Nina F., moskovite. Martuar me 1959 me nje oficer shqiptar. Pas fjaleve te dua, erdhen shetitjet ne parkun “Gorki”, telefonimet nga kabinat e mbuluara me bore, denesat s’do te me harrosh etj., etj., gjer te: qytetare Nina F. e pranon per burre A. D. Dhe pastaj nenshkrimet, kembimi i unazave, ardhja dhe muaji i mjaltit ne Shqiperi.
Tani ajo eshte e shtrire ne arkivol ne mes te dhomes se apartamentit, mijera kilometra larg vendit te saj. Ka vite qe s’ka marre leter nga te vetet (letrat ishin te rralla pas prishjes se marredhenieve dhe vitet e fundit pothuajse jane prere). Ajo nuk ka ditur saktesisht kush ka vdekur e kush eshte gjalle ne familjen e saj, ashtu sikurse ata nuk do ta marrin vesh kurre saktesisht nese ajo ka vdekur vertet e, aq me pak, vitin e vdekjes.
Rrotull arkivolit, nje grumbull grash e qajne ne gjuhe te huaj. Jane motrat e oficerit, plaka tashme. Per shkak te shamise me lule, me te cilen ia kane lidhur kryet, ajo ngjan edhe me shume ruse dhe akoma me te trishtueshme e ben kjo te qaren ne gjuhe te huaj per te.
Rralle eshte vajtuar nje grua nga kunatat e saj me kaq ngasherim. Ky eshte nje mendim qe edhe ne qofte se nuk thuhet me ze, ndihet menjehere. Ashtu siç ndihet shpjegimi per te: qajne ne radhe te pare vetmine e saj. E, me siguri, te tyren.
Ne te djathte te arkivolit, pas shpines se grave ngrihet nje raft librash. Midis titujve, spikasin librat qe flasin per prishjen me Bashkimin Sovjetik, kryesisht librat politike te udheheqesit te vendit. Midis tyre dhe gruas ruse te shtrire ne arkivol eshte denesa e grave.
Ora e varrimit po afron. Levizja ne apartament behet me e dendur, sjellin mbulesen e arkivolit, gjemojne gozhdet qe e mberthejne. Pas pak, autobuset me njerezit e perzishem ecin drejt varrezes perendimore te qytetit.
Eshte nje dite e laget, me shi. Megjithate, askush nuk largohet para kohe nga gropa. Nje grua, anetare e kryesise se Frontit te Bllokut, mban nje fjale fare te shkurter, ku thote se Nina F. ishte nje nene e bashkeshorte e mire dhe nje punonjese e ndergjegjshme, qe ne punen dhe jeten e saj kishte pasur perhere parasysh mesimet e Partise dhe te udheheqesit te saj.
Dhjetor 1985