Teksa po vazhdon përplasja e interpretimeve në Kosovë dhe në Serbi për marrëveshjen e 19 prillit në Bruksel, të parën që synon normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk është vështirë qysh tani të nxirren tetë konkludime (së paku, me gjasë mund të ketë edhe konkludime të tjera), sipërfaqësimi i të cilave, si elemente kyçe të realitetit politik, do të duhej të ndodhte tash e tutje.
I pari konkludim është ky: Nuk ka kthim prapa. Pra, si thuhet, treni është nisur prej stacionit, me shpejtësi fare të vogël, por me drejtim shumë të qartë: Kah integrimi i plotë i Veriut të Kosovës në Rendin Kushtetues të Kosovës, kah largimi i të gjitha strukturave të sigurisë të Serbisë të cilat kanë operuar në Kosovë pandërprerë, që prej qershorit të vitit 1999 e këndej. Mund të ketë ngecje, pengesa të shumënduarta, probleme të cilat edhe priten nga pala serbe, por nuk ka prapakthim.
Konkludimi i dytë që lidhet drejtpërdrejtë me këtë të mëparmin është ky: Nuk mund të ketë më Status Quo në Veri. Liderët serbë të kësaj pjese të Kosovës e kanë kuptuar këtë fakt (e Status Quo ka qenë në fakt ‘statusi’ i tyre i preferuar për Veriun), prandaj edhe po përpiqen që ta pamundësojnë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.
Konkludimi i tretë është ky: Nuk mund të ketë qartësi të plotë në Marrëveshjet e këtij lloji (nuk ka diçka të tillë në rastet e kësisojta), e cila pastaj heq të gjitha pengesat e mundshme në jetësimin e saj. Megjithatë, një element i qartë, fare i qartë tashmë është pranuar prej të gjithëve që në një mënyrë apo tjetrën janë pjesë e këtij procesi: Zbatimi i Marrëveshjes është i padiskutueshëm, i panegociueshëm, i pashmangshëm.
Konkludimi i katërt lidhë jetësimin e Marrëveshjes së 19 prillit me rolin përcaktues në interpretimin dhe zbatimin e saj nga Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton, dhe me mbështetjen e fuqishme që sendërtimit të kësaj Marrëveshjeje do t’a bëjnë SHBA dhe Gjermania. Ky trekëndësh pra, i bërë prej Brukselit, Uashingtonit dhe Berlinit, mundëson, me fuqinë politike që ka, rrugën njëkahëshe të Marrëveshjes së 19 prillit kah realizimi i saj.
Në këtë kontekst, roli operacional në terren i EULEX-it dhe i KFOR-it na del poashtu i domosdoshëm. Më arsye për të mos vepruar në Veri, përbrenda Pikave a Parimeve të kësaj Marrëveshjeje nuk ka. EULEX dhe KFOR mund dhe duhet të ndihmojnë në mënyrë thelbësore që gjërat të bëhen si duhet në Veri të Kosovës.
Pa garancitë ndërkombëtare, pa këtë rol të BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, KFOR-it dhe EULEX-it, askush këndejpari nuk beson që mund të ndryshojë thelbësisht gjendja në Veri të Kosovës dhe mund të hyhet në kapitullin e ri politik dhe historik të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Konkludimi i pestë që është i domosdoshëm sa herë flitet për sendërtimin e Marrëveshjeve të këtij lloji është që afati kohor për përmbushjen e saj, është i qartë, ai matet, edhe në variantet më të mira edhe më të këqija me muaj, e jo me vjet (megjithëse mund të ketë tema të reja në procesin e normalizimit të raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, çfarë janë ato ekonomike dhe sociale, përfshirë edhe pensionet e qytetarëve të Kosovës, që kërkojnë më shumë kohë). Pastaj, dhe këtu kufizimi i kohës është gjithsesi në dobi të kësaj Marrëveshjeje, në temat kryesore të saj që përkojnë me policinë dhe me gjyqësorin, shumëçka, në mos e tëra, duhet të merr trajtën e veprimeve të matshme, jo më larg se deri kah mesi i qershorit, sepse në të kundërtën, Serbia nuk mund të shpresoj që Gjermania do të pajtohen me vendimin që Serbia do të fitojë datën për fillimin e bisedimeve për hyrje në BE. Këtu nuk ka mes, nuk ka ‘bënë edhe më vonë’, nuk ka dhe nuk mund të ketë mirëkuptim.
Zvarritja e përmbushjes së detyrimeve të Serbisë në Veri të Kosovës, të cilat korrespondojnë me obligimet e Marrëveshjes së 19 prillit, por edhe me konkluzat e Këshillit të Ministrave të BE-së (të dhjetorit të vitit të kaluar), e dëmton këtë proces, por e sakaton Serbinë dhe interesat e saj karshi ‘buletës së shpëtimit’. Llogaritë janë këtu fare të qarta. Pastaj, ngadalësimi apo edhe bllokimi i sendërtimit të Marrëveshjes, nuk e zhbënë atë.
Konkludimi i gjashtë që shfaqet këtu është që nuk mund të ketë rrumbullakësim të përmbushjes së kësaj Marrëveshjeje pa mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës. Ky është ai momenti i të vërtetës (si thuhet), ai konfirmimi final dhe vendimtar i kësaj ndërmarrjeje e cila në secilën etapë të saj (duhet thënë fare hapur), do të jetë e ndërlikuar. Thjeshtësia kurrë nuk është tipar i këtyre proceseve. Kështu është në gjithë Botën, kështu do të jetë edhe në Kosovë.
Konkludimi i shtatë që del nga rekapitullimi i bërë deri tash është që nuk ka arsye të qëndrueshme për të mos e jetësuar Marrëveshjen në harkun kohor maj – tetor/nëntor (varësisht kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe katër komunat e Veriut).
Në këtë mënyrë, me 1 janar të vitit 2014, Veriu i Kosovës do të funksiononte si e gjithë Kosova sot, dhe Kosova si shtet do të hynte, pak para se të shënojë gjashtëvjetorin e ekzistimit të saj si shtet i pavarur (me 17 shkurt, 2014), në periudhën e garantimit të qëndrueshmërisë afatgjatë.
Më në fund, vjen edhe Konkludimi i tetë, kapitali (me gjasë): Nuk mund të ketë dështim në përmbushjen e kësaj Marrëveshjeje. Nuk ka Plan B këtu, apo Plan rezervë. /Express/