Altin Vorpsi
Reali shpreson të kthejë atë humbje 4-1 në Dortmund
Vetëm Deportivo La Korunja ia ka dalë që të kualifikohet pas një humbjeje të tillë në takimin e parë
Vetëm një event i tillë i natyrës (e ashtuquajtura “stuhia perfekte”, që zgjati për disa ditë me radhë në Oqeanin Atlantik dhe që shkaktoi rreth 200 milionë dollarë dëme në brigjet e SHBA-së), mund të kthejë përmbys atë mrekulli që realizoi Borusia e Dortmundit një javë më parë. Në “Signal Iduna Park” të Vesfalisë, “kanarinat” e Klëpit mposhtën madrilenët falë një “pokeri” të Levandovskit. Golin e shpresës për “los blankos” e shënoi Ronaldo që u ka lënë pak shpresë të tijve për sfidën e kthimit.
Formacionet
Që të dyja skuadrat do të luajnë sot me formacionet e veta më të mira. Murinjos nuk do t’i duhet që të “arnojë” më ekipin, pasi Arbeloa ka mbaruar dënimin e kartonëve dhe do të rikthehet rregullisht në krahun e djathtë të mbrojtjes. Kështu në qendër do të shkojë sërish Serxho Ramosi që së bashku me Varanën do të përbëjnë dyshen që do të mbajnë Levandovskin. Një tjetër ndryshim që pritet të bëjë Murinjon është edhe ai në sulm. Pritet që vendin e Karim Benzemasë ta marrë Gonzalo Higuain. Ndërkohë që Jyrgen Klëp do të aktivizojë lojtarët e vet më mirë. Subotiç, Pizçek dhe Humels kanë rikuperuar problemet e tyre fizike dhe do të jenë sonte rregullisht në fushë.
I 400-ti
Skuadra e Realit të Madridit është vetëm një gol larg shifrës së 400 rrjetave të pësuara në Ligën e Kampioneve. Në këtë kompeticion legjendar “los blancos” kanë zhvilluar 359 ndeshje prej të cilave kanë fituar 207. Ndërkohë, barazim kanë mbyllur 63 dhe kanë humbur 88.
Arbitri
Hauard Ueb është arbitri i caktuar nga UEFA për të drejtuar takimin e dytë gjysmëfinal mes Realit e Borusias. Anglezi është bërë arbitër në Premier Ligë që prej vitit 2000 dhe FIFA e thirri atë të gjykonte takimet ndërkombëtare në 2005. Sipas mediave spanjolle ka një karakteristikë: të jetë në qendër të vëmendjes. Me profesion Ueb është polic, ndërsa kritikat më të mëdha i mori në Kupën e Botës në 2010 në Afrikën e Jugut, në finalen mes Holandës dhe Spanjës. E pyetur për punën si gjyqtar, gruaja e tij tha në një intervistë: “Unë nuk e di se si ai mund të arbitrojë një finale të botës, kur nuk është i aftë të kujdeset për fëmijët e tij”. Madje, edhe i ati nuk pati besim se Hauard mund të bëhej një gjyqtar. I vetmi që besoi që xhaxhai. Ueb është një arbitër që nuk ka qejf kur protestojnë. Në takimin e fundit ku luajtur Reali e ai që arbitër, nuk pati diskutime.
Historia
Përballja e fundit mes dy ekipeve ka qenë përpara 10 viteve. “Galaktikët” atëherë eliminuan verdhezinjtë në sezonin 2002/03 duke fituar 2-1 me gola të Gonzalesit e Ronaldos, kurse gjermanët shënuan me Jan Kolerin. Pas 6 ditësh, Koler shënoi prapë, por Havier Portija në kohën shtesë shënoi për spanjollët, në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve. Reali u kualifikua për në fazën pasardhëse, pasi doli i dyti në fazën e grupeve, me një pikë më shumë se verdhezinjtë.
Statistika
– Që të mund të përsërisë suksesin e vitit 1998 ndaj verdhezinjve, “galaktikët” duhet që barazojnë përmbysjen rekord të fitores më të madhe gjatë historisë në Champions. Milani humbi ndaj Deportivos 4-0 në Spanjë, ndërsa fitoi në shtëpi 4-1.
– Reali i dha fund mbizotërimit të Dortmundit si kampione e Evropës në gjysmëfinalet e 1997-98. Fernando Morientes dhe Kristian Karembë shënuan dy golat e fitores në Madrid, duke eliminuar ekipin e Jup Hejnkesit. Drejtori sportiv aktual i verdhezinjve Mikael Zork dhe koordinatori i ekipit të të rinjve Lars Riken ishin lojtarë në të dyja takimet e zhvilluara.
