Ina Jano
Përurohet impianti i trajtimit të ujërave të ndotura të kanalizimeve të dy zonave, Shëngjinit dhe Lezhës, kreu i qeverisë: Alternativa e opozitës, shpifje më të zeza se ujërat që përpunohen në këtë impiant
Kryeministri Berisha nga Shëngjini, ditën e djeshme u ka dhënë përgjigje propozimeve të opozitës në lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në mënyrë të prerë lideri i mazhorancës u shpreh se Rama ta harrojë se Ilirjan Muho do të kthehet në KQZ. Berisha pohoi se beteja për ish-anëtarin e këtij institucioni është e humbur, por kjo do të jetë humbja e parafundit për kreun e opozitës Edi Rama. Për Kryeministrin beteja e fundit do të jetë ajo e 23 qershorit, kur kryesocialisti do të përballet me votuesit shqiptarë në ditën e zgjedhjeve. Duke e quajtur si ditën e gjykimit, datën e 23 qershorit, kryetari i ekzekutivit u shpreh: “Ai ditën e gjykimit e ka ditën e ferrit. Ai burrë vetëm këtë ditë nuk e duron dot. Pasi tentoi të shtynte datën e zgjedhjeve, pasi tentoi të vinte në kolaps institucionin e zgjedhjeve, tani bën betejën e Muhos. I them zotit Rama se beteja e Muhos është beteja jote e parafundit e dështuar, sepse beteja e fundit është më 23 qershor. Kur të mendosh se të kthehet Muho në KQZ, të jesh i sigurt se është kthyer Kuqoja dy herë më shpejtë sesa Muhoja. Ndaj harroje atë. Merri Muhon dhe Kuqon e bëji deputetë, por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk do të shkelin më. Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të shkëlqyera”. Gjithashtu lideri i mazhorancës premtoi se në vend do të mbahen zgjedhje të ndershme dhe se qeveria do ti garantojë ato. Duke ju referuar incidentit të Vjenës, shefi i ekzekutivit e quajti atë një akt të shëmtuar dhe tejet fyes jo vetëm për veten, por edhe për gjithë të tjerët. “Kur unë dhjetë ditë më parë i thash publikisht zotit Rama kontrolloje dëshpërimin, kontrolloje tërbimin, kontrollojë frikën dhe tmerrin që të ka pllakosur, pati shumë njerëz që më shihni me habi. Dhe ja çfarë ndodhi. Ndodhi ajo që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e një shteti. Shkoi në kryeqytetin e një vendi mik dhe kreu një akt ndër më të dënueshmit, më ordinerët, më poshtëruesit për veten dhe të tjerët”, – tha Berisha. Kryeministri shtoi se alternativa që është përballë asaj që ofron Partia Demokratike, është ajo e mashtrimit dhe e trillimit. Duke krahasuar dhe ironizuar, nga përurimi i impiantit të ujërave në Lezhë, numri një i mazhorancës u shpreh: “Çfarë ofron pala tjetër? Së pari, një mal dhjetë herë më të madh sesa ky mal që keni këtu, me mashtrime dhe trillime. Së dyti, shpifje më të zeza se ujërat që përpunohen në këtë impiant. Së treti, taksat e etërve të tyre”.
Investimet
Gjatë përshëndetjes së tij edhe në prani të banorëve të zonës, kreu i qeverisë tha se Shqipëria ka pasur shumë arritje gjatë viteve të qeverisjes demokratike, por ndërkohë shtoi se mbetet ende punë për tu bërë. Ai deklaroi se objektivi dhe synimi i ardhshëm i qeverisë është të arrihet shifra 7 milionë turistë në çdo sezon turistik. Duke venë theksin tek secila arritje e qeverisë, Kryeministri është shprehur se ka ende shumë punë për tu bërë, por nuk mund të mohohen edhe ngjarja të tilla, si Shqipëria në NATO, liberalizimi i vizave apo edhe statusi i vendit kandidat, i cili u bllokua në mënyrë të turpshme nga opozita. Impianti që u inaugurua dje është një investim me vlerë 12 milionë euro, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian, ka një kapacitet përpunimi prej 140 l/sek dhe teknologjia e trajtimit është konvencionale, uji i trajtuar shkarkohet në lumin Drin dhe më pas në det, duke garantuar cilësi të ujit pas trajtimit. Kjo qeveri i ka dhënë prioritet të veçantë shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Në vitet 2005 – 2012 u investuan 55 miliard lekë për të ndërtuar 364 sisteme të reja ujësjellësish dhe 419 sisteme të reja kanalizimesh, ndërkohë që në një kohë rekord kanë përfunduar 9 impiante trajtimi të ujërave të ndotur, si në Kavajë, Pogradec, Korçë, Durrës, Sarandë-Ksamil, Shirokë, Velipojë, Vlorë dhe janë në proces Tirana, Kavaja turistike përfshirë Golemin, Orikum, Shkodër, etj.. Mbulimi me shërbimin e furnizimit me ujë në shkalle vendi për vitin 2012 është 81%, kundrejt 63% që ishte në vitin 2005, ku mbulimi për zonat urbane arriti 90% në vitin 2012 kundrejt 75% që ishte në vitin 2005, ndërsa mbulimi në zonat rurale arriti 60% kundrejt 40% që ishte në vitin 2005. Raporti i mbulimit me shërbimin e kanalizimeve në total, në shkallë vendi, është 66% në vitin 2012, kundrejt 40% në vitin 2005.
