Ina Jano
“PD, lokomotivë e integrimit, alternativa e Ramës, bllokimi dhe bojkoti”
Kryeministri përuron rrugën për në Prespë, investim mbi 1 miliard lekë, shkurton 3 herë distancën mes Korçës dhe Pustecit
Rruga Zëmblak – Pustec, që u përurua dje, do të shkurtojë distancëcn mes Korçës dhe fshatit turistik rreth 3 herë, duke e ulur në 15-20 minuta këtë largësi. Kryeministri Berisha, i pranishëm ditën e djeshme në qytetin juglindor, duke iu drejtuar të gjithë të pranishmëve, premtoi shtim të granteve me rreth 100 milionë dollarë për çdo fermer. Ai gjithashtu u ndal edhe në investimet që ka kryer deri më tani qeverisja demokratike, por nga ana tjetër, sulmoi edhe alternativën tjetër që shtrohet përpara shqiptarëve në këto zgjedhje të 23 qershorit. “Në këto vite ne financuam 42 mijë projekte të fermerëve shqiptarë. Jam këtu për t’u zotuar para jush se në 4 vitet që vijnë, jo 56 milionë dollarë, por 165 milionë dollarë do të jenë financimet tona, grante për ta. Dje, me propozim të fermerëve të Korçës, por edhe të fermerëve të Lushnjës e të Beratit, ne anuluam ligjin e votuar dy muaj më parë që synonte t’u ndihmonte ju, ligjin që hiqte TVSH për imputet bujqësore. Ne e anuluam, sepse fermerët në Lushnjë, në Berat, në Korçë na thanë se “këto pata nuk i marrim ne, i marrën tregtarët”. Ne punojmë shumë që t’u ndihmojmë edhe tregtarëve, por atë ligj e kishim për fermerët, për fshatarët që paratë t’u shkonin atyre, ndaj dhe ne vendosëm që dje, ose nesër që kalon ligji në Parlament, që çdo fermer të marrë para në dorë, TVSH-në për çdo lloj imputi bujqësor që ai importon apo blen në treg. Bëmë të njëjtën gjë për naftën dhe jam shumë i lumtur dhe i gëzuar që gjetëm skemën më të mirë për t’ju mbështetur ju dhe jo për të përfunduar paratë siç përfundonin në xhepat e qeveritarëve”, – u shpreh Kryeministri, mes entuziazmit të banorëve të zonës, të cilët merrnin pjesë në përurim. Ndërsa duke iu referuar punës së opozitës dhe alternativës që ajo ofron për qytetarët e vendit, shefi i qeverisë tha se të gjitha përpjekjet e tyre për të bllokuar përparimin e Shqipërisë drejt sukseseve kanë qenë të dështuara. Kreu i mazhorancës solli në vëmendje rastet kur opozita ka ndërmarrë nisma të tilla, ndërsa shtoi se ajo vijon të mbetet një alternativë bllokimi dhe bojkoti. “Alternativa tjetër për 4 vite ishte bojkot-bllokim, bllokim-bojkot. Momentin kur merrej vendim në Parlamentin Evropian, për vizat për Shqipërinë, u ngritën çadrat para Kryeministrisë, në mënyrë që ai vendim të mos merrej. Në momentin kur do të vendosej në Komision, nisi xhiron në mbarë Shqipërinë me kutinë nën krahë “Hap kutitë të zhbllokoj vizat”. Në momentin kur do të merrej vendimi tjetër, nisën letrat drejt Brukselit se shqiptarët do të vërshojnë mbi 800 mijë vetë drejt jush. Të gjitha këto mashtrime, shqiptarët sillen me heqjen e vizave në mënyrën më dinjitoze”, – sqaroi Berisha. I bindur për votën e të gjithë demokratëve në vend, por veçanërisht atyre korçarë, kreu i ekzekutivit tha se ai beson tek mençuria e tyre, duke theksuar se demokracia ekziston në Shqipëri dhe të gjithë votuesit do të dinë se çfarë alternative të zgjedhin. “23 qershori po afron, jam i bindur se shqiptarët, me mençuri, me gjakftohtësi do të votojnë për forcën që u provua gjithë këto vite lokomotivë e vërtetë e integrimit. Do të votojnë për besimin ndaj atyre, të cilët shndërruan në realitet premtimet e tyre. Do të votojnë për PD-në, e cila programin e saj e ka të bazuar ne vlerat metë larta njerëzore dhe hyjnore, e ka të bazuar në besimin tek familja, tek Zoti, tek vendi, tek liria e individit, e ka të bazuar në respektin e ndërsjellë”, – vlerësoi shefi i qeverisë.
