Gëzim Saliu
Vota e emigrantëve dhe niveli i diplomacisë, arsyet e konfliktit mes Ramës dhe Cekës
Vizita zyrtare njëditore në Vjenë e kreut socialist Edi Rama është përmbyllur me një incident, i cili u përshkallëzua në përplasje fizike dhe fyerje të rënda. Në një takim me Akademinë Diplomatike të Vjenës, ku ishin të ftuar mbi 100 diplomatë të huaj dhe shqiptarë, kryesocialisti është përplasur me diplomatin shqiptar Egin Ceka. Konflikti mes kreut socialist dhe diplomatit shqiptar në misionin e OSBE-së në Vjenë ka nisur me fyerje, duke u mbyllur me përplasje fizike, e cila është ndalur falë ndërhyrjes së organizatorit të takimit Fate Velaj si edhe të pranishmëve gjatë debatit.
Përplasja
I ftuar në një takim me Akademinë Politike të Vjenës, kreu socialist Edi Rama ka mbajtur një fjalim lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend. Në diskutimin e tij, lideri i opozitës ka kritikuar qëndrimet e fundit të mazhorancës qeverisëse si edhe situatën ekonomike në vend. Në të njëjtën linjë, Rama ka kritikuar edhe nivelin e diplomacisë shqiptare, i cili, sipas tij, është në pikën më të dobët të tij. “Ky nivel, – theksoi kryesocialisti, – bën të pamundur votimin e emigrantëve në ambasada, të cilat janë në dorën e pushtetit”. Kjo situatë është bërë e ditur edhe nga organizatori i takimit Fate Velaj, i cili në profilin e tij zbardhi përgjigjen e kryesocialistit ndaj pyetjes ku theksohej: “Nëse do të vijë një ditë që edhe studentët apo shqiptarët jashtë Shqipërie do të votojnë në zgjedhje?”. “Sot Shqipëria ka probleme me kontrollin e votave brenda territorit dhe që të arrihet edhe kjo, d.m.th. e atyre që janë jashtë do të duhet një kohë më e gjatë mbasi duhen aplikuar metodat qe i përdorë edhe bota. Por për sa kohë që ambasadat janë të mbushura me militantë partish që nuk kane lidhje me trupin diplomatik, unë e shoh me rezerva këtë punë”, – është përgjigjur Rama. Në përfundim të fjalës, kreu i PS-së është pyetur nga diplomati shqiptar Egin Ceka lidhur me qëndrimet e tij kundërshtuese për votën e emigrantëve si edhe kritikën për diplomacinë shqiptare. Ceka i ka cilësuar si fyese deklaratat e liderit socialist dhe ka kërkuar shpjegime për këto qëndrime. Në këtë moment, Rama ka kërkuar që të mos marrë më pyetje nga Ceka, i cili, sipas tij, nuk përfaqëson diplomacinë shqiptare, por mazhorancën qeverisëse. “Nuk kam ardhur këtu për të folur me ty”, – ka thënë Rama. Ndërkohë, diplomati Ceka ka insistuar për të marrë një përgjigje nga kreu i PS-së dhe kjo ka ndikuar në nisjen e debatit mes tyre. Më pas mes të dyve ka pasur ofendime publike, të cilat shkuan madje edhe në konfrontime fizike. Është dashur ndërhyrja e organizatorit të takimit dhe të pranishmëve të cilët nuk lejuan më tej fyerjet dhe konfrontimin mes kreut socialist Rama dhe diplomatit Ceka. Në vizitën e tij në Vjenë, kryesocialisti Edi Rama zhvilloi takim me Presidentin Austriak Heinz Fischer, ku temë kryesore e diskutimit ishin zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Gjithashtu kreu socialist ka zhvilluar një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, ku objekt i bisedës ishin zgjedhjet dhe KQZ. Ky i fundit e ka cilësuar Kodin Zgjedhor të miratuar me konsensus mes palëve si më të mirin e mundësim si edhe ka bërë thirrje plotësimin e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sigurimin e një funksionimi të plotë të tij.
