Rrëfimi i Ismail Kadaresë Kadare: Ka shumë gjasë që ky të jetë shkrimi im i fundit!

0
306

kadareMënyra se si studiuesja e kritikja Persida Asllani e ka afruar, dje, botimin e ri të novelave të Ismail Kadarenë me studentët e Fakultetit të Filologjisë gati ka shkatërruar raportin “zyrtar” apo siç e ndeshim “solemn” të letërsisë me lexuesin.

S’mund të flitet për 20 minuta leksion se si një letrar duhet të nisë të shkruajë; krahasuar me Kadarenë do të ishte shembulli më i keq, por për të krijuar një mit letrar ka më shumë arsye të oratorisë. Këtë e pengojnë jo vetëm rrethanat historike, se si Kadare i është afruar letërsisë, por edhe se si është bërë shkrimtar. Pa mbërritur te lexuesi, prezantimi i librit ka pasur dje simbolikën e Ditës Ndërkombëtare të Librit e të Drejtës së Autorit. Gjithmonë lajmet për Kadarenë tundojnë mediat për “shitje” se sa në të vërtetë po merren me seriozitetin letrar të tij. Bën lajm fjala e tij për këtë lokalitet tejet politik, është lajm emri i tij. Po mbi të gjitha, midis një territori mediatik dhe një sfiduesi të kamufluar politik, Kadare paraqitet krejt papritur si kauzë antiletrare e socrealizmit. I lidhur drejtpërdrejt me jetën dhe procesin e tij krijues Kadare përherë ka shkuar tangjent me imponimin e traditës së realizmit socialist. Prandaj është thelbësore e dilematike për studiuesit, po qe se shtrojmë pyetjen: A është vepra e Kadaresë një projekt socrealist?! Megjithatë, në këtë moment Kadare lexohet si nostalgji edhe nga vetë ai. “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit” i ka bërë disa studiues të marrosen pas “dorëzimit” të shkrimtarit, nostalgjinë e tij për t’u rrëfyer për lëndën që e ka brejtur më shumë, duke e çuar tek “raporti i fshehtë” me të shkruarin. Publikohet një tregim kur Kadare ishte 17 vjeç, në ironi ia njeh vetes “papjekurinë” e gjuhës! Të tjerat tregime e novela janë të kohëve të fundit, dhe më i fundit shkrim është në vitin 2008. Ashtu siç ka rrëfyer dje, studiuesja Persida Asllani, shkrimtari siç duket vazhdon të jetë konsekuent me pohimin e tij të para pak viteve se nuk do të shkruajë më letërsi. Kjo arsye ndoshta shpjegon pse Kadare, tashmë, siç na vihet në dijeni, prej dy vitesh po i kthehet arkivit të tij të shkrimeve. Fjala e studiueses Asllani, para studentëve ka qenë thjesht një rrëfim në këmbë të autorit të “Bisedës brilante…”, mjaft konfindent duke lënë hapësirë për një mundësi ballafaqimi midis tekstit dhe punës së një filologu, si parapritë e ndonjë “amaneti” të shkrimtarit për të zgjidhur herët një nga problemet më të mëdha që ka letërsia jonë sot për sot; dora e shkrimtarit, teksti origjinal, kopja dhe e drejta e tij sa ende është gjallë!

Më poshtë është pjesa e fjalës së Persida Asllanit, së cilës i është besuar jo vetëm parathënia e librit, por edhe puna me tekstet e tregimeve nga dorëshkrimi dhe variantet, pasi bëhet fjalë për shkrime të hershme të Kadaresë.

***

“Është e vërtetë që “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit” është një titull që intrigon, por njëkohësisht prek dhe të lë pa fjalë, sepse çon drejt përfytyrimit, të çon te brilantet, të çon te një pasdite dhjetori që është një prag mbrëmjeje, diçka gala… Të lë në këtë botën e bizhuve dhe përfytyrimit, të diçkaje luksoze. Kështu më erdhi tregimi qysh në dorëshkrimin e vet. Më është dhënë së bashku me një tufë tregimesh të tjera, në përgatitje të veprës së nëntë, të veprës komplete të Ismail Kadaresë, për të bërë një parathënie të thjeshtë, të shpejtë, pasi ishte edhe koha e kufizuar për botimin.

M’u dha kjo novelë dhe ende e kam zërin e Ismail Kadaresë në vesh, që thoshte, pak solemn, po do thosha pak i zymtë, por dhe shumë miqësor dhe konfidues që thoshte në telefon: Persida, ka shumë gjasë që ky të jetë shkrimi im i fundit! Përpara një fjalie të tillë, përgjigjja do të jetë se natyrisht do ta bëj parathënien, pavarësisht se kam vetëm pak, shumë pak orë në dispozicion për të punuar me të.

