Elton Qyno
Konflikti për taksat e bizneseve në Pezë-Helmës, Komuna: Na ktheni lekët që mblodhët
Dy komuna të Tiranës kanë hyrë në konflikt me njëra-tjetrën prej disa kohësh, konflikt i cili tashmë ka përfunduar në dyert e gjykatës së kryeqytetit. Shkak i këtij sherri mes dy komunave, të Pezës, që drejtohet nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Komuna Ndroq, që drejtohet Lëvizja Socialiste për Integrim, është bërë mbledhja e taksave vendore në territorin që i përket me juridiksion komunës Pezë. Bëhet fjalë pikërisht për fshatin Pezë-Helmës,ku kryekomunari i Ndroqit ka urdhëruar inspektorët e tij të shtrijnë detyrën e tyre për mbledhjen e taksave të bizneseve të ndryshme në këtë zonë, deri në fshatin Pezë-Helmës, fshat i cili pretendohet se është nën juridiksionin e kompetencave të Komunës Pezë. Pikërisht në këtë fshat ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar dhjetëra biznese, të cilat pak kohë më parë kanë paguar taksat në arkën financiare të Komunës Ndroq. Mirëpo një veprim i tillë është kundërshtuar me forcë nga përfaqësuesit e Komunës Pezë, të cilët kanë kërkuar në mënyrë zyrtare ndryshimin e urdhrit të lëshuar nga zyrtarët e Komunës Ndroq dhe kthimin e shumës financiare që është mbledhur në bizneset e fshatit Pezë-Helmës, fshat i cili i përket Komunës Pezë. Një kërkesë e tillë nuk është miratuar nga ana e Komunës Pezë, gjë e cila ka shtyrë të dyja komunat të hyjnë në një konflikt gjyqësor në Gjykatën Civile të Tiranës.
Na ktheni paratë!
Nuk dihet me saktësi se sa është shuma financiare që Komuna Pezë i kërkon Komunës Ndroq t’i kthejë në arkën e buxhetit të saj, por burime nga gjykata shprehen se ende në padinë e dorëzuar në sekretari nuk është përcaktuar një shumë konkrete nga ana e Komunës Pezë. Shifra pritet të dalë gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, ndërkohë që tashmë çështja është marrë në shqyrtim nga gjyqtarja Brunilda Kadi. Dosja civile është regjistruar në sekretarinë e gjykatës në datën 19 prill të këtij viti dhe mban numrin 12341. Në objektin e padisë civile kërkohet nga Gjykata e Tiranës që të detyrojë me vendim të paditurën Komuna Ndroq, që të pushojë cenimin në lidhje me ushtrimin në mënyrë të kundërligjshme të kompetencave për mbledhjen e taksave vendore të fshatin Pezë-Helmës. Kthimin e shumave të mbledhura në mënyrë të kundërligjshme. Ky konflikt tashmë pritet të thellojë akoma dhe më tepër krizën mes dy komunave, të cilat tashmë pretendojnë të dyja së bashku të drejtën e kompetencave të tyre, mbi qeverisjen vendore në fshatin Pezë-Helmës. Të pyetur lidhur me këtë çështje, juristë të ndryshëm janë shprehur se nëse dy komunat nëse do të vazhdojnë të kenë konflikt, atëherë do të duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese, për të qartësuar se kush ka kompetencën e shtrirjes së qeverisjes vendore në territorin e fshatit Pezë-Helmës.
Mbledhja e taksave vendore
Atë që nuk e kanë bërë inspektorët e Komunës së Pezës, kanë shkuar inspektorët e një komune fqinje, të cilët kanë arritur të zbrazin xhepat e disa prej bizneseve që ndodhet në fshatin Pezë-Helmës. Pikërisht mbledhja e taksave nga ana e Komunës së Ndroqit ka futur në konflikt pronarët e bizneseve me drejtuesit e Komunës Pezë. Ata janë shprehur se janë ndier të ofenduar nga ky mashtrim që i kanë bërë, gjë e cila ka detyruar drejtuesit e Komunës së Pezës që t’i kërkojë me shkresa konkrete ndryshimin e urdhrit për mbledhjen e lekëve në territorin juridiksional të kësaj komune. Për më tepër, nëpërmjet kërkesave të vazhdueshme, Komuna Pezë i ka kërkuar Komunës Ndroq që të kthejë lekët e mbledhura, por në fakt një gjë e tillë është refuzuar. Sipas burimeve, të gjitha lekët e mbledhura janë hedhur në arkën e Thesarit të Shtetit dhe nisur nga kjo situatë, Komuna Ndroq nuk ka qenë në gjendje të kryente transferimin e shumës së parave. Mirëpo një gjë e tillë është quajtur nga drejtuesit e Komunës së Pezës si një dredhi e radhës, duke bërë që çështja të përfundojë në Gjykatën e Tiranës.