Rruga
Rrugës Zëmblak – Komuna Liqenas (aktualisht Komuna Pustec) është investim i buxhetit të shtetit me vlerë mbi 1 miliard lekë. Rruga me gjatësi 13.1 km ofron për banorët e zonave përreth të gjithë parametrat e një infrastrukture bashkëkohore dhe të standardeve më të larta. Ky segment fillon në Zëmblak, në kryqëzimin e rrugës së re Korçë – Bilisht me Zëmblakun, kalon përmes fushës se Korçës për rreth 3 km, pastaj ngjitet në Qafën e Zvezdës dhe vazhdon përgjatë Fushës së Korijeve, përgjatë Malit të Zvezdës deri në kryqëzimin e fshatit Liqenas me rrugën e Doganës se Gorricës. “Rruga shkurton tre herë distancën e fshatit me Korçën, distancën e Korçës me Prespën, distancën e turistëve që vijnë për të vizituar Prespën. Rruga përmbush plotësisht filozofinë tonë të shkurtimit të madh të distancave të lidhjes së komunave me qendrat e qyteteve, me akset kombëtare të shkurtimit të distancës së tyre me kryeqytetin e vendit”, – pohoi numri një i qeverisë. Ai u ndal edhe në lidhjen e veçantë që do të krijojë kjo rrugë me komunitetin maqedonas që ekziston në vend. Berisha e cilësoi rrugën edhe si një urë miqësie mes dy vendeve mike, Maqedonisë dhe Shqipërisë, duke garantuar banorët e Pustecit dhe pakicën maqedonase kudo që ndodhet se politika e qeverisë shqiptare është dhe mbetet bashkëpunimi i ngushte miqësor në të gjitha fushat, me vendin mik, në interesin më të mirë të dy vendeve, kombeve dhe rajonit në tërësi.
Korpusi
Gjithashtu, ditën e djeshme, kreu i qeverisë ka marrë pjesë edhe në përurimin e korpusit më të ri që i është bashkangjitur Universitetit të Korçës, duke faktuar kështu edhe një herë se investimet e realizuara nga qeverisja e demokratëve prekin të gjitha fushat. Duke u dhënë një këshillë të gjithë studentëve, lideri i mazhorancës tha se ata nuk duhet të mendojnë se kanë arritur gjithçka duke mbaruar studimet e larta. Berisha pohoi se për të gjitha korpuset universitare në vend do të vijojnë financimet nga ana e qeverisë, por në të njëjtën kohë, e vlerësoi si tejet modern dhe me pajisjet e fundit të teknologjisë, këtë investim të bërë në Korçë. Kryeministri premtoi se do të vijojë politika e shpërndarjes së universiteteve në të gjitha qytetet e Shqipërisë, pasi kjo do të thotë më pak shpenzime për familjet e tyre dhe jo një grumbullim masiv në Universitetin e Tiranës.
