Blerta Mrishaj
Dalipi: Sot në 11, mbledhje jashtë radhe për shkarkimin e Kosovrastit
Këshilltarët e majtë pas koalicionit, kërkesë për drejtimin e Këshillit
Mbledhje jashtë radhe është thirrur nga këshilltarët e majtë të Këshillit Bashkiak për ditën e sotme, duke kërkuar që me forcën e kartonit të marrin drejtimin e Këshillit. Kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, ka kërkuar zhvillimin e mbledhjes paraditen e sotme, teksa, siç mësohet nga reagimi zyrtar i Bashkisë së Tiranës, administratori i Përgjithshëm i Bashkisë deklaroi se Bashkia Tiranë nuk ka asnjë njoftim zyrtar për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të datës 3 maj.
Kërkesa
Sakaq, kërkesën për zhvillimin e kësaj mbledhjeje media e ka mësuar përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku shkruhej: “Ftojmë ditën e premte edhe z. Basha për të marrë pjesë në seancën e KB, për të parë nga afër votimin ligjor, të lirë e demokratik në sallën e KB”, – kështu shkruan në një prej postimeve Aldrin Dalipi në rrjetin social Facebook, aktualisht kryetar i grupit të këshilltarëve të majtë në Këshill Bashkiak dhe kandidatura kryesore për marrjen e postit të kreut të Këshillit. Në deklaratën e tij, Dalipi kërkon që mbledhja të mbahet të premten në orën 11, nga ku pritet të vendoset përfundimisht me forcën e kartonit edhe kryetari ri i Këshillit Bashkiak, kërkesë ardhur kjo pas koalicionit të Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ndryshimet e mazhorancës në Këshillin Bashkiak erdhën pas koalicionit parazgjedhor mes PS-së dhe LSI-së, ndryshimet pasuan edhe Këshill Bashkiak, ku dy partitë deklaruan publikisht koalicionin, duke ndryshuar mazhorancën. Pas këtij veprimi, këshilltarët e majtë zhvilluan një mbledhje ku përpiluan kërkesën për shkarkimin e Niazi Kosovrastit, një lëvizje e pritshme, po të kihet parasysh se aktualisht zotërojnë shumicën, ndaj edhe kërkojnë edhe drejtimin e Këshillit.
Këshilli
Do të jetë kjo mbledhje jashtë radhe, e cila me forcën e kartonit të opozitës në Këshill Bashkiak do të shkarkojë kreun e Këshillit, Niazi Kosovrasti, për të emëruar Aldrin Dalipin. Të paktën këtë përmban kërkesa e bërë nga kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, i cili ndër të tjera ka kërkuar me çdo kusht këtë mbledhje.
Ndërtimet pa leje
Bashkia nis aksionin pranë korpusit
Në disa zona të Tiranës kanë lulëzuar ndërtimet pa leje. Nisur nga situata e krijuar në kryeqytet, Inspektorati i Ndërtimit të Bashkisë së Tiranës ka nisur inspektime pranë korpusit universitar. Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor, Florenc Hoxha, ka theksuar se kati i parë i objektit është në proces legalizimi, ndërkohë që këto ditë është tentuar që pjesa tjetër të ndërtohet pa leje. Z. Hoxha ka qenë i prerë në qëndrimin e tij për të zbatuar ligjin ndaj çdo objekti që ndërtohet pa leje në territorin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa u ka kërkuar qytetarëve të mos ndërmarrin veprime të tilla, pasi forca e ligjit do të veprojë mbi to. “Prishja e këtij ndërtimi është në kuadër të angazhimit dhe punës sonë të përditshme, në lidhje me ndalimin dhe goditjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në territorin e Bashkisë së Tiranës. U bëj edhe një herë thirrje qytetarëve të Tiranës që të mos tentojnë shkeljen e ligjit, duke bërë ndërtime pa leje, pasi të gjitha ndërtimet që do të bëhen në kundërshtim me ligjin, do të kenë të njëjtin fat, prishjen e tij”. Drejtori Hoxha bëri me dije se territori i Bashkisë së Tiranës kontrollohet 24 orë nga shërbimet e Bashkisë dhe askush nuk mund të dalë mbi ligjin. Për këtë, siguroi Hoxha, në të gjitha rastet që do të konstatohen ndërtime pa leje, do të goditen.
ISHP
Inspektime në Dajt për malarie
Instituti i Shëndetit Publik ka nisur inspektimet në disa zona të Tiranës për hetimin e vatrave të malaries dhe evidentimin e rasteve të prekura. Pas alarmit për zhvillimin e kësaj sëmundjeje në disa zona të vendit, ISHP-ja ka nisur në terren specialistët e saj për hetimin e situatës. Gjatë ditës së djeshme, specialistët janë drejtuar për në Dajt, nga ku kanë nisur inspektimin e zonës. Sakaq, deri më tani janë evidentuar tri zona në Vlorë, në qytetin e Fierit, si dhe në fshatin Çekrezë të Tiranës është identifikuar mushkonja anafele, që transmeton malarien. Deri më tani kjo sëmundje nuk ka qarkulluar në vendin tonë. Mjekët shpjegojnë se malaria është një infeksion i shkaktuar nga parazitë njëqelizorë, të cilët hyjnë në gjak nëpërmjet ngacmimit nga mushkonja e malaries. Një pjesë e këtyre parazitëve kalojnë kohën në jetën e njeriut të infektuar e disa të tjerë në trupin e mushkonjës së malaries. Në trupin e njeriut ato përqendrohen në mëlçi dhe tek rruazat e kuqe të gjakut. Pasi hyn në gjak, ky parazit fillon të shfaqë simptomat e para të malaries. Dëmtimet që sjell kjo sëmundje, janë vdekjeprurëse.
Lotaria amerikane
Kodi
Lotaria amerikane, shpresë për ata persona që kanë humbur kodin e konfirmimit, pasi mund ta rimarrin. Departamenti Amerikan i Shtetit do të krijojë një mundësi që t’ju lejojë për të rimarrë numrin tuaj të konfirmimit. Në udhëzimet e ambasadës thuhet se pasi të hyni në sitin e kontrollit të statusit www.dvlottery.state.gov, aty mund të gjendet një seksion i cili shkruan “Forgot confirmation number”, që mund të plotësohet me të dhënat personale të personit. Ndërkohë, personat që kanë aplikuar për lotarinë amerikane mund të kontrollojnë statusin e aplikimit të tyre nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistrimit që është mundësuar online, duke filluar prej datës 1 maj në faqen www.dvlottery.state.gov dhe mund të zbulojnë nëse regjistrimi i tyre është i përzgjedhur ose jo. Të regjistruarit duhet të ruajnë faqen e tyre me numrin e konfirmimit të regjistrimit për lotarinë nga koha e regjistrimit deri të paktën 30 qershor 2014. Ndërkohë, informacioni për statusin tuaj DV-2014 do të jetë në dispozicion në internet nga 1 maji 2013 deri në 30 qershor 2014.