Sër Aleks Fergusoni gjen “momentin e duhur” për të lënë “ferrin”

0
160

 Përgatiti Altin Vorpsi

aleks

Prej 19 majit do të jetë thjesht Mançester Junajtid. Menaxheri i përjetshëm skocez, i cili deri pak ditë më parë shprehej se do t’i jepte fund karrierës kur shëndeti t’ia kërkonte, çohet nga pankina për t’u akomoduar në poltronën e rehatshme të skrivanisë. Do të jetë në krye të bordit të “djajve” dhe kryeambasador i klubit

 

 

“Football… bloody hell”. Pas triumfit të tij më të madh, Sër Aleks Fergusoni e përcaktoi futbollin si një “ferr i larë në gjak”. Nga ky “ferr” ai vendosi që të largohet pas 26 vitesh. Kaq iu deshën për të përmbushur ëndrrën e tij më të madhe: “Sfida ime më e madhe ishte që të ulja nga piedestali i tr… skuadrën e Liverpulit”. 38 trofetë e fituar në këto vite i kanë lejuar Junajtidit që të kthehet në skuadrën e parë të Anglisë.

 

“Momenti i duhur”

Në njoftimin për shtyp të publikuar dje në faqen zyrtare në internet nga ana e Mançester Junajtidit, 71-vjeçari i jep lamtumirën katërkëndëshit të blertë me shumë modesti: “Është momenti i duhur për lënë gjithçka, – tha Ferguson, – edhe pse zgjedhja ime nuk ishte aspak e lehtë. Për mua ishte i rëndësishëm fakti që ta lija skuadrën në nivelet e veta më të larta dhe besoj se ia kam dalë. E ardhmja e kësaj shoqërie është e artë: mosha mesatare e ekipit dhe cilësia e lojtarëve më bëjnë që të shpresoj për më mirë. Duke parë për të ardhmen, ju tregoj se jam i nderuar me postet e reja. Do të jem drejtor dhe ambasador i këtij klubi nëpër botë. Tani do të qëndroj më shumë pranë familjes. Dashuria dhe mbështetja e tyre ka qenë fondamentale për mua. Gruaja ime Keti ishte figura kyçe e tërë karrierës sime”. Karrierës brilante, shtojmë ne.

 

Pasuria

Aleks Fergusoni është trajneri më i pasur në Angli. Trajneri i Mançester Junajtidit gëzon një pasuri prej 64 milionë eurosh, duke llogaritur investimet e tij në prona të patundshme, por edhe kuaj gare. Ndërsa legjenda e “djajve”, Roi Kin, gëzon një pasuri prej 34 milionë eurosh, po aq sa Arsen Vengeri. Trajneri i katërt më i pasur është Mançini me 24 milionë. Mes pesë të parëve është edhe Xhovani Trapatoni, trajneri i Irlandës, gjithashtu me 24 milionë euro.

 

Lamtumira në lot

Trajneri i skuadrës së parë, Rene Meulenstin, ka treguar i shokuar se si e dha lajmin e tërheqjes Sër Aleksi. Stafi teknik dhe lojtarët e mësuan lajmin e tërheqjes së trajnerit vetëm mëngjesin e së mërkurës, pak minuta përpara publikimit të lajmit zyrtarisht. “Na mori në telefon në mëngjes dhe na ftoi në zyrë. Na tha vendimin që kishte marrë. Ishte diçka që pritej të ndodhte dhe përsëritej çdo sezon, por ai kishte vendosur ta mbante për vete momentin kur do ta bënte”, – tha njeriu që e ka ndihmuar atë të fitojë 4 tituj. Trajneri mbërriti në qendrën stërvitore “Carrington” si çdo ditë në orën 06:50. Ai kishte planifikuar 3 takime të veçanta: I pari me skuadrën e parë, i dyti me trajnerët dhe stafin e ngushtë, ndërsa i treti me pjesën e mbetur të stafit. Pasi bëri disa telefonata, ai u kërkoi lojtarëve të takoheshin, sepse kishte diçka për t’u komunikuar: “Takimi zgjati 8 minuta dhe lojtarët nuk folën, por dukeshin të shokuar nga ajo që po dëgjonin. Ishte një fjalim emocional, ndërsa në krah i qëndronte asistenti Majk Felan. Zëri i Fergit dridhej dhe nuk munguan lotët nga lojtarët mbi të 30-at. Ai i falënderoi dhe tha se ndihej krenar që kishte punuar me ta. Në fund u kërkoi edhe ndjesë për vendimin, por shpjegoi se nuk mund ta shmangte”, – tregon një nga gazetarët dëshmitar në takim. Në orën 09:20 u dha lajmi zyrtarisht në faqen e klubit. Pastaj trajneri ua komunikoi atë personalisht pjesës tjetër të stafit. U largua në orën 10:30 duke kthyer kokën pas, atje ku më 6 nëntor 1986 shkelte i përhumbur për herë të parë.

