Dy agjentët e CIA-s rrëfejnë tmerret e qeverisë sovjetike; gra të zhveshura nëpër rrugë, bashkë me të gjitha shtresat e klasave shoqërore që sulmoheshin nga turma të egërsuara
Historiani Frederik Ljuis Shuman ka shkruar: “Rezultati përfundimtar i këtyre seancave dëgjimore […] ishte dhënia e një imazhi të Rusisë si një çmendinë gjigante e banuar nga skllevër në pikë të hallit, që ishin në mëshirën e një organizate maniakësh vrasës, qëllimi i së cilës ishte të shuante thuajse çdo gjurmë qytetërimi e ta kthente vendin në barbari”.
Me plot kuptimin, asnjë histori rreth bolshevikëve nuk ishte aq e llahtarshme, aq e pazakontë, aq groteske ose aq perverse sa të mos botohej e të mos merrej si e vërtetë nga të gjithë: që nga gratë që shtetëzoheshin, deri te fëmijët që haheshin (një hollësi interesante: edhe paganët e parë i patën akuzuar të krishterët se kollofitnin bijtë e tyre, po ajo akuzë që u bëhej hebrenjve gjatë mesjetës). Rrëfimet për gra që quheshin pa asnjë skrupull si mallra në pronësi të shtetit, për martesa të detyrueshme, për “dashuri të lirë” e gjëra të tjera kësisoj, “u përhapën në të gjithë vendin nëpërmjet mijëra kanalesh”, pohon Shumani, “dhe u bënë ndoshta mjeti më i mirë për të ngulitur në mendjet e pjesës më të madhe të amerikanëve imazhin e komunistëve rusë si kriminelë maniakë”. Këto legjenda vijuan të besoheshin gjerësisht edhe pasi Departamenti i Shtetit u detyrua t’i përgënjeshtronte publikisht (të paktën edhe deri në fund të vitit 1978 nga Shoqëria e Xhon Birçit i mësohej turmës së dëgjuesve të saj që sovjetikët hanin fëmijët e vet).
Në fund të vitit 1919, kur humbja e aleatëve dhe e Ushtrisë së Bardhë dukej tashmë e sigurt, “New York Times” u paraqiste lexuesve të tij tituj e rrëfime të këtij tipi:
30 dhjetor 1919: “Të kuqtë duan t’i shpallin luftë Amerikës”.
9 janar 1920: “Burime të qeverisë e gjykojnë si shumë të rëndë kërcënimin bolshevik ndaj Lindjes së Mesme”.
11 janar 1920: “Udhëheqës politikë e diplomatikë aleatë [parashikojnë] një pushtim të mundshëm të Evropës”.
13 janar 1920: “’Qarqe diplomatike aleate’ i tremben një pushtimi të Persisë”.
16 janar 1920, titulli i faqes së parë me tetë kolona: “Anglia i trembet luftës me të kuqtë, mblidhet një Këshill në Paris”. E më tej: “’Diplomatë të mirinformuar’ presin një pushtim ushtarak të Evropës dhe një përparim sovjetik në Azinë Lindore e Jugore”. Megjithatë, të nesërmen në mëngjes lexoje: “S’ka luftë me Rusinë, aleatët fillojnë bisedimet”.
7 shkurt 1920: “Të kuqtë organizojnë një ushtri për të sulmuar Indinë”.
11 shkurt 1920: “Ekziston frika se bolshevikët po pushtojnë tani tokën japoneze”.
Lexuesve të “New York Times”-it iu kërkua të besonin se të gjitha këto pushtime e kishin zanafillën nga një vend që ishte shkatërruar si pak të tjerë në histori, një vend që ende ishte duke marrë veten nga një luftë e tmerrshme botërore, që ndodhej në pështjellimin më të plotë prej revolucionit drastik që sapo kishte filluar, i zënë me një luftë civile të egër kundër forcave të mbështetura nga fuqitë më të mëdha botërore, me një industri – tek e fundit kurrë e zhvilluar – të rrënuar dhe në darën e një zie buke që, para se të zbutej, do të shkaktonte miliona viktima.