Edikti i Milanos, 1700 vjet, Kryeministri: Mbetet figurë frymëzuese dhe aktuale
Kryeministri Berisha ka qenë i ftuar dje të përshëndesë konferencën “Kostandini, 1700-vjetori i Ediktit të Milanos dhe liria fetare”, e organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore në vend. Shefi i qeverisë gjatë fjalës së tij duke vlerësuar figurën e Perandorit Kostandin, u shpreh se ai mbetet një figurë aktuale dhe shërben si burim frymëzimi edhe në ditët e sotme. “Kostandini ishte një Perandor gjenial, të cilit mbarë njerëzimi i detyrohen më shumë se çdo Perandori tjetër me veprat e tij. Në rast se do t’i rendisnim më të shquarit që panë dritën e kësaj toke, pas Jezusit, Muhamedit, Budës vendi me dinjitetin më të madh i takon Perandorit Kostandin. I la njerëzimit një trashëgimi morale, kulturore dhe materiale, më të pakrahasueshme se të asnjë perandori tjetër. Ilir në origjinë, dardan në prejardhje, ai bën krenar në këtë përvjetor çdo shqiptar dhe jam i sigurt për këtë. Ky është viti i tij i madh. Ai do të nderohet në Milano, ku do të organizohet një konferencë e madhe, do të nderohet në Romë, do të nderohet në Stamboll, do të nderohet kudo. Po të ishte gjallë, sot do të ishte midis nesh. Do të ishte sot midis nesh, jo aq shumë për origjinën e tij ilire – dardane, sepse perandorët nuk kanë kombësi, por do të ishte sot këtu, sepse ky vend dhe ky komb ka mishëruar më mirë se çdo komb dhe çdo vend tjetër respektin e besimit të tjetrit. Thelbin e Ediktit të Tij do ta gjente këtu në Shqipëri më bukur se kudo, të mishëruar në moralin e qytetarëve të këtij vendi me besime të ndryshme fetare, me respektin dhe tolerancën e përsosur fetare. Ato ishin kohëra të masakrave të paimagjinueshme kundër të krishterëve, vetëm për bindjet e tyre fetare, por nuk mund të thuash kurrë se besimet i kanë frymëzuar apo kanë nxitur ato. Keqpërdorimi i tyre është përdorur si motiv për të zhdukur njeri-tjetrin. Kjo është e vërteta. Kjo ishte e vërtetë në Luftën II Botërore. Ajo që ndodhi me hebrenjtë përbën barbarinë më të madhe të regjistruar në analet e historinë, por ajo nuk ndodhi në vitin 1500, as në vitin 700, ndodhi në vitin 1900, ndodhi në shekullin XX. Nuk është e largët as Srebrenica, nuk janë të largëta as akte të tjera. Ndaj dhe Edikti është dhe mbetet gjithnjë frymëzues, është dhe mbetet gjithmonë aktual, është dhe mbetet gjithmonë themel i paqes sociale të kombeve, të rajoneve dhe të botës”, – vlerësoi shefi i ekzekutivit.
Fushata
Imami: 23 qershori, dita e ecjes përpara për Shqipërinë e zhvilluar
Në një takim me të rinjtë e qytetit të Cërrikut, ministri i Mbrojtjes Arben Imami tha se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të krijojë më shumë mundësi rinisë shqiptare për punësim e studim. “Vendi menjëherë pas zgjidhjeve të 23 qershorit do të marrë statusin e vendit kandidat e pastaj do të hapet për të gjithë ne një mundësi e re, një rrugë e re, e cila është rruga e Evropës. Unë gjatë kësaj legjislature do të përqendrohem në mënyrë të veçantë që për çdo komunë dhe bashki duke më pasur gjithmonë personalisht pranë”, – u shpreh ministri Imami. Duke venë theksin tek arritjet e qeverisë në këto 8 vjet, me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, në NATO apo tek liberalizimi i vizave, ministri Imami u ndal në bllokimin që i është bërë vendit në marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndaj ai e cilësoi 23 qershorin si një mundësi që Edi Ramës këta votues të rinj t’i tregojnë se rruga e Shqipërisë është rruga e zhvillimit, rruga e integrimit, rruga e arsimimit. Në qoftë se ju do të angazhoheni në këto zgjedhje- tha Imami, këto zgjedhje do të jenë një fitore e madhe, ndaj ta bëjmë bashkë këtë fitore dhe ta çojmë këtë vend përpara, sepse me të vërtetë rinia është ndryshimi, Partia Demokratike është ndryshimi, ta bëjmë 23 qershorin një ditë tjetër të ndryshimit të madh të Shqipërisë e të lëvizjes përpara të saj. Imami u dha përgjigje edhe pyetjeve të të rinjve mbi projektet e qeverisë për zhvillimin e qytetit dhe impaktin që do të ketë autostrada Tiranë-Elbasan. Imami u shpreh se tuneli është një vepër e mrekullueshme dhe kjo rrugë do të ketë parametrat më të mirë që ka një rrugë në vend e ndër të tjera do të lidhë Tiranën me Elbasanin për 20 minuta. “Një nga kushtet themelore të rritjes së prodhimit dhe punësimit është komunikimi, d.m.th. kur kostot e transportit janë të mëdha ato pengojnë zhvillimin. Me uljen e kostove të transportit, rriten mundësitë siç është ajo e punësimit në Tiranë, hapja e investimeve të reja në qarkun e Elbasanit në Cërrik,Librazhd, etj. Ku shkon rruga shkon zhvillimi, ku ulen kostot e transportit aty mundësitë për zhvillim ekonomik janë shumë më të larta”, – përfundoi ai.