Sonja Caka
Masa e arrestit, Dyrmishi e Rrokaj mohojnë përfshirjen në grabitje, lihen në burg. Reagojnë familjarët, Dyrmishi: Im bir, me mua në dyqan kur ka ndodhur ngjarja
“Tradhtia” e shokut dhe disa prova të Prokurorisë u kushtuan qëndrimin në burg dhe ngritjen e akuzës për “Grabitje me armë” në bashkëpunim tre të rinjve nga qyteti i Fierit. Njëri prej tyre, Niku Dolva, pranoi për akuzën autorësinë e grabitjes bashkë me dy shokët e tij, Moren Rrokaj e Naim Dyrmishin, duke treguar me detaje gjithçka kishte ndodhur më 28 prill në argjendarinë e Maksim Gjergjit. Pasi ka dëgjuar akuzën e prokurorit, pranimin e grabitjes nga 31-vjeçari Dolva dhe mohimin e përfshirjes në këtë ngjarje nga dy të rinjtë e tjerë, gjykata caktoi masën “Arrest me burg”, duke i lënë kohë Prokurorisë për të vijuar hetimet. Më herët, para se të caktonte masën, gjykata kishte vlerësuar si të ligjshëm arrestimin e të rinjve. Para se të sillte për masë Dyrmishin e Rrokajn, Prokuroria kishte arritur të siguronte rrëfimin e 31-vjeçarit Dolva, i cili jo vetëm pranoi autorësinë para tyre dhe gjykatës, por rrëfeu edhe gjithë dinamikën e ngjarjes duke u kthyer në një bashkëpunëtor të drejtësisë. Por, vendimi i gjykatës nuk është mirëpritur nga familjarët e të rinjve. Babai i njërit prej tyre, Tomorr Dyrmishi, ka deklaruar se nuk është aspak e vërtetë që i biri ka qenë pjesë e grabitjes, pasi në kohën e ngjarjes ka qenë duke punuar me të. Madje, babai i Naim Dyrmishit ka deklaruar se policia ka ushtruar edhe kontroll ditën e arrestimit të të birit në banesën e tyre dhe nuk kanë gjetur asnjë gjë.
Arrestimi
Tre te rinjtë u arrestuan të premten e kaluar, vetëm 5 ditë pas grabitjes me armë dhe maska të një argjendarie në qendër të Fierit. Tre kapuça, një pistoletë, maska, para dhe një unazë ari, i vetmi send që i përket argjendarisë së vjedhur. Të gjitha këto janë gjetur në banesën e njërit prej të arrestuarve dhe në automjetin tip “Ford”. Ky i fundit u gjet i braktisur në një fshat të Fierit dhe bëri të mundur identifikimin e 2 prej autorëve. Grabitësit e maskuar dhe të armatosur hynë në argjendarinë e Maksim Gjergjit dhe morën prej andej disa kg bizhuteri ari. Ndërkohë që, po në të njëjtën mënyrë dyshohet se kanë kryer vjedhjen e një tjetër argjendarie në fillim të këtij viti. Policia e Fierit, gjatë operacionit të koduar “Unaza” vuri në pranga Niko Dolva 31 vjeç me pseudonimin “Leshkoja”, Moren Rrokaj 24 vjeç me pseudonimin “Bushi” dhe Naim Dyrmishi 23 vjeç me pseudonimin “Ujku”, të akuzuar për grabitjen me armë zjarri të argjendarisë që ndodhet pranë xhamisë në Fier dhe plagosjen e pronarit të saj, më 28 prill në lagjen “Apolonia”.