Në vitin 1920, revista “The New Republic” botoi një analizë të ngjeshur të lajmeve të dhëna nga “New York Times” rreth revolucionit rus dhe ndërhyrjes ushtarake. Ndër të tjera, revista vërejti se në dy vjetët vijues pas revolucionit të nëntorit 1917, “Times” kishte pohuar plot 91 herë se “sovjetikët ishin tashmë afër fundit ose që, gjithsesi, ishin duke u dorëzuar”.
Nëse ky ishte realiteti i paraqitur nga “gazeta më autoritare”, s’na mbetet veç të parafytyrojmë me tmerr se ç’paçavure të ndyra u servirnin lexuesve të tyre pjesa tjetër e të përditshmeve kombëtare.
Ky ishte, pra, kundërreagimi i parë i popullit amerikan ndaj një dukurie të re shoqërore që ishte përhapur në botë, këto ishin mësimet e tij të para rreth Bashkimit Sovjetik dhe rreth asaj gjëje të quajtur “komunizëm”. Studentët nuk e morën veten kurrë nga këto mësime. Dhe as BS-ja.
Ndërhyrja ushtarake përfundoi, por, me një përjashtim të vetëm e të pjesshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, sulmi propagandistik nuk reshti për asnjë minutë. Në 1943, revista “Life” u kushtoi një numër të tërë sukseseve të mëdha të Bashkimit Sovjetik, duke shkuar mjaft përtej asaj që kërkohej nga solidariteti ndërmjet aleatëve në kohë lufte e duke arritur deri aty sa ta quante Leninin “ndoshta njeriun më të madh të kohëve moderne”. Por dy vjet më pas, me Harri Trumanin në fronin e Shtëpisë së Bardhë, ky shpirt vëllazërimi nuk mund të mbijetonte gjatë. Tek e fundit, Trumani ishte njeriu që, të nesërmen e fillimit të pushtimit nazist të Bashkimit Sovjetik, pati thënë: “Në qoftë se shohim që po fiton Gjermania, duhet të ndihmojmë Rusinë, e përkundrazi, nëse shikojmë që Bashkimi Sovjetik po e vë poshtë, patjetër duhet të ndihmojmë Gjermaninë, e të bëjmë kështu të mundur që të ketë sa më shumë viktima të mundshme nga të dyja palët, edhe pse nuk uroj në asnjë rrethanë një fitore përfundimtare të Hitlerit”.
Pjesa më e madhe e propagandës antikomuniste e denoncoi ashpër traktatin gjermano-rus të vitit 1939, por pa marrë parasysh aspak faktin që rusët u shtrënguan ta nënshkruanin këtë pakt nga mospranimet e vazhdueshme të fuqive perëndimore, veçanërisht të ShBA-së e të Britanisë së Madhe, që t’i bashkoheshin Moskës për të përballuar kërcënimin nazist, për më tepër kur vetë këto fuqi nuk kishin pranuar t’i shkonin në ndihmë qeverisë spanjolle me frymëzim socialist, e rrethuar nga fashistët gjermanë, italianë e spanjollë.
Që nga “terrori i kuq” i viteve ’20, në makartizmin e viteve ’50 e deri në kryqëzatën reganiane kundër Mbretërisë së të Keqes në vitet ’80, populli amerikan iu nënshtrua një indoktrinimi antikomunist të pandërprerë, të mëkuar me qumështin e nënës, të vizatuar në karikatura, të mësuar nga librat shkollorë; titujt e të përditshmeve u thoshin amerikanëve gjithë atë që duhej të dinin; priftërinjtë i përdornin këto argumente për predikimet e tyre, politikanët për fushatat e tyre zgjedhore, ndërsa “Reader’s Digest” për të bërë një thes me para.
Bindja e rrënjosur thellë, e prodhuar pashmangshëm nga ky sulm i ankthshëm ndaj intelektit, është që mbi botë kishte rënë një dënim i rëndë, mbase i frymëzuar nga vetë djalli, i personifikuar në njerëz që nuk shtyhen nga po ato nevoja, frikëra, emocione e parime morale që udhëheqin pjesën tjetër të njerëzimit, por që janë të përfshirë në një komplot ndërkombëtar, qëllimi i të cilit është të pushtojë botën e ta kthejë në skllavëri; për arsye jo gjithnjë të qarta mbase, por tek e fundit e keqja nuk ka nevojë për arsye të tjera përveç vetë së keqes. Përveç kësaj, çdo rrekje e këtyre njerëzve për t’u treguar si qenie të arsyeshme që dëshironin të krijonin një botë e një shoqëri më të mirë, s’është gjë tjetër veçse një mashtrim, një mbulesë për të fshehur edhe një tjetër provë të dinakërisë së tyre të pabesueshme. Shtypja e mizoria në Bashkimin Sovjetik janë provat e pamohueshme të dështimit të virtytit dhe të synimeve djallëzore të këtyre njerëzve në çfarëdo vendi që të ndodheshin, me çfarëdo emri të kishin dëshirë të quheshin, dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, e vetmja zgjidhje e mundshme në Shtetet e Bashkuara është ndërmjet stilit amerikan të jetesës dhe stilit sovjetik, pa asgjë tjetër midis ose përtej këtyre dy vizioneve të botës.
Ja si qëndrojnë punët me popullthin amerikan. Por vërejmë se edhe intelektualët, po të gërmoje pak më thellë në gjuhën e tyre akademike, mendonin saktësisht në të njëjtën mënyrë.
Për mendjen e edukuar me kujdes të qytetarit amerikan, pikat e palëkundshme të antikomunizmit nuk ka aspak nevojë të tregohen, pak a shumë si në lashtësi, kur mendohej se Toka ishte e sheshtë; pikërisht siç ndodhte me popullin rus, që mendonte sinqerisht se viktimat e spastrimeve staliniste ishin vërtet fajtorë për tradhti.
Kjo vijë e pandërprerë zhvillimi e historisë amerikane duhet marrë parasysh nëse rrekemi të kuptojmë kundërshtitë e politikës së jashtme të ShBA-së duke nisur që pas Luftës së Dytë Botërore, dhe veçanërisht dokumentacioni i sjellë në këtë libër për atë që ushtarakët, CIA dhe qarqe të tjera të qeverisë u kanë bërë popujve të botës.
Në vitin 1948, baronët e kapitalit amerikan nuk kishin nevojë për justifikime të tjera për luftën e tyre përveç kërcënimit ndaj pasurisë dhe privilegjeve të tyre, edhe pse kundërvënia e tyre shprehej në formën e një zemërate moraliste.
Gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, diplomacia e ShBA-së kishte shpërthyer në Karaibe, duke e bërë “liqenin amerikan” një parajsë për interesat e “United Fruit” dhe të “W. R. Grace&Co.” e duke i paralajmëruar në të njëjtën kohë vendet e rajonit për kërcënimin bolshevik ndaj drejtësisë së vënë nga njerëz si Augusto Sandinoja.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, çdo amerikan mbi 40 vjeç u ishte nënshtruar rreth 25 vjetëve rrezatim antikomunist, mesatarisht periudha e inkubacionit të nevojshëm për të zhvilluar një tumor malinj. Antikomunizmi kishte arritur tashmë të jetonte për hesap të vet, dhe mbudhej në mënyrë të pavarur nga ati i vet kapitalist. Në periudhën e pasluftës, gjithnjë e më shumë politikanët dhe diplomatët e Uashingtonit, të bërë tashmë mesoburra, e ndanin botën në dy kategori: “komunistët” dhe “antikomunistët”, pa marrë parasysh në bëhej fjalë për vende, lëvizje a individë. Ky vizion i botës, me supermenë amerikanë që luftonin kundër kriminelëve komunistë që gëlonin kudo, ishte shndërruar nga ushtria cinike e propagandës në një urdhërues moral të politikës së jashtme amerikane.
