Malaj: Pseudosocialistët Rama dhe Veliaj nuk më mposhtin dot, votë kundër neodiktatorëve

0
142

Gëzim Saliu

arben“Për të qenë njeri i mirë dhe për të kontribuar vetëm pozitivisht nuk ka nevojë për lista partie”

 

“Askush nuk më bën dot pis, as pseudosocialistët që mburren rrugëve të Tiranës”. Kështu u është përgjigjur dje kritikave për kandidimin e tij si i pavarur, Arben Malaj, duke theksuar se për demokracinë është e domosdoshme ekzistenca e zërit të lirë dhe vota kundër neodiktatorëve. “Prehri i Berishës është i zënë, ishte rehatuar Veliaj kur sulmonte PS-në dhe pasi erdhi Berisha në pushtet, e mbylli gojën. Pasi u lodh Veliaj, u ul Rama, duke i dhuruar ndryshimet kushtetuese që unë nuk i votova. Askush nuk më bën dot pis, Berisha më luftoi pa fund dhe nuk më largoi dot nga politika, të njëjtën gjë do ta provojnë edhe ata pseudosocialistë që mburren rrugëve të Tiranës”, – reagoi dje Malaj ndaj komenteve në rrjetin social, të cilat e cilësonin kandidimin e tij të pavarur në favor të mazhorancës qeverisëse.

 

Kandidimi

I vetëdeklaruar i pavarur vetëm dy ditë më parë, pasi kreu socialist Rama nuk e përfshiu në listat e forcës më të madhe opozitare, Malaj bëri të ditur se mandati i tij do të jetë i majtë. “Ju falënderoj të gjithëve ju që më keni mbështetur, bile edhe ju disave që jeni skeptik. Një falënderim i veçantë për median dhe njerëzit publikë që tek kandidimi im vlerësojnë krijimin e një modeli dhe jo ambicien për një karrige. Ju garantoj se Mandati im si i pavarur do të jetë mandati që Partia Socialiste nuk e ka marrë dot në Vlorë, pra fitorja ime e shton numrin e deputetëve të majtë në Vlorë”, – shprehej ai në rrjetin social. Më tej në përgjigje të komentuesve që kritikonin vendimin e tij për të kandiduar si i pavarur, ish-anëtari i kryesisë së PS-së tha: “Sigurisht që ka edhe nga ata që me parapagesë kanë disa vite që më sulmojnë, shpifin, por ata janë pak dhe nuk duhet lejuar të bëhen asnjë më shumë. Duhet të tregojmë se Vlora ka qenë dhe mbetet djepi i pavarësisë dhe i lirisë. Sa më shumë përfaqësues të saj të ndjehen të pavarur dhe të lirë në mendimet e tyre dhe në votën kundër neodiktatorëve dhe pro Shqipërisë evropiane aq më i plotë dhe aq më pozitivë bëhet kontributi ynë i përbashkët dhe akoma më e madhe krenaria vlonjate. Do t’iu jem gjithmonë mirënjohës pavarësisht nga mandatet politike. Për të qenë njeri i mirë dhe për të kontribuar vetëm pozitivisht nuk ka nevojë për lista partie, por ka shumë nevojë për mbështetje dhe inspirim nga sa më shumë njerëz të mrekullueshëm të qytetit dhe vendit tim”. Lista zyrtare e kandidatëve për deputetë e PS-së, e cila u miratua në mbledhjen e kryesisë, la jashtë një sërë figurash të forcës më të madhe opozitare, mes tyre anëtarët e kryesisë Arben Isaraj dhe Arben Malaj. Ky i fundit vendosi të kandidojë si i pavarur në qarkun e Vlorës, vendim ky që u mbështet nga ish-kryeministrit i vendit Fatos Nano. Ish-kreu i PS-së bëri të ditur në prezantimin e Malaj si kandidat i pavarur: “Në rast se fenomeni Malaj që është një nga më përfaqësuesit e vlerave dhe kontributeve të PS-së në 22 vjet demokraci në Shqipëri, do të arrijë të marrë më shumë vota se PS në Vlorë, kjo do të jetë shumë domethënëse, për të rivendosur integritetin, kurajon dhe besimin e brezave të votuesve shqiptarë, sidomos të të rinjve, te njerëzit që shërbejnë me devocion dhe sakrifikojnë interesat private që Rama nuk ka arritur asnjëherë t’i vendosë në fund të listave të tij”.

 

Petro Koçi: Lënia jashtë e Malajt, mesazh përjashtimi, LSI në listat e PS-së më hidhëron

“Ndihem i ripërjashtuar nga PS-ja, ndryshimet radikale në lista, jo të domosdoshme”

Ish-kreu i PSV1, Petro Koçi, i cili iu bashkua së fundmi Partisë Socialiste, bën të ditur se lënia jashtë nga lista e forcës më të madhe opozitare të Arben Malajt përcolli një mesazh përjashtimi nga kryesocialisti Rama. “Mendoj se në këtë rang zgjedhor nuk duheshin të bëheshin ndryshime radikale. Ishin futur shumë të rinj dhe pa u bërë listat dhe nuk kishte nevojë për përmbysje të reja, unë besoj se kriteri bazë duhet të ketë qenë impakti elektoral nga figurat përkatëse. Në rastin e z. Malaj nuk ishte sinjal i mirë. Nuk ishte mesazh integrimi, por përjashtimi. Në kuptimin, që ne tani po përgatitemi për qeverisjen e re dhe nuk ishte mesazh shumë i mirë. Por nuk jam dakord as me kandidimet e pavarur, por gjykoj se janë zhvillime jo pozitive domethënë si të them janë dy gabime në një ditë, që mendoj se nuk duhet të kishin ndodhur. Nuk duhet të kishin shkuar gjërat deri aty”, – tha ai në “Opinion” në “News 24”. Gjithashtu, Koçi komentoi edhe bashkimin e PSV 91 me PS, duke theksuar se pas publikimit të listave ndihet si i ripërjashtuar nga selia rozë. “Bashkimi ynë ka qenë pa kushte, nuk ka qenë me kushte. Kjo e vetëpërjashtimit, është një ndjesi personale dhe nuk ka pse të shitemi si komunistët që ishin gati të jepnin dhe jetën për ato 10 pika që duhet të plotësonin. Por jam më i qetë se në ato vitet e famshme në vitet 2007-2008, por disa gjëra janë kryer”. Në këtë kontekst, Malaj komentoi edhe përfshirjen e emrave të LSI-së në listat e PS-së, ku tha: “Më hidhur më vjen kur shoh kandidatura të LSI në listat e PS dhe ne që ndenjëm në opozitë bashkë me popullin, jashtë tyre”.

 

 

Kritikova hartimin e listave, Braçe: Largimi nga Berati, pa konsultë me bazën

Deputeti socialist, Erion Braçe, komentoi dje vendimin e marrë nga kreu socialist Edi Rama, të miratuar më pas në kryesi, për të mos e kandiduar në qarkun e Beratit dhe përfshirjen e tij në listën e Fierit, i dyti në renditje. “Nuk kam hequr dorë nga Berati, nuk ishte vendimi im për të ikur nga Berati, madje nuk besoj që është mendim apo sugjerim i të gjithë atyre njerëzve që unë kam përfaqësuar për 16 vite me radhë në Berat. Përjashtohet kategorikisht dëshira ime për t’u larguar nga Berati, por ka qenë një vendim i kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë”, – theksoi Braçe për “News 24”. Deputeti socialist pohoi se në mbledhjen e kryesisë së PS-së ka mbajtur një qëndrim kritik sa i përket listave të kandidatëve, duke hedhur poshtë që kryetari Rama i kishte ofruar edhe mundësinë për të kandiduar Tiranë. “Nuk më është ofruar asgjë. Kam marrë pjesë në kryesi, aty kam mësuar se ku kandidoj. Nuk kam negociuar me askënd për këtë gjë, sepse nuk më është dhënë mundësia që të negocioj. Unë kam dhënë mendimin tim në mbledhjen e kryesisë”, – u shpreh nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Braçe, duke shtuar se tashmë ka nisur fushatën e tij në Fier.