– Dortmundi nuk është mundur asnjëherë në takimet jashtë në Champions, ndërsa ka një fitore dhe katër barazime, por Reali ka fituar tri dhe ka barazuar dy herë në “Bernabeu”. Ata kanë humbur vetëm një ndeshje nga 17 të luajtura në shtëpi në Champions, në tri sezonet që Murinjo ka qenë nën drejtimin Realit.
– Rekordi i madrilenëve ndaj ekipeve mike gjermane është 18 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje. Sezonin e kaluar ata mundën në shtëpi Bajernin e Mynihut 2-1, ndërsa u eliminuan më pas me penallti në “Allianz Arena”. Bajerni me fitoret në 2000 dhe 2001 janë i vetmi ekip i Bundesligës që ka fituar në “Bernabeu”.
– Rekordi i verdhezinjve ndaj ekipeve spanjolle në Spanjë është 1 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje. Suksesi i tyre i vetëm ka qenë fitorja 1-0 ndaj Atletiko Madridit në fazën e grupeve të Championsit në 1996/97, në sezonin që ata e fituan këtë trofe.
– Rekordi i Madridit në fazat me dy takime ndaj klubeve gjermane në komepticionet e UEFA-s është 11 fitore dhe 7 humbje. Kurse rezultatet e Dortmundit ndaj atyre spanjolle janë 4 fitore dhe 2 humbje.
– Dortmundi është eliminuar një herë më parë, ndërsa ka fituar në takimin parë me rezultatin 3-0. Kjo ka qenë hera e vetme në 14 takime të luajtura pas fazës së grupeve. Klub Bruzh arriti që të kthente këtë rezultat, duke fituar në Belgjikë 5-0 në sezonin 1987/88 në raundin tretë të Kupës UEFA.
– Reali ka arritur ta përmbysë një humbje në takimin e parë 22 herë, duke dështuar në 14 raste, përfshirë edhe tri të fundit. Por ata ia kanë dalë që të kualifikohen edhe pasi kanë pësuar shumë gola në takimet e para: Ndaj Derbi Kountit në sezonin 1975/76 në European Champion Clubs’ Cup raundi i dytë (1-4 jashtë, 5-1 brenda; ndaj Anderlehtit në 1984/85 UEFA Cup raundi i 3-të (0-3 jashtë, 6-1 brenda); Borusia M’Gladbah në sezonin 1985/86 UEFA Cup raundi i 3-të. (1-5 jashtë, 4-0 brenda).
Fakti
Mbrojtja “e gjakosur” e Realit të Madridit
Në dhjetë edicionet e fundit të Ligës së Kampioneve, skuadra e Realit të Madridit ka zhvilluar plot 95 takime duke u bërë në një nga skuadrat më “të rregullta” të këtij kompeticioni. Përveç këtij fakti spikat edhe një tjetër detaj… që në futboll është shumë i rëndësishëm. “Los blancos” kanë pësuar plot 108 gola. Ata kanë një mesatare pësimi golash të denjë për një skuadër provinciale, 1,13. Në këtë edicion të Ligës së Kampioneve skuadra e drejtuar nga Hoze Murinjos, që njihet si një nga teknikët më “katenaçarë” të Evropës, ka marrë plot 18 gola. Duke e krahasuar me një vit më parë reparti difensiv i skuadrës “merenge” është shpërbërë tërësisht. Në edicionin 2011-2012 të Ligës së Kampioneve, Madridi i dha lamtumirën në gjysmëfinale Ligës së Kampioneve pasi u eliminua në gjysmëfinale nga Bajerni i Mynihut që i shënoi tre nga 9 golat e pësuar në tërë edicionin. Ndërkohë që numrat e mbrojtjes “merenge” janë edhe më pozitive nëse do të shikojmë edicionin 2010-2011. Edhe në atë vit aventura e Realit u ndërpre në gjysmëfinale. Kësaj radhe ishte Barça që i shënoi 3 nga 6 golat e marrë në tërë edicionin ekipit të Murinjos.
Sa i përket këtij viti Realit mund të ngushëllohet me faktin se është ndeshur me një skuadër të etur për fitore si Borusia e Dortmundit. Formacioni i Vestfalisë është “përgjegjës” i 8 prej 18 golave të marrë nga ekipi “merenge” këtë edicion. Këto dy skuadra u përballën në grupe ku Dortmundi i mundi në shtëpinë e vet, 2-1. Ndërkohë, në takimin e kthimit gjithçka u mbyll në barazim 2-2.