Referuar punës me tekstin, e sidomos novelës më të fundit, 2008, studiuesja thotë: “…Iu drejtova menjëherë novelës “Bisedë për brilantet më pasditen e dhjetorit”. Kjo novelë mban datën 2008, është botimi i fundit origjinal, bashkëkohor i shkrimeve të Ismail Kadaresë. Ishte kënaqësi e madhe të isha ndër personat e parë që i zbuloja, ndërkohë mbas pak ditësh më erdhi i njëjti tregim me disa përmirësime në tekst. Unë i kam ruajtur të dy variantet. Kam ruajtur variantin e parë e të dytin dhe kam pasur luksin që në këtë galanë time të kritikut të zbuloj ndërhyrjet e mjeshtrit nga një tekst në tjetrin, si përmirësohet një tekst letrar, si mund të thellosh diksionin. Shumë interesante, dhe ndoshta mund të botohen një ditë variantet e krahasuara të një autori, dhe është një shkollë letrare të punosh mbi punën që bën autori me shkrimin, aq më tepër që i përket një shkrimtari të nivelit të Kadaresë. Ai ju përshëndet sot. Në njëfarë mënyrë, kjo përmbledhje meritoi këtë titull ndoshta, për këto arsye por dhe për një dashuri të veçantë që vetë autori ka.

Kjo përmbledhje, lindi si titull jo në zanafillë të mendimit të botimit por gjatë kohës që është përgatitur; vetë autori e ka ndjerë, por dhe unë si kritike, që u mora me parathënien e ndjeva se, përfaqëson një aspekt shumë të rëndësishëm të veprës së Kadaresë”.

Perceptimi dhe afrimi me sistemin politik të kohës kur shkroi Kadare, diktatura, studiuesja referon fjalët më të fundit të thëna për librin: “Është një nga shënimet e fundit që ka dalë, të një autori francez, Frederic Ferney, i cili shkruan në një revistë prestigjioze franceze, “La Revue”, 2013, ku i referohet veprës së Kadaresë dhe veçanërisht kësaj përmbledhje të fundit: “Një vepër madhështore, paralajmëruese, me një hije muzgu, një “Komedi hyjnore” e epokës së stalinizmit”. Më bëri shumë përshtypje cilësimi: “Komedi hyjnore” e epokës së stalinizimit. Mendoj se krahasimin me “Komedinë hyjnore” dhe ferrin dantesk, shumë pak autorë dhe shumë pak vepra e kanë merituar. M’u ngroh zemra që kishte koherencë në këtë lexim dhe kemi pikërisht një përmasë danteske që shfaqet mjaft mirë në këtë vepër, ku duket shumë qartë graviteti i çdo tiranie, pavarësisht se ne jemi të aftë ta fusim në konceptin tonë, të tiranisë së komunizmit. Është pikërisht ky universalitet sa na mban në konceptin shqiptar aq na çon përtej, gjë që është perceptuar kështu dhe nga publiku i huaj”.

Titujt e librit: “Provokacioni”, “Raporti i fshehtë”, “Dosja e Orfeut”, “Martesa e gjarprit”, “Në dheun e panjohur” etj… e shtyjnë studiuesin të kthejë vëmendjen se në këta tituj ndihet një rezonancë e brendshme.

“Dua të tërheq vëmendjen për një aspekt shumë të veçantë; shkrimtari i është kthyer prej dy vjetësh arkivit të vet. Dhe ngacmohet nga gjërat që ka aty brenda, herë tundohet për të botuar diçka, herë thotë jo, nuk e meritojnë, pasi nuk e kanë ende kohën për t’u botuar. Dhe në këtë qasje apo tangon e vet intime me arkivin dhe shkrimet e veprave të veta të hershme ai duket sikur ka një nostalgji të shkrimit dhe brenda saj përpiqet jo vetëm t’i gjejë në veten e tij emocionet e para, shënimet, gjëra që dikur e kanë ngacmuar fort, e kanë shtyrë sa të marrë penën të shkruajë, qysh 17 vjeç shkruan një tregim. Por nga ana tjetër dhe një pikëpyetje në raport me vlerën e botimit, sa meritojnë të jenë pjesë e leximit nga publiku…

…E them në parathënie se është një dorëzim pa kushte, ashtu siç i dorëzohemi një dashurie pa kushte, ashtu i dorëzohemi nostalgjisë së shkrimit.