Dyshimet, autorët kanë pasur konflikt me Granit Deromemajn
Digjet me benzinë automjeti i punonjësit
të policisë, ngjarja cilësohet për detyrën
Makina e një efektivi të policisë së Vlorës është djegur gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure. Policia bën të ditur se makinës së Granit Deromemajt i është vënë flaka qëllimisht, duke hedhur poshtë dyshimet e para për një defekt motorik të saj. Makina me targa italiane është spërkatur me benzinë dhe më pas i është vënë flaka. Burime policore thonë se shkak i zjarrvënies është detyra e Deromemajt, por nuk jep detaje për konflikte të mundshme të efektivit të policisë me të tjerë persona. Makina që është djegur ka qenë e parkuar pranë konviktit të vajzave në Vlorë në lagjen “Pavarësia” të qytetit. Pikërisht në këtë lagje banon edhe oficeri i Policisë Kriminale. Gjatë ditës së djeshme, Granit Deromemaj është marrë në pyetje nga kolegët e tij, duke treguar atë që kishte mësuar rreth zjarrit të vendosur në makinë, si dhe dyshimet e tij lidhur me autorët e mundshëm të këtij krimi të shëmtuar. Sipas burimeve të policisë së Vlorës, oficeri i Krimeve ka dhënë disa emra konkretë, me të cilët kohët e fundit ka pasur disa “fërkime” për shkak të detyrës së tij si punonjës policie. Aktualisht, pikërisht emrat që Deromemaj ka dhënë në polici, tashmë janë duke u mbajtur nën vëzhgim me qëllim sigurimin e provave materiale për arrestimin e tyre. Ndërkohë, automjeti tip “Mercedes-Benz” i është nënshtruar një ekspertize të mirëfilltë, nga ku ka dalë se personat kanë përdorur një shishe benzinë për djegien e makinës në pronësi të punonjësit të policisë së Vlorës. Policia ka sekuestruar disa pamje filmike të bizneseve që ndodheshin afër vendit të ngjarjes, për të mësuar nëse janë arritur të kapen prej kamerave autorët e këtij krimi, që solli shkatërrimin e pronës së oficerit të policisë.
Denoncimi
Vodhi energjinë e mitropolisë, arrestohet
Mitropolia e Korçës për një periudhe 3-vjeçare ka qenë pre e vjedhjes së energjisë elektrike. Një veprim të tillë e ka bërë një banor që ka pasur banesën e tij shumë afër me metropolinë, i cili kishte arritur të lidhte telat elektrikë në linjën e energjisë që përdorte edhe kisha. Vazhdimisht është denoncuar vjedhja e energjisë dhe ardhja e faturave të tejfryra, që vinte në mensën e të varfërve të kësaj mitropolie. Mirëpo duket se askush nuk ka marrë mundimin të zbulojë shkakun e vërtetë, që ka qenë vjedhja e linjës nga një banor i lagjes numër 3 të qytetit, ku ndodhet edhe kjo mensë që kisha përdorte për të ushqyer më të varfrit e qytetit. Pas këtij zbulimi është bërë arrestimi i menjëhershëm i personit që kishte mundur të kryente këtë manipulim. Sipas burimeve të policisë, ndaj tij do të ngrihet akuza e vjedhjes së energjisë elektrike, ndërkohë që materialet hetimore tashmë i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës.
Ngjarja në Lushnjë
Rrahu babain, arrestohet djali 30-vjeçar
Një 30-vjeçar nga Lushnja është arrestuar nga policia, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij. Sipas policisë, prokuroria ka nxjerrë urdhër ndalimi për Erion Beqirin me akuzën e dhunës në familje. “Ndalimi i tij u bë për arsye se Prokuroria e Rrethit Lushnjë ka nxjerrë një urdhër ndalimi për veprën penale “Dhunë në familje”, parashikuar nga neni 139 i Kodit Penal, pasi dyshohet se ka ushtruar dhune ndaj babait të tij”, – thuhet në njoftimin e policisë. Shkak i sherrit në familje është bërë një debat mes djalit dhe babait, i cili kishte zanafillën për sjelljen jo të mirë të shtetasit Erion Beqiri. Nisur nga kjo situatë, 30-vjeçari nuk ka duruar më tej moralin e vazhdueshëm të babait të tij dhe ka filluar ta godasë atë me mjete të forta. Sipas burimeve, në momentin e sherrit, Beqiri ka qenë në gjendje të dehur.
Vjedhjet në Tiranë
Pranga dy personave, vidhnin kasetofonë
Një grup i vjedhjes së çantave dhe kasetofonave është neutralizuar nga policia e Tiranës. Sipas burimeve zyrtare, Arion Gjergo, 26 vjeç, dhe Elton Meta, 28 vjeç, janë kapur në flagrancë, pasi kanë vjedhur një çantë në automjetin e një shtetaseje. Nga veprimet hetimore u zbulua se ata ishin autorë të pesë vjedhjeve të tjera, kryesisht çanta dhe kasetofona. “Arrestimi i tyre u bë, sepse këta shtetas dyshohet se dje më datë 22 prill 2013, rreth orës 20:30, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë, pasi kanë vjedhur një çantë në mjetin “Toyota” me targë AA 139 CB, në pronësi të një shtetaseje e ndodhur në rrugën “Niko Avrami”, pranë shkollës “Ramazan Jarani” Tiranë”, – bën të ditur policia. Ndërkohë, disa vjedhje kanë kryer dhe në rrugën “Thanas Ziko” në Tiranë dhe në Rrugën e Dibrës, ku në pjesën më të madhe kanë vjedhur me thyerje kasetafonët e automjeteve, 1200 euro dhe karta bankare.