Agim Popoci
Pas publikimit të listave të partive politike për zgjedhjet e përgjithshme 2013, mësojmë se në botën shqiptare kemi deputetë të larguar dhe ata që ikin. Për dorëheqje nuk ka dëgjuar njeri, nuk është mall mediatik që “shitet” apo ka edhe të tillë.
Po kush mund të jap dorëheqje nga kandidimi për deputet në politikën e shumëpërfolur shqiptare, aty ku thuhet se paguhen edhe qindra mijëra euro vetëm për t’u futur në garë, ndërsa e gjithë bota e biznesit për disa mandate me radhë i është turrur kështjellës së ligjeve, vetëm e vetëm për të zotëruar një karton parlamentar në xhep.
Ja që ka të tillë. Sado e përfolur që është kjo botë shqiptare, sado e brishtë që është kjo politikë, sado e korruptuar apo minierë pasurimi, në vitin 2013, ka edhe deputetë që mund të japin edhe dorëheqje. Dhe jo vetëm kaq! Jo vetëm se japin dorëheqje, por edhe ndihmojnë kandidatin i cili zëvendësohet nga partia.
Cilët janë ata? Pse nuk publikohen emra të tillë në media, për t’i dhënë shembullin e duhur kësaj politike të çoroditur e që mund t’i shërbejë edhe kurimit të shoqërisë shqiptare që nuk po prodhon dot identitete mbi politikën? Apo, nuk i hyjnë në punë njeriu përderisa nuk bëjnë skupin e radhës?
17:31
Publikimi i listave për deputetë do të pasojë me një furtunë mediatike me të gjithë ata emra deputetësh që janë larguar, kanë ikur ose të gjithë ata të pashpresë që kanë sakrifikuar aq shumë për partinë dhe janë lënë anash.
Komunistët ose socialistët aktualë, me fabrikën e tyre të fuqishme mediatike, do të mburren se ata vërtet kanë larguar nga formacioni i tyre 17 deputetë, duke i zëvendësuar me ofertë të re, por ja që PD-ja rivale ka larguar plot 31.
Kandidimin e pavarur të Malajt do ta “mbulojnë” me grupin e të përndjekurve që largohen ose emrat e atyre që ishin në krye të komisioneve parlamentare dhe sot nuk janë as deputetë.
Kur profesor Ethem Ruka flet për sakrificën që ka bërë për komunistët shqiptarë dhe është larguar, mediat e kontrolluara nga Edi Rama na servirin edhe shqetësimet që kanë për fatin e Tritan Shehut ose Fatos Bejës. O sa të mirë na qenkan tashmë që janë larguar dhe çudi të gjitha këto nuk i di dr. Berisha?!
Por si gjithmonë, komunistët janë gjenialë në propagandë, madje kujdesen edhe për ndonjë të papritur, siç ishte paraqitja e Fatos Nanos për “t’i ndihmuar” Arben Malajt ose “pështyma e Isarajt”. Aty është Mark Marku, i cili si gjithmonë, si në Parlament, ashtu edhe jashtë tij shpreh mendimin e tij, ndërsa socialistët ose siç thoshte i ndjeri Pjetër Arbnori, specialistët, të cilët nuk e vlerësojnë, por e përdorin identitetin e tij mbi politikën për të zbutur bombat Nano-Isaraj. “Kritikët dhe konformistët janë larguar”, – citojnë mediat Markun, por gjithçka përfundon me kaq, sepse nga 17 deputetët e PS-së dhe 31 të PD-së media nuk analizon kriticizmin dhe konformizmin e të larguarve. Ose nuk bëhet një gjë e tillë, sepse nuk na dalin më shumë se 2 kritikë dhe konformistë, dhe, që të dy janë nga PD-ja, për të thënë më shqip, vetëm Mark Marku dhe Enkelejd Alibeaj. Dhe si pa dashje, na del një PS pa kritikë në gjirin e saj, jo siç ishte propaganduar, madje edhe i anatemuari Arben Malaj nuk na e pranon se ishte kritik. Dhe jo vetëm kaq! Ky bilanc nuk ka se si thuhet, meqë 95% e mediave janë nën kontrollin e Ramës së Madh, dhe ai domosdoshmërisht do të dilte i humbur, dhe rezultati 17:31 do të përmbysej në favor të Doktorit, duke na dhënë një tablo me 29 joproduktivë të larguar nga PD-ja dhe vetëm 17 nga PS-ja.
