Altin Vorpsi
Zëvendëspresidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Dejvid Xhill, kërkon që Shqipëria të mbështesë kandidimin e tij si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s
Zëvendëspresidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Dejvid Xhill, kërkon që Shqipëria të mbështesë kandidimin e tij si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. 55-vjeçari, që aktualisht mban edhe postin e shefit ekzekutiv të Mançester Junajtidit, e kërkoi hapur votën e Federatës Shqiptare të Futbollit pas një takimi me presidentin Armand Duka dhe sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së Ilir Shulku.
Qëllimi
“Qëllimi i vizitës sime në Shqipëri ishte për të takuar presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, sekretarin e përgjithshëm dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për të diskutuar rreth kandidimit tim si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, pasi në këtë pozicion ke për detyrë të përfaqësosh të gjithë futbollin evropian, ku Shqipëria është anëtare e kësaj familjehje. Pas një udhëtimi të gjatë mendova për ta shijuar këtë takim duke folur për futbollin në përgjithësi dhe për Shqipërinë. Besoj se është një mundësi për të shkëmbyer mendime për të dhënë ide për zgjidhje mbi problematikat që ekzistojnë”, – tha Xhill.
Konsiderata
Kreu i FSHF-së, Armand Duka, u shpreh se Dejvid Xhill është një personalitet i futbollit dhe si i tillë mund të japë kontribut edhe në UEFA. Presidenti Duka shtoi gjithashtu se është diskutuar edhe për projektet që ka Federata për zhvillimin e futbollit në vendin tonë.
E ardhmja e Fergit
I pyetur se sa vite të tjera Sër Aleks Fergusoni do të jetë në krye të Mançester Junajtidit, Xhill iu përgjigj: “Sër Aleks Fergusoni do ta drejtojë Junajtidin edhe për shumë vite të tjera. Ai është trajner i Mançesterit prej 26 vitesh dhe kjo është diçka fantastike. Kemi fituar shumë tituj me të, madje edhe këtë sezon, dhe gjithçka duket e pabesueshme.
Talenti
Ademi: Dua të luaj për Shqipërinë
Është një emër për të cilin flitet shumë në Gjermani. Bëhet fjalë për talentin shqiptar të Hertës së Berlinit, Fatos Ademi. Djaloshi i lindur në Prishtinë është shpallur kampion i Gjermanisë me Hertën U16 dhe U17, madje duke u shpallur dhe kryegolashënues. Tashmë, edhe pse vetëm 17 vjeç, ai luan me Hertën U19, sulmues kryesor ku në 19 ndeshje ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 6 asistime. Numri 10 i akademisë kryeqytetase, në një intervistë të dhënë për “Transfermarkt.de”, ka folur rreth karrierës së tij tek klubi, por edhe për një ftesë të kombëtares shqiptare U19. “Pata ftesë nga kombëtarja dhe doja të ikja, por me pengoi provimi i maturisë. Prandaj nuk munda të shkoja. Jam shumë i mërzitur, sepse ishin 2 ndeshje shumë të rëndësishme kundër Bullgarisë dhe Italisë. Do kishin qenë ndeshje shumë të mira për mua për të treguar çfarë mund të bëja, por edhe për të ndihmuar Kombëtaren me eksperiencën time që kam marrë tek Herta. Ishte shumë e vështirë të refuzoja sepse është vendi im dhe dua shume të luaj. S’ka asgjë që më pengon. Shpresoj që do të ketë sërish një ftesë për mua”. 17-vjeçari që si shembull në karrierë sheh Mario Manxukiç, shihet si talenti më i madh i klubit që vitin tjetër do të jetë pjesë e Bundesligës. Specialistët e krahasojnë me talentin e Gjermanisë U21 Lasoga, dhe pritet shumë shpejt që për Ademin të ketë një ftesë nga skuadra e parë , sigurisht duke kaluar më përpara tek ekipi i dyte i Hertës. Sidoqoftë, e ardhmja për të duket e ndritur, dhe kjo vetëm mund të gëzoj tifozët kuqezi, pasi një lojtar me kaq perspektivë shumë shpejt do të veshë fanellën e Kombëtares.
Merkato
Parma interesohet për Çinarin
Mesfushori i ekipit U17 të Akademisë së Vllaznisë, Erald Çinari, është shumë pranë hedhjes së firmës me Akademinë e Parmës në Itali. Lajmi konfirmohet për portalin “ShkodraSport”, nga trajneri i Vllaznia U17 Entri Çaku që është shprehur: “Ekipet e Akademisë sonë dhe konkretisht ky ekipi që unë drejtoj dhe është shpallur për tre sezone me radhë kampion i vendit, nuk ka pasur si objektiv vetëm fitoren e titujve kampionë por edhe formimin e lojtarëve cilësorë për të ardhmen. “Shembulli më i mirë për këtë është ai i futbollistit Çinari i cili prej një javë ndodhet në Itali për prova tek Akademia e Parmës. Menaxherët e këtij klubi e kanë ndjekur nëpërmjet kasetave filmike, kanë ardhur edhe në Shqipëri duke e vëzhguar në ndeshje dhe ditët e fundit e kanë kërkuar ta provojnë edhe atje. Nga informacionet e fundit, Çinari është pëlqyer mjaft për aftësitë e tij dhe sot ose nesër duhet të hedhë firmë me këtë Akademi, kuptohet brenda rregullave që do të jetë një transferim i tillë dhe në bashkëpunim me klubin e Vllaznisë. Prandaj dhe mendoj se ky është një sukses i Akademisë sonë në nxjerrjen e lojtarëve të tillë”.