Deri edhe koncepti i “jokomunistit”, që ngërthente njëfarë kuptimi asnjanësie, kishte pak besueshmëri në këtë mënyrë të menduari. Xhon Foster Dallesi, një ndër arkitektët kryesorë të politikës së jashtme amerikane, i shpreh mendimet e tij lidhur me këtë gjë me stilin e tij tipik, të thjeshtë e moralist në të njëjtën kohë: “Për ne gjallojnë dy lloje njerëzish në botë: nga njëra anë qëndrojnë ata që janë të krishterë dhe që mbështetin sipërmarrjen e lirë, pastaj vijnë gjithë të tjerët”. Siç vërtetojnë shumë nga rastet e analizuara në këtë libër, Dallesi e vuri në jetë këtë kredo të tij me vendosmëri të skajshme.
Fjala “komunist” (ashtu si edhe fjala “marksist”) qe përdorur e shpërdorur aq shumë nga udhëheqësit dhe media amerikane, saqë praktikisht e zhveshi nga çdo kuptim real (ashtu si e majta ka bërë të njëjtën gjë me fjalën “fashist”). Po të kesh një emër me të cilin të përcaktosh diçka, le të jetë fjala për shtriga ose për UFO, i jep kësaj diçkaje njëfarë thelbi.
Në të njëjtën kohë, publiku amerikan, siç e kemi parë, ishte thellësisht i kushtëzuar, aq sa në fund të reagonte në mënyrë pavloviane: ajo fjalë të sjell ende sot ndër mend imazhin e teprimeve më të këqija të Stalinit, nga spastrimet politike në kampet e punës së detyruar në Siberi; ajo do të thotë, siç ka vërejtur Majkëll Parenti, që “parashikimet klasike marksiste-leniniste [lidhur me revolucionin e përbotshëm], janë quajtur deklarata të synimeve që udhëheqin të gjitha veprimet komuniste të realizuara në praktikë”. Do të thotë “ne” kundër “atyre”.
Dhe kjo “atyre” mund të jetë një fshatar nga Filipinet, një piktor murales-ish nga Nikaragua, një kryeministër i zgjedhur në mënyrë të rregullt në Guajanën Britanike, ose një intelektual evropian, një asnjanës kamboxhian, një nacionalist afrikan; të gjithë, në një mënyrë a në një tjetër, pjesëtarë të të njëjtit komplot monolit; në njëfarë mënyre, një kërcënim për stilin amerikan të jetesës; asnjë tokë nuk është shumë e vogël, shumë e varfër a shumë e largët për të paraqitur një rrezik të tillë, “rrezikun komunist”.
Rastet e paraqitura në këtë libër tregojnë që thuajse ishte e parëndësishme nëse shënjestrat e veçanta të ndërhyrjeve (qoftë nëse bëhet fjalë për individë, për parti politike, për lëvizje a qeveri) ishin vetëpërcaktuar “komunistë” apo jo. Nuk ngrinte shumë peshë në bëhej fjalë për ithtarë të materializmit dialektik a për ata që s’kishin dëgjuar kurrë të flitej për Karl Marksin, nëse bëhej fjalë për ateistë a për priftërinj, nëse në atë vend po organizohet apo jo një parti e fortë komuniste; nëse ajo qeveri është ngjitur në pushtet nëpërmjet një revolucioni të dhunshëm a zgjedhjeve paqësore… sido të ishte, ishin që të gjithë shënjestra dhe të gjithë “komunistë”.
Edhe më e parëndësishme ishte përfshirja e KGB-së sovjetike. Thuhej gjithmonë që CIA i vinte në jetë veprimet e saj më të ndyra si kundërveprim ndaj operacioneve të KGB-së, që janë “edhe më të ndyra”. Por është një gënjeshtër kokë e këmbë. Mbase në tërë historinë e CIA-s mund të ketë pasur raste të veçanta të këtij lloji, po vetë Agjencia ka bërë çmos t’i mbajë të fshehta. Marrëdhëniet ndërmjet dy shërbimeve të fshehta janë karakterizuar më shumë nga vëllazërimi dhe respekti i ndërsjellë për kolegët sesa nga ndeshjet e drejtpërdrejta në terren. Ish-drejtuesi i CIA-s Xhon Stokuell ka shkruar: Ç’është e vërteta, të paktën në operacionet e zakonshme, ajo nga e cila kanë më shumë frikë komandantët e zonës janë ambasadorët amerikanë dhe stafet e tyre, të ndjekur nga komunikatat tepër kufizuese të shpërndara nga komanda qendrore, mandej nga banorët e zonës, mjaft kureshtarë e llafazanë, kërcënime të vërteta potenciale për operacionet e tyre. Pastaj vjen policia vendore e më tej shtypi. Vetëm në fund gjejmë të radhitur KGB-në; gjatë dymbëdhjetë vjetëve të mi në terren kurrë nuk kam parë a dëgjuar të flitet për ndonjë rast që KGB-ja të ketë sulmuar, ose edhe penguar, ndonjë operacion të CIA-s.
Stokuelli shton se edhe shërbimet e ndryshme të fshehta nuk duan që sektori i tyre të “ngatërrohet” nga vrasje të tërthorta.
Është gjë që s’bëhet. Nëse një agjenti të CIA-s i shpohet goma në një rrugë të shkretë, mu në mes të natës, nuk do të ngurrojë asnjë grimë të pranojë ta marrë në makinën e tij ndonjë agjent i KGB-së, madje, ka shumë të ngjarë që të dy të ndalen në barin e parë që do të ndeshin për të rrëkëllyer ndonjë gotë së bashku. Në të vërtetë, shumë shpesh agjentët e CIA-dhe të KGB-së bisedojnë me njëri-tjetrin për rastet e veta. Arkivat e CIA-s janë përplot me raste të tilla, të vërejtura në të gjitha vendndodhjet afrikane.
Mbështetësit e teorisë së “luftojmë zjarrin me zjarr” në disa raste rrezikojnë të jenë afër pohimit që, nëse, p. sh., KGB-ja kishte gisht në rrëzimin e qeverisë çekosllovake në 1968, atëherë CIA kishte pasur të drejtën të provokonte rënien e qeverisë kiliane në 1973. Kjo ishte njësoj sikur operacionet për shembjen e demokracisë të kryera nga KGB-ja të ishin derdhur në njëfarë llogarie rrjedhëse në bankë, nga e cila CIA mund të tërhiqte arsye për të justifikuar veprimet e saj.
*Fragment nga libri
Uilliam Blum, si e shkroi librin e CIA-s
Në vitin 1967 është larguar nga Departamenti i Shtetit ku punonte për shkak të kundërshtive të tij për ndërhyrjen ushtarake amerikane në Vietnam. Ka qenë një nga themeluesit kryesorë të gazetës “Washington Free Press”, ndërkohë që ka punuar dhe si gazetar i lirë në SHBA, Evropë dhe Amerikën e Jugut. Si shembulli më tipik i gazetarisë së pavarur ka përjetuar dhe treguar nga afër për grushtin e shtetit të Pinoçetit në Kili, ka bashkëpunuar në Londër me Philip Agee (ish-agjent i CIA-s) për demaskimin e personave të inkriminuar dhe të përfshirë në skandale të kësaj strukture. Është autor i disa librave me këtë temë dhe i një serie të pafund artikujsh me dokumente e ese për luftën, paqen e lirinë në botë. Libri që përshkruan historinë e komunizmit në Bashkimin Sovjetik “CIA dhe Ushtria amerikane – ndërhyrja në vende të ndryshme të botës që prej Luftës së Dytë Botërore” (të cilin vetë autori e ka mbititulluar “Vrasja e shpresës”), është edhe në shqip, dhe është fryt i një punë kërkimore në dokumente e arkiva për më se 30 vjet dhe është përkthyer e botuar në shumë gjuhë të botës.