Blerta Mrishaj
Dyshime se qarkullojnë shumë abone në treg
Në disa linja të Tiranës, kontroll çdo pasagjeri
Në autobusët e një sërë linjave të transportit në Tiranë ka nisur kontrolli i aboneve dhe biletave. Janë vetë përfaqësuesit e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas që kanë ndërmarrë një kontroll fillimisht në linjën e autobusit Laprakë – Don Bosko, duke kontrolluar çdo pasagjer për abone dhe biletë. Sipas tyre kontrolli po ushtrohet për të parë vlefshmërinë e aboneve dhe sasinë, pasi dyshohet se ka një numër më të lartë në qarkullim sesa sasia e nxjerrë në treg, çka shumë prej tyre mund të jenë edhe false.
Ndryshimet
Në ekip prej dy-tre personash kanë nisur të kontrollojnë abonetë dhe biletat e çdo pasagjeri që përdor linjat e urbanit. Në disa anketa shënojnë për çdo stacion numrin e pasagjerëve dhe mjetin me të cilin udhëtojnë, nëse kanë abone, librezë apo blejnë biletën. Një mënyrë kjo, sipas tyre, për të matur shitjen e biletave dhe sasinë e aboneve në qarkullim, pasi dyshohet se falsifikohen. Nga ana tjetër, shoqata ka provuar disa mënyra për të mbajtur nën kontroll shërbimin urban. Vetëm para pak kohësh ndërmori një tjetër nismë, duke riformatuar abonetë. Në të gjitha pikat e shitjes shoqata vuri si kusht shitjen e tyre vetëm pas pajisjes me fotografi ndërsa për abonetë e studentit, pas shumë vitesh u rikthye shitja e tyre vetëm përmes vërtetimit.
Kërkesat
Në Tiranë janë një sërë linjash që operojnë në fushën e transportit qytetas. Me mijëra qytetarë që përdorin këtë shërbim, çdo ditë për të arritur në punë, shkollë apo lëvizur nëpër qytet. Përballë këtij fluksi të lartë, shoqata e transportit urban herë pas here ka kërkuar që biletat e këtij shërbimi dhe abonetë të rriten, pasi shpenzimet janë të papërballueshme për ta. Në mënyrë të përsëritur, kanë drejtuar kërkesa që t’u rimbursohet nafta apo akciza e mjeteve ose në të kundër të ketë një rritje të biletave dhe aboneve. Mirëpo përballë kësaj kërkese nuk kanë gjetur mbështetjen e asnjërës prej bashkive, qoftë në kohën e ish-kryebashkiakut Edi Rama dhe as tani me Lulzim Bashën dhe e gjitha kjo me motivacion mungesën e një studimi të mirëfilltë që të tregojë nevojat e këtij shërbimi.
Tumoret
ISHP: Mungojnë shërbimet parandaluese
Rritje të ndjeshme të numrit të grave të diagnostikuara me kancer gjiri, teksa ende vazhdojnë të mungojnë shërbimet parandaluese. Specialisti i shëndetit publik, Alban Ylli, në një prononcim për mediat tha se rastet e evidentuara me tumor vazhdojnë të kapen në stade të vonshme, gjë që ka rritur ndjeshëm dhe numrin e vdekjeve. Në këtë pikë, sipas tij, Shqipëria është shumë prapa edhe vendeve të rajonit, siç është Maqedonia, e cila ofron aktualisht rreth 85 për qind të shërbimeve për ekzaminimin klinik të gjirit dhe ofron shërbimin falas për mamografinë. Në konferencën ndërkombëtare të shëndetit publik, që u zhvillua për dy ditë me radhë në Tiranë, specialistët e shëndetit publik kërkuan që duke nisur nga viti i ardhshëm mjekët e qendrave shëndetësore të kryejnë ekzaminimin klinik të gruas, pasi vetëm në këtë mënyrë do të frenohet epidemia e tumorit që po merr shumë jetë grash e vajzash. Sipas të dhënave të ISHP-së, mamografia ofrohet falas vetëm në spital, ndërsa në poliklinika ky ekzaminim kryhet me pagesë. Specialistët e shëndetit publik thonë se jo të gjitha poliklinikat në vend janë të pajisura me mamografi dhe pjesa më e madhe e pacientëve detyrohet ta kryejnë atë në klinika private. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë raportojnë për 4500-6000 raste të reja me tumor, ku kanceri i gjirit zë vendin e parë për numrin më të madh të të prekurve.
Zhurmat
Shtohen 5 pika të reja, ndotja mbi normë
Shqipëria renditet ndër të parat në listën e vendeve të rajonit me nivelin më të lartë të zhurmave urbane, ku Tirana regjistron shifrën më të lartë rreth 71.1 decibel nga 55 që është norma e Bashkimit Evropian. Shefi i departamentit të ujit e mjedisit në ISHP, Arben Luzati tha se pikat më të ndotura në Tiranë janë kryqëzimi tek “Vasil Shanto”, ku nivel i zhurmës së trafikut rrugor është 81.2 decibel, e më pas renditen kryqëzimi tek Zogu i Zi, Ushtari i Panjohur, Stacioni i Trenit, Laprakë etj. Sipas Luzatit, ky nivel i lartë i ndotjes akustike ka shtuar sëmundshmërinë në popullatë siç janë sëmundjet kardiovaskulare. Kreu i departamentit të mjedisit tha se nga monitorimi i 2011 i janë lënë disa detyra institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit ndotjen akustike, që janë pushteti vendor dhe ministria e Mjedisit. Specialistët e shëndetit publik thanë se në Tiranë niveli i zhurmave të monitoruara natën është rritur ndjeshëm nga 35 që është norma e lejuar u bë në 59.3 decibel. ISHP kryen monitorime dhe në lokalet e natës, por këto bëhen në bazë të kërkesave të subjekteve. Me afrimin e sezonit të verës kanë ardhur dhe ankesat e para në drejtim të bizneseve të lokaleve të natës dhe prej muajit prill specialistët e ISHP-së kanë nisur matjen e nivelit të zhurmave në subjektet për të cilët janë ankuar qytetarët.
Dita Botërore
Liri Berisha dhuron gjak për fëmijët talasemikë
Në kuadër të Ditës Botërore të Talasemisë, presidentja e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha, dhe Zonja e Parë e vendit Odeta Nishani, së bashku me gratë e trupit diplomatik, gazetarë ishin të pranishëm në spitalin e Lushnjës “Isa Çabej”, nga ku dhuruan gjak për fëmijët talasemikë. Zonja Berisha përsëriti edhe një herë mesazhin për më shumë sensibilizim për dhurimin e gjakut, pasi vetëm në këtë qytet janë 300 fëmijë të sëmurë. “Për mua ky aktivitet ka rëndësi të veçantë pasi personalitete të gjendura në fusha të ndryshme të artit, sportit, mediave dhe të diplomacisë. Ndaj dhe mendoj se është një imazh shumë i bukur i kësaj fushate që ne vazhdojmë me këto gra, si diçka simbolike si sensibilizim por me një domethënie konkrete”. Me nismën e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” është hapur qendra rajonale në të cilën është krijuar banka e dhurimit të gjakut.