njëjtët persona që kanë kryer edhe vjedhjet e mëparshme.
Policia
Lidhur me ngjarjen ka reaguar zyrtarisht përmes një komunikate për shtyp edhe policia e Fierit. Në këtë reagim, policia bën me dije se i zoti i shtëpisë, Ylli Kapllanaj, 47 vjeç, pasi i ka diktuar personat e dyshuar për vjedhje, ka qëlluar me armë zjarri ku si pasoje mbeti i vdekur një prej vjedhësve. Sipas policisë, para oborrit të banesës së autorit Kapllanaj ndodheshin disa sende të cilat janë përdorur nga autoret, si dhe mjeti frezë që ndodhej në oborr, e cila ishte shënjestra e radhës së grupit të hajdutëve. Ndërkohë që, rreth 50 metra larg shtëpisë dukeshin shenjat e gjakut ku kishte rënë viktima, ndërsa është gjetur nga policia i vdekur. Pas kësaj ngjarje është njoftuar policia e Fierit, e cila ka shoqëruar të dyshuarin për vrasje në polici për ta marrë në pyetje, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Grupi hetimor është duke punuar për identifikimin e 4 të rinjve, të cilët dyshohet të jenë banorë të zonës. Sipas policisë, identifikimi dhe kapja e tyre është çështje orësh. Ndërkohë që mësohet se trupi i pajetë i personit të vrarë ndodhet në morgun e Mallakastrës në pritje të identifikimit, policia ka bërë kontroll në gjithë zonën ndërsa me zbardhjen e identitetit të të riut të vrarë, shumë shpejt do dalin edhe shokët me të cilët ai ka shkuar për të vjedhur në fshatin Ngrecie.
Dëshmitë
Banorët: Ylli i ka parë dhe është përleshur me hajdutët
Mes hajdutëve dhe autorit Ylli Kapllanaj dyshohet të ketë pasur një përleshje. Madje, banorët e fshatit ngrenë dyshimin se arma tip pistoletë me të cilën është qëlluar njëri prej hajdutëve të ketë qenë e këtyre të fundit. Banorët e fshatit kanë reaguar dje pas ngjarjes. Dilaver Kapllanaj, njëri prej kushërinjve të Yllit është shprehur se në këtë fshat kishin filluar vjedhjet deri edhe te pulat. Mbrëmë ishte rasti i shtatë që vinin për të vjedhur. Sipas tij, nuk linin gjë pa vjedhur. “Mbrëmë kur ndodhi ngjarja, unë nuk isha, por këtë e mora vesh më vonë, pas ngjarjes. Di që kishin ardhur katër veta dhe fillimisht kanë tentuar të vidhnin një frezë që ndodhej në oborr. Ylli i ka parë dhe u ka bërtitur atyre pasi ka dëgjuar zhurmën që të mos e merrnin. Këta i kanë qëlluar me pistoletë. Kaq di unë. Pasi e kam marrë vesh ngjarjen, kam ardhur te shtëpia e Yllit dhe rreth 50 metra larg kam parë të shtrirë në tokë një person që mund të ishte rreth moshës 22 vjeç ose më i ri. Ai kishte vdekur. E pashë se mos e njihja, ishte i vdekur nga arma e zjarrit, por nuk e di se çfarë arme ishte. Ai kishte vdekur. Nuk di se çfarë të them. Se kanë qëlluar njëri-tjetrin, se ka qëlluar Ylli, nuk di të them, pasi me sa dëgjova ata kishin qëlluar të parët. E pashë viktimën dhe nuk e njoha” përfundon rrëfimin e tij kushëriri i Ylli Kapllanaj. Ndërkohë që xhaxhai i tij, Teki Kapllanaj, është shprehur se kjo ngjarje ka ndodhur për vjedhje. “Ka ardhur policia pas vjedhjes së tretë në fshat, por nuk nxorri dot gjë. Në këto kushte u thashë nipërve që të paktën të ruanin për t’i trembur vjedhësit se këtu ka njerëz. Na vinte edhe turp se nuk dinim se kush vidhte. Kishim katër a pesë ditë që po ruanim për këtë. Pasi kishin vjedhur dy pompa uji dhe pulat, ata vazhduan të vinin shpeshherë këtu” mbyll dëshminë e tij xhaxhai i autorit të dyshuar të vrasjes.
Precedenti
Shkuan për të vjedhur në banesë, vranë të zotin e shtëpisë, i plagosën gruan
Një javë më parë, në orët e mesnatës, duke u gdhirë dita e shtunë, Adrian Qopekaj dhe Dashamir Kamo nga Libohova e Gjirokastrës kanë hyrë për të vjedhur në shtëpinë të 78-vjeçarit Pandeli Magllara, por u diktuan prej tij duke sjellë përballjen me të, në përpjekje për të mbrojtur pronën. Në momentin që kanë hyrë brenda i ka dëgjuar i zoti i banesës, i cili ka shkuar në tualet ku kishte dëgjuar zhurmën. Kur i zoti i banesës ka shkuar në tualet, është ndeshur me dy të arrestuarit që ishin futur nga dritarja, të cilët i kanë përplasur kokën në lavaman dhe për pasojë i zoti i banesës shtetasi Pandeli Magllara ka humbur jetën. Më pas, bashkëshortja e tij Evanthia Magllara, kur ka dëgjuar zhurmë ka shkuar menjëherë në katin e dytë të banesës për të mësuar çfarë kishte ndodhur, por është goditur me sende të forta në kokë nga dy grabitësit, të cilët më pas e kanë lidhur dhe i kanë zënë gojën me plasmas që të mos bërtiste.