Mirëpo kjo dramë mediatiko-parlamentare nuk përfundon këtu. Përkundër fatit të madh të politikës shqiptare, që ka edhe identitet mbi politikanët, që japin dorëheqje dhe respektojnë të qenit përfaqësues të vërtetë të popullit, ky lloj identiteti nuk zë vend në media, ndërsa pse-të janë të shumta. Por rasti është aty, deputeti i Gramshit, Sybi Hida, fenomen i cili duhet t’i shërbejë jo vetëm Gramshit, por mbarë politikës shqiptare, e cila jo vetëm se nuk mburret, por zhduk nga faqja e dheut, identitetin mbi politikë.
Vetëm një Sybi
Përveçse pedagog dhe ekspert i njohur i ekonomisë, i edukuar në Universitetin Staffordshire, vendlindja e tij, Gramsh, me familjen e persekutuar Hida, i dhuroi Parlamentit dhe politikës shqiptare përfaqësuesin e popullit, Sybi Hida. Dhe kjo përzgjedhje rezultoi e qëlluar!
Jo vetëm fundi, por edhe fillimi i këtij mandati është i ndryshëm nga politika shqiptare. Nuk i vjen i sforcuar, nga bota e biznesit ose lobet nga më të ndryshme që sot janë fenomen para portës së Parlamentit të Shqipërisë. E Sybi Hida, edhe pse vetëm 38-vjeçar, deri tek përzgjedhja si përfaqësues i popullit ka mbrapa një kontribut të çmuar nga Analiza e Politikave Fiskale të Shqipërisë deri tek Fondi Monetar Ndërkombëtar në Uashington DC dhe gjurma e tij është identiteti i tij personal.
Sot Gramshi vërtet mund të mburret me njeriun e tyre dhe punën e përfaqësuesit të popullit në mandatin e kaluar në këtë zonë, por për punën e Hidës flet edhe Fakulteti Ekonomik, Ministria e Financave, Buxheti i Shqipërisë, Departamenti Evropian pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington DC dhe Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, ku kontributi i tij si përfaqësuesi i PD-së dhe ekspert i ekonomisë ishte i veçantë. Është folur shumë për politikat makroekonomike dhe fiskale të Shqipërisë, por sukseset e këtyre politikave janë edhe pjesë e punës së ekspertit të njohur shqiptar të ekonomisë, Sybi Hida.
Dhe vjen mandati i Gramshit, të cilin nuk e kërkoi Sybiu, por politika shqiptare dhe vendlindja e tij. E i përzgjedhuri i popullit në qarkun e Elbasanit, Sybi Hida, ishte po ai i fakultetit, buxhetit, Ministrisë së Financave dhe FMN-së. Me identitet mbi politikën, ai përfaqësoi zonën e Gramshit në jetën parlamentare, që nga dita e parë e mandatit deri në publikimin e listave për garën e legjislaturës 2013-2017. Atëherë kur puna e Sybiut nuk përkonte si me vendin e tetë që ishte ranguar në qarkun e Elbasanit, ashtu edhe punën e të gjithë atyre që ishin vlerësuar më shumë nga strukturat partiake, sepse aty është Gramshi, ai që ishte në vitin 2009 dhe është sot më 2013, i pakënaqur me këtë ofertë dha dorëheqje. Dhe jo vetëm kaq!
Pse Sybiu, sot mund të thuhet me plotë gojën, se për momentin është vetëm një i vetëm në llojin e vet në Parlamentin e Shqipërisë. Ai jo vetëm që dha dorëheqje, por ofroi ndihmë dhe po e ndihmon konkretisht në zonën e Gramshit kandidatin që e zëvendësoi në listën e PD-së. Dhe e gjitha ndodh ndërsa Sybiu i takon botës së deputetëve që nuk janë më në listën për deputetë, 47 kolegë të tjerë që shpërthyen me habi në kritika dhe akuza, duke mos e çuar as nëpër mend fatin dhe ndihmën e kandidatit që do t’i zëvendësojë. Që të mos ndodhë ky fund i trishtë në të ardhmen, pavarësisht nga rrethanat, modelin e kemi, Sybiun me identitet mbi politikë.