 

Danimarkë, Rama me Kryeministren Thorning-Schmidt: Takim për Shqipërinë evropiane

Në kuadër të vizitës në Kopenhagen, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim me Kryeministren daneze Helle Thorning-Schmidt, ku temë kryesore e diskutimit ka qenë situatat parazgjedhore në Shqipëri si edhe programi politik i forcës më të madhe opozitare. Kryesocialisti e ka cilësuar të shkëlqyer takimin, duke nënvizuar se bashkëpunimi me Danimarkën si për programin “Rilindja” ashtu edhe për reformat e rëndësishme që duhet të ndërmerren në vend pas zgjedhjeve. “Ishte një takim i shkëlqyer mes miqsh dhe partnerësh brenda familjes së socialistëve evropianë dhe ishte një mundësi shumë e mirë për të dhënë një pamje të situatës në Shqipëri në prag të zgjedhjeve. Njëkohësisht për të krijuar një ide të parë dhe të përgjithshme për Programin tonë të Rilindjes në funksion të një bashkëpunimi me Danimarkën, që ne duam ta shtrijmë më tutje dhe ta forcojmë për të përfituar sa më shumë nga eksperienca, nga dijet dhe nga mbështetja që i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë dhe popullit shqiptar”, – tha Rama. Ndërkohë, nga ana e saj Kryeministrja e Mbretërisë së Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt, tha: “Patëm një takim shumë të mirë me liderin e opozitës Edi Rama, në të cilin diskutuam për situatën në Shqipëri dhe sigurisht diskutuam për çështjet integruese të Shqipërisë. Kur diskutohet për këtë temë, gjithnjë diskutohet për zbatimin e ligjit, demokracinë dhe lideri i opozitës më dha një pamje të qartë të brendshme të situatës në Shqipëri pak muaj para zgjedhjeve”, – deklaroi Kryeministrja.

 

Meta: Aktivitetet prodhuese të përjashtohen nga taksat dhe tatimet të paktën për 5 vjet

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, propozon që aktivitetet prodhuese të përjashtohen nga taksat dhe tatimet të paktën për 5 vjet. Gjatë një vizite në një fabrikë prodhimi mobiliesh në qytetin e Kavajës, Meta u ndal te domosdoshmëria për krijimin e parqeve industriale dhe zonave ekonomike, duke krijuar lehtësira infrastrukturore për investitorët e huaj. “Mendoj se ky rast është një rast suksesi që kërkon mbështetje dhe promovim për t’u zgjeruar dhe njëkohësisht për t’u ndjekur nga shumë biznese dhe biznesmenë të tjerë. Është e domosdoshme sidomos krijimi i parqeve të reja industriale dhe i zonave të tjera ekonomike, ku aktivitete të tilla të karakterit prodhues të përjashtohen nga taksat dhe tatimet të paktën për 5 vjet në mënyrë që t’i japim një nxitje të madhe prodhimit në vend por të krijojmë të gjitha ato lehtësirat infrastrukturore, të cila tërheqin më shumë investitorë të huaj dhe investimet e huaja në zhvillimin e ekonomisë sonë”, – u shpreh lideri i LSI-së. Në të njëjtën linjë, Meta theksoi se biznesi ka nevojë për një ndihmë më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë pasi në këtë mënyrë do të rritej numri i të punësuarve. “Është kënaqësi që shohim një sipërmarrje të suksesshme e rritur me mund dhe me sakrifica, e cila ka nevojë për më shumë mbështetje. Aktivitete të tilla kërkojnë një ndihmë më të madhe dhe nga ana e shtetit dhe qeverisë, sidomos në drejtim të formimit profesional të punonjësve, pra zanatçinjve. Sepse këto janë profesione të veçanta dhe delikate, por është e rëndësishme të kemi sa më shumë njësi të tilla, sa më shumë sipërmarrje të tilla në mënyrë që të rrisim numrin e të punësuarve, por njëkohësisht edhe të rrisim mundësitë për të shtuar prodhimin vendas për të plotësuar nevojat e tregut tonë, por edhe për të eksportuar”, – theksoi kreu i LSI-së.