Klëp: Ëndrrat arrihen vetëm nga të zotët
Jyrgen Klëp dhe Borusia kanë një ëndërr dhe do të përpiqen që ta realizojnë këtë sezon në Champions. Trajneri i verdhezinvje shprehet se që qëllimi i tyre të bëhet realitet, duhet që të tregohen shumë të saktë. “Për ne të mund të arrijmë një titull të tretë në dy vite do të jetë e vështirë, por do ta provojmë. E dimë se Murinjo ka parë rezultatet e mëparshme dhe që ne luajmë mirë. Çdo skuadër në këtë aktivitet ëndërron të jetë në finale. Ne e dimë se jemi një ekip shumë i mirë, por ekipet me talentet më të mira individuale nuk fitojnë gjithnjë, ka rëndësi talenti kolektiv. Ëndrrat realizohen vetëm nëse je i zoti”, – tha trajneri i Borusias. I pyetur për besimin e ‘galaktikëve’ se mund të realizojnë përmbysjen, trajneri gjerman tha se ende s’ka mbaruar gjithçka. “Ata e besojnë diçka të tillë dhe kështu do ta paraqesin veten në fushë. Ne i befasuam tifozët tanë në gjysmëfinalen e parë dhe të gjithë e dinë se si luajmë. Por të shikojmë çdo të ndodhë. Madridi do të provojë çdo gjë. Ne s’jemi në finale, por rezultati i parë ishte më i mirë se si e mendonim. Do luftojmë në këtë takim me të gjitha forcat tona”. Klëp shprehet se nuk i ka idetë e qarta se si do të paraqitet Reali. “Do të ishte diçka qesharake kjo. Reali mund të na krijojë probleme. Ne kemi një potencial të madh sulmues dhe ne e kemi provuar këtë në takimin e parë. Ne kemi nevojë për balancë, nuk është vetëm çështje se si të sulmojmë apo se si të mbrohemi”. Më pas trajneri tregon filozofinë e ekipit të tij. “Skuadra ka nevojë që të jetë e disiplinuar dhe kompakte dhe gjithashtu duhet që të guxojë në lojë. Ne e kemi pasur këtë ide se si të luajmë për një kohë të gjatë, nuk është e imja, i përket gjithë ekipit. Unë nuk e kam shpikur këtë mënyrë të të luajturi. Teoritë janë të lehta, por që të mund ti vësh ato në praktikë ka rëndësi”, – u shpreh tekniku i verdhezinjve.
Murinjo: Nëse humbim, do të jetë dështimi im më i madh.
Hoze Murinjo kërkon revansh në fushën e lojës. Trajneri i Realit të Madridit po mendon vetëm për sfidën e së martës në “Santiago Bernabeu”, duke u shfaqur disi kritik me gazetarët përpara sfidës që në kryeqytetin spanjoll po e presin me padurim prej një jave, madje duke publikuar edhe dhjetëra video me kryetitull “remuntada”. Gjithsesi, “Special One” nuk preferon të trazohet me ambientin merenges jashtë dhomave të zhveshjes. Hoze Murinjo thumbon në distancë drejtuesin bavarez, Franc Bekenbauer, i cili dha një deklaratë të fortë duke paralajmëruar skuadrën të tregohet e kujdesshme në Barcelonë, sepse sipas tij, katalanasit do të përdorin çdo mënyrë për të fituar: “Kam lexuar deklaratat e një personazhi të madh të historisë së kësaj loje. i lejon vetes të thotë se një skuadër do të përdorë çdo mjet të ligjshëm apo të paligjshëm për të ndalur kundërshtarin dhe asgjë nuk ndodh. Gjatë vitit tim të fundit te Interi dhe në vitin e parë në Madrid thashë të njëjtën gjë dhe e gjithë bota m’u hodh sipër. Ndoshta sot disa gjëra mund të thuhen më lirshëm”. Dhe duke qëndruar në këtë çështje, Mou nuk arrin të mos thumbojë rivalët blaugrana: “Skuadra ime bën vetëm veprime të ligjshme. Levandovski shënoi katër gola pa pësuar asnjë faull, ndërsa pas 5 minutave lojë, Ronaldo pësoi 4 të tillë”. Trajneri luzitan kërkon të ulë presionin ndaj skuadrës duke pohuar se një dështim i mundshëm do të ishte vetëm përgjegjësia e tij. “Në çdo klub dhe jo vetëm te Reali, suksesi është meritë e të gjithëve, ndërsa e njëjta gjë ndodh edhe për dështimin sepse përgjegjësitë i merr vetëm trajneri. Rrini të qetë, dështimi bie vetëm mbi supet e trajnerit. Rekordi i 100 pikëve është i Realit të Madridit dhe nëse nuk presim biletën e finales ky do të ishte një dështim”, – tha “Speciali”.