Driçim Çaka
Çdo i ri i papunë do të përfitojë një kontratë 3-vjeçare. Qeveria do të marrë përsipër sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për bizneset private që do të ofrojnë këtë mundësi
Bizneset private që punësojnë të rinj nga 16-30 vjeç, nuk do të paguajnë për tre vjet rresht financim mujor të sigurimeve të detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore. Ky është vendimi më i fundit i qeverisë në mbështetje të moshave të reja për t’u punësuar. Nga ky vendim do të përfitojnë të gjithë ata të rinj që kanë përfunduar arsimin e lartë, arsimin e mesëm të përgjithshëm e profesional dhe kurse të formimit profesional. Kontratat që do të përfitohen, do të jenë trevjeçare dhe në këtë mënyrë çdokush që do të punësohet do të fitojë eksperiencën e duhur për t’u integruar në tregun e punës. “Punëdhënësi, që aplikon për programin e punësimit, nuk duhet të ketë shkelur në të kaluarën legjislacionin e punës, konstatuar nga Inspektorati i Punës dhe nga administrata tatimore, si dhe duhet të ketë derdhur rregullisht detyrimet tatimore e kontributet për sigurimet e detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, veçanërisht për vitin e fundit”, – thuhet në vendimin e qeverisë
Programi
Ky program është një ndihmë e drejtpërdrejtë për ata të papunë që nuk po gjejnë dot një mundësi për t’u punësuar. Duke u regjistruar në listën e të papunëve, çdokush do të ketë mundësi të përfitojë. Kështu, do të jenë bizneset private të cilat do të zgjedhin kandidatët. Zyra e Punësimit do të vërë në dispozicion të çdo punëdhënësi listën e të papunëve dhe do të përzgjidhen kandidatët më të mirë. Punëkërkuesit e papunë, që kundërshtojnë të marrin pjesë në këtë program, hiqen nga lista e punëkërkuesve. Program do të fillojë zbatimin që nga viti 2013 dhe do të zgjasë 6 vjet.
Çfarë do të përmbajnë kontratat që nënshkruhet
Ndërmjet zyrave përkatëse të punësimit dhe punëdhënësit nënshkruhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet, në përputhje me programin për secilën palë. Kontratat lidhen vetëm për vitin buxhetor, për të cilin është miratuar projekti. Për vazhdimin e projektit në vitin pasardhës do të lidhet një kontratë shtesë, në përputhje me fondet e miratuara atë vit. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, si punëmarrës, nënshkruajnë një kontratë individuale pune, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim. Kontratat tip, hartohen nga Shërbimi Kombëtar і Punësimit dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga zyrat përkatëse të punësimit. Një kopje e kontratës së punës së çdo punëkërkuesi, punëmarrës, depozitohet në zyrën përkatëse të punësimit, e cila, në bashkëpunim me inspektoratin rajonal/vendor të punës, ndjek zbatimin e kontratës deri në përfundimin e projektit. Në rastet kur punëkërkuesi, si punëmarrës, pjesëmarrës në këtë program, largohet përpara afatit të përcaktuar në kontratë brenda gjysmës së vitit të parë të zbatimit të kontratës, për shkaqe të arsyeshme, zëvendësimi bëhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas njoftimit nga punëdhënësi dhe vlerësimit të Inspektoratit të Punës për shkaqet e zgjidhjes së kontratës. Punëdhënësi, i cili ndërpret marrëdhëniet e punësimit, pa shkaqe të arsyeshme për periudhën mbas përfundimit të subvencionimit (3-vjeçari i dytë), detyrohet të kthejë subvencionin e marrë për këtë person për periudhën e paplotësuar sipas kontratës.
Berisha: Ky është program i suksesit
Duke vlerësuar vendimin për nxitjen e punësimit, Kryeministri Berisha përmendi se ky është një program kombëtar që do të arrijë suksesin. Për Berishën ky nuk do të jetë vendimi i fundit për mbështetjen e të rinjve pasi Ministria e Financave do të sjellë disa vendime të tjera të cilat do të plotësojnë gjithë mbështetjen ndaj të rinjve. “Unë ju përgëzoj zoti ministër i Punës për këtë vendim që keni sjellë sot, i cili do të plotësohet me vendime të tjera që do të sjellë Ministria e Financave. Ne do të mbajmë një për një premtimin tonë ndaj të rinjve shqiptarë. Ne kemi të gjitha potencialet për të mbajtur premtimin tone”, – përmendi Kryeministri gjatë mbledhjes së qeverisë.
Dokumentet që duhen paraqitur nga punëdhënësi
-Vendimi i gjykatës për regjistrimin si person juridik ose vendimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit
– Numri i identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in)
– Vërtetim për shlyerjen e kontributeve për sigurimet e detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, që lëshohen nga organet e sigurimeve shoqërore, për aq kohë sa ushtron veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit
– Numri i llogarisë bankare
– Vërtetim nga dega e tatim-taksave, ku personi juridik ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit
1. Informacion për:
– numrin e fuqisë punëtore
– listën emërore të të siguruarve
– llojin e veprimtarisë, që kryen
– nivelin e pagës së dhënë për çdo person
– planbiznesin për shtimin e fuqisë punëtore
– kopje të akteve të inspektimeve për vitin e fundit
Komisioni i Ekonomisë miraton shtyrjen e afatit të bonove të thesarit
Të gjitha personat që zotërojnë bono privatizimi dhe nuk i kanë përdorur ato kanë mundësi deri në dhjetor të vitit 2014, për t’u bërë pjesë e proceseve të privatizimit. Komisioni i Ekonomisë miratoi shtyrjen e afatit për përdorimin e bonove të privatizimit deri në vitin 2014. Këto ndryshime do t’u shërbejnë lehtësirave që u janë krijuar ish-pronarëve të truallit në procesin e privatizimit të pronës shtetërore, të cilët gëzojnë të drejtën e parablerjes. Në proces privatizimi janë një sërë objektesh nënë administrim të Ministrisë së Brendshëm, Bujqësisë apo organeve të pushtetit vendor, të gjitha ata që zotërojnë bono mund të marrin pjesë në privatizimin e tyre.
CEZ: Ndërprerje të energjisë në disa zona të vendit
Kompania energjetike CEZ Shpërndarje ka njoftuar dje se sërish në disa zona të vendit do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të disa defekteve të paparashikuara. Kështu, nuk do të ketë energji në Durrës, Komuna Sukth, Hidrovori e Porto Romano, komunat Spitallë, Kënetë. Gjithashtu, ndërprerje do të ketë edhe sërish në pompat e ujësjellësit në Rubik e Tiranë. Sipas njoftimit të CEZ-it, puna për riparimin e defekteve do të variojë nga ora 09:00-15:00 dhe deri në këtë orar do të ketë ndërprerje të vazhdueshme. Për shkak të remonteve edhe një ditë më parë pati ndërprerje energjie tek Mali i Robit, komunat Radë, Manzë Radë, Hamallaj. Gjithashtu i njëjti problem ishte edhe në bashkitë Rubik, Rrëshen, Patos dhe në Komunën Bradashesh në Elbasan.