MPJ, Harxhi: Rama, dhunë verbale dhe fizike ndaj diplomatit Ceka
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë konfirmoi dje incidentin mes kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka, në Vjenë. Në një prononcim për mediat, zv.ministrja Edit Harxhi tha se kreu i PS-së ka ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj diplomatit Egin Ceka, kur ky i fundit i është afruar për të biseduar për votën e emigrantëve. Sipas saj, Rama ka cenuar me deklaratat e tij imazhin e Shqipërisë. “Zoti Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ka qenë i ftuar në këtë takim në të cilin kanë marrë pjesë diplomatë shqiptarë, diplomatë të huaj dhe shqiptarë që jetonin në Austri. Gjatë një bisede, është fyer imazhi i Shqipërisë disa herë. Në të njëjtën kohë një nga diplomatët shqiptarë z. Egin Ceka, diplomat i ri energjik, prej disa vitesh diplomat në ambasadën tonë në Vjenë, aktualisht në misionin tonë në OSBE, i shkolluar jashtë, në përfundim të takimit është afruar tek z. Rama për të biseduar rreth një pike që z. Edi Rama e ka ngritur disa herë: pengimin nga ana e tij për votën e shqiptarëve kudo nëpër botë nëpërmjet ambasadave tona. Z. Rama ka potencuar gjatë bisedës së tij, që nuk është e mundur vota e shqiptarëve për arsye të tejpolitizimit të përfaqësive diplomatike shqiptare e pikërisht z. Ceka, duke u nisur nga dëshira e tij për të bashkëbiseduar dhe për ta depolitizuar bisedën është afruar tek z. Rama për të diskutuar rreth kësaj teme që shërbimi diplomatik shqiptar jo vetëm që nuk është politik, por në mënyrën më të mirë të mundshme do të mund të kthente një shërbim të tillë ndaj shtetasve shqiptarë, pikërisht për të siguruar votën e tyre pranë ambasadave shqiptare”, – tha Harxhi. Sipas saj, pikërisht në këtë moment, kreu socialist ka reaguar në mënyrë mjaft agresive, duke përdorur dhunë fillimisht verbale, më pas dhunë fizike. “Ky konflikt është shpërndarë nga të pranishmit në sallë dhe diplomatët e huaj që ishin prezent. Dhuna verbale ka vazhduar edhe më tej, duke i kërkuar z. Ceka që të dalë jashtë, madje duke përdorur edhe fjalë që nuk janë të denja për asnjë qytetar shqiptar, aq më tepër për një kryetar partie karshi diplomatëve shqiptarë. Natyrisht, Ministria e Punëve të Jashtme dënon shumë rëndë këtë akt, që është një akt i paprecedentë”, – deklaroi zv.ministrja e Punëve të Jashtme Edit Harxhi.
PS: Ministria e Jashtme, në nivel banal
Partia Socialiste ka reaguar dje në lidhje me akuzat e Ministrisë së Jashtme duke shprehur keqardhje për nivelin banal ku ka rënë institucioni. Partia Socialiste në një njoftim për shtyp sqaroi ngjarjen, duke theksuar se provokatori ka qenë diplomati Ceka dhe sipas selisë rozë, kryesocialisti Rama është përpjekur vetëm për ta qetësuar. “Partia Socialiste shpreh keqardhje për nivelin banal ku ka rënë Ministria e Jashtme dhe trupi diplomatik shqiptar. Në Akademinë Politike të Vjenës ka pasur vetëm një ngjarje: Dialogu prej më shumë se dy orësh i një audience të nderuar me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Pas takimit djali i Neritan Cekës, që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike”, – thuhej në njoftimin e PS-së. Më tej, selia rozë theksoi: “Ministria e Jashtme vazhdoi avazin e saj të propagandës antiopozitare duke i dalë në mbrojtje një “diplomati” që s’është asgjë tjetër veçse një prej shumë shëmbëlltyrave të degradimit të trupit tonë diplomatik në një lukuni kalamajsh, kunetërish, mbesash, kushërinjsh, dhëndurësh e krushqish të sojit e të sorollopit të oborrit të një pushteti të dalë duarsh, që po jeton ditët e veta të fundit”.