Dhe nga arkivi i Kadaresë këtë vit ka dalë një tregim, që titullohet “Në dheun e panjohur”. Për arsye editimi është vendosur në fund për të na marrë me shkrimet e veta… Është hedhur lexuesi edhe një herë në shkrimin e parë, për të shijuar nostalgjinë e shkrimit. Kjo është e vitit 1988. Autori ishte vetëm 17 vjeç, kur ka shkruar këtë tregim. Është vërtetë interesante ta zbulosh këtë shkrim prej një 17-vjeçari, Kadare. Më është dukur përtej gjithë problematikave dhe naiviteteve që mund të ketë një i moshës 17 vjeçare. Nuk jemi te gjeniu, por gjithsesi ndjehet një pjekuri e politikës së shkrimit, që më bën përshtypje, mjaft e hershme për një shkrimtar.

Mendoj se ka një solemnitet në raport me shkrimin që e ka shoqëruar veprën e Kadaresë, gjë që, ndoshta e ka shpëtuar atë dhe i ka dhënë mundësinë atij, që të mos jetë peng i skemës dhe traditës dhe veçanërisht të imponuar të realizmit socialist.

Por në bisedat e Kadaresë, me sa kam dijeni me disa shënime që ai po përgatit për veprat e tij, më ka bërë përshtypje një rrëfim krejt pa doreza, por interesante për letrarët e studiuesit, pavarësisht skepticizmit që mund të hedh mbi ju të tjerët: ka një shënim, një moment kur flet për shkrime të shkruara përpara moshës së pjekurisë. Do të shikoni në një bisedë me mikun e tij të fëmijërisë, Bardhyl B., i cili është një personazh ende i pranishëm, rron në qytetin e Gjirokastrës. Është skena ku personazhi i vogël, 12-13 vjeç i frymëzuar nga leximet e Makbethit dhe Hamletit, është nxitur të shkruajë. Do të shkruajë letërsi. Ka marrë një model. Pra po shkruan, duke imituar të madhin Shekspir, ka diçka të ngjashme me djalin në “Kronikë në gur”, kur fillon zbulimi i letërsisë. Libri i Makbethit shndërrohet në një personazh letrar. Në këtë kohë në dialog me Bardhyl B., personazhi ankohet: “Nuk kam gjumë, e ndjenja që po flisja përçart; nuk kisha gjumë për atë që kisha në shpirt…”

Në parathënie të librit, Asllani këtë mendim e vazhdon: “Teksa kthehet te kjo pikë zanafillore, vetë autori i tyre Ismail Kadare” në shënimet që shkrimtari i ka dhënë, ka zbuluar për herë të parë orvatjen e tij të hershme të shkrimit letrar.

Skena me mikun e fëmijërisë, sipas studiueses sjell shijen e hidhur të së pamundurës, por “njëkohësisht për gjuhën e ende të papjekur fëminore, përballë kuptimit të botës dhe shkrimit të saj”, për të cilën citohet Kadare: “Nuk kam gjuhë… thashë gati me dënesë. E ndieja që po flisja përçart. Nuk kishte gjuhë për atë që kisha në shpirt. Duhej një gjuhë tjetër. Kurse kjo, e këtushmja… s’më bindej”.

Kjo vetëdije e përhershme që vëren në parathënie Asllani, me gjasë ka shtyrë autorin t’i sjellë ndërmend tekstet e tij të hershme, të quajtura dikur me naivitet “romane”, si krijesa të parakohshme letrare: “Romanet e mia kishin qenë diçka e gabuar, përderisa kishin lindur jashtë kohës së lejuar për letërsi. Si puna e alkoolit që s’lejohej për adoleshentët. Ndaj do të rrinin atje thellë, të shtrirë rresht, midis mendimit dhe shkrimit, të ngrirë, të pavëzhgueshëm prej syrit njerëzor. Kisha bindjen se ato tekste do të nguteshin për të dalë, do të zhbëheshin aty për aty si të goditur nga rrufeja.

Më kishte qëlluar t’i shfletoja rastësisht, por tepër rrallë, si për të gjetur se ku mbaronte mbretëria e vdekjes dhe ku niste shenja e parë e gjallimit. Kjo do të ndodhte për herë të fundit në vitin 2012, kur vështrimi im, pas gjashtëdhjetë vitesh do të ndalej mbi dorëshkrimin që mbante datën 8 tetor 1953, “Në dheun e panjohur”. Me njëfarë mundimi, gati përdhunshëm e lexova. Dhe aty për aty vendosa që, ashtu siç flitej për gurin e parë të një ngrehine, me atë tekst do të niste gjithçka që kisha krijuar. Gjithçka tjetër përpara tij do të mohohej e do të mbetej përgjithmonë në zonën e asgjësë. Dhe ky do të ishte urdhri im. I pakthyeshëm”.

Violeta Murati

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency