Debati për biletën, polici privat tatimor vret tregtarin nga Shijaku

0
186

Sonja Caka

policiaIdentifikohet autori i dyshuar, në kërkim edhe një bashkëpunëtor. Policia shoqëron 25 persona, dëshmitarë okularë të ngjarjes. Policia: Tregtari Qyrku u qëllua me armë zjarri në qafë

 

Vritet tregtari i fruta-perimeve në hyre të qytetit të Lushnjes, pas një debati me një polic tatimor privat që merrte pagesat për shfrytëzim të këtij tregu shumice. Pas kryerjes së krimit, autori së bashku me një bashkëpunëtor janë larguar me shpejtësi, ndërsa tregtari nga Shijaku nuk ka mundur t’i mbijetojë të shtënës në qafë, duke humbur kësisoj jetën në ambientet e spitalit të qytetit. Policia e Lushnjes, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka identifikuar brenda një kohe të shkurtër autorin e dyshuar, ndërsa ka nisur kërkimet për kapjen e tij. Sipas burimeve policore, viktimë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur 40-vjeçari nga Shijaku, Dashamir Qyrku, ndërsa autori i dyshuar Besnik Meçe. Pas ngjarjes, mësohet se policia ka shoqëruar rreth 25 persona, kryesisht tregtarë apo dhe blerës me shumicë të fruta-perimeve në këtë treg, të cilët kanë dhënë versionin e tyre të ngjarjes dhe kanë bërë të mundur identifikimin e personit që shtiu me tregtarin nga Shijaku.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 8:30 të mëngjesit të djeshëm në hyrje të qytetit të Lushnjes, aty ku prej vitesh gjendet tregu i shumicës për furnizim të disa qyteteve me fruta dhe perime. Policia u njoftua për të shtëna në këtë zonë dhe pas mbërritjes në vendngjarje ka gjetur të plagosur rëndë me armë zjarri në pjesën e qafës tregtarin Dashamir Qyrku, i cili ka humbur jetën gjatë transportit për në spital. Sipas policisë, viktima është 40-vjeçar nga Shijaku, i cili ushtronte aktivitetin e tij tregtar në qytetin e Lushnjes. Pas ka bërë këqyrjet në vendin e ngjarjes dhe ka marrë disa dëshmi, grupi hetimor ka shoqëruar për në komisariat një numër të madh dëshmitarësh, rreth 25, të cilët kanë parë skenën e krimit. Pas marrjes në pyetje të mbi 25 personave, policia ka identifikuar autorin  dyshuar të krimit dhe bëhet fjalë për shtetasin Besnik Meçe, me detyrë personi që mblidhte taksën e tregut privat, për llogari të shoqërisë që e disponon me pronësi atë. Policia e Lushnjes në bashkëpunim me atë të Fierit kanë ngritur postblloqe të shumta për kapjen e autorit, ndërsa kanë kryer kontrolle të shumta në zonë. Ndërkohë që, trupi i pajetë i tregtarit Qyrku është tërhequr nga morgu i qytetit nga familjarët, pas përfundimit të autopsisë nga mjeko-ligjorët.

Debati

Marrja në pyetje e shumë personave që kanë parë skenën e krimit dhe kanë qenë dëshmitarë të saj kanë zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes që çoi në një viktimë. Sipas burimeve policore bëhet me dije se tregtari Dashamir Qyrku, pak minuta para se te vritej pati një debat të ashpër verbal me një polic privat tatimor. Policia ende nuk e ka gjetur agjentin tatimor, i cili mbetet i dyshuari i vetëm për kryerjen e vrasjes, ndërkohë që janë ngritur postblloqe të shumta dhe vijojnë kërkimet për kapjen e tij. Sipas dëshmitarëve, debati me autorit dhe viktimës ka qenë për çështje pagese, megjithatë ende nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje. Policia tha se vazhdon hetimet për gjetjen e autorit, ndërkohë që ka ngritur postblloqe në qytet për gjetjen e agjentit privat tatimor, Besnik Meçaj.

 

Itali

Sulmi me acid në fytyrë ndaj avokates italiane, identifikohet autori i dytë

Policia italiane ka identifikuar autorin e dytë të sulmit me acid ndaj avokates italiane, ngjarje e ndodhur me 16 prill. Ai është një i ri nga Shkodra, i identifikuar si Rubin Taleban, 31 vjeç. Sipas policisë italiane, 31-vjeçari së bashku me një tjetër të ri po nga Shkodra i identifikuar si Altistin Precetaj dyshohet të jenë autorët e sulmit me acid nda avokates italiane Luçia Annibali, 35 vjeçe. Dyshohet se dy të rinjtë janë ekzekutorët e porosisë së dhënë nga ish i dashuri i avokates, një shtetas italian. Kanë qenë filmimet e një kamere që kanë identifikuar dy autorët e këtij sulmi. Nga zbardhja e pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë rezulton se autorë të sulmit me acid janë pikërisht dy shqiptarët Taleban dhe Precetaj, ndërsa ecin qetësisht pas sulmit ndaj avokates për të mos rënë në sy. Njëri prej tyre shfaqet i veshur me kostum blu sportiv dhe atlete të bardha, ndërsa tjetri i veshur me xhup të zi dhe një palë tuta ngjyrë të çelur.

 

 

 

Fier

Grabitet në mes të ditës argjendaria, plagoset pronari

Në mes të ditës, të armatosur dhe të maskuar, tre persona kanë hyrë në një argjendari në qendër të Fierit, ku pas plagosjes së pronarit të saj, kanë boshatisur gjithë sirtarët duke vjedhur gjithë sasinë e floririt që ndodhej në argjendari. Fakti bëhet i ditur nga burime zyrtare policore, të cilat bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në mesditë, rreth orës 13:30, ndërsa ka tronditur qytetin e Fierit. Sipas policisë, argjendaria e sulmuar ndodhet në qendër të qytetit, pranë xhamisë, ndërsa në ato momente aty ndodhej i vetëm Maksi Gjergji, pronari i saj. Dy persona me maska në kokë kanë hyrë brenda, ndërsa i treti ka pritur jashtë në makinë. Mësohet se pronari Gjergji është përleshur me dy grabitësit, nga ku për pasojë është qëlluar disa herë me qytën e automatikut në fytyrë, duke mbetur pa ndenja. Pa ndenja dhe me fytyrë të gjakosur është gjetur pronari i argjendarisë, i cili ka dhënë dëshminë e tij për grupin hetimor të mbërritur në vendngjarje. Nga dëshmia e dhënë prej tij për grupin hetimor mësohet se dy persona të armatosur dhe me kapuça në kokë kanë hyrë brenda dyqanit të tij, dhe pas kacafytjes me të, e kanë qëlluar duke e lënë pa ndenja. Më pas kanë grabitur gjithë argjendarinë, duke boshatisur gjithë sirtarët me flori që gjendeshin në të. Për momentin ende nuk ka persona të dyshuar për ngjarjen, ndërsa e vetmja e dhënë që ka policia janë disa karakteristika që ka shquar Gjergji për dy nga autorët. Dyshohet se dyqani nuk kishte instaluar kamera sigurie dhe nëse rezulton të jetë e vërtetë, do e bëjë të vështirë identifikimin dhe për pasojë edhe kapjen e autorëve. Megjithatë, hetimet për zbardhjen e grabitjes me armë vazhdojnë nga policia e Fierit.