Grabitja
Në mes të ditës, të armatosur dhe të maskuar, tre të rinjtë kanë hyrë në një argjendari në qendër të Fierit, ku pas plagosjes së pronarit të saj, kanë boshatisur gjithë sirtarët duke vjedhur gjithë sasinë e floririt që ndodhej në argjendari. Ngjarja ka ndodhur në mesditën e datës 28 prill, rreth orës 13:30, ndërsa aty ndodhej i vetëm Maksim Gjergji, pronari i saj. Dy persona me maska në kokë kanë hyrë brenda, ndërsa i treti ka pritur jashtë në makinë. Mësohet se pronari Gjergji është përleshur me dy grabitësit, nga ku për pasojë është qëlluar disa herë me qytën e automatikut në fytyrë, duke mbetur pa ndenja. Nga dëshmia e dhënë prej tij për grupin hetimor mësohet se dy persona të armatosur dhe me kapuça në kokë kanë hyrë brenda dyqanit të tij, dhe pas kacafytjes me të, e kanë qëlluar duke e lënë pa ndenja. Më pas kanë grabitur gjithë argjendarinë, duke boshatisur gjithë sirtarët me flori që gjendeshin në të.
Krimet e Rënda
Tërhiqen dy avokatë, zëvendësohen dhe lihet për sot çështja “Dajti”
Caktohen avokatë, këta tërhiqen dhe caktohen të tjerë dhe i njëjti ritual vijon seancë pas seance në çështjen “Dajti”. Edhe dje, ashtu sikundër pritej, dy avokatët e caktuar kryesisht nuk kanë marrë përsipër mbrojtjen e të pandehurit. I pari, Bashkim Malaj, u paraqit në seancë, por deklaroi se nuk ishte në listën e avokatëve kryesisht dhe nuk mund ta mbronte të pandehurin, pasi ka probleme personale që e detyrojnë të mos paraqitet në mbrojtjen e Dritan Dajtit. Ndërkohë që, mbrojtjen e Dajtit e ka refuzuar edhe zv.dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Besnik Çerekja, i cili ka deklaruar se për shkak të impenjimit në fushën akademike nuk e ka mundësinë për t’iu përgjigjur kësaj mbrojtjeje. E ndodhur në këto kushte, kur edhe vetë i pandehuri Dajti ishte larguar nga salla dhe nuk kishte një avokat, gjykata vendosi të shtynte gjyqin për ditën e sotme duke caktuar dy avokatë të tjerë kryesisht.
100-vjetori i Drejtësisë
Kreu i Gjykatës së Lartë takon studentët e Juridikut
Studentët e Fakultetit të Drejtësisë janë ftuar dje të jenë pjesë e një diskutimi të hapur me një lektor jo krejt të panjohur për ta, por i cili tashmë mban një funksion mjaft të rëndësishëm, jo atë të pedagogut të tyre, por kreut të Gjykatës së Lartë. Takimi u zhvillua me rastin e kremtimit të Javës së Drejtësisë në sallën e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ku tema e diskutimit me studentët ishte “Sfidat e gjyqësorit shqiptar në procesin e integrimit evropian”. Për këtë temë që zhvillohet në 100-vjetorin e Drejtësisë, foli kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, kryetari i Kolegjit Civil pranë kësaj gjykate, Ardian Dvorani, dhe juristi i njohur amerikan Roxher Sherard. Në diskutimin e tij, kryetari Zaganjori citoi raport progresin për drejtësinë në vend, duke renditur një sërë përmirësimesh në fushën e legjislacionit, ndërsa nuk munguan as problemet që shqetësojnë aktualisht sistemin. Më tej në fjalën e tij, duke e njohur shumë mirë edhe jetën akademike përveç asaj të gjyqtarit, z. Zaganjori ftoi studentët e drejtësisë t’i kushtojnë rëndësi mësimit analitik të ligjeve dhe jo mësimit përmendësh. Kurse kryetari I Kolegjit Civil të kësaj gjykate Ardian Dvorani, kërkoi përmirësimin e praktikave gjyqësore edhe me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Takimi vazhdoi me pyetjet e studentëve drejtuar gjyqtarëve dhe kryetarit të kësaj gjykate.