Takimi me gratë
Berisha: Kërkojmë votën për atë që do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme
Ditën e djeshme në Korçë, Kryeministri ka vendosur ta shfrytëzojë maksimalisht, për të takuar kategori të ndryshme të banorëve të këtij qytetet dhe për të zhvilluar bashkëbisedime me ta, që sigurisht do të jenë në funksion të programit për zgjedhjet e 23 qershorit. Në kuadër edhe të javës së barazisë gjinorë, në Parkun Rinia, kreu i qeverisë ka bashkëbiseduar me gratë të cilave, u ka premtuar punësim dhe mbështetje më të madhe edhe nga ana e mazhorancës. “Ka një mur që ushqen pabarazinë gjinore, ky është muri i patriarkisë, ky është mur që duhet shembur. Ne jemi të vendosur të mbështesim fuqishëm këtë betejë për Shqipërinë vend i zhvilluar, që do të ndahet nga e shkuara patriarkale”, – tha ai. Berisha më tej i ftoi gratë t’ju përkushtohen karrierës së tyre. “Ndjekja e karrierës është përcaktuese për rolin e gruas jo vetëm në shoqëri por edhe në familje. Cilado qoftë ajo në rast se braktis karrierën e saj ajo topitet në një orbitë që është çdo gjë tjetër, por jo zhvillim”, – tha ai. Berisha kërkoi votën e grave korçare për të vënë në zbatim projektin e ri qeverisës, siç tha ai dhe jo për ato çfarë janë bërë në 8 vite. “4 vitet që vijnë një shans i madh, shkojmë drejt një mandati të ri, nuk e kërkojmë për ato që kemi realizuar, por për projektin e ri, për Shqipërinë që rrit punësimin dhe mirëqenien, që shkon e sigurt drejt integrimit në Evropë. Projekti ynë është që shqiptarët kudo ku janë të kenë infrastrukturë moderne, shkolla, rrugë të sigurta dhe të kenë shërbime moderne. Shqipëria është anëtare e NATO-s, lëviz lirisht në Evropë dhe këto janë bërë përmes qindra e qindra reformash të suksesshme”, – tha Berisha. Para këtyre grave, Berisha tha se pavarësisht se shqiptarët e duan integrimin dhe statusin, janë shqiptarë edhe ata që e kanë bllokuar integrimin. “Cili shqiptar do refuzonte të votonte këto 3 ligje që na mundësonin të merrnim statusin e vendit kandidat në BE. Po ja që ata që i penguan këto tre ligje ishin shqiptarë”, – tha shefi i qeverisë. Për Kryeministrin Berisha zgjedhjet e 23 qershorit do shënojnë sërish fitoren e Partisë Demokratike. “Alternativa e bllokimit të çon në pasiguri, paqartësi, ndaj edhe këto zgjedhje janë të një rëndësie të jashtëzakonshme do i fitojmë për ato që do bëjmë në 4 vitet që do vijnë”, – përfundoi Berisha.
Kryeministri, vizitë në biznesin artizanal: Qeveria ju mbështet
Kryeministri zgjodhi të ndalej në një biznes të vogël artizanal, të drejtuar nga një grua, në qytetin e Korçës, për të inkurajuar dhe përgëzuar guximin e grave shqiptare sipërmarrëse, drejtuese e menaxhere, të cilat me shumë kurajë e vendosmëri ia kanë dalë të jenë të suksesshme në sipërmarrjet e tyre. “Unë shpreh respektin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni. Ju meritoni me të vërtetë të konsideroheni duararta, sepse ju shkrini me talentin tuaj, një gjeni krijuese shekullore të shqiptarëve”, – iu drejtua zoti Berisha grave dhe vajzave të punësuara aty, teksa pa nga afër punimet artistike të bëra me dorë nga këto punonjëse. Në këtë biznes janë të punësuara 70 gra dhe vajza, shumica prej të cilave punojnë nga shtëpitë e tyre. Kreu i qeverisë dëgjoi me interesim kërkesën për zgjerimin e tregut të shitjes së këtyre prodhimeve edhe në kryeqytet dhe premtoi se në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së Tiranës do të gjenden format më të përshtatshme të investimit për tregje artizanale apo lokale të ndryshme. Kryeministri tha se turizmi e zhdërvjelltëson tregun artizanal, duke e shumëfishuar atë dhe duke i dhënë një dimension të ri. Në këtë kontekst, Kryeministri propozoi që në qytetet me frekuentimin më të lartë turistik, të ofrohen lokale gjatë sezonit turistik, në mënyrë që punimet të kenë përparësi në shitje.