 

Skeda

Emri: Aleksandër Ferguson

Vendlindja: Glasgou (Skoci)

31 dhjetor 1941

Pozicioni: Sulmues

Karriera si trajner:

ST MIRREN (1 titull): 1976-77

ABERDIN (3 tituj kampionë): 1979-80, 1983-84, 1984-85

Kupa e Skocisë: 1981-82, 1982-83, 1983-84, 1985-86

Kupa e Ligës (1): 1985-86

Kupa e Kupave (1): 1982-83

Superkupa e Evropës (1): 1983

MAN. JUNAJTID

Premier Liga (13): 1992-93, 1993-94, 1995-96, 1996-97, 1998-99, 1999-2000, 2000-01, 2002-03, 2006-07, 2007-08, 2008-09, 2010-11, 2012-13

“FA Cup” (5): 1989-90, 1993-94, 1995-96, 1998-99, 2003-04.

Kupa e Ligës (4): 1991-92, 2005-06, 2008-09, 2009-10.

Superkupa e Anglisë (10): 1990 (e ndarë), 1993, 1994, 1996, 1997, 2003, 2007, 2008, 2010, 2011

Champions (2): 1998-99, 2007-08

Kupa e Kupave (1): 1990-91

Superkupa e Evropës (1): 1991

Kupa Ndërkontinentale (1): 1999

Kupa e Botës (1): 2008

 

 

Pasardhësi

Koeficientet e basteve nuk patën kohë as të publikoheshin. Nuk do të jetë as Murinjo, as Klopi dhe as Konte. Nuk pati kohë as të qëndronte një sezon si asistent për të mësuar sekretet e zanatit. Dje duhej të ishte duke ndjekur “finalen” e Champions-it mes Çelsit dhe Totenhemit në “Stamford Bridge”, por fati i ka rezervuar surprizën më të madhe të karrierës. Dejvid Mojes do të jetë pasuesi i Sër Aleks Fergusonit në “Old Trafford”. “Djajtë” kanë zgjedhur trajnerin skocez si pasardhësin e 71-vjeçarit në pankinën e “djajve”. Në fakt, 50-vjeçari ka muaj, për të mos thënë vite, që projektohet si trashëgimtari i legjendës së Junajtidit. Ky i fundit ka këmbëngulur personalisht që pronarët të mos ia lënë klubin në duar një trajneri mediatik si Murinjo, dhe i ka dhënë bekimin ish-ndihmësit të tij. E vërtetë, nuk ka fituar asnjë trofe në 11 vitet e tij në “Goodison Park”, por kjo nuk e ka penguar Fergusonin të zgjedhë Mojesin. Ka qenë 17 dhjetori i vitit 2012 kur “The Express” zbulonte bisedën sekrete të trajnerit të Junajtid me shefin ekzekutiv Dejvid Xhill dhe pronarët amerikanë. “Trajneri i Evertonit e njeh më mirë se kushdo futbollin britanik dhe është më jetëgjati në drejtimin e një klubi të Premier Ligës pas meje dhe Arsen Vengerit. Drejton me sukses prej 11 vitesh në ‘Goodison Park’ dhe nuk ka garanci më të sigurt për vazhdimësinë e punës sime. E njoh edhe personalisht dhe mund t’ju them se kemi të njëjtën filozofi”, – u pati thënë Fergi drejtuesve. Dje Mojes mori avionin e parë që nisej nga Liverpuli në Londër për të folur me presidentin Bill Kenrajt. Mojes përfiton 4 milionë paund në vit në Liverpul, dhe është i vetmi trajner i Premier Ligës që merr rrogë më të lartë se lojtarët e tij. Kontrata i përfundonte në fund të këtij sezoni, ndërsa ai ishte shprehur se do ta merrte vendimin për të rinovuar në fund të sezonit. Tashmë s’ka pse ta bëjë.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency